E premte, 26.04.2024, 08:54 AM (GMT+1)

Mendime

Enver Robelli: Fakirë fetarë dhe ekspertë të kalit

E hene, 28.10.2013, 08:47 PM


Fakirë fetarë dhe ekspertë të mishit të kalit

Mbi keqpërdorimin e fesë islame në kohërat e demokracisë kaotike

Nga Enver Robelli

Në një intervistë Naim Tërnava, i cili me metoda të epokës së Stalinit po bëhet gati edhe për një mandat në krye të Bashkësisë Islame (kësaj radhe jashtë çdo norme), paskësh thënë se së shpejti Kosovën do ta njohin Tunizia dhe – Siria. Paralajmërimi se Siria së shpejti do ta njohë Kosovën duket absurd. Ky vend është zhytur në luftë civile dhe tani për tani nuk ka qeveri legjitime. Diktatori Bashar al-Asad mbështetet nga kryetari rus Vladimir Putin, ndërsa SHBA-ja, disa vende të Evropës Perëndimore dhe Turqia, Asadin e shohin si kriminel lufte dhe fajtor për mijëra viktima civile. Së fundi regjimi i Asadit është akuzuar se ka përdorur gaz lufte për të vrarë civilë. Aktualisht inspektorë të armëve kimike po merren me shkatërrimin e këtyre armëve. Asad ishte i detyruar të lejonte ardhjen e inspektorëve në Siri pas kërcënimeve të Washingtonit me intervenim ushtarak. Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, i tha këto ditë gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” se “një vrasës, i cili dorëzon armën, nuk bëhet i pafajshëm”. Me fjalë të tjera: Asadi edhe pa armë kimike mbetet kriminel.

Miku i Rusisë

Mes tjerash Siria ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës për shkak të raporteve të ngushta me Rusinë. Në botën arabe asnjë shtet tjetër nuk ka lidhje më të ngushta me Moskën sesa regjimi i Damaskut. Ashtu siç ka bllokuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së çdo rezolutë për angazhim efektiv të bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e konfliktit në Siri, Rusia prej vitesh është bërë pengesë që pavarësia e Kosovës të marrë legjitimitet të plotë ndërkombëtar. Siria ka qenë me dekada kliente e industrisë ushtarake të Rusisë. Edhe në kulmin e luftës Vladimir Putini nuk ka hequr dorë nga furnizimi i regjimit të Asadit me armë e municion. Sa të afërta i kanë mendimet kundër Kosovës Putini dhe Asadi tregon ky fakt: në maj 2012 diktatori sirian deklaroi për mediet ruse se kryengritës të opozitës siriane kishin ushtruar në Kosovë se si të nxitet NATO-ja për të ndërhyrë në Siri – gjë që ishte një gënjeshtër e plasuar fillimisht nga mediet e Beogradit, prej nga u bart në Moskë.

Ndoshta Naim Tërnava ka menduar se Kosovën do ta pranojë një qeveri e re e Sirisë pas rrëzimit të Asadit. Por gjasat që Asadi të rrëzohet së shpejti po pakësohen dita-ditës për shkak se opozita kryengritëse kundër tij është një trupë kaotike, e cila akuzohet po ashtu për krime lufte. Edhe më keq: në mesin e kryengritësve të Sirisë janë infiltruar mijëra terroristë islamikë nga vendet arabe, Azia, ish-republikat sovjetike dhe nga Ballkani, të cilët luftojnë për një “shtet islamik”, ku nuk do të kishte vend për besimtarë të feve të tjera dhe ku do të shtypeshin pakicat etnike.

“Ushtarët e Allahut”

Grupe të lidhura me rrjetin terrorist “Al-Kaida” po kërkojnë krijimin e një shteti të përbashkët irako-sirian, i cili do të qeverisej me sheriat e me kamxhik; në këtë shtet gratë do të ishin vetëm disa krijesa të mbuluara që do të ecnin si pinguinë nëpër oborr dhe do t’i nënshtroheshin vullnetit arbitrar të burrave “myslimanë”, këtyre maçove barkmëdhenj që s’lënë pafytyrësi pa bërë – dhe gjithnjë për t’u shfajësuar trafikojnë ndonjë ajet Kurani të cituar mbrapshtë. Deri më tani rreth dhjetë terroristë shqiptarë, që pretendonin se janë myslimanë, kanë rënë në luftë në Siri, shumica si pjesë e rrjeteve kriminale, terroriste dhe fanatike kuazifetare. Dhjetëra të tjerë po gjezdisin fronteve të Sirisë, madje duke bërë thirrje që t’u bashkohen gjithnjë e më shumë “ushtarë të Allahut” nga atdheu. Në xhami të caktuara në Kosovë, ku ndikimi i Tërnavës dhe i disa imamëve ekstremistë ende është i konsiderueshëm, po rekrutohen të rinj për luftë në Siri. Në këto faltore nuk flitet më për kombin, por për “umman” (ymetin), për bashkësinë islamike mbarëbotërore, e cila s’njeh komb, as shoqëri liberale, as shtet ku sundojnë ligjet tokësore. Naim Tërnava si shef i Bashkësisë Islame të Kosovës asnjëherë nuk është distancuar prej “besimtarëve” që thyejnë qafën në Siri për të luftuar për interesa të terrorizmit ndërkombëtar, madje Tërnava nuk ka bërë asnjë apel që shqiptarët të mos kyçen në këtë luftë, e cila ka degraduar në konflikt kaotik, ku grupe të ndryshme ndjekin agjendat e veta, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me të ardhmen paqësore të popullit të Sirisë, por synojnë krijimin e një teokracie agresive. Para disa javësh edhe vetë i biri i Tërnavës përmes medieve sociale përjargej e çirrej se do të donte të shkonte në xhihadin sirian. Kur nga mesi i shtatorit u dha lajmi se një ekstremist i quajtur Pajtim Olluri, i lindur në një fshat të Lipjanit, ishte vrarë në Siri, Naim Tërnava s’bëri zë. E udhës do të ishte që Tërnava si udhëheqës fetar të deklaronte publikisht se shkuarja në luftë në Siri nuk ka të bëjë asgjë me fenë islame, por ka të bëjë shumë me agjendat e terrorizmit ndërkombëtar.

Shefqet K. dhe mishi i kalit

Me mashtrues të tillë si Naim Tërnava, Shefqet Krasniqi, Irfan Salihu, Enis Rama dhe ca të tjerë, edhe Zoti përton t’ia hedhë një shikim Kosovës. Ata që ia kanë marrë dorën diktatorit libian Muamar al-Gadafit nuk ngurrojnë t’u bien në gjunjë edhe diktatorëve të tjerë, fanatikëve fetarë dhe terroristëve. Tërnava e Krasniqi me shokë e kanë gojën plot dashuri e veprimet plot urrejtje dhe jotolerancë. Ata që nuk kanë respekt për ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, nesër do të kërkojnë shtet me sheriat. Për shkak të medieve të papërgjegjshme, të interesuara vetëm për shou dhe për shfaqje teatrale nga jeta e mërzitshme kosovare, Shefqet Krasniqi është shndërruar në kloun publik. Ai orë e çast jep këshilla nga më bizaret, të cilat nuk i ha asnjë logjikë. Ai i di të gjitha. Ai shpjegon “me kompetencë” pse gruaja ka më pak vlerë se burri. Ai – thua se është gjinekolog – e qorton një vajzë, e cila thotë se në moshën 16-vjeçare ka humbur virgjërinë dhe pyet se “çfarë të bëjë tash”. Shefqet K., eksperti i thellësive trupore, edhe këtu ka një përgjigje: e këshillon vajzën se nëse s’mund të rrijë pa burrë, t’i thotë “nans e babs gjojma ni burrë (...) E ngiju burrë tani”.

Në botën e Shefqet Krasniqit femra nuk ka dinjitet, ajo duhet të tërhiqet për kërpeshi si një kafshë që dërgohet në pazar për t’u shitur, ajo duhet të “ngihet burrë”. Në këto troje qëmoti nuk kemi pasur këso ndotësi të ambientit publik, një moçal pisllëqesh në kajde të insanit, që keqpërdor çdo mjet të komunikimit publik për të shpërndarë fëlliqësitë që i burojnë nga truri i kalbur, fanatik, i prapambetur, agresiv, shpifës dhe në thelb heretik, ndonëse s’e heq Allahun nga goja. Ky edepsëz ndihet kompetent të përgjigjet edhe në pyetje si këto: “A bën me mbajt qen apo mace në shtëpi?”, “Nëna nuk më lejon të marrë nusen e mbuluar – ç’të bëjë”, “A e ke haram ti si hoxhë me e përmend shpesh dreqin në emisione?”, “A lejohet të pihet birra me zero alkool?”, “A bën të martohem vetëm për letra?”, “A bën me ngrënë mishin e kalit?” – Një idiot (nëse pyetja nuk ka qenë e manipuluar nga vetë Krasniqi) pyeste këtë fakir nëse lejohet të festohet ditëlindja, për shembull duke përgatitur një ëmbëlsirë dhe duke ftuar familjarët. Përgjigjja e Krasniqit gjendet në you tube. Ai thotë: “Jo nuk lejohet as me festu ditëlindjen, as me mbajt ditëlindjen, as me qit ndonjë amblësinë për ditëlindje, as me ja uru njani-tjetrit, as kurgja, këto janë bidate, nuk kanë punë me myslimant kurgjo”. Pastaj Krasniqi mban një fjalim të zjarrtë kundër adeteve që po depërtojnë nga Perëndimi në “fenë tonë islame”, të cilën, sipas tij, duhet ta “mbajmë të pastër” dhe jo të lejojmë të bëhet si krishterimi apo judaizmi. Festimin e ditëlindjes Krasniqi e quan bidat (arabisht: “bid’a”), që domethënë devijim nga rruga fetare.

Letra nuk i duron edhe shumë marrëzi të tjera të Shefqet Krasniqit, që ai i shpërndan edhe përmes medieve sociale dhe televizioneve provinciale. Ai shitet si ekspert i mishit të kalit, i festave familjare, i virgjërisë, i raporteve ndërnjerëzore, i grave të martuara e të pamartuara, i grave që flasin dhe nuk flasin në telefon, i burrave që pinë duan, i maceve e qenve, i birrës me dhe pa alkool. Në fakt Shefqet Krasniqi nuk është ekspert për asgjë, e më së paku është ekspert i fesë islame. E mjerë është ajo shoqëri që lejon që mashtrues të tillë të dalin në sipërfaqe. Kosovës i duhen imamë të tjerë, që fenë e afrojnë te njerëzit pa gisht tregues, pa kërcënime dhe në mënyrë racionale. Na duhen imamë që fenë e shohin si diçka spirituale dhe jo urrejtjenxitëse. Nuk na duhen imamë që kanë raporte të mira me autoritetet serbe të sigurisë, imamë që predikojnë urrejtje dhe që përziejnë gishtat me kontrabandistë armësh. I tillë është Shefqet Krasniqi. Banalitet mediokriteti në kohëra të demokracisë kaotike. Të gjithë besimtarët myslimanë në botën shqiptare nuk duhet të dëgjojnë përrallat e Tërnavës, të Krasniqit dhe të tjerëve. Besoni në Suren 39:18, ku thuhet se myslimanët pasi t’i “dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre. Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë njerëz të mençur”. Siç shihet, Kurani vetë u bën thirrje njerëzve që ta lexojnë atë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jo ta keqinterpretojnë për të nxitur urrejtje e dhunë mes njerëzve. Në Suren 39:18 përmenden “njerëzit e mençur”. Këtu për fat të keq nuk hyjnë as Tërnava, as Krasniqi dhe as disa hoxhallarë që, me sa duket, provokimin dhe fyerjen e popullit shqiptar e kanë shndërruar në aktivitet kryesor fetar. Në këtë kuadër hyjnë edhe rrenat e përditshme të disa imamëve se gjoja Kurani parasheh mbulimin e femrës. Është mirë që ato femra që verbërisht besojnë në këto përralla ta lexojnë vetë Kuranin, e sidomos Suren 24:31. Aty askund nuk përmendet mbulimi i kokës, por vetëm i kraharorëve. Myslimanët nuk kanë nevojë për xhihad kundër demokracisë, por për “xhihad për demokraci, liri dhe të drejta të femrave”. Kjo është teza kryesore e librit të Katajun Amirpur-it, profesoreshë e studimeve islame në Universitetin e Hamburgut (“Të rimendohet islami. Xhihadi për demokraci, liri dhe të drejta të femrave”, botoi C.H. Beck, tetor 2013).

robelli@bluewin.ch

© KOHA Ditore?



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora