E premte, 26.04.2024, 05:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Izet Duraku: Origjinaliteti i poezisë së Shahut

E merkure, 11.06.2014, 06:14 PM


ORIGJINALITETI I POEZISE SE REXHEP SHAHUT

NGA IZET DURAKU

Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar, në qytetin e Kukësit ishte krijuar një bërthamë e vogël krijuese, por mjaft aktive, ku krijuesit poetë, prozatorë, piktorë, muzikantë e dashamirës të artit, mblidheshin në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe pothuajse gjithnjë në kafenetë e qytetit të vogël flisnin për letërsinë, për miqtë e letrave në qytetet e tjera, për letërsinë botërore që botohej, për pjesët letrare, kryesisht poezi të korifejve të huaj që, ashtu të botuara apo të shkruara me dorë, përpiheshin me etje. Ndonëse në kushte të vështira, krijuesit u përpoqën të jenë në një rrjedhë me kohën dhe të krijojnë fizionominë e vet poetike.

Në këtë klimë të ngrohtë shoqërore u maturuan poezitë e para të autorit Rexhep Shahu, libri i parë i të cilit “Mali i Hënës” u botua megjithatë relativisht vonë, në vitin 1998, kur kishin rënë barrierat e kuptueshme të regjimit totalitar.

Poezia, letërsia në përgjithësi ashtu si çdo gjallesë për ajrin, ka nevojë për lexuesit e saj, për të hyrë në qarkullimin e madh artistik, për tu ndikuar nga bota e artit dhe për të ndikuar tek ajo. Dëmi më i madh i ndalimit të veprës së shkrimtarëve në diktaturë ka ardhur veçanërisht prej kësaj vonese që i ka shkëputur nga mjedisi letrar, prej mundësisë që, duke u lexuar, të hynte në jetën e krijuesve të tjerë dhe të lexuesve në kohën e shkrimit të saj. Kjo mungesë tragjike, bie fjala si e veprave të Kasem Trebeshinës që u botuan me vonesë vetëm pas viteve ’90, nuk e ka dëmtuar vetëm reputacionin e shkrimtarit, por organizmin e letërsisë shqipe. Po kështu mund të thuhet edhe për njohjen më se një shekull me vonesë të poezisë brilante të De Radës, Serembes etj dhe akoma edhe më me vonesë të Zef Skiroit.

Rexhepi ishte 38 vjeç kur botoi së pari herë libër. Në fund të viteve 80 ai pati dorëzuar në shtëpinë e vetme botuese një libër, por botimi iu refuzua, për mungesë të trajtimit të temave të mëdha e entuziaste për të cilat kishte nevojë regjimi. Kur kihet parasysh tash vepra e tij mund të thuhet se Rexhepi në fakt nuk ka humbur shumë prej  kësaj vonese, sepse poezia e vërtetë i reziston kohës. Koha rrjedh pa e dëmtuar poezinë, përkundrazi mund të gjallërojë më tepër ngjyrimet e saj. Ajo shijohet njëlloj si të jetë shkruar para shumë vjetësh ose siç mund të shkruhet edhe pas shumë vjetësh. Edhe në letërsinë tonë për fat të mirë, kemi poetë tradicionalë, madje të cilësuar të vjetër, që ngjajnë ende kaq të rinj e modernë.

Kur lexoi “Malin e hënës”, shkrimtarit Faruk Myrtaj nuk i hyri në sy vonesa e botimit të tij. Mbi të gjitha ai vlerësonte faktin se u arrit që poezia të shkruhej. Për shkak të lakonizmit, dendësisë së emocionit ajo mund të lexohej gjithsesi në mënyra dhe kontekste të ndryshme.

“Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë,

Dhe zëri im s’bën më për fjalë.”

Mund të thuhet kështu për të dashurën, për poezinë, muzën, për… E, merret vesh, kur arrin të lexohet ndryshe, mu këtu është thelbi i të qenit art”

Që nga botimi i librit të parë poetik të Rexhep Shahut “Mali i Hënës” në vitin 1998, kanë kaluar 16 vjet. “Mali i Hënës” u pasua në vitin 2000 nga libri “Bregu i brengës”. Pas tyre, në 14 vjet të vrullshëm shpeshherë të turbullt, Rexhepi u muar më shumë me publicistikë “me një qiri të ndezur në dorë për me ndritun atë të vobektë dhe”, siç thoshte Bogdani i Sibilave, vendlindja e të cilit është krejt përballë Bardhocit, vendlindjes së Rexhepit.

Vitet pas “Malit të Hënës”  janë të mbushura me ngjarje të rëndësishme për jetën e vendit. Mjafton të përmendim luftën e Kosovës, e cilësuar si lufta e fundit çlirimtare në Europë, ku u lartësuan përpjekjet e përgjakshme e heroike të UÇK, në një betejë të pabarabartë me një nga ushtritë më të mëdha të kontinentit, ku trupi i pambrojtur i shqiptarit u përball me marshin e vdekjes së fortifikuar në çelikun e tankeve dhe avionëve të pushtuesit. Ishte koha kur bota u befasua me madhështinë e shpirtit tonë të pamposhtur në shembëlltyrën e qytetit të Kukësit, të cilin për qëndresën dhe  bujarinë e pashoqe në pritjen e gjysmë milionë njerëzve, e kandidoi për t’i dhënë Nobelin e Paqes.

Duke qenë në qendër të ciklonit si gazetar i radio Kukësit dhe reporter i të përditshmeve të kryeqytetit, si bashkëpuntor i radio Tiranës dhe Top Albania Radios, Rexhepi intervistoi personalite të rëndësishme botërore që erdhën aso kohe në Kukës. Kontributet e tij u transmetuan me sukses dhe u botuan në disa gazeta të njohura, një pjesë e të cilave u rimblodhën në dy libra: “Misioni për Paqen” dhe “Marsi i Minave”.

Ndërkohë më shumë se prej publicistikës, drita duket se lind nga poezia, sado e trishtuar, e mjegullt, e zymtë dhe ankthioze të vijë ajo. Rexhepi nuk iu nda për asnjë çast dashurisë së vjetër, dashurisë poetike, që lindi rrëzë malit të Pikëllimës, përballë malit të shenjtë të Pushtrikut, buzë rrjedhës së Drinit të Bardhë. Krahas publicistikës ku nuk mungojnë motivet migjeniane ai shkroi gjithmonë poezi duke jetuar me trillet e saj, duke i qëndruar besnik vetes në ndjekje të një instinkti të ngulur krijues që vlerat i kërkon te vetja duke rizbuluar e rijetuar brenda të sotmes, të gjitha kohrat njëherësh.

Kur ka botuar më shumë se 370 poezi dhe poema të përfshira në katër libra: “Mali i hënës”, “Bregu i brengës”, “Lis i vetëm në fushë” dhe “Qyteti i lutjeve”, mendoj se është me vend të flitet për një kristalizim të mënyrës së tij krijuese dhe nisur nga vlerat e kësaj poezie të tërheqim vëmendjen ndaj origjinalitetit të saj. Ku shfaqet ky origjinalitet?

Në mijvjeçarët e ekzistencës së letërsisë që prej eposit homerik duket se është ngjeshur lënda në mënyrë të tillë sa duket se nuk mund të ngrihet diçka e re, e pangjashme me atë që tashmë është krijuar. Një vëtëdije e tillë është e domosdoshme për të ndalur zellin shterp të grafomonënëve të panumërt, që sa vijnë e shtojnë grumbullin e jo vlerave duke rrezikuar t’ia zënë frymën letërsisë së vërtetë. Po kështu, përvoja mijvjeçare, e thithur drejtpërdrejt prej letërsisë sonë gojore dhe letërsisë së kultivuar, duhet të nxit më tepër nevojën e njohjes së vazhdueshme të saj. Sepse nga mosnjohja, edhe nëse rastësisht i shpëton theqafjeve, verbëria të çon gjithnjë në udhë pa krye.

Duket paradoksale, por origjinaliteti i veprës letrare vjen nga përthithja e përvojës kombëtare e botërore dhe jo nga injorimi i saj. Ky injorim në të shumtën e herës ndër ne vjen jo për shkak të qëndrimeve novatore apo eksperimenteve moderne a postmoderne, po thjesht për mungesën e plotë të kulturës letrare ose më qartë për shkak të analfabetizmit kulturor. Ndërkohë shkruesit e zellshëm që ia bëjnë qejfin njëri- tjetrit, nuk i lënë askujt hapësirën e duhur për të treguar lakuriqësinë e mbretit. Për këtë shkak, me kohë është bërë e domosdoshme që vendin e  djalit naiv që tregon me gisht të vërtetën bërtititëse të lakuriqësisë, duhet ta zërë kritika profesioniste që duhet të rrëzojë jo vlerat dhe t’i paraqesë pa patetizëm, vlerat reale.

Poezia e Rexhep Shahut është lehtësisht e komunikueshme me të gjithë lexuesit, e hapur, e kthjellët, e vetëvetishme dhe rrjedh pa sforcim, duke përcjellë dhimbjen tronditëse për humbjet tona, trishtimin e hollë, tragjizmin dhe shpresën njëkohësisht, ku pjesa e vdekshme bashkëjeton me pjesën e pavdekshme të individit.

Në poezinë e Rexhepit ndjehet rrjedha e trazuar e kohës që i bën trysni shpirtit njerzor, për ta mpakur dhe rrudhur deri në asgjësimin e plotë të individit. Kërkohen të dystohen ëndrra, të rrafshohen vlera. Dashamirës, njohës të poezisë kanë vërejtur se kjo poezi nuk mashtrohet, as joshet nga lulkat pa aromë të përsiatjeve  të ashtuquajtura moderne. A mund të shtiresh përjetësisht, a mund t’i mbyllësh sytë para brengave vetjake e njerëzore? Vuajtja është tipar i poezisë së tij, një vuajtje për shkak të dyzimit midis vetes dhe vetvetes. Dyzimi në përmasa planetare përfshin gjithçka edhe kohën që ndrron rrjedhën e saj normale, jo nga e sotmja drejt të ardhmes, por nga e sotmja drejt së kaluarës, drejt zanafillës, kthimit tek kaosi. Ky lloj apokalipsi synon të zhbëjë jetën. Poezia ngjan me librin e lutjeve dhe psalmet. Gjuha biblike parlajmëron ndëshkimin. Profecia të dërmon me gjykimin e ftohtë të saj:

“Ka me ra shi me baltë

Në llomin e fjalëve kemi me rrëshqitë

E kokërdhak kemi me ra…”

Ndihet vuajtja migjeniane, por zymtësia e pesimizmi e tejkalon Migjenin. Njeriu, i lindur tashmë, nuk do t’i kanoset krijuesit të tij duke e sfiduar, por do të mbarojë, do të zhduket për shkak të llumit të vet shpirtëror. Duket se rrufeja poetike e hyut të padukshëm do ta zhdukë sodomën dhe gomorrën që jetojmë. Rrudhja shpirtërore ka asgjësuar vlerat dhe individi është shndërruar në kufomë shetitëse. Qerthulli i humbjeve sa vjen e rritet. Shpesh përmes përsëritjeve ciklike shfaqen mundimet e Sizifit dhe vuajtjet e Tantalit.

Por ka një spirancë që të mos mbytet anija e jetës. Kjo është, Dashuria, gjithnjë e pranishme në poezinë e Rexhep Shahut si një ndjenjë e thellë që jetohet me intensitet, që është e prekshme, por edhe e përjetuar me dhimbjen e largimit dhe mungesës së saj therëse. Dashuria është prej uji, prej ajri, drite dhe ëndrre, por edhe krejt lëndësore, që ndjehet, preket e shijohet plotësisht. Si e tillë, mungesa e saj barazohet me mungesën e jetës deri në vdekje.

Poezi të tilla intime dikur quheshin poezi të vogla, vetjake. Fat i individit i shqetësimeve dhe dashurive të tij kërkohej të merrej nëpër këmbë, por poezia më e mirë e viteve 80 ia doli t’i vinte në substancë të saj këto fate të vogla, këto shpirtra që shpëtuan nderin e krijuesve dhe jetën e poezisë. Poezia e Rexhepit ecën në këtë tragë dhe poezia e tij mbetet thellësisht personale, ku mund të pajtohesh me gjithçka, por jo me mungesën e dashurisë.

“Dëshirë të frikësuar s’do të ketë më

Ajo është mosdashje, s’ka emër tjetër

Unë shkaku i saj s’do të jem askund

Ndoshta në rrënjët e një lisi të vjetër.

…………………………………………………

…Prej sysh më del

Si hyjni qielli, sirenë deti

Përpara meje e veshur me dritë

Ndërsa zhdukesh pa gjurmë

Nëpër tymin e shkrumbit tim

Unë mekem pa frymë

Lis i shituem prej zanash.”

Me teknika që tingëllojnë të njohura e klasike, poezia e Rexhepit arrin të përftojë gjendje të vërteta emocionale. Vargjet që citova janë krejt të zakonshme në libër, nuk janë nga më të zgjedhurit.  Por kjo poezi qenka e hapur për interpretime të ndryshme, për rivlerësime. Tani më jep një imazh tjetër, një domethënie më të thellë. Dhe kjo ngjet më shumë tek ajo pjesë ku mungon krejt nervi i retorikës. Ato janë të ftohta, madje të akullta në dukje. Neutrale. Bukuria e vargut i shpëton syrit të pavëmendshëm. Edhe kur ndjeshmëria e lexuesit arrin optimumin e përthithjes, zbulimi është i pamundur të arrihet menjeherë dhe plotësisht. Pamje të reja do të shfaqen më vonë si nënshtresa të pikturuara në kohë të ndryshme. Dhe mund të thuash me vete si nuk i kam vënë re më parë.

Tonaliteti i poezisë së Rexhepit nuk vjen i rrafshët, por i shumllojshëm, i përthyer si relievi i vendlindjes. Një pjesë poezish vijnë të zhurmshme , madje të marrin përpara me spontanitetin e tyre, me të shkruajturën me një frymë. Ato u ngjajnë përrenjve malorë që zbresin me shkumë dhe gjëmime. Vrulli i tyre nuk mund të mbërthehet në pritat, ledhet, argjinaturën e metrikës e ritmikës. Përmbytja sjell fundosjen e rregullit strikt gjuhësor. Fuqia e poezisë vendos në sovranitet të plotë mënyrën e shprehjes…

Malet e lartë të mbuluara nga mjegulla e bora, ujëra të vrullshëm që sulen brinjave, dimra të rreptë, ortiqe të frikshëm, krijojnë pamjen e një vendi, ku natyrshëm mund të lindë epika. Dhe vërtetë në këto treva gjendet dhe djepi i epikës, por në Lumë, krahas epikës historike, krahas mrekullisë së rrëfimeve realiste, alegorike e plot zgjuarsi, ku elementet fantastike zbehen, gjallon e përtërihet një lirikë e fuqishme. Në raport me epikën lirika në Lumë dhe jo vetëm atje, si gjini më e vjetër, moshatare me njeriun, prandaj dhe më themelore, më prekëse dhe më gjithëpërfshirëse, zë vendin kryesor.

Pranë vatrës së ndezur të netëve dimërore, si i vetmi burim drite në kullat të zymta, gruaja lumjane (gjyshe, nënë, motër) tirrte dhe këndonte nën hundë vajin e shpirtit të vet, dëshpërimin e thellë për humbjet e saj dhe humbjet historike të brezave, dhimbjet e shkuara dhe dhimbjet e ardhshme.

Prej këtij shpirti tragjiko- poetik lumjan duket se është gatuar e mbrujtur origjinaliteti i poezisë së Rexhep Shahut, ku miq krijues të poetit kanë mundur të shohin pamje të ndryshme të kësaj lirike, ku ndërthuret tragjizmi vetjak me tragjizmin e përgjithshëm, ku vërehet dyzimi, tuajzimi dhe dashuria e përjetshme.

Dëgjojmë të thuhet se poezia është në vështirësi, ka mbaruar koha e saj, duhet një poezi e re, të vijnë poetë të rinj. Ndërkohë që botohen qindra libra me vargje që nuk kanë lidhje, as me poezinë e vjetër të Bogdanit, as me poezinë moderne… Nuk janë poezi. Prej këtij konstatimi të dhimbshëm të përsëritur e të stërpërsëritur si një mallkim, (askush prej vargjeshkruesve nuk e gjen veten te ky përcaktim) shtohet nevoja e diskutimeve letrare ku të shoshiten vlerat. Mbi të gjitha shkruesit, lëvruesit e poezisë vetë edhe për shkak të asaj që quhet konflikt interesi, janë në gjendje të grupohen sipas shoqërisë e shijeve të përbashkëta, por nuk mund të vetëpastohen nga jo vlerat. Ky është edhe misioni i kritikës profesioniste, i katedrave të letërsisë që duhet të arrijnë përmes studimeve të bëjnë analiza objektive, të klasifikojnë prurjet e reja poetike, t’i japin fund kaosit të sotëm duke përcaktuar vlerat reale, gjithnjë duke parë zhvillimet në raport me prirjet e sotme të letërsisë europiane e botërore. Natyrisht ka një brez të rinjsh të afirmuar që nderojnë ekzistencën tonë njerëzore dhe letrare, që meritojnë vëmendjen e studimeve të thelluara. Librat e  Rexhep Shahut me vlerat që sjellin e meritojnë një vëmendje të tillë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora