E marte, 19.03.2024, 10:48 AM (GMT)

Mendime

Albert Zholi: Intervistë me ambasadorin e Federatës Ruse në Shqipëri

E enjte, 22.05.2008, 05:00 PM


Albert Zholi
Intervistë me ambasadorin e Federatës Ruse në Shqipëri, zotin Aleksandër Lvoviç Prishçepov

Problemi i Kosovës është një problem ndërkombëtar i diskutuar edhe  në OKB dhe në organizma ndërkombëtare

Problemet etnike duhet të zgjidhen me pëlqimin e të dyja palëve

Nga Albert Zholi

I qetë dhe i menduar, me një pamje fisnike, ai na priti sipas traditës ruse me shumë ngrohtësi. Herë pas here, një buzëqeshje e lehtë që u paraprinte  fjalëve rezëllinte në fytyrën e tij.  Na serveri me mirësjellje nga një gotë vodkë, nga  Vodka e famshme ruse dhe i trokiti gotat me ne për t’i dhënë udhë bisedës. Pas diskutimesh për letërsinë që ishte kryefjala e takimit,  i kërkova një intervistë ekskluzive të cilën ai e dha me kënaqësi. Gjatë bisedës amasadori rus shprehu konsideratat më të larta për krijuesit shqiptar, por mbi të gjitha veçoi takimin me nxënësit e gjimnazit “Pjetër Budi” në qytetin e Burrelit ku ai ishte ftuar për promovimin e librit ese,  “Ah, ky Esenini!” të  shkrimtarit  Vasil Premçi.

Zoti ambasador, Ju lutem,  një CV të shkurtër të jetës suaj.

Kam lindur dhe jam rrritur në Moskë. Aty dhe kam përfunduar shkollën e mesme. Pastaj vazhdova Universitetin Shtetëror të Moskës për marrëdhëniet me jashtë. U përgatita për t’u bërë diplomat. Kam studiuar gjuhët anglisht, frëngjisht dhe turqisht. Pas mbarimit të universitetit, kam punuar tre herë në Turqi, të cilat së bashku mbushin 17 vjet. Kam kaluar të gjitha shkallët hierarkike të karrierës së diplomatit, duke arritur nga më i thjeshti deri tek ambasadori. Para se të vija këtu kam punuar në Azerbajxhan, një vend mjaft interesant në breg të Kaspikut, atje ku ka rezerva të mëdha nafte. Është interesant fakti që aty ku ndodhet tani Azerbajxhani, deri në shek. 16 ka qenë një vend që quhej Albania. Kuptohet nuk ka asnjë lidhje me Albanian, por për mua është diçka simbolike që unë kam punuar dikur në “Shqipërinë” e vjetër dhe tani kam ardhur në Shqipërinë e re.

Me që ra fjala, kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë?

Faleminderit për këtë pyetje, e cila për mua ka një rëndësi të veçantë. Për herë të parë jam ndeshur me emrin Shqipëri dhe me Shqipërinë, do të thoja kur isha vetëm 7 vjeç. Është një nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë time. Në atë kohë në ekranet e Moskës dhe në përgjithësi të Bashkimit Sovjetik shfaqej filmi “Luftëtari i madh i Shqipërisë, Skënderbeu”. Ishte një film i mrekullueshëm sovjeto-shqiptar, regjisori i të cilit ishte  mjaft i njohur, i madhi Sergej Jutkeviç, kurse aktorët ishin edhe sovjetikë edhe shqiptarë. Në atë periudhë të gjithë fëmijët në Bashkimin Sovjetik ishin nën mbresat të pashlyeshme të vazhdueshme të këtij filmi, e shikonim me dhjetëra herë dhe luanim lojën e Skënderbeut, kështu edhe për ne  fëmijët, Skënderbeu ishte një Hero Kombëtar.

Pra që në fëmijëri ju patët një ndjesi për Shqipërinë dhe një njohje nëpërmjet një Heroi Kombëtar, e cila merr vlera të veçanta. Atëherë, si e pritët emërimin në Shqipëri?

Sigurisht, me një gëzim të madh. Këtu takova një simbol origjinal që më  lidhte edhe  me fëmijërinë time. 

Mund të na tregoni për ditën e parë pasi mbërritët në Shqipëri, për emocionet dhe përfytyrimet tuaja për Shqipërinë? Si e gjetët atë?

 Ditën që erdha unë ruaja ato mendime që kisha. Mendimet për domosdoshmërinë e zhvillimit të marrëdhënieve të mira midis vendeve dhe popujve tanë. Për këtë më folën në Moskë të gjithë drejtuesit, udhëheqësit me të cilët u takova para se të nisesha për këtu. Kuptohet, e para gjë që më la mbresa natyrisht ishte natyra shqiptare. Malet e Shqipërisë, janë shumë të bukur dhe shumë interesante. Aq më tepër kur i shikon për herë të parë nga avioni të mrekullojnë. Pastaj pata shumë përshtypje të tjera në shumicën dërrmuese pozitive. Në radhë të parë këto janë për popullin shqiptar, të cilat mund të them se përputheshin  me mbresat e fëmijërisë sime.

Vini nga një vend i madh me një histori shumë të çuditshme dhe erdhët ambasador në një vend të vogël. Si ishte imagjinata dhe si e gjetët këtë realitet në aerodromin shqiptar?

Të them të drejtën nuk e ndjeva veten si në një vend të vogël sepse përmasat e aeroportit (atëherë ishte aeroporti i vjetër) vërtet ishin të vogla, por ato  nuk përcaktojnë përmasat e një vendi dhe aq më pak të një populli. Sepse pamja e jashtme shumë shpesh nuk të krijon përshtypje të plotë. Prandaj unë nuk do të përdorja për Shqipërinë termin vend i vogël, popull i vogël. Unë mendoj që nuk ka vende të vegjël dhe popuj të vegjël apo të mëdhenj.

Përveç Skënderbeut kishit ndonjë njohuri tjetër për historinë shqiptare, përpara se të vinit në Shqipëri?

Padiskutim që kisha njohuri, edhe në fushën e gjeografisë, edhe në fushën e historisë, unë përgatitesha të vija këtu si diplomat dhe padiskutim që mësoja dhe lexoja të dija sa më shumë. Aq më tepër siç dihet që në vitin ‘50, ne kemi patur marrëdhënie shumë të ngushta, të cilat u ndërprenë pas viteve ‘60. Megjithatë atëherë në Bashkimin Sovjetik, në Rusi interesoheshim mjaft për Shqipërinë. Aq më tepër që Shqipëria është një vend evropian dhe një vend ballkanas që për ne është shumë i rëndësishëm. Interesoheshim, nisur edhe nga fakti që në vitet ‘50 këtu ka patur shumë njerëz nga Bashkimi Sovjetik. Nga ana tjetër shumë studentë shqiptarë, të cilët mbaruan studimet në Bashkimin Sovjetik lanë kujtime mjaft të mira për veten dhe vendin e tyre.

Në Shqipëri ka një dashuri të madhe për letërsinë ruse. Dhe këtë e lidh edhe me promovim e librit që u bë para disaa ditësh në Burrel. A e kishit menduar ndonjëherë që në një qytet shqiptar të bëhej  promovim i librit të Eseninit të madh, në të cilin morët pjesë edhe Ju?

Të them ndershmërisht kurrë edhe nuk mund ta mendoja. Ishte një e papritur mjaft e këndshme për mua. Unë e dija që përpara se Eseninin në Shqipëri e duan shumë. Por nuk e imagjinoja ta njohin kaq mirë dhe kaq thellë. Madje që  këtu shkrimtarët dhe poetët janë kaq të frymëzuar prej tij sa që arrijnë të shkruajnë dhe libra për të. Padyshim Esenini është një poet i madh dhe në Rusi është vështirë të gjesh një njeri që nuk e do, sepse është poeti më Rus, siç e quante dhe veten, “unë jam poeti i fundit i fshatit Rus”. Megjithatë askush nuk është shprehur në mënyrë kaq të gjallë, kaq të kuptueshme për natyrën ruse, për fshatin Rus, për njeriun rus në përgjithësi. Është një nga poetët që veprojnë drejtpërdrejt e ndjejnë drejtpërdrejt në zemër dhe reflektohet drejtpërdrejt nga zemra e çdo njeriu. Madje ka qenë ky fakt që e ndjeva sa e duan në Shqipëri dhe ky promovim më bën të ndjej dhe të kuptoj që ne kemi shumë gjëra të përbashkëta. Sepse ta ndjesh Eseninin siç e ndjejnë në Shqipëri duhet të jesh artist. Di shqiptarë mjaft të nderuar që mund ta recitojnë rusisht Eseninin me orë të tëra, këtë jo shumë rus mund ta bëjnë.

Cili ishte momenti më i bukur i prezantimit të librit të Eseninit në Burrel?

Kur nxënësit e asaj shkollës të mesme recituan vjersha të Eseninit dhe veçanërisht kur njëra nga ato vajzat recitoi një vjershë të vetën për Eseninin. Ishte një moment i rrallë. Këtë asnjë parafytyrim nuk mund ta parashikojë.

Mund të na thoni dy  fjalë për librin e Vasil Premçit, (Ese-në) për Eseninin, si mendoni ju, është arritur tek kjo Ese qëllimi i autorit për këtë figurë ?

 E kam të vështirë të gjykoj për këtë vepër sepse nuk mund të lexoj shqip. Arrita vetëm ta shfletoj dhe të shoh më tepër raportin e tekstit me vjershat. Por gjithsesi, megjithëse kjo ishte diçka me mundësi të kufizuara për ta vlerësuar, m’u duk një vepër mjaft e arrirë. Ndoshta jo nga pikëpamja letrare, se sa pikërisht nga pikëpamja e dashurisë ndaj Eseninit.

Në qoftë se nuk do të vinit në Shqipëri si diplomat, me kë vend do ta ndërronit të qenit diplomat?

 Përvoja ime e lëvizjes  (përveç vendeve të punës), në shumë vende të tjera,  më ka lënë të kuptoj se nuk ka vende jo interesante siç nuk ka as popuj jo interesantë. Sepse interesi ndaj një vendi nuk lidhet me faktin se sa i madh apo i vogël është ai vend, por me gjëra të tjera shumë më të thella. Interesi ndaj një vendi lidhet me natyrën me njerëzit, veçanërisht, ndaj  popullit të atij vendi. Me traditat, me artin, me kulturën e këtij populli, prandaj e kam jo thjesht të vështirë t’i përgjigjem pyetjes suaj, por mendoj që për të nuk ka përgjigje. Kurse për ta thënë në parim në përgjithësi, diplomatët nuk i përzgjedhin vendet e punës. Ata janë si ushtarë, shkojnë atje ku i dërgojnë, atje ku kanë nevojë për ta.

Ju tashmë e njihni pak a shumë politikën shqiptare, thuhet nga analistë brenda dhe jashtë se në Shqipëri ka 18 vjet një tranzicion të tejzgjatur. Cili është mendimi juaj për këtë tranzicion të tejzgjatur në Shqipëri në politikën shqiptare?

Unë nuk do të thoja që periudha e tranzicionit është zgjatur me tepricë, sepse kohëzgjatja e periudhës së një tranzicioni, varet shumë nga kushtet e çdo vendi. Këtu duhet patjetër të mbahet parasysh fakti se çka patur më parë ky vend. Shqipëria kaloi nga diktatura në demokraci dhe kjo periudhë vështirë se mund të ishte e shpejtë dhe e shkurtër. Ju e dini që vendet perëndimore shkuan drejt demokracisë për afro 200 vjet madje më shumë. Prandaj 16 apo 18 vjet nuk është një periudhë jashtëzakonisht shumë e madhe.

Sot në mbarë botën diskutohet gjerësisht mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Cili është mendimi i diplomatit mbi pavarësinë e këtij vendi?

Ju duhet ta dini pozicionin e Rusisë, i cili është i njohur. Ne nuk mendojmë që shpallja e njëanshme e pavarësisë do të ndihmonte vendosjen e stabilitetit dhe të qetësisë në rajonin e Ballkanit. Sepse kjo shpallje e kryer bie ndesh me parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe vendimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ne mendojmë se problemet e ndërlikuara dhe ato më të ndërlikuara siç janë problemet etnike duhet të zgjidhen me pëlqimin e të dyja palëve.

Nga shumë analistë, sidomos shqiptarë, por edhe ato perëndimorë, diskutohet që kjo kundërshti vjen më shumë nga lidhja fetare ortodokse, sesa nga një realitet historik. Si do ta komentonte diplomati këtë?

Mendoj se ky është një mendim i gabuar, sepse problemi i Kosovës është një problem ndërkombëtar i diskutuar edhe  në OKB dhe në organizma ndërkombëtare,  më të gjëra, si Këshilli i Sigurimit, i cili ka marrë vendimin përkatës lidhur me këtë, kurse shpallja e pavarësisë u bë në kundërshtim me këtë vendim. Këto vendime të Këshillit të Sigurimit janë miratuar njëzëri nga vendet pjesëmarrëse. Kam parasysh Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Në këtë rast nuk u mbajt parasysh kjo Rezolutë. Kundërshti me të cilën u shpall pavarësia e Kosovës.

Vitet e fundit Rusia ka një “bum” të theksuar ekonomik. Në të vërtetë ky “bum” i dedikohet shpesh herë presidentit Putin. Me zhvillimet e fundit mos vallë kalimi nga President në  Kryeministër do të ndikojë në të ardhmen ekonomike të Rusisë?

 Keni të drejtë. Gjatë 8 viteve të fundit kur në krye të shtetit Rus ishte presidenti Putin, Rusia ka patur një hov të ndjeshëm ekonomik, politik, dhe demokratik. Rusia e kaloi periudhën e tranzicionit dhe kaloi nga periudha e tranzicionit në atë të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Dhe padyshim është më se e drejtë që të lidhen këto ndryshime të ndjeshme me emrin e kreut të shtetit. Janë të gjitha gjasat që edhe në postin e kryeministrit zoti Putin do të vazhdojë të japë ndihmesën e tij.

Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, çfarë do të veçonit nga Shqipëria dhe nga shqiptarët?

Unë kam mendimin që ngjarje të mëdha për Shqipërinë janë akoma përpara.

Cila ka qenë dita më e vështirë për ju si diplomat në Shqipëri?

E vështirë të them, nuk di të ketë një të tillë, mund t’ju them me siguri që në Shqipëri kam patur kënaqësinë të punoj që ditën e parë. Prandaj nuk më ka rastisur të vras mendjen, kanë qenë ditë të vështira apo jo. Mund të them me saktësi vetëm që të gjithë këto ditë kanë qenë interesante.

Po me ushqimin shqiptar jeni ambientuar, apo gatuani sipas traditës ruse?

Kuzhina shqiptare më pëlqen shumë. Ne me gruan shkojmë shpesh në restorantet shqiptare. Mishi në Shqipëri gatuhet shumë mirë, veçanërisht,  qoftet më pëlqejnë shumë. Në Shqipëri na pëlqen në mënyrë të veçantë peshku që është shumë i shijshëm dhe gjithmonë i freskët. Në të gjitha vendet e botës ka restorante ose lokale ku gatuhet mirë, gatuhet çka dhe gatuhet keq. Në Shqipëri ky raport anon shumë nga ana e të mirëve.

Në qoftë se do të jepej mundësia, jo si diplomat, por si qytetar i thjeshtë, do të kishit dëshirë të  jetonit në Shqipëri?

Për të jetuar si një njeri i thjeshtë do të parapëlqeja të jetoja vetëm në Rusi. Por në Shqipëri me kënaqësi do të vija për të pushuar dhe për të udhëtuar në vende të veçanta.

Duke patur parasysh që shumë studentë që kanë studiuar në Rusi e dashurojnë ende shumë këtë vend dhe sidomos letërsinë ruse, sa jeni njohur me këta njerëz dhe çfarë raportesh ruani?

Për këta njerëz kam konsideratën më të lartë. Falë tyre, në Shqipëri për Rusinë dhe popullin rus krijohet përshtypja më e sinqertë. Kjo është themeli, baza mbi të cilën mund të mbështetemi për të thënë që marrëdhëniet midis dy vendeve tona do të jenë gjithmonë e më të mira. Ajo që më pëlqen më shumë është fakti që këta njerëz kanë mundur të fusin në qenien e vet gjithçka më të mirë që kanë parë në Rusi dhe ta transmetojnë atë.

Pija karakteristike në Rusi është vodka, tek ne është rakia e rrushit. E keni provuar ndonjëherë, si ju është dukur?

Natyrisht që e kam provuar rakinë dhe mund të them që në Shqipëri pi më tepër raki se sa vodka.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora