E premte, 26.04.2024, 05:54 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Agim Bejleri: Ju rrëfej vuajtjet e të burgosurve shqiptarë në kampin e Prishtinës

E shtune, 05.07.2008, 04:47 PM


"Ju rrëfej vuajtjet e të burgosurve shqiptarë në kampin e Prishtinës"

Nga Agim Bejleri

Familja jonë, ashtu si shumë familje të tjera patriotike libohovite e shkodrane, u radhit në anën e Luftës Nacionalçlirimtare, duke u bërë një nga bazat e rëndësishme të saj. Në qershor të vitit 1944, shtëpia jonë ra në sy të keq dhe na arrestuan ne të 5 fëmijët, nga të cilët, me ndërhyrjen te të njohurit e shumtë të saj, të tjerët u liruan shpejt, kurse mua, i konsideruari si më i rrezikshmi, më mbajtën për hetime të mëtejshme. Para arrestimit, nga fundi i majit 1944, pas një frekuentimi disi të gjatë tek ujërat e ftohta në Urën e Mesit, u sëmura rëndë nga një melemë me humbje të shumta gjaku. Vetëm ndihma e shpejtë e doktor Koplikut më shpëtoi. "Duhet të tregohesh shumë i vëmendshëm për disa javë, deri sa vendi i sëmurë të mbyllet mirë, sidomos të evitosh mbingarkesa trupore", më porositi me përzemërsi doktori. Ishte koha kur në Shkodër kishte ardhur një misionar nazist i qeverisë kuislinge, Mato Murati, i cili po bënte arrestime të shumta në rininë studentore, sigurisht i ndihmuar nga kallëzimet e ndonjë studenti të ligështuar gjatë pyetjeve torturuese të tij. Për t‘u kuruar e për t‘i shpëtuar kapjes e arrestimit, kalova në Tiranë te disa kushërinj. Por, edhe atje, papritmas më gjetën dhe më nisën të shoqëruar me dy xhandarë të armatosur për në Shkodër. Gjatë pyetjeve më ballafaquan me dy kallëzuesit e mi, njëri student i klasave të larta, e tjetri një çunak me pseudonimin "Limoni", të cilët vazhduan të më paraqisnin si aktivist të Luftës Nacionalçlirimtare, thënie që unë me vendosmëri nuk i pranova, duke i akuzuar ata si shpifës për të shpëtuar lëkurën e tyre, me gjithë frikësimet e rrahjet torturuese. Nënës sime, Matua, i kishte thënë: "Me gërshërë do t‘ia pres mishrat çika-çika deri sa të hapi gojën e të kallëzojë". Disa ditë më vonë, bashkë me shumë të burgosur të tjerë, me urdhër të komandës gjermane na nisën drejt verilindjes.

Rrugës drejt kampit të Prishtinës

Me urdhër të komandës gjermane, disa ditë para nisjes, na mblodhën gjithë të burgosurit politikë nga Shkodra e të ardhur nga Tirana, në një kamping të rrethuar me tela me gjemba, nga ku pas dy ditëve me kamionë të shoqëruar me ushtarë të armatosur na nisën drejt malësive të Pukës, Kukësit e Prizrenit për në Prishtinë. Gjatë rrugës u ndalëm në dy stacione, vendqëndrime të reparteve gjermane. Më kujtohet sidomos biruca në Prizren. Ishte kaq e vogël, saqë nuk mund të rrotulloheshim dot karshi njëri-tjetrit. Ajrosja bëhej vetëm nëpërmjet një dritareje me hekura afër tavanit të ulët, ku për orë të tëra do të qëndronim brenda pa ujë, pa bukë e pa nevojtore. Era ishte e rëndë e mbytëse saqë dy-tre vetave të moshuar u ra të fikët e me zi i përmendëm. Kin Dushi kishte zënë krimba në mes të gishtave të këmbëve, të gjakosura gjatë rrahjeve me kamxhikë në kuesturën e Shkodrës. Nuk kishim me se t‘ia dezinfektonim e t‘ia lidhnim plagët. SS-të nuk donin të dinin për këto. Ata vetëm na shanin, bërtisnin e deri na godisnin kur kërkonim prej tyre ndonjë ndihmë. Ne nuk e dinim me siguri se ku do të na çonin. Disa thoshin: "Në Gjermani se u mungojnë punëtorët nëpër fabrika", të tjerë, të frikësuar thoshin: "Ka mundësi të na çojnë në dhomat e mbytjes me gaz, se i përdorin trupat për sapun, e për t‘u rrjepur lëkurën, nga e cila prodhojnë çanta për gratë e tyre", e të tjera fabrikime të tilla supozuese. Më së fundi arritëm në kampin e Prishtinës, por jo të gjithë. Disa ishin veçuar gjatë rrugës dhe nuk u mor asnjëherë vesh se ku përfunduan.

Si ishte i ndërtuar kampi i Prishtinës

Kampi ishte ndërtuar në një shpat kodrine (atëherë në periferi të Prishtinës), i rrethuar me dy rreshta telash me gjemba afro dy metra të lartë. Në çdo cep, e në mes tyre ishin ngritur kulla të larta me roje të armatosura rëndë. Si fjetore për të internuarit ishin përdorur stallat (kapanonët) e kuajve të reparteve ushtarake, pa tavane e me çati prej tjegullash të lidhura fort me njëra-tjetrën. Vetëm në fund të kapanonit të parë, ku na futën ne të burgosurit shkodranë, kishte një ndarje me mur e me tavan kompensate të trashë, ku para ardhjes së gjermanëve, banonin ushtarët që u shërbenin kuajve. Në muret e brendshme, në dy anët e kundërta të stallës ishin ndërtuar fjetore të përbashkëta prej dërrase me dy kate, ku shtriheshim të shtrënguar si sardele njëri pas tjetrit. Në mes të njërës anë ishte porta e hekurt e hyrje-daljes që rrinte e mbyllur gjatë gjithë natës dhe hapej në mëngjes herët. Në oborrin para portave të kapanoneve, zhvilloheshin rreshtimet tona të detyruara çdo ditë. Në oborrin e pasmë ishte hapur një pus i thellë, që shërbente për të gjithë kampin, për të pirë e për t‘u larë. Brenda dhe jashtë kapanoneve nuk kishte çezma e as banja. Si nevojtore ishte hapur një gropë e thellë, me një dërrasë sipër për përdorim të përbashkët, ku mund të bënim dhe muhabet me njëri-tjetrin. Kur gropa mbushej plot, caktoheshin dy-tri grupe të internuarish për ta boshatisur me kova dore, të cilat i zbraznin në fushat afër. Kjo gropë lidhej me kanalizimet anësore të ujërave nga shiu e nga mbeturinat e kuzhinës e shërbimeve të tjera. Pikërisht në këtë mbledhëse të ujërave të zeza, pak më vonë, komandanti u përpoq të na demonstronte se si i ndëshkonte ai konkretisht shkelësit e rregullave që kishte vendosur: Dy persona të trupës ushtarake të tij, që kishin tentuar të iknin dhe i kishin kapur, i detyroi nëpërmjet goditjeve të njëpasnjëshme me kamxhik, të futnin kokën brenda në gropën e nevojtores e më pas të lëviznin me gjunjë e bërryla rreth e qark pisllëqeve të mbetura nëpër kanale. Kjo shfaqje përfundoi me pushkatimin e tyre. Por pati edhe ndonjë rast që vuajtën nga gabimet e tyre, pa qenë nevoja e ndërhyrjes së nazistëve. Flitej se dy-tri veta, për të ruajtur disa monedha floriri gjatë kontrolleve të imta të hyrjes në kamp, i kishin gëlltitur këto dhe po hiqnin të "zinjtë e ullirit" për t‘i nxjerrë nga jashtëqitjet e tyre. Gjithë kampi ndodhej gjithashtu brenda zonës ushtarake të rrethuar me tela dhe rojet përkatëse, i ndarë nga pjesa tjetër e qytetit.

Ushqimi dhe organizimi i brendshëm

Mëngjesi përbëhej nga një i ashtuquajtur çaj pa sheqer, dreka nga një supë e gatuar me kockat e mbeturinat nga mensat e ushtarëve që na ruanin, në mbrëmje përsëri çaj. Racioni ditor i bukës së zezë ishte 150-200 gramë i ndarë në tri vakte. Kur shihnim nëpër rrugë apo plehra ndonjë copë bukë të hedhur, e merrnim me kujdes dhe në ndonjë vend disi të fshehur, i largonim shtresën e sipërme sa më hollë dhe e hanim me shijen e një ëmbëlsire të vërtetë. Në krye të kampit ishte komandanti me ndihmësit e tij, që kishin mu në ballë të kapeles kafkën e të vdekurit. Ndihmësi i tij për përkthime ishte një hebre që e zotëronte mirë shqipen, serbishten, gjermanishten, e ndoshta edhe gjuhë të tjera, i cili u shërbente me zell të madh kasapëve hitlerianë. Të gjithë mbanin vazhdimisht në dorë kamxhik prej telash të përdredhur, ose me gomë të fortë, që e përdornin kur u tekej mbi trupat tanë. Në çdo kapanon, komandanti caktonte një "kapo" nga mesi i të internuarve më të zellshëm, për t‘u shërbyer atyre me egërsi të dukshme ndaj nesh dhe që i informonin ata për çdo gjë që ndodhte brenda dhomës. Edhe këta përdornin kamxhikë prej gome për të na ngritur në këmbë në mënyrë të rrufeshme, sa herë që hynin eprorët e tij, duke thirrur me zë të lartë e urdhërues: "Ahtung"- e duke i nderuar ata alla-hitleriançe me dorën tjetër. Të internuarit nga Tirana, në kujtim të spiunit e terroristit "Gj.F.", i vunë këtë emër edhe kapos së kapanonit të tyre, sepse këta ngjanin me njëri-tjetrin si dy portrete spiunësh dhe ekzekutorësh të bindur fashistë. Çdo mëngjes duhet të rreshtoheshim për të bërë gjimnastikën e stërmundimshme e pas saj vinte radha e ndarjes së punëtorëve për detyra brenda e jashtë kampit. Zgjedhja bëhej nga vetë komandanti suprem, i cili kalonte nëpër rreshtat e me majën e kamxhikut tregonte personin që do të punonte sipas kërkesave ditore që i paraqiteshin atij.

Ditët e para në punë

Daljet e para për punë i bëmë brenda gardhit ushtarak. Këto kryesisht ishin shërbime lidhur me kampin, për ngarkim-shkarkime armatimesh. Më vonë ato u shtrinë edhe jashtë, në objektet ushtarake në qytet, të shoqëruara me roje të armatosura. Më të shpeshtat e të vështirat ishin shkarkimet e thasëve 50 kg nga vagonët e hekurudhës në kamionët ushtarakë. Kur për herë të parë më vunë mbi shpatulla një thes të tillë, humba drejtpeshimin dhe më ra në tokë. Roja që ishte pranë drejtoi menjëherë tytën e pushkës drejt meje, por, ndërkaq, shokët vrapuan dhe arritën ta vinin mbi mua thesin e pa dëmtuar. Shpëtova mirë! Kush nuk ngrihej qëllohej në vend. Në Spitalin Ushtarak, ku si roje shërbenin ushtarë austriakë, marrëdhëniet me ta e me personelin e spitalit ishin më të mira. Më kujtohet një gjest i veçantë i një kuzhinieri që na shikonte se me sa kënaqësi thithnim erën e gjellëve kur kalonim para derës ku punonte. Një ditë papritmas e me shpejtësi na dha secilit nga ne të treve nga një copë mish të pjekur e të stërshijshëm. Në spital kryenim punë të ndryshme, sipas rastit. Shpesh na takonte të transportonim të vdekurit nga plagët ose gjatë operacioneve, sidomos kur vija e frontit të luftimeve iu afrua Prishtinës. Puna më e vështirë ishte futja e tyre në tabut. Në një rast të tillë, njëri nga shokët e mi tha: "Ç‘janë këta gjeneralë të çmendur që planifikojnë këto luftëra të tmerrshme e të përgjakshme, pa i vënë gishtin kokës se po shfarosin lulen e djalërisë!?" "Mbi gjakun e trupat e tyre kërkojnë lavdi e pushtet personal", konkluduam të tre këtë bisedën tonë filozofike.

Secilit 25 goditje me kamxhik mbi kurriz

Disa të moshuar, që nuk ishin në gjendje për punë, na drejtoheshin shpesh neve të rinjve: "Aman, na mblidhni disa bishta cingaresh të hedhura gjatë rrugës, apo në koshat e plehrave, se na u çanë fare hundët". Kur punonim në spital na binte rruga të kalonim shpesh para dhomave të mbeturinave nga pakot që u dërgoheshin ushtarakëve nga familjet e të dashurit e tyre. Një herë pamë cigare e paketa të tëra të shpërndara para derës dhe vendosëm të përfitonim nga rasti për të plotësuar lutjen e tyre. Me frikë e kujdes të madh fshehëm disa paketa nëpër bark e kurriz, pa u diktuar. Por harruam kontrollin në hyrje të kampit, se zakonisht kalohej lehtë. Ndodhi ajo që se pritnim. Ndonjë prej kontrollorëve kishte instinkte mirizmash si të qenit dhe e nuhati erën e cingareve e i zbuloi paketat e fshehura në trupat tanë. Menjëherë u lajmërua dhe erdhi vetë komandanti me kafkën e vdekjes në ballë. Kishte një trup të madh e të shëndoshë, me një shikim si bishë e egërsuar, e pasi hoqi xhaketën, rrëmbeu të parin nga ne, e zhveshi lakuriq nga mesi e lart me duar të lidhura pas shpine, e përkuli mbi tavolinë në mënyrë që kurrizi e mishrat e trasha të dukeshin mirë dhe me kamxhikun me tela të përdredhur filloi të godiste me sa fuqi që kishte. Mbas çdo të goditure kërcenin piklat e gjakut nga vendet e rrahura dhe kështu vazhdoi për 25 herë rresht. Unë isha i treti. Pamjet nga dy të parët me tmerruan, por njëkohësisht më përgatitën psikologjikisht për t‘i përballuar më lehtë goditjet mbi trupin tim. "Kësaj here po e mbyllim me kaq", i tha ai përkthyesit që po e shoqëronte në këtë shfaqje torturuese.

Në hyrje të kampit shokët që na panë të pamundur e me këmisha të gjakosura na çuan në fjetoret ku na u desh të flinim me bark poshtë, deri sa na u mbyllën plagët. Nuk e harroj dhe ndihmën e kujdesin që kushtoi për ne një doktor serb, i internuar si ne, që kishte krijuar një pikë sanitare në një qoshe të fjetores. Ai na qëndroi pranë deri sa u shëruam plotësisht.

Morrat mbi trupat tanë

Natën kur flinim ndjenim se në trupin tonë lëviznin shumë nga këta parazitë që ushqeheshin duke na thithur pika-pika edhe atë gjak që na kishte mbetur. Por s‘kishim ç‘të bënim! U mësuam me ta dhe secili bënte detyrat e veta: Ne flinim dhe ata na çukisnin me pickimet e tyre. Sipas rastit, kur nuk ishim të angazhuar në ndonjë punë, bashkë me Sadushin, dilnim në diell për të gjymtuar morrat, të cilët mblidheshin me shumicë të fshehur nëpër shtëllungat e ushkurëve e llastikave. Sa pastronim një qoshe dilnin më shumë nga qoshet e tjera. Na dukej se ringjalleshin e shtoheshin prapë. Një ditë po na vërente me vëmendje profesori i filozofisë, Kol Alimhilli, duke na thënë: "Këta janë pjesë e trupit se ushqehen me gjakun tonë, sidomos kur u krijohen kushte të favorshme si ky në të cilin ndodhemi tani në kamp. Ata veprojnë instinktivisht. Dinë vetëm të thithin gjak e të shtohen me shumicë". Dhe pas një pushimi të shkurtër vazhdoi:

"Unë kam seleksionuar deri tani 17 lloje sipas ngjyrës që kanë, ku dallohet sidomos ngjyra e kuqe e bojëkafe, por edhe sipas formave e përmasave të bishtit e gjymtyrëve...". Në raste të tjera dëshpërimi profesor Kola mundohej të na shpjegonte se disa insekte të tjera jo parazitë, si milingonat, ndërtojnë pallate shumëkatëshe, sigurisht në krahasim me trupin e tyre, të cilat përballojnë stuhi të fuqishme natyrore pa u dëmtuar. Në zonat tropikale të Azisë e Afrikës grataçielat e tyre i kalojnë disa dhjetëra herë ato të ndërtuara nga njeriu dhe e përfundonte mendimin e tij me thëniet: "Sipas Ainshtajnit, çdo gjë është relative në këtë rruzull të pa fund hapësinor. Nuk i dihet, ndoshta diçka si milingonat do të bëhen zotërit e botës në të ardhmen".

Viktimat e para masive nga radhët tona

Kështu u rreshtuam edhe kur nga kampi nxorën nga mesi ynë viktimat e para për t‘i pushkatuar në periferi të Kukësit, si reprezalje ndaj aksioneve partizane në ato anë. Edhe sot që po shkruaj, më dalin përpara syve pamjet e filmuara në tru, me fytyrat e shokëve të mi, kur i veçuan në një qoshe dhe i hipën në kamionë në drejtim të paditur. Nuk mund të harroj përshëndetjen e fundit të tyre, sidomos të moshatarit tim, Shaban Huti, me të cilin flija krahas në fjetoren e përbashkët të Xheladin Fishtës, mik familjar e vëllai i shokut tim të ngushtë të klasës Iljazit, të xhajës së Naim Gjylbegut, komshiut tonë në lagjen "Zdrale" e shumë të tjerëve. Gjithsej ishin 60 vetë e në mes tyre edhe Isa Golemi, i cili bashkë me disa të tjerë u kthyen përsëri në kamp dhe na tregoi minutat e fundit, para pushkatimit të tyre: "Pritshim të llahtarisur vdekjen, kur papritmas erdhi me ngut një oficer gjerman dhe urdhëroi ndërprerjen e pushkatimeve të grupit tonë të mbetur të fundit", d.m.th. të pushkatuarit ishin rreth 54 vetë, sepse 5-6 prej tyre u kthyen përsëri. Isai na tregoi rrahjet e torturimet që u kishin bërë para se t‘i çonin në gropën e përbashkët. Më vonë morëm vesh se njëri prej të shpëtuarve ishte edhe Sabri Hoti, i cili, ndërsa po i çonin te vendi i pushkatimit, në një çast të volitshëm kishte vrapuar drejt pyllit e ishte larguar thellë në mes të pemëve të dendura. Me frikë në zemër nuk u ndalua, sa bujti te një shtëpi patriote, ku e veshën dhe e shoqëruan si njeriun e tyre. Lajmi i vrasjeve nga të burgosurit politikë shkodranë arriti edhe në shtëpitë tona, kështu që drejt Prishtinës erdhën plot familjarë që përpiqeshin të gjenin në rreshtin tonë të punës, nëse ishin akoma gjallë të dashurit e tyre. U turbullova kur dallova dhe nënën time me shifonin e zi mbi kokë, me atë pamje të tmerruar dhe sytë m‘u mbushën me lot, por, megjithatë, e përmblodha veten dhe ngrita dorën lart, duke thënë: "Ane, ja ku jam, unë Agimi, akoma gjallë". Ajo, nga ana e saj, çau turmën, doli më përpara dhe ngriti të dy duart përpjetë. Të dy e morëm mesazhin për njëri-tjetrin: "Jeta vazhdon më tej". Dhe kështu kaluan disa javë në pritje të ngjarjeve të tjera, deri sa arritëm te mbrëmja tragjike e 23 tetorit 1943.

Mbrëmja tragjike e 23 tetorit 1944

Qysh në mëngjes ishte një ditë e zymtë, me mjegull e shi të dendur. U rreshtuam si zakonisht, por zgjedhja e punëtorëve nuk po bëhej si më parë. Komandanti qëndroi përpara rreshtimit me një listë në dorë dhe po lexonte njëri pas tjetrit emrat nga të burgosurit e Tiranës që duhet të veçoheshin në dhomën me tavan ngjitur me kapanonin tonë. Pasi u lexuan 100 emra, dera e dhomës që shërbente si fjetore për vajzat e gratë e internuara u mbyll me çelës dhe ne të tjerët na mbyllën gjithashtu nëpër kapanonet tona. Të gjithë ndjenim se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme.

Në mbrëmje, nga ana veriore e kampit, u dëgjuan breshëri automatikësh që pushonin dhe fillonin përsëri. Pikërisht andej para një dite ishte hapur nga tre grupe shokësh tanë një gropë e thellë. Ndërkaq, tamam në kohën kur nga dhoma e grave dëgjoheshin zhurma e britma urdhëruese gjermane, dikush në dhomë bërtiti:

"Po na i vrasin shokët"! Këto fjalë tronditëse na përmendën nga asfiksia që na kishte kapur e na kthyen në realitetin e hidhur e të dhimbshëm. Vërtet po i vrisnin ata!? Vetëtimthi m‘u shfaq para syve bashkëfshatari e shoku im, Venetik Hoxha, që me shikimin e tij të turbulluar në qoshen kur i ndanë ata nga ne, sikur desh të më thoshte: "Agim, a do të shihemi vallë prapë!" Në këtë kohë, në dhomën e grave, ngjitur me ne, u dëgjuan zhurma e pas tyre vrapime mbi tavan e hedhja e disa personave në kapanonin tonë.

Por s‘vonoi shumë. Papritmas u hapën dyert e portës së madhe dhe hynë 5-6 gjermanë me komandantin në krye, me pushkët gati për qitje. Dhe me një "Ahtung" të fortë, kërkonin rreshtimin tonë para tyre. U rreshtuam shpejt. Nëpërmjet përkthyesit dëgjuam: "Ata që ikën nga dhoma të dalin vetë, ndryshe do t‘u vrasim të gjithëve!" Qetësi varri! Pas pak një zë i trembur këlthiti: "Dilni se do të na sheshojnë gjithë sa jemi". Nga fundi i rreshtit bën përpara një trim i vërtetë, i cili u kthye nga ne me fjalët: "Vdekje fashizmit shokë, e Liri Popullit!" Ishte Musa Agolli nga Dibra. Menjëherë e mbërthyen nga krahët dhe e përplasën jashtë derës, ku ia mbyllën gojën duke e shpuar gjoksin e tij me breshëri plumbash. Si mbaroi me këtë masakër, kasapi hitlerian vazhdoi me kalimin e tij nëpërmes radhëve tona, duke ndriçuar fytyrën e secilit me një fanar dore dhe urdhëronte nxjerrjen e atyre që duhej të masakroheshin atë natë. Nga ky seleksionim ai e tejkaloi numrin e viktimave nga 100 në 104.

Dëshiroj të ndalem në rastin e njërit prej atyre fatkeqëve që u desh të flijoheshin pa qenë në listë, në këtë ngjarje. Xhavit Jukniu, student i gjimnazit dhe vëlla i Burhan Jukniut, mik e shok i ngushtë i imi, duke u ulur për rreshtim shpoi gishtin në një ashkël, e pa e ditur fërkoi me të ballin, shenjë kjo e mjaftueshme për vampirin gjakpirës, pa i përfillur kundërshtimet e vendosura të viktimës, se ai nuk ishte nga ata të listës. Por, fare kot! Të gjithë u mbuluan në atë gropë ferri.

Në mes të tyre u vranë shumë gjimnazistë e universitarë të shquar të grupit të burgosurve nga Tirana. Rastësisht, kohët e fundit dëgjova se njëri prej tyre, profesor Ligor Gjika nga Qeparoi i Himarës, kishte shpëtuar duke u shtirur si i vrarë në kohën e daljes së fishekëve nga grykat e pushkëve dhe, duke përfituar nga fakti se ende nuk ishin mbuluar me baltë, si dhe nga errësira e natës, u largua me kujdes nga vendi i ngjarjes që ishte jashtë zonës ushtarake dhe rrugës kishte takuar dashamirës që e shpëtuan.

Të nesërmen e masakrës nxorën nga kampi për punë vetëm një grup fshatarësh maqedonas për të mbuluar varrezën me trupat e masakruar dhe ngjitur me të, për të hapur një varrezë tjetër, e cila mbeti si "Shpata e Damokleut" në kokat tona.

Afrimi i frontit të luftimeve në nëntor 1944

Disa ditë më vonë filluan të dëgjoheshin nga Lindja gjëmime topash, që na i rritën ndjenjat se do mund të ndodhnin ngjarje më të mira, kur shihnim se edhe SS-të me kafkë të vdekurish ishin të shqetësuar. Pak e nga pak po zëvendësoheshin me ushtarë të zakonshëm, ose bashibozukë të tyre. Gëzim të papërshkruar na solli kur mbi kokat tona u rrotullua një aeroplan që qëllohej nga poshtë me kundërajrorë, i cili lëshoi qindra e mijëra fletushka shpresëdhënëse. Disa nga shokët e punës tregonin se numri i të vrarëve gjermanë po rritej e vëreheshin përgatitje për evakuim të shpejtë. Shpresat për të jetuar na u rritën. Por një ditë, nga fundi i tetorit 1944, pasi na rreshtuan të gjithëve, na dhanë nga një kazmë e lopatë, të shoqëruar nga ushtarakë të shumtë, për të hapur hendeqe mbrojtëse, por që ne në fillim i kuptuam se po hapnim varrezat tona. Edhe kësaj here shpëtuam, duke pasur parasysh faktin që qarkullonte se gjithë të internuarit do të vriteshin. Gropën e kishim akoma të hapur para kampit! Të gjitha këto sinjalizime na detyruan të merrnim masa më të organizuara vetëmbrojtëse me grupet tona ilegale brenda kampit. Tani flitej hapur për bashkëluftëtarët në repartet konspirative e drejtuesit. Kapot e dhomave u larguan vetë e disa shërbëtorë të tyre u zhdukën pa u kuptuar. Të dyshuarit e tjerë mbaheshin nën survejim të madh nga ana jonë. Grupi i fshehtë i kapanonit tonë, që deri në ato ditë mbahej nën konspiracion të thellë, po zgjerohej e vepronte më haptas. Komandant Hysë Zaja, me bashkëpunëtorë të tij merrej me riformimin e përmirësimin e togave dhe shtrirjen e veprimtarisë së tyre në të gjitha skutat e fjetores. Unë dhe Sadushi, vazhdonim të bënim pjesë në togën e parë të kryesuar nga Ymer Spahija. Komandanti nuk hynte dot më në kamp dhe bashkëpunonte akoma ngushtë me përkthyesin, këshilltarin e tij besnik, duke bërë pazarllëqe të ndryshme me të afërmit tanë, që kishin ardhur me shumicë se kishin dëgjuar që mund të na lironin me çmime fare të ulëta. Ishte e qartë se ai po përgatitej t‘ia mbathte sa më parë, por duke siguruar sa më shumë para. Në këto ditë, edhe kur dilnim për punë nëpër llogore, këndonim këngë luftarake, sidomos këngën: "Hakmarrje thërrasin dëshmorët nga varri / se gjaku i tyre me gjak duhet larë / Hakmarrje rini, dëshmori thërret / që ra për liri në truallin e vet". Më kujtohet këndimi plot gjallëri i këtyre këngëve dhe miqësia më e madhe e lindur mes nesh, sidomos me ata që njiheshim qysh të rinj, si Sadush Kumbaron, Qemal Llazanin, Sel Hotin, Vladimir Misjan, Osman Haxhijan, Isa Golemin, Petrit Bushatin e të tjerë.

Lirimi nga kampi dhe nisja për në Shkodër

Më 7 nëntor 1944 na thirrën me emra për punë, por sa dolëm jashtë kampit disa prej nesh, në mes tyre xha Ferdiu me Sadushin, Osmanin dhe mua na drejtuan të takoheshim me familjarët tanë që po na prisnin në rrugën automobilistike Prishtinë-Prizren, ku hipëm të gjithë në një kamion dhe u nisëm me shpejtësi për Shkodër, ku u çmallëm me njerëzit e shtëpisë. Gjatë rrugës kuptuam se Fetije Kumbaro, Laje Haxhija dhe Sadete Bejleri, kishin paguar për lirimin tonë nga 20 napolona floriri, kundrejt 50 napolonave që u kishin kërkuar para 3-4 javëve. Nëna ime la peng për këtë një dhuratë të çmuar nga martesa e saj. Të nesërmen u detyruam të kalonim në grupin partizan, pasi Shkodra ishte kthyer si një strofull e fundit e gjithë mbeturinave nazifashiste në ditët e fundit të tyre në territorin shqiptar. Për të mos rrezikuar veten, ata vazhdonin ta mbanin nën panik e terror popullsinë, me besnikët e tyre të armatosur, që po i ndiqnin si lukuni nga prapa.

(*Ish i burgosur i kampit të Prishtinës, i diplomuar në Pragë në 1951-shin për Inxhinieri Termo-Elektrocentralesh)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora