E premte, 26.04.2024, 01:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Bajram Qerimi: Funksioni Stilistikor (2)

E marte, 01.07.2014, 07:59 PM


TIPOLOGJIA E FRAZAVE SIPAS FUNKSIONIT STILISTIKOR (II)

NGA BAJRAM QERIMI

13.f r a z a t   i r o n i k e

Frazat ironike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion ironik,kanë kuptim dhe funksion të ironisë. Pra, frazat ironike, në ligjërim dhe shkrim letrar,  kanë vlerë ironike dhe kryejnë funksion si ironi.

Frazat ironike, ashtu si edhe ironitë, janë fraza stilistikore, te të cilat ajo që thuhet, shprehet me fjalë, është e kundërt, antinomike me atë që nënkuptohet, kuptohet apo mendohet nga folësi, ligjëruesi. Me anë të këtyre frazave, ligjëruesi zgjedh aso shprehje me të cilat e thotë, e shpreh  njërën dhe e mendon, e dëshiron tjetrën, të kundërtën e tyre, që nënkuptohet, kuptohet lehtë. Në vijim po i marrim në syzim e pasqyrim  disa fraza ironike si shembuj ndriçimi, konkretizimi e ilustrimi, te të cilat ajo që thuhet , shprehet me fjalë, është e kundërt nga ajo që kuptohet, nënkuptohet apo mendohet, synohet nga ligjëruesi a shkruesi, si bie fjala: më sa bëhen bashkë një grusht pleshta- nuk mund të bashkohen kurrë, nuk mund të  mblidhen e të merren vesh njëri me tjetrin kurrsesi; më pret barku (malli)  për dikë; më plas shoka për dikë fr.fol.,iron.- nuk më merr malli për dikë, nuk mërzitem fare për dikë; e dua si prushin (zjarrin) në gji, e dua si kripën në sy, e dua si dëborën në gji, e dua si ujët në çizme fr.fol.,iron.- nuk e dua fare, e urrej pa masë, së tepërmi; i ka hije si shala gomarit  fr.fol.,iron.-nuk i ka hije fare, aspak; i rri si shala gomarit fr.fol.,iron.- nuk i rri fare mirë,  i rri fare keq,  i rri shumë keq; nuk e do macja mishin, s’ do macja peshk fr.fol.,iron.-e do, e lakmon fort, pa masë, me të madhe diçka; kolos me këmbë argjile- shumë i dobët, sado që duket i madh ; bën (ndërton, ngre)   kështjella në ajër (në erë) dikush, ngre pallate me kleçka dikush, mbaron kulla me boça dikush, bën kodra përmbi det dikush fr,fol.,iron.- projekton, planifikon diçka që nuk ka asnjë bazë, mundësi, mbështetje reale dikush, projekton,  planifikon  kot së koti dikush, vepron, përpiqet kot së koti dikush, merret me diçka që nuk mund të bëhet, të sendërtohet,  përpiqet të bëjë diçka të pamundur,  të pasendërtueshme dikush; kështjellë në ajër (në erë),  kështjellë prej karte (letre), kështjellë në rërë,  kullë me gjizë fr.em.,iron.- diçka e pamundur, e pasendërtuar,e paqëndrueshme, pa bazë, pa themel, pa asnjë mbështjetje, pa mundësi reale për sendërtim; i drejtë si litari në thes (torbë) fr.mb.,iron.- i padrejtë fare,  i shtrembër fare; e mban fjalën si shosha ujin dikush fr.fol.,iron.- nuk e mban fare të fshehtë, e tregon menjëherë fjalën e dëgjuar dikush; bëhet rehat (rehatohet) si në lëkurë të iriqit dikush fr.fol.,iron.-nuk rehatohet dot fare, aspak dikush; bien në ujdi si era e zjarri fr.fol.,iron.-nuk bien në ujdi fare, aspak, nuk pajtohen fare; e bardhë  si bythë e kusisë (bythë kusie) fr.mb.,iron.- fare e zezë, e zezë shumë, së tepërmi etj.

Nga shembujt e marrë në pasqyrim e krahasim më sipër, del se,  te frazat e mirëfillta ironike ajo që thuhet, shprehet, përshkruhet me fjalë, është në kontrast, në kundërvënie me gjymtyrën fillimtare, e cila mohohet nga pjesa kryesore e gjymtyrëve përbërëse, nga pjesa e kundërt, antinomike, e cila mbarë frazës i jep  karakter antinomik, kundërvënës,  kontrastiv përmbajtësor kuptimor tërësor (përfytyrimor, fytyror), i jep karakter kuptimor, funksional ironik.

Ashtu si te frazat ftillimore (interpretative) edhe te frazat ironike dallojmë dy pjesë kryesore të gjymtyrëve përbërëse: pjesa e parë është gjymtyra fillimtare, gjymtyra që mohohet, kundërshtohet  dhe pjesa e dytë e gjymtyrëve është pjesa që mohon, kundërshton kuptimin e pjesës së parë, pjesës (gjymtyrës)  fillimtare, është pjesa e kundërt, antinomike, kundërvënëse kuptimbartëse kryesore. Pra, sikundër  vëmë re e syzojmë, pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse të frazave ironike, hyn në punë, shërben për ta mohuar, për t’ iu kundërvënë, për ta bërë të kundërt kuptimin e parë, themelor, fjalësor të pjesës së parë (gjymtyrës përbërëse fillimtare), e cila i jep gjithë frazës kuptim dhe vlerë kuptimore kundërvënëse, antinomike fytyrore, figurative, si bie fjala: kolos (me këmbë argjile), kështjellë (në ajër, në erë), kështjellë (prej karte, letre), kështjellë  (në rërë),   kullë (me gjizë), i drejtë (si litari në thes, torbë), e mban fjalën (si shosha ujin) dikush, bëhet rehat (rehatohet  (si në lëkurë të iriqit) dikush, bien në ujdi  (si era e zjarri), e bardhë   (si bythë e kusisë  si bythë kusie), e dua (si kripën në sy), i ka hije (si shala gomarit)   etj.etj.

Nga shembujt e frazave ironike, që u morën në ftillëzim e vlerësim, del se, pjesa e parë e këtyre frazave përbëhet vetëm prej një gjymtyre, gjymtyrës fillimtare, ndërsa pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse përbëhet prej një e më tepër gjymtyrësh. Pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse të frazave ironike, nuk hyn në punë nuk shërben vetëm  për t’ i dhënë kuptim të kundërt, antinomik pjesës së parë, gjymtyrës fillimtare, por edhe për t’ i dhënë  mbarë frazës efekt të fuqishëm, theks të veçantë kuptimor, fytyror, figurativ tërësor, për t’ i dhënë kuptim sa më konkret, sa më bindës, sa më të qartë, sa më të kthjellët, sa më të pandërdymtë e sa më kumtimor (komunikativ).

Frazat ironike, nuk janë vetëm fraza që shënojnë, shprehin të kundërtën e asaj që thuhet, shprehet, përshkruhet me fjalë tjera, nuk janë vetëm me kontekst kontrastiv, antinomik kuptimor, fytyror, figurativ në ligjërim dhe shkrim letrar, por janë edhe me kontekst shumëvlerësh kuptimor.Në kontekste të gjithnduershme,ato marrin ngjyrim të gjithnduershëm kuptimor, marrin ngjyrim:

a)të shakasë: nuk i mbushet kungulli (tutka) dikujt-nuk bindet dot dikush; nuk del në pjacë dikush- nuk duket më dikush; e ka plafin të madh dikush- ka rreth të gjerë që e ndihmon dhe e mbron kur bën gabime dikush etj.

b) të taljes, të qesëndisë,  të shpotisë: janë si arka e dryri (Janë si Suti e Maksuti)- janë të pandarë, intimë, kanë karakter e sjellje të njëjta, e bën arë e hamull diçka dikush-e përhap anembanë diçka dikush,  ua tregon të gjithëve diçka dikush, i bën këmbët bigë (çift) dikush- vdes dikush, i tregon (i rrëfen)  babait arat  dikush- mundohet ta mësojë dikë dikush që ka dije e përvojë më të madhe; flet si në ara të gjata dikush-flet kot së koti dikush, flet pa u menduar fare dikush, i thahen trutë dikujt- meshnohet, matufoset dikush, i mbledh (i ngre, i ngarkon) plaçkat dikush- 1. largohet nga një vend dikush. 2  shpërngulet dhe shkon në një vend tjetër dikush. 3. vdes dikush, sillet si pordha në (nëpër)  brekë (tirq) dikush-.sillet kot së koti dikush, sheh ëndrra në diell dikush , sheh ëndrra kuajsh dikush, sheh ëndrra me sy çelur (hapur) dikush- imagjinon, ëndërron, fantazon diçka të kotë, të pamundur, të pasendërtueshme dikush, i hipën gomarit nga e prapta (së prapthi) dikush- merr rrugë të gabuar dikush, mësohet keq, mbrapshtë dikush, e rrjep morrin nga bishti dikush- kursen sa  s’ bëhet më dikush; e rrjep preshin së prapthi dikush- vepron, punon  ters, mbrapshtë dikush etj.

c) të mospërfilljes, të përçmimit: nuk di nga lidhet gomari dikush, nuk di gomarit t’ i japë ujë dikush- nuk është i aftë të bëjë asgjë dikush, është i paditur, i trashë nga mendja dikush, nuk ka pjerdhë në ujë dikush-nuk ka parë rrezik me sy dikush, nuk ka rënë ndonjëherë ngushtë dikush,  ka shkuar (ka vajtur) të bëjë ponica (vegsha) dikush- ka vdekur dikush, e dredh qafën dikush-vdes dikush, nuk i mbushet barku (plëndësi, zguri, zorra) dikujt-nuk ngopet fare dikush, është i pangopur fare dikush, ia ka pirë çorbën (hërrpën, hirrën, lëngun, ujët) dikujt dikush- e di, e njeh fare mirë dikë  dikush  etj.

ç)  të fshikullimit, frushkullimit, thumbimit, qortimit, kritikës së ashpër: kafshon dhenë dikush-vritet dikush, nuk prek në tokë dikush, nuk prek as në qiell, as në tokë dikush, matet me hijen e hënës (me hijen e  mëngjesit (pasdrekës, sabahut) dikush-mburret me tepri dikush, do (kërkon)  thelë mbi bisht dikush, do bukë mbi pogaçe dikush, do (kërkon) bythë viçi dikush- kërkon  diçka tepër, me tepri, që s’ i takon  dikush; do, kërkon të mirë mbi të mirat dikush, e bën kaun me viç dikush, e bën lopën me dobiç dikush, e bën gomarin mashkull me barrë dikush-e bën të paqenën të qenë dikush, shpif, trillon sajon gjëra të paqena dikush, i jep ujë pulës në shi dikush- bën, vepron, punon diçka kot së koti, pa pasur fare nevojë dikush etj.

Nga të gjitha frazat që u morën në analizë e përimtim nën a,b,c,ç , del se,  frazat ironike shprehin, shënojnë veprime me karakter, me ngjyrim kuptimor kontekstual: tallës, qesharak, qesëndisës, shpotitës, mospërfillës, përçmues, thumbues, fshikullues e qortues.  Pra, me anën e tyre vihen në lojë,  në qesëndi e shpoti, thumbohen, fshikullohen, qortohen veprime të frymorëve, veçanërisht të njerëzve në mënyrë bindëse, të qartë, konkrete, me fuqi e theks  të veçantë ngjyror kuptimor.

IIB14.f r a z a t   k r a h a s i m o r e  (k o m p a r a t i v e)

Frazat krahasimore, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion krahasimor, kanë kuptim dhe funksion  të krahasimit. Pra, frazat krahasimore, në ligjërim dhe shkrim letrar,  kanë vlerë krahasimore dhe kryejnë funksion si krahasime.

Frazat krahasimore ashtu si edhe krahasimet ,janë fraza stilistikore, te të cilat  zgjerohet, përkatësisht  intensifikohet, bëhet intensiv kuptimi i gjymtyrës (fjalës)  përbërëse fillimtare përmes krahasimit  fytyror kuptimor shëmbëllimor. Në të vërtetë, gjymtyrët përbërëse (fjalët fillimtare) të frazave krahasimore ftillëzohen, shpjegohen, përkatësisht krahasohen me anë të një a më tepër gjymtyrëve (fjalëve) përbërëse, të cilat e bëjnë intensiv, të lartë, të fuqishëm, fytyror kuptimin e tyre.

Veçori kryesore e frazave krahasimore është se te këto  fraza  gjymtyrët  përbërëse fillimtare krahasohen me një e më shumë  gjymtyrë (fjalë) përbërëse, të cilat ua shtojnë, ua  zgjerojnë kuptimin  e parë, kryesor, themelor, do të thotë, u japin, u përcaktojnë kuptim intensiv, kuptim të shkallës më të lartë, kuptim të shkallës intensive, që shprehet me ndajfoljet e sasisë:   shumë, së tepërmi, pa masë, fort, tepër, fare, jashtëzakonisht.

Siç shihet e siç vihet re, te frazat krahasimore, dallojmë dy pjesë kryesore të gjymtyrëve përbërëse. Pjesa e parë është gjymtyra fillimtare, gjymtyra që krahasohet, ndërsa, pjesa e dytë është pjesa krahasuese,  pjesa që krahason gjymtyrën (pjesën) e parë. Pjesa e dytë, pjesa që përbëhet prej një e më tepër  gjymtyrësh përbërëse, pjesa krahasuese, është pjesa, që ia shton, ia zgjeron, ia fuqizon, ia lartëson, ia intensifikon  kuptimin pjesës  (gjymtyrës) së parë, gjymtyrës fillimtare.Pra, pjesa e dytë, pjesa krahasuese e gjymtyrëve përbërëse, hyn në punë, shërben për ta zgjeruar, shtuar, intensifikuar kuptimin e parë, themelor, fjalësor  të pjesës së parë, gjymtyrës fillimtare, gjymtyrës së krahasuar, e cila e fytyrëzuar,e zgjeruar, e intensifikuar, e lartësuar fytyrisht, figurativisht gjithë frazës, i jep, i përcakton, i kushtëzon kuptim dhe vlerë kuptimore intensive.

Pjesa e parë e frazës krahasimore përbëhet vetëm prej  një gjymtyre: gjymtyrës fillimtare, gjymtyrës së krahasuar, gjymtyrës që krahasohet, ndërsa, pjesa e dytë, pjesa krahasuese, pjesa që krahason, përbëhet prej një e më tepër gjymtyrësh.

Tipat më kryesorë, më të përhapur të frazave krahasimore, sipas strukturës përbërëse, ndërtimore, janë:

a) gjymtyrë e krahasuar (fillimtare)  + lidhëza krahasore si ( posi, porsi, sikur) +  pjesa njëgjymtyrëshe, si bie fjala: lëshohet si astrit dikush- lëshohet me rrëmbim, me vrull, me shpejtësi të madhe dikush, hidhet si astrit dikush-hidhet rrufeshëm, vetëtimthi dikush, rritet si Anteu dikush-rritet shumë, së tepërmi dikush, pret si anxë (sëpata)- pret shumë mirë, fare mirë (sëpata),  i kulluar  si (posi) ar-i kulluar fare, i papërzier me asgjë tjetër, thyhet si ashti diçka-thyhet me vështirësi të madhe diçka, bie si litar (shiu)- bie shumë, së tepërmi (shiu), dridhet si mënjollë (si thupër, si purtekë, si qen) dikush- dridhet shumë, së tepërmi dikush,  punon si gomar (si kalë, si derr, si ka, si qen)  dikush- punon shumë, jashtë mase dikush,   rron si qen dikush- rron shumë keq, rron  në kushte shumë të këqija dikush, vdes si qen dikush- vdes pa pasur njeri pranë dikush, vdes pa u kujdesur askush për dikë, vdes me vuajtje e mundime të mëdha dikush, nxihet si qymyri dikush- nxihet shumë, tej mase dikush, bëhet si dyllë dikush- zverdhet shumë, tej mase dikush, bëhet si krande dikush- dobësohet shumë, tej mase dikush, shkruan si me këmbë dikush-shkruan shumë keq dikush, duron si buall (derr, gomar) dikush- duron shumë, tej mase dikush, rri si më ( ndër, në) gjemba dikush-  nuk rri fare qetë dikush, zhduket si shigjetë- zhduket shumë shpejt, rrufeshëm, fryhet si  biban (si iriq) – fryhet shumë, së tepërmi, skuqet si bakëm-skuqet shumë, pa masë, sarrakuqet, mbërdhezet, ecën si nëpër gjemba dikush- ecën me shumë kujdes dikush,  e fryn si kacek-e fryn shumë, tej mase, skuqet  si saç- skuqet tej mase,së tepërmi, sarrakuqet, mbërdhezet, rri si dru dikush- nuk lëviz fare dikush, zhduket si hije-zhduket shumë shpejt,i vogël sa grushti-shumë i vogël, hyn si veri- hyn rrëmbyeshëm, me fuqi të madhe,bëhet si një yll drite dikush- zbukurohet shumë, tej mase dikush,zverdhet si limoni dikush- zverdhet shumë, tej mase dikush, e zgjat si tërkuzë- e zgjat tepër, tej mase, rri si në ferra dikush- nuk rri fare qetë (i qetë) dikush, bëhet si  piperkë dikush-skuqet shumë, tej mase dikush, i fryrë si gjel deti- i fryrë shumë, pa masë, i shëndoshë si gic-shumë i shëndoshë, i kthellët si loti- fare i kthjellët, i bardhë si bora  (dëbora)- fare i bardhë,  i kuq si qershi- fare i kuq, i kaltërt si qielli- shumë, fare i kaltërt, i ëmbël si mjalti- shumë i ëmbël, i butë si mëndafshi- shumë i butë, i rëndë si plumbi- shumë i rëndë, i verdhë si limon- i verdhë, tej mase, së tepërmi, e bukur si zanë- e bukur tej mase, pa masë, i drejtë si selvi- fare i drejtë, i shëndoshë si mollë-fare i shëndoshë, i zi  si katran- i  zi shumë, tej mase, i bardhë si qumështi- fare i bardhë, i kuq si piperi- shumë i kuq, fare i kuq, i madh sa një plep-shumë i madh, i ftohtë si akull- shumë i ftohtë, trim si astriti- trim i madh, trim i pashoq, i zi si korb- i zi shumë, tej mase  etj.

b) gjymtyrë e krahasuar (fillimtare)  + lidhëza krahasore si ( posi, porsi, sa) +  pjesa dy  e     tepër gjymtyrëshe , si bie fjala: rron si miza në gur-rron shumë keq, mësohet si ariu në mjaltë(si kau në urov)- mësohet shumë keq, e njoh si paranë e kuqe- e njoh fare mirë, e njoh shumë mirë, rri si daci (maçoku) në thekër, rri si gjeli në pleh- mburret shumë, tej mase, vuan si vuan delja në hell e peshku në të thatë-vuan  shumë, së tepërm, shkruan si me këmbët e pulës-shkruan shumë keq, jo qartë, luan si macja me miun me dikë dikush- sillet, vepron si ia kënda , si ia do qejfi  me dikë dikush, rri sikur i janë mbytur gjemitë dikush-rri shumë i brengosur e i zymtë dikush, është si një thikë në zemër-është sulm i rëndë, njihet si kau balash dikush, njihet fare mirë dikush, e ka si gur mulliri (gur të rëndë) diçka dikush- e ka barrë të rëndë diçka dikush, tretet si kripa në ujë-tretet shumë shpejt, ndryshon si nata me ditën-ndryshon shumë, tej mase, përpëlitet si pulë e therur-  përpëlitet shumë, pa masë, mbahet si gjeli majë plehut-kacagjelohet, ngrefoset; mbetet si qeni pa zot- mbetet në mëshirën e fatit, e godit si thikë në zemër- e godit shumë rëndë, shumë thellë, flet sikur i kullon mjaltë nga goja  dikush- flet shumë bukur dikush, rrinë si gurë varresh - nuk lëvizin fare, heq sa leshi në vesh- heq shumë, së tepërmi, i zi si pendë korbi, i  zi  si pendët e korbit-shumë i zi, i kulluar si pikë e lotit- fare i kulluar, i kulluar  posi (si) ari- fare i kulluar, i papërzier me asgjë tjetër etj.

Nga marrja në shoshitje e vlerësim, përimtim e frazave krahasimor nën a) e b), del se, këto fraza, në më të shumtën e herës, shënojnë, emërtojnë, shprehin veprime, cilësi, tipare, vlera cilësore të një shkalle të lartë, të shkallës intensive të frymorëve, veçanërisht të njerëzve në mënyrë bindëse, të qartë, konkrete, me fuqi e theks të veçantë kuptimor fytyror, figurativ.

Kur te frazat krahasimore lihet mangu, mungon pjesa e parë kryesore, gjymtyra fillimtare, gjymtyra e krahasuar, kuptimi i frazës mbetet i paprekur, i njëjtë, i pandryshuar, i plotë, i tërë, i cili merr përfytyrim fytyror, figurativ krahasimor-shëmbëllimor, merr përfytyrim kuptimor metaforik. Kështu, me këtë  tip të  frazave stilistikore, kemi të bëjmë me një tip të veçantë të frazave krahasimore, kemi të bëjmë me tipin e frazave krahasimore metaforike, siç janë bie fjala, frazat: si akull- shumë, së tepërmi ftohtë, si angari-shkel e shko, pa kurrfarë kujdesi, si të ketë lerë në akull- shumë i ftohtë, i ngrirë shumë, pa masë,  porsi (posi, si) ar- i çmuar, i vlefshëm pa masë, së tepërmi, si astrit- pa u trembur, guximshëm, sikur shkel mbi vezë-me kujdes shumë të madh, si saç- i nxehtë pa masë, së tepërmi, si rruaza- shumë të vegjël, si gjaku- shumë  i kuq, si korbi,si futa,si katrani- shumë i zi, si bora, si qumështi-fare i bardhë, si loti- fare i kthjellët  etj.

IIB15.f r a z a t   l a k o n i k e

Frazat lakonike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion  lakonik, kanë kuptim dhe funksion të lakonizmit. Pra, frazat lakonike në ligjërim dhe shkrim letrar kanë vlerë lakonike dhe kryejnë funksion si lakonizma.

Frazat lakonike ashtu sikundër edhe lakonizmat janë fraza stilistikore te të cilat mendime e thënie të tëra  thuhen, shprehen me pak fjalë e në mënyrë të prerë. Në të vërtetë, te frazat lakonike, në vend  të të shprehurit të mendimeve e thënive me shumë fjalë e në mënyrë të gjerë, kemi të shprehurit e tyre shkurt e prerë, të shprehurit e tyre në mënyrë të dendur, të ngjeshur e të përmbledhur. Me anën e këtyre frazave një thënie, një shprehje e gjerë,e tërë , thuhet,  shprehet dendur, ngjeshur, përmbledhur me dy fjalë (me dy gjymtyrë) sa është minimumi i gjymtyrëve përbërëse të frazave.

Fraza lakonike, janë, bie fjala, frazat: ag e terr, err e terr,  ag e muzg- prej herët në mëngjes e deri në mbrëmje vonë, nis e sos, fill e flakë, fill e fund, fill e krye, fill e mbarim, fillim e mbarim, fund e krye,  fund e majë- prej fillimit e deri në mbarim,  plotësisht, tërësisht, ditë e natë,  natë e ditë-  pandërprerë, pareshtur, pa pushuar fare gjithë kohën prej njëzet e katër orësh, lak e fyt- me të gjitha forcat, me tërë qenien, jetë e mot-sa të jetë jeta, gjithë jetën, tym e flakë, tym e mjegull-furishëm, rrëmbyeshëm, me rrëmbim, me furi, gjak e lak- me të gjitha fuqitë, me tërë qenien etj.

Po të marrim  në krahasim e zbërthim këto fraza për nga vlera strukturore, përbërëse e kuptimore,do të vëmë re, se, në ligjërim e shkrim letrar, frazat lakonike hyjnë në punë për të shprehur në mënyrë të qartë, konkrete, thelbësore, përmbledhëse e shkurtazi mendime, shprehje e thënie të tëra.

IIB16.f r a z a t   m a l l k i m o r e

Frazat mallkimore, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion  të mallkimit. Pra, frazat mallkimore,  në ligjërim dhe shkrim letrar, kanë vlerë mallkimore  dhe kryejnë funksion  si mallkime (figura stilistikore).

Frazat mallkimore, ashtu sikundër edhe mallkimet, janë   fraza stilistikore te të cilat  mendimet e ligjëruesit shprehen, thuhen në trajtë  të ndjelljes a dëshirës për të keq. Te këto fraza  ligjëruesi i ndjell, i dëshiron të keqe, fatkeqësi atij që e urren  së tepërmi, pa masë apo atij që i  ka shkaktuar a i ka sjellë ndonjë fatkeqësi të madhe. Te këto fraza gjen pasqyrim, pasqyrohet ndjenja e fuqishme e urrejtjes së ligjëruesit ndaj dikujt.

Fraza mallkimore, janë, bie fjala, frazat: t’  u mbylltë dera!- u shofsh me të gjitha që ke! të raftë (të marrtë, të shitoftë) shita! të marrtë zana! (kafsha e keqe, djalli, dreqi)! -1.vdeksh! u vrafsh! 2. u gjymtofsh!  në bark mbajttë e në pëqi mos pastë!-mos i rrofshin fëmijët! të daltë amulli!- mbetsh në vend pa lëvizur, u myksh!  të qeshtë buza me prush!- u djegsh! të plaçin tëmthat!- u çmendsh! i dalçin tëmthat!- u çmendtë! të raftë pika! të marrtë (të raftë) mordja!-vdeksh! etj.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora