E merkure, 29.09.2021, 12:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Kosova e një koleksioni buzëqeshjesh

E enjte, 20.11.2014, 08:01 PM


KOSOVA E NJË KOLEKSIONI BUZËQESHJESH TË REJA LIRIKE

(Musa Osmani, Dhe mbeta një çast i heshtur, Rugova Art, Prishtinë 2013)

Nga Baki Ymeri

Pas vëllimit të parë (Buka e mërgimit, Tringa Design, Tetovë 2012), Musa Osmani nga Zvicra vjen para opinionit me një koleksion buzëqeshjesh të reja lirike. Libri i tij i dytë (Dhe mbeta një çast i heshtur), e sheh dritën e botimit me një lëndë të strukturuar në 6 cikle (Njerëzit dhe lulet, Jetë qeni, Dykokëshi na ndjek, Ne dhe ata, I tillë jam unë, Jeta lind në çdo rrahje zemre). Loti i fjalës i vërshon faqet e librit, por edhe buzëqeshjet lirike që e shumëfishojnë optimizmin dhe shijen për jetë. Jeta shqiptare në mërgim ka një shije të veçantë. Pse? Sepse Këtu fjala jote e mençur nuk paska peshë”. Sepse, këtu ti je degë e këputur, pa trung.

Vigjilenca shqiptare, bashkimi kombëtar dhe Atdheu për autorin don të thotë dashuri dhe altruizëm: “Tokë martire plot me varre/ Shpirtin tim e mbajte gjallë/ Dhe pse kurrë s’e the një flalë”. Mërgimi, kjo plagë e moçme dhe e ende pashërruar, reflekton braktisjen e atdheut për motive sociale, ekonomike apo politike. Sipas autorit: Në Zvicër mund të kesh shtëpi luksoze/
Mund të blesh makinë furioze që i çan mallet/.../ Mund të vishesh elegant si një bos/ si një lord
mund të kesh në bankë çeqe me miliona/.../ Por kot e ke se të quajnë si ca fije të njoma.

Në vargjet e Musa Osmanit, njerëzit dhe qytetet kanë jetën e vet, me drita e me hije, me priudha kritike, me vuajtje, durime e shqetsime, me dhimbje e gëzime, me përmbushje apo rënie. Jo më kot kemi thënë paraprakisht (2012), se vargjet e Musait duken të thjeshta, por në brendi të tyre autori fsheh mendimin për të sqaruar disa gjëra që ndërlidhen me njeriun dhe ekzistencën e tij. Njeriu pa mëkate është i barbartë me Zotin, siç janë martirët, engjëjt, dhe pse jo, edhe poetët.

Sintagmat si: mërgimi i zi, nënat zemërbujare, qershitë jetime, dimri mes dhimbjes e pranverës, harqe ylberi, ironi e sertë, joshin kureshtjen e lexuesit të etshëm për poezi. Apo vargjet e ngarkuara me një humor të qëlluar: Absurdistani është shtet fantastik/ Ku s’ka nevojë për akademikë/ Aty politikani prej vitesh shet kopalla/ E veç popullit aspak nuk i ha palla. (Absurdistani).

Poezitë e Musa Osmanit reflektojnë dimensione reale dhe ekzistenciale, jo vetëm në perspektivën e kohës. Personazheve të imagjinuara iu kujtohet periudha e përjetuar në kotarin e një kohe të trishtë: Në çdo prag nënat po thinjen/ Dhe në pritje një ditë vdesin/ Sytë i mbajnë veç kah shtigjet/ Ah, dhe këtë vit nuk më erdhi!/ Janë zbardhur si zbardh bjeshka/ Dhe vetmia ua vjedh urimin/ Mbetën ëndrrat lis pa dega/ dhe rrugët i mbuloi harrimi. (Pyesin nënat: Djemtë ku mbetën?)

Realiteti lakuriq i një absurdistani ballkanik,  përshkruhet me vargje klasike të një modenriteti bashkëkohor: Atje të plotë rrogën mësuesi e merr/ Dhe pse çdo vit analfabetë nxjerr ./ Aty hoxha të gënjen mëngjeseve e pas darke/ E për gënjështrën e bërë të kërkon dhe pare/ Në këtë shtet askush nuk merr përgjegjësi/ Atu s’ka ligj, liri, gjykatë, polici. Musa Osmani inkorporohet në spektrin e poetëve të papërngutshëm që i ik skribomanisë, që plason në peshoren e fjalëve meditime të veçanta dhe vlera reale lirike. Ai shkruan me kujdes dhe nga «hambari» i mendimeve të tij mbeten në kujtesë vargje të paharruara si: Ka hedhur krahët e blertë në mur, te kopshti me erë/ Qëndron dhe sot qershia e s’mposhtet kurrë/ O, sa lule të bukura na jepte në pranverë/ E më tej na mbushte duart me frytin e kuq. (Qershia).

Jap ra një fitore e re, një përgëzim i ri shpirtëror, një dritare e hapur ndaj vendlindjes, ndaj Kosovës dhe ndaj mërgatës sonë! Pason edhe një gamë poezishë tjera për deshifrimin e një shpirti të brishtë që na mahnit me dritën e brendshme të fjalës.

BOX

Është ironia e fatit të një jete të kombit tonë ku ka gëluar prej vitesh përditshmëria e shqiptarit në të. Në këtë  libër të tijin ku ai ka vënë emrin, fytyrën dhe titullin. duket se shohim vetveten Nuk nxiton po edhe e ka bindje të një burri besnik kur thotë se nuk do të ndërrojë kurrë emrin e atdheun. Ka mbledhur copëza qelqore të shpirtit të tij kristalor apo edhe të njëjtë me një mal të paepur. Nuk është i pari që përtyp këtë bukë sa të hidhur, edhe pse poezitë për të janë të pakta. Të paktën, ato që qëllojnë në shpirtin e vrarë. Për ne, shqiptarët, buka ëshë jo vetëm simboli i jetës, por edhe simboli i Bashkimit të familjes që një nga një kanë rikrijuar Atdheun dhe Kombin. E mes një rruge që jo gjithmonë ka mbarësinë e vet, duket se buka na ka bërë më të ëmbël pragun që na rrit, më të malluar. Këto i thotë shumë më bukur miku im shqiptar deri në palcën e palcës Musa Osmani. (Namik Selmani)

Shënime për autorin

Musa Osmani u lind më 09.10.1964 në Preshevcë të Tetovës. Pas absolvimit të gjimnazit në Tetovë, regjistrohet në Universitetin e Prishtinës (dega Histori-Gjeografi). si student me korrespondencë.  Për motive të rënda ekonomike, i ndërpret studimet dhe më 1987, kalon në Perëndim për të krijuar kushte ekzistenciale në Zvicër. Është prezent me poezi në antologjinë bilingve „Lugina e dashurisë” (Valea iubirii). Më 2012 boton vëllimin e parë poetik „Buka e mërgimit” kurse një vit më vonë edhe librin „Dhe mbeta një çast i heshtur” (2013). Është anëtar i Lidhje së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, si dhe i Shoqatës Kulturore „Aleksandër Moisiu” me seli në Vienë.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora