E enjte, 01.12.2022, 03:08 AM (GMT)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Thesari i Malësisë - krenari dhe ...

E marte, 07.10.2014, 06:39 PM


Thesari i Malësisë - krenari dhe shqetësim

Nga Gjekë Gjonaj

Një ekspozitë e veçantë  fotografike dedikuar trashëgimisë së pasur historike dhe kulturore të  Malësisë  së Madhe parap disa ditësh i është prezentuar edhe opinionit të Ulqinit. Organizatori, Organizata  Joqeveritare “ Labeatët” nga Malësia  solli  artistikisht nëpërmjet fokusit të aparatit    në vemendjen e publikut një pjesë nga arsenali i pasur i monumenteve  të kulturës materiale  dhe shpirtërore të  Malësisë,  me qëllim të evidentimit të problematikave të ndryshme që shoqërojnë këtë pasuri kombëtare  sikurse edhe  promovimin dhe mbrojtjen   e saj.   Fotografitë e ekspozuara dhe të botuara  në një katalog domethënës sjellin dëshmi mbi rrënjët e lashtësisë së Malësisë të rëndësishme për njohjen e   saj.

Mozaik i pasur

Në literaturën  shkencore  të monumenteve historike  thuhet se trashëgimia kulturore, materiale dhe jomateriale ( shpirtërore) përbën bazën e studimeve të çështjeve identitare, e cila sjell kontributet e popujve të ndryshëm në zhvillimin e gjithëmbarshëm të njerëzimit. Jo rastësisht , para dy mijë vjetësh  u tha : “ Ata që nuk e njohin të kaluarën janë si  foshnja- nuk dine gjë! ( Lucrecius Car). Popujt si dhe foshnja kanë rritën e vet dhe kjo rritë bazohet në njohuritë dhe  në përvojat e fituara nga e kaluara, nga rrënjët individuale e kolektive. Këto rrënjë gjenden në trashëgiminë kulturore , të krijuar nga njerëzit dhe për njerëzit. Edhe treva apo zona e Malësisë së Madhe përmban një mozaik të  pasur të trashëgimisë arkeologjike, arkitekturore, shpirtërore dhe të peizazheve  kulturore të krijuara që nga koha ilire e deri  te kohët moderne dhe përmbajnë atribute shkencore, historike, artistike dhe të mjedisit, siç janë: Kalaja  ilire e Samoborit dhe  muri ilir i kësaj kalaje,që i përkasin shekullit të tretë para erës së re, tumet ilire ( varrezat parahistorike karakteristike për periudhën e bronzit dhe hekurit), pastaj  varrezat e    tjera unikale të pastudiuara të cilave nuk u dihet vjetërsia dhe   rrënojat e Kishës së  Shën M’hillit në fshatin Dinoshë (  shekulli IX) etj. Si e tillë trashëgimia kulturore e Malësisë është pjesë fisnike e ambijentit dhe e mantalitetit të banimit.

Rreziku i shkatërrimit

Këto dhe shumë   visare të tjera  mbresëlënëse të Malësisë së Madhe janë pjesë e identitetit shqiptar  me të cilat  mburren jo vetëm  malësorët.  Nga ana tjetër janë edhe shqetësim,për arsye se  këto vlera kombëtare janë lënë në mëshirën e fatit.  Këtë ekspozitë e  lexoj   edhe si një alarm të shoqatës “ Labeatët” që e gjithë trashëgimia kulturore dhe historike e  Malësisë  të mbrohet nga rreziku i shkatërrimit nga faktori natyror dhe faktori njeri.  Në çdo shtet   të botës së civilizuar monumentet e kulturës  duhet të promovohen, të ruhen dhe të mbrohen nga rreziku i vazhdueshëm për t’u zhdukur, në kuadrin e institucioneve shtetërore por edhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.   Mbështetur nga ky fakt  këtë detyrim ligjor  e  ka edhe Mali i Zi  si shtet  shumënacional dhe shumëetnik , i cili patjetër duhet të fokusohet në  evidentimin dhe diskutimin e problematikave nga të cilat  vuan edhe  trashëgimia shqiptare . Sepse  faji  për këtë shkatërrim  në radhë të parë  vjen nga shteti   për të vijuar më pas deri te ndërgjegjja qytetare, e cila  ka vite që mungon .

Zëri  i intelektualëve dhe specialistëve

Të gjithë jemi dëshmitarë se  trashëgimia jonë kulturore  në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë në Mal të Zi, pra edhe në Malësi,    ka qenë dhe vazhdon të jetë e rrezikuar, e pambrojtur dhe se  është bërë shumë pak për të mos thënë asgjë  për përmirësimin e saj. Situata aktuale e rënduar qoftë nga kriza ekonomike, qoftë politike bën që vëmendja mbi të tilla gjëra të spostohet dhe të kalohet në plan të dytë.  Institucionet e trashëgimisë kulturore për fat të keq  po vuajnë nga mungesa e një strategjie  gjithëpërfshirëse kulturore e shumë faktorë të  tjerë që nuk janë objekt i këtij shkrimi,të cilët në shumë raste  kanë sjellë kalimin e përgjegjësive  nga një pushtet në tjetrin, nga pushteti qendror tek ai  lokal. Në këtë situatë të pakënaqshme ndaj monumenteve të kulturës sonë  duhet të pyesim vetveten:  A kemi ne ndërggjegje për këto gjëra, a kemi ne ndjeshmëri ndaj trashëgimisë kulturore? Nëse  jemi realist  duhet thënë dhe duhet pranuar se të gjithë kemi përgjegjësi,  e  jo vetëm institucionet e monumenteve.  Trashëgimia  kulturore shqiptare në përgjithësi dhe ajo e Malësisë në veçanti,   është e përbashkët.  Ajo u takon të gjithëve.  Bashkon shumë shpirtëra. I bashkon njerëzit dhe rrit mirëqenien. Po kush janë ata që duhet të parët të ngrisin zërin për këtë trashëgimi të rrezikuar?   Intelektualët dhe specialistët. Mendoj.

Mbrojtja dhe prezentimi

Trashëgimia kulturore historike e një populli paraqet tërësinë e vlerave shpirtërore dhe materiale të krijuara gjatë historisë së tij, pasqyron zhvillimin ekonomik, shoqëror, politik, fetar e kulturor në të kaluarën e tij, paraqet luftën e tij shekullore për ruajtjen e identitetit të tij etnik, gjuhësor dhe kulturor. Malësia e Madhe siç thamë ka një identitet kombëtar shqiptar, i cili bashkë me identitetet e tjera pasqyrojnë diversitetin e çmuar kulturor të Malit  të Zi dhe të Europës. Për këtë  thesar të  pasur të trashëgimisë etnokulturore, materiale dhe shpirtërore të  periudhave të ndryshme historike të Malësisë  duhet të punojmë më shumë se deri më tani. Ka ardhur momenti që trashëgimia  kulturore shqiptare në Mal të Zi të  aktualizohet  siç duhet me veprime konkrete të bazuara në ligjet shtetërore dhe dokumentet ndërkombëtare   të ruajtjes dhe mbrojtjes së monumenteve historike si vlerë universale.

Mbrojtja dhe prezentimi i trashëgimisë kulturore të Malit të Zi, përfshirë këtu edhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve si popull autokton,  është obligim ligjor që buron  nga Kushtetuta e Malit të Zi dhe nga konventat ndërkombëtare. Për Malin e Zi si shtet i pavarur mbrojtja e trashëgimisë kulturore  do të jetë test i rëndësishëm i nivelit të civilizimit. Për ne shqiptarët ( malësorët)   mbrojta dhe prezentimi i trashëgimisë sonë  kulturore, natyrore dhe historike do të jetë test  i nivelit të vetëdijes sonë për monumentet tona historike, fetare dhe klulturore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora