E shtune, 27.04.2024, 04:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Fran Gjoka: Misioni human i një publicisti

E merkure, 07.05.2014, 07:06 PM


MISIONI HUMAN I NJË PUBLICISTI

-RRETH LIBRIT TË KADRI TARELLIT “MISIONARË NË UDHËN E DIJES”, PUBLICISTIKË-

Nga FRAN GJOKA – LEZHË

Kadri Tarelli është emër i njohur në letrat shqipe. E kam njohur si koleg,si gazetar dhe tani si shkrimtar. Si mësues ka shëtitur në shumë shkolla të Durrësit, Kavajës dhe Lushnjës ku kontribuoi me devotshmëri në edukimin e brezit të ri. Punoi kudo me pasion dhe përkushtim për të përgatitur nxënës të aftë  për të përballuar sfidat e tregut të punës,për të përgatitur njerëz të aftë për tu dalë zot fateve të vendit. Njeri serioz, fjalëpakë, intelektual i përgatitur dhe me vlera. Kurdoherë i zinte vend fjala dhe mendimi si njeri, si mësues dhe si drejtues në disa shkolla të rrethit të Durrësit. Puna e vështirë, por fisnike e mësuesit ka ngacmuar gjithnjë pasionin e tij për të shkruar.

Ka nisur të shkruajë që në moshë të re në shumë organe shtypi, por revista “Mësuesi” u bë streha e tij e përhershme. Unë me Kadriun jam njohur vite më parë në zyrat e kësaj redaksie, ku punonin edhe shumë miq tanë të përbashkët si Ilir Kanini, Murat Gecaj, Vjollca Spaho, Viron Kona, të cilët na hapën rrugët, kurdoherë për të shpalosur mendimet dhe përshtypjet tona për nxënësit, për punën në shkollat tona, sistemin arsimor, arritjet, problemet apo shqetësimet. Dhe Kadri Tarelli ishte kurdoherë i pranishëm në faqet e shtypit, ku shpaloste mendimet e tij për çështjet e arsimit, të kulturës dhe edukatës, reformës arsimore, kurrikulave, planeve, programeve, dhe teksteve mësimore, duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme në përmirësimin e punës dhe jetës në shkollat tona. Kadriu ishte punëtor i palodhur, mësues i përgatitur, njeri i drejtë dhe i ndërgjegjshëm për rëndësinë e detyrës që kryente. Ai nuk heshti kurrë. Mbante qëndrim ndaj dobësive, kritikonte te metat, bënte vërejtje gjithnjë për përmirësimin e punës në të ardhmen. Prandaj ka mbetur figure e nderuar në arsimin dhe gazetarinë tonë, intelektual i përmasave kombëtare.

Megjithë vështirësitë e punës si mësimdhënës, gazetar, redaktor dhe recensent në disa libra, Kadri Tarelli nuk e lëshoi kurrë penën nga dora. Ai qe gjithnjë në aktivitet, kurdoherë i pranishëm në fushën e letrave, prandaj kohët e fundit është prezantuar para lexuesëve me librin publicistik “Misionarë në udhën e dijes”, botuar nga shtëpia botuese “Milleniumi i ri” në Durrës. Pikërisht aty ku autori ua ka kushtuar veprën e tij me shumë vlera sistemit arsimor, shkollës dhe figurës së nderuar të mësuesit.

E shfletova veprën e tij me një frymë. I lexova me dëshirë të shtatë kapitujt e shtjelluar dhe vura re se, freskia e mendimit dhe penës së Kadriut ishin ende të gjalla si në rininë e hershme. Vlerat e kësaj vepre janë të prekëshme, sepse për arsimin dhe mësuesin sot pak shkruhet. Ata pak vlerësohen si nga shoqëria ashtu dhe nga shteti, prandaj edhe autori ngre shumë probleme, vlerëson maksimalisht shumë figura mësuesish, shumë institucione arsimore që punojnë në kushte jo shumë të favorëshme, por me përkushtim për të përgatitur dhe edukuar armatën e madhe të nxënësve. Shkrimet problematike të Tarellit synojnë të eliminojnë dobësitë, të korrigjojnë gabimet dhe të përmirësojnë punën në sistemin tone arsimor dhe nëpër shkollat tona. Shumë shkrime të tij, megjithëse janë shkruar në peirudha kohore të ndryshme, sepse Kadri Tarelli ka një jetë që shkruan, mbeten aktuale edhe sot në ditët tona. Artikuj të tilla problemor, si: “Ç’të bëjë drejtori…”, “A do gjendet ilaçi kundër dhunës?”, “I vështirë ky plani vjetor i shkollës?!” etj. Probleme të tilla jetësore për shkollën tonë, vetëm një gazetar dhe drejtues i përkushtuar si Kadri Tarelli mund të ngrinte në faqet e shtypit.

Mësuesit kanë qenë dhe janë misionarë të përkushtuar për të rritur, mësuar dhe edukuar brezat. Ata jetojnë dhe punojnë mes nxënësish dhe kolegësh. Kush më mirë se mësuesit i njohin tipet e nxënësve, prirjet e tyre, gjendjen shëndetësore, fizike dhe ekonomike, vlerat e tyre mësimore, edukative dhe morale, madje në shumë raste më mirë edhe se prindi. Po që të njohësh të gjitha këto karakteristika duhet të jesh një mësues i zellshëm, aktiv,i përgatitur, i përkushtuar dhe individ me norma shoqërore. Pikërisht këtyre njerëzve të zellshëm dhe të dashur, të pasionuar për mësimin dhe edukimin  u ka kushtuar disa fragmente të librit të tij edhe shkrimtari dhe gazetari i njohur Kadri Tarelli. Pak është vlerësuar figura e mësuesit gjatë gjithë periudhave të kohës, por kur vlerësohesh nga pena e artë e Kadriut, njeriu, aq më shmë  mësuesi, domosdo e ndjen veten krenar për punën që ka bërë, për djersën që ka derdhur për të edukuar nxënësit e tij të dashur. Në trevën ku ka punuar dhe vepruar autori, figurat e shquara të arsimit kanë qenë të shumta, kontributi i tyre në zhvillimin dhe përparimin e shkollës ka qenë shumë i rëndësishëm.

Këjo ka qënë arsye, për të cilën autori ka punuar dhe hulumtuar disa figura të shquara të arsimit, ku përshkruan jetën, veprimtarinë, vështirësitë e punës dhe përpjekjet e tyre në fushën e arsimit dhe dijes. E nis me “Mësuesin e popullit” Sulejman Zalla, që punoi gjithë jetën për të edukuar te nxënësit atdhedashurinë, duke dhënë kontribut edhe në drejtim të zhvillimit të gjuhës dhe shkollës shqipe në vitet e vështira të konsolidimit të sistemit tone arsimor që në periudhën e luftës për pavarësi, për të vazhduar me patriotin nacionalist Prenkë Kaçinari, aktivist, patriot dhe profesor, dënuar me brugim të përjetshëm në vitin 1947 dhe shpallur “Martir i demokracisë”, mësuesi që la gjurmë të pashlyera në kolektivat arsimorë ku punoi dhe kontribuoi dhe tek nxënësit qe pati pergatitur. Më tej flet me respekt për punën dhe vuajtjet e ish gjimnazistit të viteve ’40 Zihni Dervishi, më pas për mësuesin e apasionuar Petrit Velaj “Doktor i shkencave”, për “Mësuesin e merituar” Eqerem Shijaku, për “Mësuesin e popullit” Agim Shehu, si dhe për Islam Alikajn, Zyber Sallakun, Hasan Ulqinin, Muzemil Osmanin, Fadil Elezin, Mustaja Fajen, etj, të cilët shkrinë jetën e tyre për t’u dhënë brezave dije e kulturë dhe për t`i përgatitur për të ardhmen. Gjatë shfletimit të kësaj vepre, më ra në sy mjeshtria më të cilën Kadri Tarelli përshkruan dhe përgatit reportazhet dhe shenimet e udhëtimit. Këto përshkrime letrare, për punën plot pasion që bëhet në shkolla, nuk janë thejsht një përshkrim sipërfaqësor, por janë shkrime publicistike përmes të cilëve autori përshkruan eksperiencën pozitive të kolektivave mësimore, duke ngritur problemet shqetësuese dhe bërë edhe vërejtje për përmirësimin e punës në të ardhmen. Në këtë sens, shkrimet e tij publicistike patën jo vetëm vlera njohëse, por edhe vlera edukative sa i përket propagandimit të përvojave pozitive në kuadrin e zbatimit të reformës mësimore në sistemin tonë arsimor. Flet me pasion dhe krenari për punën pozitive që bëhet nga kolektivat pedagogjike në shkollën 9-vjeçare jopublike “Vincens Prendushi” në qytetin e Durrësit, për kolektivin e shkollës së vjetër “Shaqe Mazreku”, që festoon 75-vjetorin e saj, për shkollën jopublike “Kasa”, ku autori ka qenë edhe drejtues i saj për disa vite, etj. Në këto shkrime kolektivat arsimorë të këtyre shkollave kanë gjetur veten dhe janë motivuar për të përmirësuar punën dhe arritur rezultate të larta në të ardhmen.

Kadri Tarelli nuk ka heshtur. Ai ka trajtuar shpesh edhe çeshtje që kanë shqetësuar shkollën, çështje që kanë ndikuar negativisht në punën e shkollës sonë. Ka trajtuar tema të mprehta sociale dhe mësimore siç është “braktisja e fshehtë”, “Veprimtaria e bordeve të shkollave”, çështjen e nxitjes së talenteve të reja, punën për zbatimin me korrektësi të Dispozitave Normative në sistemin tonë arsimor, çështjen e përdorimit të fjalëve dhe shprehjeve të huaja në ambiente publike, apo problemin shumë të diskutuar të hartimit të karakteristikave të nxënësve. Të tërheq vëmendjen edhe një cikël shkrimesh të ndërtuara mbi përvojën e binjakëzimit të disa shkollave të rrethit të Durrësit me shkolla të qyteteve të Borasit në Suedi dhe Istogut në Kosovë.

Duke udhëtuar në librin e Kadri Tarellit, “Misionar në udhën e dijes” – publicistikë, krijon vetvetiu bindjen se, ke të bësh me një intelektual të pergatitur dhe të përkushtuar ndaj fushës së shkollës, arsimit dhe dijes, të cilës i ka kushtuar talentin, njohuritë dhe energjitë e tij. Ai nuk është shkëputur dhe as hesht për të promovuar vlera, figura, aktivitete dhe veprimtari pozitive që ndihmojnë për ta çuar arsimin, shkollën dhe artin e mësimdhënies përpara.

Suksese miku im i dashur Kadri. Pena jote qendistë here-pas-here vepra të reja!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora