E premte, 26.04.2024, 07:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Miqtë e mi të kërrusur

E merkure, 22.07.2015, 06:39 PM


Nga manifestimi “Drini poetik”- Prizren, 2015

Adem Zaplluzha

Pesë poezi nga libri “Një shi prej bryme”

 

MIQTË E MI TË KËRRUSUR

 

I paskam harruar emrat e lagjeve

Ose këto ngjyra të luleve

Po ngjajnë

Me ngjyrën e kuq të dheut

Diçka nuk është në rregull

Me sytë e mi të gështenjtë

 

Nuk po i shoh gjërat ashtu

Siç i pata lënë dikur

Kjo urë që e ndanë qytetin

Në dy pjesë po qan si era

 

Pamjen e saj arkaike

E nuk paska ndryshuar

Kurse në anën tjetër

Akoma mund kalohet

Duke shkelur mbi shpirtin e saj

 

As njerëzit më s’janë ata

Që i njihja dikur

Qenkan plakur si bastunët e tyre

Ecin rrugëve të kalldrëmta

Dhe trokëllinë nëpër gurë

Si galopet e kuajve të dikurshëm

 

Miqtë e mi të kërrusur

Ecin me nga një shami në dorë

Duke i fshirë sklepat

Dhe kohë pas kohe

Dorën e djathtë e çojnë deri te hundët

 

Nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore

Kolliten si kuajt e sëmurë

Dikur që i kapnin yjet me dorë

Sot nuk janë në gjendje

Me i ndalë as gogësimat

 

 

KUR NA VININ FESTAT

 

Ende nuk i kam humbur rrugët

Do të kaloj këndej

Kah kemi kaluar të mbledhim dredhëza

Dhe t’i ndjekim pulat e egra

 

Ishin kohërat kur na mungonte ushqimi

Një kaçik pule vlente sa një deve

Në sofrën e uritur

Rrapëllonin lugët

Pas supës së ftohtë me hithra

 

Më kujtohet kur nëna na mashtronte

Duke i zier lëvoret e ahut

Buka ishte një ëndërr

E parealizueshme për ne

E shihnim vetëm nëpër dyqanet e pasanikëve

 

Këpucët tona ngjanin me lëkurën

E këmbëve të breshkës

Kur na vinin festat fetare i arnonim

Dhe i lustronim me dhjamë buallice

 

 

NJË TELEPATI E METALTË

 

Mbase celularit ja paske zënë frymën

Sa herë që cingëroj

Asnjë njeri nuk lajmërohet

Andej atij muri të shurdhtë

 

Mua më befason shumë kjo heshtje

Edhe celulari ngjan me ty

Jeni të njëjtë ti njeriu prej mishi

Kurse ai një copë plastike pa vesh

 

Nuk di më se kujt t’i drejtohem

Andej mendjes muri i akullt

Brenda në shpirtin e celularit

Një sustë e zezë nuk bëzan

 

Një telepati e metaltë lëshon rrënjë

Në shpirtin njerëzor

Hesht kur ka e s’ka nevojë

Dhe nganjëherë cingëron si ndërgjegjja

 

 

TË LUTEM DORA IME

 

Natën e mirë dora ime

Mos ma kruaj sonte shpinën

Druaj se do e lëndosh mendjen e lëkurës

 

Po bie nga pakë një shi i verdhë

Po bie mbi syprinën e kalldrëmeve

Nuset kanë dalë te kroi dhe po i krehin flokët

 

Janë sëmurë shtambat prej argjile

Nuk marrin frymë

Ngjajnë me njeriun që vuan nga etja

 

Syri im i djathtë nuk e sheh syrin e majtë

Të lutem dora ime

Mos m’i kruaj sonte kujtimet

 

 

DUKE U NGJITUR MAJAVE

 

Duart e tua arabeska fjalësh

Të zbrazëta

Si tingujt e një muzike të shthurur

Mëngjeseve herët zgjohen

Dhe nëpër muranat e faltoreve pagane

I lexojnë epitafet e së kaluarës

 

Nëpër rrëfyestore bie shi lotësh

Pendohen drurët

Me një fjalë goje lahen mëkatet e kaluara

Dhe ato që do pasojnë më vonë

Nga biri i birit të njeriut

 

Nëpër kishat e qytetit të vjetër

Kanë heshtur kambanat

Asnjë zë njeriu nuk dëgjohet

Rrugicave qorre

 

Vetëm një zog i vetmuar

Fluturon vërdallë

Fluturon deri në theqafje

Duke u ngjitur majave

Nëpër mëkatin

E papërmirësueshëm të njeriut



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora