Kulturë
Xhahid Bushati: Tipologjia e fabulave
E merkure, 21.05.2014, 08:02 PM
Një vështrim mbi tipologjinë e fabulave
(Shënime për librin “Trumcaku ftillon ferrën” të V. Saro)
Nga Xhahid Bushati, shkrimtar - studjues
1.
Kur lexon 23 fabulat (në vargje) të librit më të ri të Vangjush Saros, është e pamundur të mos vëresh ndjesinë, vetëdijen dhe raportin e poetik të krijuesit me zhanrin që shkruan. Është një raport mes dialogëve të personazheve-shpirtëzues, që në rrëfimet e tyre lineare përmes subjekteve të qarta përcjellin mesazhe që janë produkte nga përditshmëria jonë. Ajo që i bashkon fabulat e këtij vëllimi, (të cilat i mendoj si tipar e vlerë të autorit), është ruajtja e freskisë së motivit. Kështu na vijnë poetikisht bisedat: mes lisit dhe shkurres, çafkës me pelikanin, vjollcës me palmën, pishinës me detin, pikave të shiut me degën, të luanit, ujkut dhe dhelprës, trumcakut me ferrën, përemrave Ti, Unë dhe Ai, korijes me bilbilin, librit me syzet, etj. Tipologjia e kësaj natyre fabulore të bisedës mes dy personazheve, nga pikëpamja formale dhe e structures, është një gjë e njohur si proces letrar. Është lëvruar nga shumë autorë në rrjedhat historike të krijimit. Mund të themi, fabula e ruan ende këtë lloj tradicionalizmi. Sa do të vazhdojë, nuk e dimë…
Me librin e tij të fundit, “Trumcaku ftillon Ferrën”, Vangjush Saro vendos ca shenja të reja në krijimet e tij fabulore. I gjejmë ato në konceptim, në këndvështrim dhe ndërtim. Kjo lidhet me aktin poetik individual të tij. Më tej, shenjat që përmendëm i shohim përmes shprehësive të fjalëve dhe ngjyrave semantike që mbartin, të cilat kanë prirjen (e shëndetshme) të marrin “hua” edhe nga elementet përrallore. Raportet dhe ndërthurjet e këtij zhanri me këtë gjini, jo vetëm e kanë konsoliduar fabulën si krijim, por në stil i kanë dhënë asaj një konfiguracion të veçantë. Ky konfiguracion mbështetet në tre parametra: në fabulat e tij nuk ka inflacion të fjalëve; po ashtu, janë me interes narativiteti i ligjërimit dhe përdorimi i dëndur i foljeve, si gjendje dhe veprim i ngjarjes dhe i vijëzimit të personazhit, i konfliktit dhe i pohimit artistik brenda hapësirës së fabulës.
2.
Tipologjia e dytë e fabulave që gjallojnë në këtë libër, mbartin filozofinë e autorit, më mirë përpjekje që përcjellin episode aktuale dhe frymën e bashkëkohësisë, e cila është zbërthyer: në mendësinë dhe psikologjinë e personazhit, në shpalosjen e botës dhe të vlerës së tij, në raportet me mjedisin, ku ai jeton e lë gjurmë, etj. Të kujtojmë fabulat: “Pilivesa”, “Sorra”, “Kuleta”, “Vizitë”, “Dallga”, “Trishtimi i lapsit”, “Caku”, “Kali dhe Oazi”, “Minjtë”, etj. Një pjesë e këtyre fabulave ruajnë edhe një veçori tjetër domethënëse. Edhe ky element përmbajtësor vizual është i njohur në letërsinë tonë për fëmijë e të rinj. Këta autorë, në procesin historiko-letrar, fabulës i kanë vënë edhe një përfundim a konkluzion morali. Shpesh, ky element ka pasur natyrë proverbiale, didaktike e moralizese, në të shumtën e herës, e lidhur me kohën, e cila i ka diktuar për t’i evidentuar të tilla fenomene. Këto dukuri i gjejmë në disa fabula të Vangjush Saros. Por, autori e ka mënjanuar këtë funksion moralistik. Me shumë mjeshtri “copëza e gjetur” e stofit të fabulës, i shërben asaj si vizion dhe i jep frymëmarrje të mëtejshme.
Për
ilustrim, kam marrë fabulën me titull: “Pilivesa”. Ja si e lexoj grafikisht:
Pilivesa - fillesa - më pas helikopteri. “Fluturimet e mëdha” harrojnë
fluturimet e vogla. Për rrjedhojë, humbet identiteti, njohja e vetvetes dhe
3.
……………………………………
Shënim: Mbajtur në diskutimin që Shoqata Mbarëkombëtare e Letërsisë për Fëmijë dhe të Rinj organizoi për librin me fabula “Trumcaku ftillon Ferrën”; (i dyti në këtë zhanër për autorin, pas vëllimit tjetër titulluar “Dhelpra shpërblen lepurin”). Ishin dhe diskutuan rreth vlerave të këtij libri apo shprehën rezervat e tyre, edhe B. Xhama, P. Koçi, P. Zoto, Gj. Kurtiqi, A. Bishqemi, K. Boriçi, I. Bobaj, T. Kurtiqi, M. Qirici, F. Gjestila, A. Dervishaj, R. Braholli, H. Kobellari, etj. Pas bisedave të autorit V.Saro në disa televizione - TV News 24, TVSH, ABC News - pas paraqitjes në disa gazeta, portale e rrjete sociale, si dhe në shkollën “Kongresi i Manastirit” (Tiranë) ky diskutim ishte episodi i fundit i përcjelljes së librit te lexuesi.