Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Portat mbeten gjithmonë hapur
E merkure, 13.11.2013, 08:44 PM
PORTAT MBETEN GJITHMONË HAPUR
Impresione për vëllimin poetik “Porta të hapura” të Shefqete Gosalcit
NGA PËLLUMB GORICA
Palca e
poezisë së vërtetë mbetet sinqeriteti. Asnjë poezi nuk mund të qëndrojë në këmbë,
nuk mund të ngacmojë zemrat e të tjerëve e të lejë gjurmë në faqet e
krijimtarisë poetike po nuk buroi nga sinqeriteti dhe po nuk përcolli mesazhe të
sinqerta. Edhe poezia e poeteshës, këngëtares dhe ish luftëtares së UÇK,
nga Prishtina Shefqete Gosalci, të cilën e përshkon një ndjesi e thellë shpirtërore,
është frymëzuese e të flladit mendjen dhe zemrën kur e lexon. Të tërheq
tematika e vargjeve të saj, gjetjet, brishtësia, forca, dhimbja dhe gëzimi me
fllad lirie, trokthi i ëndërrave, që rrjedhin nga ujëvarat e shpirtit të poetes.
Poetesha ecën pandalshëm në fushën e magjishme të letërsisë, plot lirizëm
poetik, në kërkim të së përgjithshmes.
Dashuria
e sinqertë për Kosovën, malli njerzor për gjithçka dhe meraku i shqetsimeve janë
tri motivet kryesore të vëllimit të saj “Porta të hapura”. Togfjalëshi “porta të
hapura” ngërthen aq shumë sintetizëm dhe simbolizëm në vetevete sa që poetja e
vë në një konteks të tillë poetik, që lexuesi të jetë gjithmonë në
pozicionin e duhur për të interpretuar në të gjitha dimensionet
strofën e veçantë apo gjithë poezinë. Kaq e zjarrtë është ëndrra, kaq i guximshëm
është vargu i Shefqetes, sa që të nxit të gërmosh nëpër udhët e jetës ku ajo
ushqen frymëzimin për të shkruar. Në përgjithësi sakrifica e sinqertë e poetes është
njerëzorë jo deklarative ndaj ajo futet në rrjedhat e jetës thjeshtë e natyrshëm,
duke konkluduar se: “ Më lëngëzon shpirti/Se asnjë dhembje/Nuk më dhëmb/Farkëto
një diell/Me rreze shpate/Dhe vëre në qiell/Le të shpohen nga shpatat/Mjegullat
e mëndafshta/Toka qielli unë/Të gjithë/Vetëm të ketë diell.”
Shefqete
Gosalci me misionin e saj paqësor e rindërtues
që i ngarkon zoti dhe me besim të plotë se fjala e tij është dritë në rrugën e
jetës, poe edhe me kujdesin në udhët e vështira
të jetës deklaron njerëzishëm: “më porositi-jetoni jetën/se ëndrra digjet/e
vdekja kushton!” Prania e zotit ndër ne është e gjithkahershme e çdo kohe e
domosdoshme. Dhe kështu me këtë porosi ajo ecën tokës dhe fluturon qiejve,
zhytet në detin e parajsës dhe vetëm ëndërron pafundësi të mirash e të bukurash
e fitore të merituara. Fantazia e saj është e pashterueshme kur shkruan: “Pashë
në ëndërr/ëndrrën e ëndrrës sime.” Ai brez e popull që ëndërron të bukurën dhe
të mirën, kërkon ta jetojë jetën me çdo kusht dhe se askush nuk mund ta ndërpresë
brutalisht përtëritjen dhe vazhdimësinë e brezave. Bijtë e Kosovës martire u
torturuan, u vranë e u dogjën barbarisht, sakrifikuan mbi çdo gjë e megjithatë ata
rilindën si feniksa nga hiri i zjarrit kundër hasmit të shtruar këmbëkryq në trojet
tona.
Poetja e
njeh jetën në themelet dhe ka shumë vizion për rrjedhjën e saj dhe e përjeton çdo
çast e minutë dashurinë e vërtetë, të ndihet shpirt i brishtë dhe e fortë njëkohësisht, kur shkruan se: “për
natën janë buzët/për ditën janë sytë.” Të gjitha ajo i dashuron, për të gjithë sakrifikon,
respekton e vlerëson cdo gjë të krijuar me djersë e qëllim të mirë në këtë botë,
por ama për Kosovën fal gjithçka: “Do bëhem Rozafë buzëçara ime e skuqur/Djepi
kafshata dhe unaza ime e ngjyer në diell/Kalo Kosovë mbi mua/Njomi buzët në murin
tim të lagur.” Duhet të jesh mjaft i guximshëm dhe i përleshur me dallgët e jetës,
të jesh i përkushtuar deri në sakrificën sublime për përparimin që të shprehesh
me vargje të tilla: “Lirinë e pagëzuam me këngë/E këngën mbajmë kafshuar/“Jetën
ta njomi trekëndshi/djep magje,bunar/ylberit eca zbathur.”
Në vëllimin
poetik “Porta të hapura”, autorja Shefqete Gosalci me figurat letrare, metafora
e simbole, që kompletojnë portretin e një krijuese të talentuar, tregojnë që i është
futur seriozisht rrugës së poezisë. Vargu i poezisë së Shefqete Gosalcit, herë rimon
e herë harliset i lirë në hapsirën e mendimeve, herë gjëmon si kënga kosovare
majëkrahu e herë flladit si mëngjes pranveror. Ajo ka besim për të ardhmen
sepse mbështetet në një traditë të fuqishme nga se “shpresën e ujitëm me lot/ndër
kohërat shamizeza.” Ndaj për tu konkluduar për sinqeritetin që përmendëm në fillim
kur nisëm të shkruajmë këto mendime për poezinë e Shefqetes, kemi thënë gjithçka
kur mërmërisim këto dy vargje: “Si pëllumba në fluturim/Shpirti im feston me
vargje.”
Të tillë begati
krijuese sjelltë më shumë e ardhmja për poeten Shefqete Gosalci, këtë zë të bukur
të lirikës së sotme në Kosovë.