Mendime
Ndue Dedaj: Ulza, ''bukuroshja e fjetur'' e turizmit
E shtune, 01.08.2015, 05:51 PM
ULZA, “BUKUROSHJA E FJETUR” E TURIZMIT
NGA NDUE DEDAJ
1
Nganjëherë
të bukurën, turistiken e kërkojmë tepër larg, ani se e kemi krejt pranë, para
syve, por nuk e shohim, prekim e shijojmë. Si një mollë që pa dashje ia kemi
ndaluar vetes. Eja e merre vesh këtë qendrim tonin sa adhurues, aq indiferent
karshi vlerave që nuk kanë nevojë për çertifikim. Pamjet e Ulzës, nga Gryka e
Shkopetit e të tjerë, janë kartolina që shëtisin gjithandej nëpër studio
artistësh e zyra drejtuesish, veçse aty ku ato janë shkrepur mungojnë jo pak
gjera nga dora e njeriut në funksion të turizmit! Ndonjë urë e varur tej e tej
lumit të Matit, ndonjë lundër e hijshme që vozit pushuesit liqenit, ndonjë
kullë e përshtatur për pritjen e turistëve, bujtinë druri apo hotel.
Rubiku,
Skuraj, Pllana, Ulza e të tjerë hyjnë në ato vende që Lambertci me 1916 i
cilësonte me “një pamje të mrekullueshme”.
Vëren një paradoks në këtë rajon tipik mesdhetar, shtatëdhjetë vjet më parë “Rruga e Dritës” i mori jehonën dhe udhëtarët udhës së vjetër të Zogut, që në vitet ’30 kalonte nga Uraka nëpër Mirditë e dilte në Milot, kurse me rikthimin e saj në identitet, ndërtuar para tre vitesh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, “Rruga e Dritës” nisi të bëhej ndonjëherë dhe rrugë “territ”, me maskat që iu zinin pritë udhëtarëve. Me rrugën e re/vjetër (nga Rrësheni) Ulzës, Bazit e Skurajve iu paksuan vizitorët. Nuk duam ta teprojmë, pasi Shqipëria është plot vende turistike që kërkojnë gjallërim, por ndër to Ulza është unike. Shpallja e saj Park Natyror mbetet një dëshirë e mirë, pa u shoqëruar me përmirësime të dukshme në infrastrukturën rrugore etj. Nëse për parqet kombëtare investohet qeveria me politika efikase e buxhete, për ato rajonale janë qarqet dhe bashkitë që duhet të bëjnë më të mirën. Ndryshe ç’kuptimi ka që mblidhemi e marrim vendime pa i shoqëruar ato me faturën ekonomike, ndoshta jo në formën e grantit, por të projekteve të zhvillimit etj. Nuk janë vetëm guidat e shoqatave, fletëpalosjet e gjitha. Sa festohet për parkun vit për vit, më mirë të bëhet sinjalistika turistike e objektit, apo mveshja me asfalt e rrugës së dërmuar buzë liqenit.
2
Ka vite që kambana e turizmit bie për herë e më fort. Kuvendi sapo miratoi ligjin e ri për turizmin. Deputetët deshën ta linin të miratuar atë në pikun e sezonit turistik, para se të ngrehnin çadrat në plazhe. Por se sa ata e kanë me shpirt “patriotik” këtë punën e turizmit mbetet për t’u parë se ku do t’i kalojnë pushimet, brenda vendit apo jashtë tij? Të shohim se mos ndonjë e përditshme, apo e përkohshme do të mund të na japë në ditët në vijim të dhëna rreth gjeografisë së pushimeve të ministrave, deputetëve, gjykatësve, shtetarëve në përgjithësi. Deri tani kemi parë Presidentin e Republikës të pushojë një fundjavë te “Rana e Hedhun” në Shëngjin, se i ka pëlqyer plazhi dikur “ushtarak”, se ka dashur të japë ndonjë mesazh, apo se nuk e kanë lejuar të vendoset në rezidencat qeveritare në Vlorë. Ndërsa ky soj “kacagjelimi” të mëdhenjsh të le shije të hidhur, nuk do të ishte e tepërt të pyesnim nëse ndonjë ministër do ta kalonte fundjavën në Ulzë? Jo se do ta bënte me flatra turizmin e atyshëm për aq, qoftë dhe ministrja e Turizmit, por mbase do të ishte gjetur një fond për rikonstruksionin e rrugës nga Shkopeti në Ulzë rreth 10 km, që jo vetëm nuk është turistike, por burim aksidentesh të rënda. Kaq nuk është shumë as për Këshillin e Qarkut të Dibrës që e ka dhënë Ulzës titullin e lakmueshëm të parkut natyror. Pronari i një resorti turistik, për nevojat e biznesit të tij tregtar e prodhues, do ta marrë ujin 11 km larg nëpër kreshta, kurse shteti nuk gjen një dorë pará sa për një copë udhë dhjetë kilometërshe në aksin që deri dje ishte e vetmi që lidhte Matin, Bulqizën e Peshkopinë me Tiranën?
Flitet ndërkohë nëse duhen bërë rrugë të asfaltuara për te bujtinat turistike. Mendja ta do se diku po e diku jo. Ama deri të “hyrja” e parkut do të shkosh se s’bën me makinë, tjetër pastaj aty ku habitati pyjor, lagunor është më mirë i paprekur, se po çuam rrugën prishet magjia e peizazhit dhe turisti duhet të “lodhet” për të shkuar deri te mirazhet e fshehura në pyje. Tashmë janë qartësuar ato çka mund të bëhen për turizmin me standarde dhe jo turizmin tonë “origjinal”, njëri ngrih një bujtinë druri e tjetri një hotel pesëkatësh me beton! Për më tepër Ulza mund të shihet dhe si një bashkëprojekt turistik me Kurbinin, Rubikun, Rrëshenin, Kthellën etj. Ka ardhur koha e projekteve ndërrajonale e ndërbashkiake, siç mund të jetë e përbashkët dhe puna për pastrimin e lumenjve, se nuk është vetëm rëra e plazheve (që i japim një “fshesë” çdo pranverë) që duhet pastruar, por dhe lumenjtë që i kemi kthyer në kazanë plehrash. Nuk ka shëmtim më të madh se kur ndot një lumë apo liqen me (pa)dashje. Lumenj si Fani e Mati kanë vuajtur dhe më parë nga mbetjet teknologjike të minierave e fabrikave, kurse tani janë bërë deng me material plastik ambalazhesh ushqimore etj. Bërlloku që ka mbushur lumenjtë në të katër anët është i rrëzikshëm sa masakra mjedisore e shkaktuar nga sëpatat në pyje, fadromat në gërryerjen e shtretërve lumorë etj. Kësisoj Ulza është një ftesë e kësaj vere dhe e muajve që vijnë, për t’iu dhënë mbështjen e duhur banorëve, vendorëve, bizneseve, shoqatave, operatorëve turistikë që kjo perlë mesdhetare mes katër rrethesh (Mirditës, Matit, Kurbinit dhe Lezhës) të kthehet në një nga vendet më të jetueshme dhe më të vizitueshme të Shqipërisë.