E premte, 26.04.2024, 07:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Qerim Zogaj: Lëvizje për ekuilibër

E hene, 19.10.2015, 06:52 PM


Lëvizje për ekuilibër

(Tregim i shkurtë)

Nga Qerim Zogaj

Sa dola nga shtëpia, hyra në veturë por nuk isha i sigurt si po e drejtoja automobilin sot!? Po mendoja, sa shumë janë vjetruar mbulesat e ulëseve të automobilit, ndërsa pjesët tjera të tij, kush e di se në çfarë gjendje janë. Pra, puna e drejtimit të automobilit dhe sigurisë së udhëtimit,qëndron te vetë automobili. Pa përfunduar këtë mendim, arrita në fundin e rrugës së lagjes. Rruga është e shtruar me gurëz, por është e pastër si në përrallë, apo siç thuhet, si pasqyrë,ku mund të shikohesh dhe të rregullosh flokët e pakta, nëse fryma t’i ka hedhur në anën tjetër,prej asaj që zakonisht i mbanë. Në fund të rrugës, në anën e djathtë, mbi një gur ishte ulur një njeri, që dukej se nuk po mund ta mbante mirë ekuilibrin e trupit. Guri kishte ngjyrë të vjetruar, të mbuluar me një shtresë myshku, thua se kufizonte shekujt e kaluar. Ndala automobilin dhe iu afrova njeriut të ulur mbi gur, që të hynte në automobil. Ai e përkundi kokën dhe pa folur fare,hyri dhe u ulë në ulësen e parë të automobilit.

“Për ku jeni nisur?” i thash.

“Kudo që ju shkoni!” mu përgjigj shkurt.

“Ku dëshironi që t’ju zbres?”

“Në stacionin e fundit.”

Heshta. Cfarë të thosha?Po mendohesha: kjo punë nuk me doli edhe aq e thjeshtë dhe, jo krejt vetëm humane.

“A udhëtoni shpesh?”iu drejtova njeriut të panjohur që u bë pjesë e udhëtimit tim në këtë mëngjes.

“Po, kështu udhëtoj çdo ditë” më tha fare qetë. “Me çka udhëtoni?”u interesova.

“Me autobus!”mu gjegj trupthi.

“E ku shkoni ju, me cilin autobus?”

“Unë udhëtoj me autobusin e parë dhe shkoj në stacionin e fundit. Cdo ditë dhe gjithë ditën, udhëtoj me autobusin e parë dhe shkoj në stacionin e fundit. Kjo është bota ime, jeta dhe familja ime. Për mua nuk ka fare rëndësi se ku shkoj e ku ndalem…, për mua është e rëndësishme se jam banor i këtij qyteti dhe përherë udhëtoj me autobusin e parë deri në stacionin e fundit...”

“Fort mirë! Pra. këtu po ju zbres.” iu drejtova njeriut të pa njohur, “Ky është stacioni i fundit.”

“Mirë - më tha – faleminderit!Por ky është stacioni yt i fundit.”

“Kujdes të lutem, se ju nuk e mbani mirë ekuilibrin.” ia shpreha brengën time.

Më tha: “Jo-jo, pa merak! Ky është ekuilibri i llojit tim, me të cilin udhëtoj errë e terr, gjithnjë njësoj, me autobusin e parë deri në stacionin e fundit...”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora