E premte, 26.04.2024, 02:25 AM (GMT+1)

Faleminderit

Letrat e panjohura të Shtjefën Gjeçovit

E diele, 03.08.2008, 04:45 PM


Shtjefën Gjeçovi
Mes rreshtave të shkruara nga françeskani gjejmë shqetësime që ai i ndante me At Gjergj Fishtën, Fan Nolin, Mit'hat Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Lef Nosin, Simon Shuteriqin. Një pjesë e korespondencës së tij besohet të jetë zhdukur në vitet '45-'46. Disa nga letrat e Gjeçovit po i sjellim për lexuesin para se të përmblidhen në një botim të shpejtë, "Kam nerin me u nëshkrue..."

Nga Oliverta Lila

Jeta e Shtjefën Gjeçovit ishte e gjitha një përpjekje...Mes maleve ku predikonte si françeskan, kërkoi visaret, organizoi lëvizje kombëtare dhe hartoi
"Kanuninin e Lekë Dukagjinit". Ditët e tij ishin të mbushura me shqetësime, çështje që kërkonin zgjidhje e të tjera që duheshin njoftuar. Shtjefën Gjeçovi nuk ishte veç aq sa njihet nga fjalët e të tjerëve dhe veprat që ka lënë. Letra të tëra, të shkruara me dorën e tij, na zbulojnë një tjetër At. Ato u drejtohen emrave të njohur të politikës dhe kulturës shqiptare, konsullatave, françeskanëve të tjerë, por edhe familjes. Gjeçovi në "betejë" me kohën. Me fjalë të përzemërta apo të shqetësuara, diku edhe i frikësuar... ai i shkruan At Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mithat Frashërit, Aleksandër Xhuvanit, Lef Nosit, Simon Shuteriqit, personaliteteve klerikale të ortodoksisë shqiptare dhe të kishës unite. Janë më shumë se 100 letra, të mbushura me kërkesa, njoftime për çështje madhore apo dhe vetëm shpjeguese, rreshta ku tregon gjendjen e tij shpirtërore apo edhe gëzimin për një çështje të arritur. Ruhen në arkiva. Një pjesë e konsiderueshme në Arkivin Qendror Shtetëror. Në dosjen e tij, apo presonaliteteve të tjerë me të cilët ka patur korespondenca. Jaho Brahaj një pjesë të mirë të tyre e ka mbledhur. Së shpejti do t'i botojë në faqet e një libri, që vijon veprat që ai ka përgatitur dhe botuar nga trashëgimia e mbetur në dorëshkrim për Shtjefën Gjeçovin. "Shtyllat e Kombit"(publicistikë), "Mnera e Prezës"(novelë), "Tomorr e Pashtrik Përpiquni"(vëllim poetik), "Shqyptari Ngadhnjyes"(dramë), janë disa nga botimet e realizuara më parë.
"Kam nerin me u nëshkrue...", një frazë e përdorur nga françeskani në mbyllje të letrave të tij, mund t'i shërbejë si titull i vëllimit Brahajt. Ai shprehet se në përmbajtjen e këtyre letrave zbulohen të dhëna intersante për Gjeçovin, por edhe veprimtarinë e zgjeruar të tij. "Nga materialet e shumta që ruhen në dorëshkrim dhe shumë rrallë të botuara, janë korespodenca e Gjeçovit që ka pasur me personalitete të kulturës shqiptare, albanologë të huaj, me klerikë për probleme të administratës kishtare, me organizata dhe shoqëri patriotike-atdhetare të kohës në të cilën ka jetuar dhe ka shtrirë veprimtarinë e tij Shtjefën Kostandin Gjeçovi. Ato tregojnë anën e panjohur të tij, probleme konkrete që kanë ekzistuar dhe janë debatuar, kërkesa të ndryshme që i dërgonin njëri-tjetrit njerëzit në kohëra dhe periudha të ndryshme. Te letrat e Gjeçovit shpalosen edhe disa veprimtari që nuk na dalin në dokumentacione të tjera. Një prej tyre është bashkëveprimi me kolegët për themelimin dhe konsolidimin e kishës igumenike shqiptare e cila po të hapim dokumentacionin, ose nuk shpaloset fare, ose gjendet ndonjë detaj shumë i vogël i saj", shprehet Brahaj. Punën për mbledhjen e këtyre letrave e ka filluar që në vitin 1999. Duke përfshirë telegramet e kartolinat, numri i tyre shkon në 118. Ai shprehet se ende nuk ka përgatitur edhe 6 letra të tjera që gjenden në Arkivin e Shtetit, dy shqip dhe katër italisht. "Kjo punë nuk është shteruar. Arkivat private mund të sjellin të papritura, siç ka qenë një letër me shumë vlera që kemi gjetur në familjen e Ibrahim Shytit në Vlorë", thekson Brahaj. Por shumë letra të tjera mund të jenë zhdukur. Sipas kujtimeve të të ndjerit At Zef Pllumi në vitin 1945-'46, në Kuvendin e Françeskanëve ëhstë pastruar arkivi i Shtjefën Gjeçovit. Sipas Brahajt ka mundësi që të jenë hequr letrat e Gjeçovit drejtuar Lef Nosit, Mit'hat Frashërit, Ahmet Zogut dhe arkeologut italian Ugolini. Të gjithë këta ishin shpallur armiq të rrezikshëm për regjimin. Por dihet që ka pasur korespodencë me ta, pasi janë gjetur letra në fondin e tyre.

Studimet

Shjefën Gjeçovi la një trashëgimi të papërsëritshme për kulturën shqiptare. Veprat që vijnë deri në ditët e sotme, përfshirë këtu edhe përgatitja e Kanunit të Lek Dukagjinit kanë vlera të padiskutueshme. Në letrat që janë nxjerrë nga arkivi nuk mungojnë edhe shqetësime të tilla. Për materiale që mblidheshin, për pjesë që duheshin botuar, e të tjera që i rrezikonin. "Aty dalin edhe përpjekjet që ai dhe kolegët bënin në mënyrë të organizuar për veprimtarinë atdhetare, kulturore, të alfabetit dhe botimeve që kishin në planin e përhershëm përkundër veprimtarisë ideologjike dhe kulturore të armiqve të Shqipërisë", shprehet Brahaj. Në letrat që i dërgon At Gjergj Fishtës ai i kërkon materiale, apo i tregon se ka lexuar një kanunun në frëngjisht. Përmes datimit të tyre, arrihet të kuptohet se në cilën kohë ai punonte për përgatitjen e Kanunit. Përveç qarqeve të ndryshme që ishin të interesuara të pengonin personalitete të tjera dhe Gjeçovin për zhvillimin kulturor, politik dhe shkencor, ai vet herë herë detyrohej të bënte një vetçensurë për veprat që shkruante. Mes rreshtave të shkruara prej tij gjejmë edhe shqetësime familjare, probleme të tij me shëndetin, apo edhe kërkesa për vonesa e shlyerje borxheç. Aty është Shtjefën Gjeçovi që merret me probleme madhore dhe ai që "mundet" nga imtësira të jetës së përditshme.

Korespondenca në dorëshkrim

Gomsiqe 21. XI. 1910.

Fort i dashtun P. Gjergj! Dy fjalë. Po t'i mbylli ktu do letra, porse me ket shteg m'i kthe teknej per rrogtarin. - Posë P. Ambrozit, pos mue e ty mos i kallxo kuejt! Se rreziku na rrin mi krye! N'muejsh se si, shkruej edhe P. Lorensit n'Bajzë e ai P. Sebastjanit, e mos t'pergjigjni Palluçit(!), por t'lypin m'u mbledhë n'Shkoder e athera t'bajmë do kuvende t'nevojshme për Provinçë. M'nep nji t'pergjigjun si t'vin letra eme? Gadi harrova. Shkruej edhe P. Palit t'bajn kshtu d.m.th. per me ardhë n'Shkoder. Masi asht tuj dasht me hjekë qafet administratorin e provinçjes duhet me i thanë, qi t'bajnë istifakname edhe A'Provinçjalit, se ne s'na çartet gja. Aman gajret pash Shna Nduen e Pash Shqypninë. T'marr ngrykë i Yti ASK Gjeçov.

F. 58. D. 96 fl 6 - 7.


Zarë, 31 dhjetor 1905.

Ministrisë së Lartë Imperiale-Mbretërore.

Veç i është e njohur Ministrisë së Lartë Imperiale- Mbretërore, që unë, sipas urdhërit të fort të ndershmit At Ministër Gjeneralit të Rregullit tonë1, kam ardhur në Zarë për të zëvendësuar fort të ndershmin At Pashk Bardhin për mësimdhënjie në gjuhën shqipe në Borgo Erizzo. Për këtë i falenderohem kësaj Ministrie të Lartë Imperiale Mbretërore, që më ka nderuar kaq dhe që ka gjetur personalitetin tim jo të denjë që ta angazhojë për këtë nevojë. Por, duke parë se At Bardhi ka qenë i perjashtuar prej kësaj detyre për shkak të fjalëve të rrejshme dhe shpifjeve, duke e ndërprerë me një mënyrë jo njerzore vitin shkollor, as unë s'e ndjej veten që të rrij në këtë Kuvend, ku etërit françeskan shqiptarë s'e ndjejnë veten ndër vëllezërit tanë. Që të mos më ndodhë edhe mua e njëjta gja, unë dëshiroj t'ju them me këtë shkresë të pranishme dhe të jap dorëheqje formale, e cila, duke pasur parasysh arsyen e lartpermendur, do të pranohet nga Ministria e Lartë Imperiale-Mbretërore. Këto ditë do t'i shkruaj fort të ndershmit At Minister Gjeneralit dhe do t'i lutem të më japë leje, që të kthehem në Atdhe. Në rast se fort i ndershmi At Gjenerali më lidh me virtytin e Dëgjesës së Shenjtë për të pranuar detyrën e mësimdhënësit të gjuhës shqipe në Borgo Erizzo, atbote unë do të jem i detyruar të pranoj. Por le ta dijë Ministria e Lartë Imperiale-Mbretërore, se në këtë rasë do të konsideroj banimin tim në këtë Kuvend, si banim të detyrueshëm dhe do të jap mësim pa dëshirë, në mënyrë mekanike dhe vetëm proforma, dhe s'mendoj të marrë kurrfarë obligimi për perparimin e nxanësve. Kam shpresë te forte, se Ministria e Lartë Imperiale- Mbretërore do të ma pranojë me zemer këtë dorëheqje, dhe se do të insistoj ke Ministri Gjeneral, që të më japë leje të kthehem në Atdhe. Duke u deklaruar gjithmone besnik dhe sherbëtor i gatshem ndaj Ministrisë së Lartë Imperiale-Mbretërore dhe me konsideratë të veçantë mirnjohje Fort i përshpirtshmi dhe i falenderueshmi At Shtjefën Konstandin Gjeçovi, O.F.M. 1). Ministrit të Urdhërit Françeskan.

7 Fort i dashuri P. Gjergj (Fishta).

A të bjen nder mend kur ishim në Bosnje, si shtypej nder të kremte (kremtime) kombëtare shtypi me bojna t'Flamurit t'kombit të tyne? A nuk kishte me kenë punë e mirë qi t'fillojmë edhe na me e shpallun kah nji herë, si e naltpermenda? Edhe kishim me pasë shkak per t'ardhun t'Mbretit t'onë1, e të perkohshemen2 e frorit me e stolisun me bojna t'Flamurit tonë per nder të Mbretit ma parë, e e dyta t'ketë fillesë prej françeskanve t'Shqypnisë, kjo stolisje, si veshje kombtare e së perkohshmes sonë. Ket nder e pret prej tejet hem Shqypnija, hem i yti me zemer At Gjeçovi

At Gjeçovi
Gomsiqe, 9 - I - 914.
AQSH, Fondi 58, Dosja 96,
fleta 13.
1). Ardhja e Princ Vidit në Shqipëri.
2). Revistë e perkohshme, periodike.
Këtu është fjala për revistën
Hylli i Dritës.


Gomsiqe, 8. I. 914.

I ndriçmi Zotni Bajram Beg Curri!

Mjaft keq po m'vjen, qi sun po ja ndreqi dishirin Zotnisë s'Ate per punë t'armve. Unë mas emnit t'Preng Pashës, qi kam pasë prej Ishmit, i kam da armet e kurrnji s'kam ktu. Pra Z. Jote ka me m'falë, se kjo punë nuk asht ma n'dorë t'eme, porse n'dorë t'Preng Pashës Ju falem Shqyptarçe e jam i Z. s'ate ASK Gjeçov.

F. Bajram Curri (Nr. 818),
d. 19. fl.11.

Vlonë 21. IV. 920.
Fort i nderti e i dashtuni Provincjal.

Ket leter jam t'uj ta shkrue turravrapthi, sa me të ba me dije, se mrrina shndosh e mirë ktu. Pa u mbushë mirë me frymë, populli italjan i kësaj famullie porsa muer vesh, se jam shqyptar, janë vu menjiherë me ba prattiche, si më tha kapelani i ushtrisë, qi ka ba sherbim ksaj famullie deri tash, e i cilli ka shumë qef me ndej vetë ktu, e me ato prattiche janë tuj ba ricorsi pressole le tutorita di qui, per me hjekë mue e per me pru nji meshtar italjan. Unë jam gjetë ktu si gogla mbi ujë, e bafti i em asht, qi kam gjetë D. Mark Vasen ktu, i cilli deri më tash më ka mbajtë me darkë e me mjezditë në shpi të vetë, se sa për kapelanin e ktuhes kisha metë në rrugë të madhe. Në vijoftë puna kshtu, ndimo zot. Komanda më ka pritë si a ma mirë, porse janë gergasat, bash ky administratori-kapelani, i cilli u ba me pi mirë, kur më pa ktu. Puno si të dish e tjeter arsye së kan me pasë ankimet, perveçse jam shqyptar. Në folësh me nonji asi komandaresh, mos ban teper dava në kapelanin, se dreqi e din mos na ngatrroi punën edhe ma zi. Mirë kishte me kenë, qi ta bajsh, qi ti nepet urdhni e të më dali prej hospicit, e të shkojë ku të donë. Këtu skam deftere. Në qoftë se i jet famullia Urdhnit mir ban me mi çue. Tash tuj të marrë doren po jes i Yti.

ASK Gjeçovi.

P.S. Shumë shendet prej zemret prej D. Mark Vasës.


38 (Letra i niset Lef Nosit)
Elbasan 21. VIII. 924.

Dashamir!
Të falem per librin.
Qellimi i kësaj asht të pves a pernjimend e keni nji dorshkresë të njifarë Theodhorit (Elbasanit) qi asht Mesha e perkëthyeme shqyp?
Në kjoft e vertet, a mundet t'a shof.
Tuj pritë edhe emnat......
I yti
Dashamir
Sh. K. Gjeçovi.

F. 58. Dosja 96, fleta 40.
I nderti At.

Lajmin e rilindjes së "Hyllit" e mora dhe u gëzuash. Sa per me Ju dergue (ndoj) shkrim për Kanu më duhet me ju pergjegj
se me ket gjendje të kombit nuk mund të mblidhet, as mund të shkruhet gja prej gojet të popullit. Unë pernjimend se kam do dorshkrime mbi Kanu, porse nuk mund t'i ve për fije pa pasë njerëz të vaditun, s'jam ken i zoti dikur me i thirrë e me i pvetë. Besoni se qysh prej vjetit 1915 Kanunin se kam prek me dorë. Sa mos të mundem me thirrë kand e si mos të kem mjete me pritë e me percjellë, as Kanuni e as nji fjalë s'cirret prej gojet të popullit. Jeta kuvendare per ket punë s'asht, porse ju lutem mos ta merrni për të fyme ket fjalë se unë e kam vu me ta, a në Kuvend a në famulli, per mue janë nji doret, se jam merzitë ma tuj më thanë Fretnit "Dy bukë si hangra kund!" Tuj ju marrë doren, e tuj jy lyp bekimin po nenshkruhem

ASK Gjeçovi.

P. sh. Mos më harroni për nji zhgun të ri.

F. 133, d. 834, fl. 2.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora