Kulturë
Sami Sherifi: Ëndërr e madhe mërgimtare
E shtune, 26.04.2014, 05:35 PM
Sami Sherifi
ËNDËR E MADHE MËRGIMTARE
Nga Ballkani jemi nisur kësaj pranvere
Me një ëndërr të madhe gurbetqare
Dhe me strajcën e vobegtë të punëtorit
Që këtu në zemër të Europës të përvetësojmë
Alfbetin e kibernetikës
Dhe ligjin më perfid të eksploatimit
Nga Ballkani jemi nisur me trenin direkt
Që te shkojmë nga njëri metropolë në tjetrën
Me strajcën tonë të ëndrrave
Të bartim nga njëri krah në tjetrin.
Nga njëra gjeneratë në tjetrën
Më thuani ju lutem në cilin stacion të zbresim
Dhe në cilën metropolë ta varrim strajcën tonë
Plot mallëngjim dhe të kërkojë një vend të përkohshëm pune
Me cilin tren të bartim dhembjen tonë ballkanike
Nga ky kontinent në atë tejoqeanik
Nga Ballkani jemi nisur kësaj pranvere
Miku im i dashur gurbetqarë.
Bashkë me dallëndyshet ne u poqëm
Kujt t`ia
rrëfejmë këto
Në ketë uzinë kompjuterësh
Ku komunikimi bëhet në gjuhën e eksploatimit.
(Fribourg, 1982)
RRËFIMI AD HOK
Më vjen që ta them një fjalë
Një rënkim shpirtëror
Që më shtrëngon frymëmarjen
Sa e sa vite
Ta them apo mos ta them
Nga thellësia po më mundon
Dhe më thotë
Shkruaje sonte dhe nxirre në dritë
Si varg apo si rrëfim
Nuk po sheh se mëmëdheu mbeti
Hartë e coptuar
Shqipëri apo Iliri
Kosovë apo Dardani e Maqedoni
Si t’i themi
Me fjalorin e politikës
Cili term i përgjigjet
Ëndrrës më të re
Për të hyrë
Në bashkimin e popujve
Të shteteve
Në Europë...
SA LARG MËMËDHEUT !
Sa e rëndë frymëmarja, ëndrrat, mallëngjimi
Sa e madhe dashuria përjetimi etja
Për pakë ujë burimi të fshatit, mëmëdheut
Sa i thellë shikimi në hapsirë
Kurë do të nisem për atdhe
Do ta hedh këtë varg sa më larg
Bashkë me vuajtjet e gjyshit babait
Dashurinë e djepit do ta rruaj të mbështjellur me flamur
Eh moj Nënë sa e paskemi dashur ketë tokë
Diell, Hënë dhe nënqiell mallëngjimi ilirik
VARGU ILEGAL
Shekujt kishin rënduar vargun e strukur
Skruar largë vendlindjes në ilegalitet
Nga ajo ditë që zbulova rrugën e panjohur
Nga pak u hutova duke zbuluar thellësinë e oqeanit
Frymëmarja mu ndërpre duke kaluar kufirin ilegalisht
Në rrugën
për
Që vinte të demonstrojë në përvjetorin e vrasjes së poetit
Kitaren e kanjiushen e verdhë na e lënduan
Diellit deshën t'ia vjedhin magmën
Planetit Tokë forcën e gravitimit
Dhe të shkatërojnë yjet nga ëndrat tona
Por ne te gjithë u ngritëm
Dhe u bëmë poet mërgimtarë dhe atdhetarë.
DASHURIA DHE MALLËNGJIMI
Mik i dashur poet, më dëgjo
Ka ardhur koha Dashurinë ta ndajmë
Me yjet ëndrrat t’i shndërojmë në ujëvarre
Dhe vajin ta rrikthejmë në buzeqeshje vashe
Mjaft më na lënduan vargun, zemrën
Na e vranë Diellin e mëmëdheut
Si ta zbresim Hënën në lëndinë
Agun dhe ylberin ta shtrojmë në tryezën e mikpritjes
Dhe të flasim për ditët e festave të mëdha që pret mëmëdheu
Ah ëndërr e madhe, varg dhe mallëngjim shekujsh
Dashuri që vlonë e përvëlon si zjarri
Dhe më futesh thellë në palcë dhe pëlcet mu si vullkan
Si magmë dhe ujëvarre që kullon gjak Bjeshkëve të Nemura
Karadakut e Malit të Thatë
Dhe zbret në vargun tim në shpirtin e lënduar
Të fisit që akoma po pret duke ëndërruar
Lirinë e plotë të rrëfimit...
POEZIA LIND SI FËMIJA
Ndjenja lind
Nga brendësia e ëndrrës
Si magma që rilind
Lumenj zjarresh
Dhe shndërrohet në ujvarë
Dashurie dhe mer frymë
Frymonë...
Qanë dhe qesh
Jeta kthehet në poezi
Të thërret si jehona në dialog
Vjen aty afër
Të përkëdhel dhe të kujtonë
Se ky është lajmi më i gëzuar
Është fjalë dhe varg
Që lind si foshnja
Dhe vetë do të flasë me yjet.
FLUTURA MA SOLLI VARGUN
Sonte një flutur fluturoi dhe më puthi në faqe
Më solli inspirimin
Nga një meteor zbriti më dha betimin
Pak nektar më morì
Në vargun tim më la aromë Dielli
Ma ruaj në këtë dimër më tha
Në pranverë ta kthej si buzëqeshje
Tek vargu i ri
Plotë miqësi
Plotë dashuri
Unë mikja ime e dashur
Për një flutur një poezi dhe një dashuri
Do të nisem të shkojë të takohem me Diellin
Fluturën do ta bej dëshmitare
Që të sjellë pak dritë vargut
Ta bëjë një lutje si falënderim
Botën ta mbështjellë me urtësi
GJALLLË POR I PRANGOSUR
Ishin ato kohëra
Kurë Dielli nuk prekej me dorë
Vargun bashkë me Kitaren
E Jusuf Gërvallës që e copëtuan
Shtrydhën ëndrat e rilindur
Vargun lënduan me pranga
Në Mont Blant vënduan litarin
Mes akullit dhe gjelbërimit
Sërish u rilind në mesin tonë
LYPSIT I FALA NJË VARG
E takova një lypës në metro të Parisit
Një tjetër më doli tek Ura e Gurit ne Shkup
Dhe i treti para bustit të Skenderbeut në Tiranë
Më folën me te njëjtën gjuhë
Me të njëjtën dorë më kërkuan lëmoshë.
Në Paris më kerkoi një euro
Ia fala edhe një buzëqeshje
Në Shkup më kërkoi dhjetë denar
I dhash një uratë dhe dhjetë karajfila shprese
Në Tiranë më kërcënoi dhe më tha
Mi jep dhjetë lekë se kam uri
Ia fala dhjetë lekë dhe një poezi
Që t`ia zbus zemrën dhe dhimbjen.
Nuk e dijë në cilën gjuhë
Më falënderuan apo më shanë
E dijë vetëm atë që asaj dite
Një dhimbje e zbuta si lutje në uratë
Dhe për një çast u riktheva në fëmijë
M’u kujtua shtëpia ime në fshat
Kur nëna ndante pogacen me lypsarë
Edhe përse tryeza jonë ngelte e zbrazur për një javë
Lypsin nuk e kthente duarthatë.
BOX
Sami Sherifi u lind më 15 shkurt 1950 në fshatin Sillare e Poshtme, Shkup. Pas mbarimit të Shkollës Normale "Zef Lush Marku", ushtroi detyrën si mësimdhënës nga viti 1969 deri më 1981, kur detyrohet të largohet në egzil. Diplomoi në Universitetin e Prishtinës (Dega Pedagogji, Grupi klasor). Nga viti 1969 merret me krijimtari letrare. Njihet edhe si kultivues i traditës dhe kulturës shqiptare në mërgatë. "Mallëngjim Dheu" (Commozione della Terra) është një dritë e re poetike në kalanë e kombit. Libri i tij më i ri “Shpirti”, del në Bukureshtin e rilindësve tanë.