Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Don Mikel Tarabulluzi
E hene, 06.10.2014, 07:24 PM
Don Mikel Tarabulluzi
Mehmetali Rexhepi
drapri vigan i një gjysmëhëne
ia korri kallinjtë
dhe të lashtat e fushës
assesi të mbjellat e Shën Jeronimit
assesi trurin
për të gdhendur gurin
*
Don Mikeli u ngjit këtu
pështymën t’ia lanin retë
lakadredhas me çelës
të kryqit në tru
*
Stublla nuk është Krujë
Kruja nuk është Stubëll
atje nuk është Gjergji në burbujë
këtu i zmadhohet një sumbull
*
Ajo sheh azurinën
e avujve të tretjes së shikimeve
ato të fismet e princërve
*
prore e avullt nga lartësia
shihet largësia
*
pirgu sogjetoi
kumti mungoi
në Muzeun e Gjergjit
shurdhërive të kambanës
ilahitë kalërojnë
*
në Stubëll kambana kumbon
deri te “Martirët e Karadakut”
dhe diaspora
për lutjet shqip të mëngjesit
*
vijmë e ngjitemi lart te ndërdyja
kjo përshpirteni e ka trazuar
kthehemi poshtë të ngopur me muzgun
me sedër të hibridizuar
lakminë e lehtë të ngrënies
duke gromësuar
*
Don Mikel Tarabulluzi
e la arkitekturën e sedrës së vet
*
se si koncepti i zverdhjes
skuqet
shpërthen fuqinë e verës
dhjetëra sylynjarë
në shpirt më derdhen
jo si fond vere
as fillim vjeshte
as motive vjershe
*
gjethet e hibridit të ri
bien nga kjo lartësi
*
Stublla fsheh dishepullin
e ngjizjes së kërthizës
te “Agimi i gjytetnis”
*
bashkë me korin e bekuar
Hirësia e Tij Don Mikeli
dhe lutësit e mëkatuar
*
Imzot
mos na lërë
të biem në ferr
të katër sëpatave cirilike
ka a s’ka urata epike
mes Hirësisë Suaj e Perëndisë
le të ri firmoset kontrata e etnisë
*
në Stubëll hyri Krishti
dhe këmbëzën e djallit
nuk e shkrepi gishti