E premte, 26.04.2024, 08:22 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sadik Bejko: ''Desidentët e Rremë'' (Kreu VIII)

E enjte, 03.07.2008, 06:54 PM


Fragment nga libri ''Desidentët e Rremë''

Sadik Bejko

Kreu VIII

PASTHËNIE

Kur shkrova shkrimin mbi disidentët e rremë në gazetën “Panorama”, e dija se do të ndizja kundërshtime e mospëlqime nga një herë edhe tek miqtë e mi.
Një ditë në shtëpinë time do të vinte një pako nga Gjermania dhe të mitë u bënë kuriozë për të: ç’ kishte në atë pako postare. Ishte libri im “Psalm për atin” që Joakim Lankch ma kthente. Në letrën e tij thuhej: unë nuk mbaj në shtëpinë time libra nga një njeri, dora e të cilit është e ndyrë. Atë e kishte revoltuar shkrimi im në “Panorama”, ndaj ma kthente librin, ndaj dhe kishte shkruar kundër tij një reagim në gazetën “Java” të Migjen Kelmendit në Prishtinë. Nuk i dhashë rëndësi kësaj, nuk i dhashë përgjigje as zotit Lankch për reagimin e tij në gazetën “Java”. Fundja, mendova, ky është një i huaj krejt i panjohur dhe i papërfillur në vendin e tij. Askush në Gjermani nuk do t’ia dijë se ç’mendon a ç’ndien ky farë soji njeriu i quajtur Lankçh. Veç Shqipëria që ndonjëherë tregohet inferiore ndaj mendimeve të hiçërve të huaj, i dëgjon dhe i respekton të tillët. Opinioneve të tilla u kushton vëmendje niveli i amvisave shqiptare, niveli i atyre që vdesin për një picë dhe nga që harrohen pas telenovelave dhe pas faqeve argëtuese në gazeta, joshen kaq shumë pas tyre, sa harrojnë deri të gatuajnë, të lajnë e të fshijnë shtëpinë.
Por opinioni i amvisave duhet respektuar. Edhe unë kam të njohura dhe shoqe të tilla. Të tillat si mendësi i gjen edhe nëpër zyra, si nëpunëse. Ato më thonë se unë po marr kot kur shkruaj për një Kasëm Trebeshina që ka vuajtur, që ka qenë në spitale psikiatrike, po marr kot kur shkruaj për një Dhora Leka që i ka shkuar jeta në burgje dhe në internime. Për më tepër, të tillët i marrin në mbrojtje gazetat dhe TV-të. I merr në mbrojtje një Ardian Klosi që na fanepset shpesh në televizion, që është aq i lakmuar prej TV-ve, paçka se herë-herë, sipas tyre, ngjan pak spitullaq e pak si shumë zevzek. TV-të e sotme për interesat e tyre na kanë krijuar modelin e VIP-ave që janë specialistë për gjithçka. Modelin e vip-ave opinionistë që impresionojnë amvisat. Dhe të tillët, s’ke ç’u thua, mvrenjten dhe pozojnë rëndshëm para kamerave, sa ua prishin mendjen edhe cave të një niveli përmbi amvisat.
Këtë opinion amvisash të komanduar nga pulti i televizorit që nuk lexon gjë më tej, që nuk ka dije më tej nga ç’jepet në TV, nuk mund ta konkurrosh dot. Dhe le ta themi se ky është opinioni i shumicës së njerëzve të kësaj kohe, i kësaj epoke që mbizotërohet jo nga libri, por nga TV-ja.
Kur Klosi reagonte jo njëherë, në “Panorama”, në gazetën “Java” të Prishtinës, në “Shekulli”, në “Klan”, mua më thuhej edhe nga shumë shokë e dashamirë që kot jam marrë me njerëz të tillë që i kanë mediat në anën e tyre. Se sot po të nisësh një dava, të duhen lekë, të duhet nge dhe kohë.
Dhe kështu.. Njerëzit e Dhora Lekës shkonin më përpara se shkrimet e mia në gazeta. Tipat si Klosi organizonin reagime ndërkombëtare për të mbrojtur pozitat e tyre.
S’mjaftoi vala e parë e reagimeve, kur shumë ish-sigurimsa më kërcënuan me gjyqe e me fyerje, por i duhej dhe revistës “Klan” që ta rihapte sërish polemikën. Aty Klosi kishte marrë hapësirë pa kufi, në katër faqe fotot e tij shkëlqenin më tepër se në një fushatë promocionale të një stari të kinemasë. Veç këtyre ai në itervistën e tij mund të thoshte çdo sharje a fyerje që i vinte ndër mend. Shtyp i lirë?! Kështu duket. Kur shkoja në gazeta, redaktorët, pak si të bezdisur, më thoshin: po, po, edhe ti ke të drejtë të reagosh, këta të tjerët i kanë dhënë gojës pak si shumë.
Ato amvisat më thanë: ai na paska qenë çun ministri, atë nuk kishte pse ta ndiqte policia. Këta, me të cilët po merresh ti, kanë qenë çuna blloku, ata dhe të afërmit e tyre. Për djall, prapë këto amvisat! E ç’munnd t’i bësh një amvise që të të besojë? Veç t’i shfaqësh para syve ndonjë telenovelë.
Reagimet dhe sidomos jehona e tyre tavolinave, aty ku ne shqiptarët shprazemi më shumë, qenë helmuese. Dora ime e djathtë, dora me të cilën shkruaj, po ndotej më thoshin. Deri të parët e mi po fyheshin… Por, e vërteta është ndryshe… as unë, as të parët e mi nuk kemi krime mbi kurriz. Ana tjetër është e tillë. Një çetë helmuese, mund ta quash. Një çetë që duan të hiqen heronj. Që fabrikojnë heronj. Bilbil Klosi partizan firmosi për vrasjen e Ramize Gjebresë, pastaj firmosi për të vrarë pa gjyq 22 armiq të partisë. Dilaver Bengasi, ish-shef i një hetuesie, që çoi në plumb edhe bosat e saj të mëdhenj si K.Hazbiun me shokë. Lëri të tjerët. Me ta dhe L. Gjoliku, e bija e një “heroi” që ka qenë në krye të batalioneve të mbrojtjes, batalionet vrasëse të viteve 1944-1950. Me ta Trebeshina sigurims dhe vrasës i shokëve në luftë… Dh. Leka një denoncuese… Dhe Koçollarët po më sulmonin prapa krahëve, se i kam prekur me librin “Vilsoni dhe Genci”. Një çetë helmuese, çetë që do të mbrojë pozitat dhe të vrasë prapë armiqtë e kohës së diktaturës… Dje kanë bërë punët më të errëta. Nuk ka pse ta helmojnë dhe më tej të sotmen. Komunizmi i tyre ka dështuar. Ka dështuar kauza e shërbimet e tyre. Të paktën, duhet të shprehin ndjesë për sa e sa fatkeqësi që i kanë sjellë këtij vendi.
Ata bërtasin se kanë qenë heronj të luftës. Heronj të kohës së diktaturës. Askush nuk ka të drejtë ta bërtasë heroizmin. Heronjtë e Luftës nuk i shërbyen kohës që erdhi pas Luftës. E kundërta ndodhi. U bënë pjesëmarrës në krimin që quhet diktaturë. Fatkeqët heronjtë e kohës së komunizmit. Ishin vallë heronj? Heronj në shërbim të fatkeqësisë?
Heronjtë janë si gurët që ngulen thellë në tokë, ngulen në një kohë e në një hapësirë dhe nuk duhet të lëvizin prej saj. Lëvizja mund t’i dëmtojë ata, por edhe pasardhësit. Të ngulur në tokën e në kohën e tyre, ata janë më të nderuar. Deri atje dhe jo më tej. T’u vëmë lule aty ku janë ngulur. Nuk duhet të luajmë me ta.
Po ndeshesha me njerëz që spekullojnë, manipulojnë me të vërtetat, me të kaluarën. Po ndeshesha me njerëz që dinë t’i fshehin gjurmët. Me lojtarë shërbimesh të vjetra, të cilët kanë qenë gjithmonë të sofistikuar në veprime, në atë që shërbimet e tyre të ngjajnë të besueshme. Ndryshe pse janë shërbime të specializuara.
Kisha të bëja dhe me kujtesën njerëzore që lumturisht a fatkeqësisht është e shkurtër. Fatkeqësisht a lumturisht, thashë? Po. Kështu është. Në atë ambiguiditetin e saj shërues, por dhe vrasës, kur si amnezi lë jashtë gjëra që nuk duhen harruar, kujtesa është dhe e mirë, dhe e keqe.
Disa miq të vjetër, tashmë në pension, më erdhën tek pi kafen e mëngjezit. Më thanë: mos e krruaj shumë me komunistët. Ata e bëjnë kopilin dhe ta lënë në derë. Janë shumë të vjetër për të bërë çdo krim që më pas e shesin si virtyt, si nevojë historike a si luftë me armikun.
Në të vërtetë kjo po ndodhte. Mjeshtrat e krimit dinë ta shesin një krim si luftë kundër krimit.
Në Universitet një ditë, tek po kalonim nga një anë e udhës në krahun tjetër të saj, një koleg si me shaka më tha: kalo më përpara, se ti po bën armiq e, nuk i dihet, ndonjë me makinën e tij edhe mund të na shkelë, po të jemi bashkë me ty.
Ishte një shaka… Por në librat e estetikës një thënie kësisoj mund të quhet humor i zi. Më duhet ta kapërdija.
Atëherë cili është morali i gjithë kësaj historie?
Të merresh me ngjarje të mbuluara mirë, të mbuluara aq sa të duken si e kundërta e tyre, është një punë që të kushton.
Por mbase ia vlen barra qiranë që ta marrësh përsipër këtë kosto.
Njerëz të këtij kallëpi të sulmojnë me dhembë të helmuar, rrugaçërisht e agresivisht. Hapur dhe mbrapa krahëve. Për t’u mbrojtur, duhet t’u përgjigjesh me qetësi, por ndonjëherë duhet që t’u përgjigjesh me të njëjtën gjuhë, edhe se kjo nuk të shkon pas natyrës tënde.
Por detyra e letërsisë dhe e publicistikës është që të mos i harrojmë krimet. Duke i pohuar dhe denoncuar ato, ne shpëtojmë dhe shpëlahemi prej tyre. Bëjmë eksorcizmin. Homeri i lashtësisë e paraqiti Akilin ashtu siç ishte, një hero për nga aftësitë e tij luftarake, por hero i një luftë të mbrapshtë. Duke luftuar e vrarë trojanët në shtëpinë e tyre, ky hero në fund të luftës u vra nga shigjetat e perëndisë Apolon dhe u dërgua në Hades, në ferrin grek. Vdiq para kohe. Homeri u kujtoi grekëve se, sado heronj, ata kishin kryer një krim, që do t’u kushtonte.
Pse ne duhet ta harrojmë krimin? Ne nuk duhet të harrojmë që Dhora Leka, një kompozitore e luftës partizane, më pas u bë një spiune e të huajve dhe e Sigurimit shqiptar.
Nuk duhet të harrojmë se ky Kasëm Trebeshina i sotëm ka qenë në fillimet e tij një kapiten i Mbrojtjes së Popullit, i sigurimit. Batalionet e Mbrojtjes së Popullit kanë vrarë e kanë rrafshuar me gjak e hekur çdo njeri, fshat a krahinë që i kundërvihej komunizmit në vitet e para pas çlirimit. Në Mirditë të vrarë të tillë janë hedhur që t’i hanë derrat si ushqim. Po, kështu ka ndodhur. Kjo gjë duket si shumë makabre, si ato pamjet ngjethëse që shohim në filma, por ka ndodhur këtu në Shqipëri.
Shumë njerëz më thanë: pse duhet t’i kujtojmë këto. Por pse duhet që t’i harrojmë, do të ishte kundërpyetja. Një poet nobelist, italiani Salvadore Kuazimodo, thotë: ditët e kaluara sa më shumë që shkojnë, kthehen pas në zemrën e poetëve.
Pa kujtesë çdo kriminel që sot është nën thinjat e pleqërisë, ashtu si Nexhmije Hoxha, do të na dukej i respektuar dhe i pastruar vetëm për hir të moshës a të ndonë të mire që ka bërë në kalim të viteve. Kjo nuk duhet të na mashtrojë. Shumë popuj të Evropës Lindore i kanë demaskuar krimet e së shkuarës. I kanë hapur dosjet e sigurimit për ata që janë në politikë, për ata që kanë peshë në jetën mediatike e më tej. Shoqata ndërkombëtare e të persekutuarve politikë, pas rezolutës së Këshillit ë Europës për dënimin e krimeve të komunizmit, po bën thirrje për ta çuar krimin komunist në gjykatën e Hagës. Për një Nuremberg të komunizmit. Në Shqipëri jemi shumë larg nga popujt e tjerë. Në Shqipërinë ku stalinizmi ka qenë më jetëgjatë se kudo tjetër.
Shqiptarët nga natyra hyjnë ndër ata popuj që harrojnë shpejt. Kur çamët i nisnin me zjarr dhe hekur drejt kufinjve tanë, mbas tyre do të vinin dhe grekët e uritur. Shqiptarët i pritën dhe çamët dhe grekët e uritur, i mbajtën me bukë. Mirë bënë. Kur italianët pushtues mbetën rrugëve të fshatrave tona, kur nga ushtarë pushtues, u kthyen në nevojtarë për bukë dhe për strehë, shqiptarët iu dhanë strehën dhe kafshatën e tyre. Mirë bënë.
Kur komunistët si Kasëmi dhe Dhora Leka e të tjerët qanë dhe u ankuan pas 90-tës, Shqipëria i mëshiroi. Mirë bëri. Po deri këtu, jo më tej. Heronj e Nder i kombit nuk ka pse të jenë të tillët?
Krimet e cilitdo, nuk kemi pse t’i harrojmë. Një popull që nuk di ç’të dojë dhe që nuk di ç’të urrejë, është një popull që nuk respekton veten. Dhe një popull të tillë as të tjerët nuk e respektojnë.
Për këto sa thashë më lart, e solla këtë libër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora