Mendime
Ali Cenaj: Po na bëjnë synet!
E shtune, 31.08.2013, 04:39 PM
Nga Ali Cenaj
Një lajm,
kohë më parë, në njërën nga gazetat tona, s’më shqitet mendsh. Ushtarët turq të
kontingjentit të KFOR-it edhe sivjet na e organizuan synetinë e fëmijëve tanë
dhe manifestimi i nisur në kazermën “Sulltan Murat” do të zgjasë disa ditë,
thuhej në shkrimin e shoqëruar me fotografi të fëmijëve të trembur por që duhej
të dukeshin të lumtur në ato veshjet vezulluese, me xhingla e mingla dhe
sidomos me çallmat mbretërore si në atë serialin “Sulltani i Madhërishëm” që ka
pushtuar tash sa kohë ekranet e TV-ve tona.
Pos
fëmijëve, atyre që ishin bërë sebep për këtë biçim feste e prindërve të tyre,
në ceremoni, përveç “xharrahëve në uniformë” ekipit mjekësor ushtarak, paskan
denjuar të marrin pjesë edhe disa politikanë tanë, hoxhallarë e përfaqësues
institucionesh që s’e përmbanin dot entuziazmin për ndihmën që ushtarët e
vendit mik po na jepkan duke prerë lucat e fëmijëve tanë.
Asgjë e
keqe, përkundrazi, do të thoshte dikush. Por vetëm nëse nuk e ka shfletuar
gazetën deri në fund. Jo më larg se në faqen e parafundit të së njëjtës gazetë
të vrasin sytë dy njoftimet e shoqëruara me fotografi të dy fëmijëve të
gjymtuar nga sëmundje të rënda që mund të shërohen, siç thuhej, në Turqi apo
Austri.
Dhe
thirrjet dëshpëruese të prindërve për lëmoshë, ndihmë financiare për t’ua
shpëtuar jetën më të dashurve të vet. Egzonit, 11 vjeçarit me sëmundje të hidrocefallusit,
deformim të boshtit kurrizor të cilit si buka i nevojiten 62 mijë dollarë dhe
Miradijes, të cilës i është hequr njëra veshkë, por i duhet intervenimi i dytë,
për të cilin as nuk mund të ëndërrojë pa ndihmën humanitare të ndonjë donatori.
Dikujt që, për shembull, mund të ketë qenë edhe kontingjenti i KFOR-it turk.
Atyre të
cilëve mund të mos u ketë rënë në vesh, por Kosova ka jo pak të sëmurë, fëmijë
që lëngojnë dhe presin ndihmën e dikujt. Ka edhe shumë fëmijë pa prindër, që
gjithashtu presin ndihmë. Ka jo pak fëmijë të gjymtuar nga minat e mbetura nga
lufta. Më në fund ka shumë, tepër shumë, familje e fëmijë që s’kanë as kushte
minimale të jetës. Por ata megjithatë, paskan vlerësuar si më me vend këtë
formë të kontributit duke na bërë synet.
Këta
njerëz vërtet kanë nevojë për dorën e dikujt, për ndihmë për t’ua shpëtuar
jetën më të dashurve por megjithatë, ushtarët turq paskan vlerësuar si më me
vend këtë formë të kontributit duke e ndihmuar këtë popull me prerjen e
“penisëve” të vogëlushëve kosovarë.
Ngjarja
dhe shkrimi edhe mund të ishte arkivuar në folderin e harresës, por tek prekëm
këtë temë, është Binaku, ish- kolegu që si zakonisht nuk të lë rehat me ato
rrëfimet për rugovasit e tij.
Prit,
thotë, të tregoj diçka si të ngjashme për rugovasit.
Moti
dikur, ndoshta para 200 vitesh, në Rugovë kishte shkuar hoxha i Pejës bashkë me
disa sejmenë. I mbledh katundarët në kullën më të madhe, dhe u thotë shkurt:
Shihni, po e shihni, krejt rrafshi ka ra në dinin e padishahut. S’ka mbet kush,
veç ju këtu në male. Duhet ta pranoni edhe ju!
Mirë more
hoxhë efendi, edhe ne po e shohim këtë që po thua. Po shihet, nuk kemi kah ia
mbajmë, as ne, i thotë më plaku, pasi kishte menduar gjatë.
Por, një
kërkesë e kemi. A bën bre burrë me na pritë pak.
I kemi
pre do harkoça pastermë e tavanet i kemi plot mish. Mos të na shkojë dëm, ta
hamë këtë mish këtë dimër e në pranverë, qe besa, hajde dhe po e bëjmë si thatë
ju. - thotë Binaku me të qeshur, si të citonte fjalët e plakut me atë shallin e
bardhë që ia rrethon kokën.
Në krye
të motit, shton ai, në Rugovë u ngjit prapë hoxha me sejmenë. Tash, bashkë me
xharrahun, thotë ai me të qeshur. Prej atëherë nuk dihet të jenë parë më në
Rugove sepse “zanatin” ua morën xharrahët tanë.
Këta që edhe sot, për një intervenim kirurgjik minor, një rrethprerje, të rrjepin me 50 apo 100 euro. Në këtë prizëm, synetia falas për dike mund të duket ndihmë e madhe. Por është së paku groteske të imagjinosh ushtarakun duke prerë një luc fëmije. Ani pastaj edhe me ceremoni publike, parakalime të vogëlushëve përgjatë qytetit me ato veshjet alla kazakistrançe.