Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Muhameti ka ardhë te bregu
E diele, 18.08.2013, 04:19 PM
HAZRETI MUHAMEDI a. s. KA ARDHË TE BREGU
NGA KALOSH ÇELIKU
Edhe, si
zakonisht ulem t’i marrë “ilaçet” e mia krah për krah me gratë azgane të
Filipit të Maqedonisë me fëmijë në gji përballë Kishës Ortodokse “Shën
Dhimitri”. Shatërvaneve gjigante që në këto ditë vere me vapë korriku, përpiqen
me ujin e Vardarit ta freskojnë Shkupin. Qytetin me dy stinë të vitit: Verë dhe
Dimër. Pranverë dhe Vjeshtë, moti nuk kanë parë këta banorë të harruar rrëzë
Kalasë Dardane.
Matanë
tavolinave, sytë më ikin te shatërvani me tre luanë që vjellin ujë nateditë.
Përçudi, vetëm njëri e ka hapur gojën, i ka nxjerrë dhëmbët dhe thonjtë nga
Çarshia shqiptare. Dy të tjerët gojëhapur, nuk vjellin asnjë pikë uji nga ana
maqedonase, matanë Vardarit. Në anën tjetër të Urës Gurit, kuaj pa kalorës me
bythën e bishtin nën beton e këmbët në qiell, sikur duan ta shkelin pasmesnate
Çarshinë. Edhe ata, në këtë vapë të madhe, herë pas here nuk kanë as një kovë
ujë në bark për ta shuar etjen. Luanët, matanë mbi urë në hyrje – dalje, bythë
më bythë bëjnë roje rrëzë Kalasë. Mitropolitët e Beogradit me Biblën në duar,
moti janë nisur më këmbë drejtë Shkupit shqiptar. Aleksandri Madh i Maqedonisë
e ka shaluar kalin me shpatën lartë në dorë për luftë. Filipi i Maqedonisë i
Një
grusht “patriotësh” shqiptar të dalldisur nëpër Çarshi, në shënimin e
pesëdhjetëvjetorit të tërmetit katastrofal në Shkup, debatojnë krah për krahu
me “vëllezërit” në një librari se, Shkupi deri para tërmetit katastrofal ka
qenë i banuar me 47 përqind shqiptar?! Pavetëdije “vajtojnë”, plasojnë
dezinformata historike dhe huti në opinion, se: shqiptarët i shpërnguli në
Turqi tërmeti katastrofal (1963) e jo Regjimi komunist me dhunë, përmes
strukturave pushtetare e sidomos UDB –së jugosllave. Dukuri teknefese kjo e
llojit të vet “patriotik” në Ditën e sotshme, nën direktivat e politikës
trumbetuese ditore për “bashkëjetesë” që e shpie Historinë shqiptare në
qorrsokak. Shkaku se, shpërngulja masovike dhe dëbimi i shqiptarëve me gjithë
familje në Turqi, nuk ka filluar pas tërmetit katastrofal (1963) në Shkup, por
më herët që nga Marrëveshja e Turqisë Kemaliste që pati bërë me Jugosllavinë
Mbretërore (1938). Marrëvëshja tjetër mes Jugosllavisë dhe Turqisë për
shpërngulejn masive me dhunë të shqiptarëve në Anadoll, u nënshkrua në Split të
Kroacisë në vitin 1953 mes Josip Broz Titos dhe minsitrit të jashtëm turk
Mehmet Fuat Kypryly.
Shqiptarët,
si rezultat i këtij presioni politik u regjistruan si turqë dhe pati një rritje
të ndjeshme të pakicës turke në Kosovë e Maqedoni.
Vetëmevete,
them: kujt i është kujtuar kjo “ide madhore” e pushtimit të Shkupit me vepra antike e dezinformata historike: artistëve dhe
historianëve, apo Gruevskit e Erdoganit?! Përpiqen me këmbëngulje ta “zbusin”
Historinë Shqiptare nëpër plan-programet shkollore. Papritmas, më kujtohet edhe
thënia e Hazreti Muhamedit a. s.: nëse bregu nuk vjen te Muhamedi, atëherë
Muahamdi shkonë te bregu. Që, sipas gjuhës politike të pajtimit me “vëllezërit”
e Njerkës do të thotë: Nëse, Ali Ahmeti nuk shkonë te Gruevski, atëherë
Gruevski dhe Erdogani vijnë te Ali Ahmeti.
Çarshia
shqiptare, përditë e më shumë gjallërohet verë e dimër. Përveç banorëve të asaj
ane e vizitojnë edhe shumë turistë. Përkarshi rakisë së rrushit deri në
“syfyr”, çohen dolli edhe gotat e çajit të rusit. Lokalet nuk mbyllen në mes të
ditës si në kohën e LSDM –së dhe PPD -së, po punojnë edhe natën. Shqiptarët
flejnë në mes të ditës, janë në gjumë. Gjatë muajit të Ramazanit punojnë sipas orarit të punës edhe
Zotit. Hoxha përmes altoparlantëve në minare e thirrë ezanin. Çarshia duket se
merr lirisht frymë. Edhe, seç ma kujton kohën e viteve shtatëdhjeta,
“vëllazërim-bashkimin”, kur e gjithë ana tjetër matanë Vardarit dyndeshte në
mbrëmje në këtë anë të Çarshisë. Vite rinie, kur Skënderbeun e mbanim
fshehurazi nën jakën e setres. Kohë e përndjekjeve të mëdha, kur një mike
“turke”, guximtare e kojshive në atë kohë edhe ma qëndisi me penjë të zi në
këmishën e kuqe gjak portretin e Skënderbeut. Fotografi, të cilën e ruaj me
xhelozi edhe sot e kësaj dite në këmishën e kuqe arnë përmbi arnë në album.
Kurrë, nuk më ka shkuar mendja se, Heroi ynë legjendar një ditë do ta shalojë
kalin e tij me të katra edhe në Shkup. Tjetër punë është ajo se, sot dudumët
ende nuk duan t’ia përmendin as emrin, po ende i lënë takimet e punës dhe i
shtrojnë sofrat e “iftarit” të Ramazanit te Kali.
Përgëzime!
Hazreti Muhamedi a. s. ka ardhë te bregu. Fatkeqësia është, se: asgjë nuk ka të
veshur në shpirt e trup shqiptare. Tekefundit, së paku ta kishte në kokë
kësulën e bardhë të Bajram Currit. “Iftari” i Ramazanit në mënyrë festive
bashkë me ilahi, shtrohet para këmbëve të kalit të Skënderbeut. Edhe pse, shumë
besimtarë të Fesë Islame ende e kërkojnë sofrën tradicionale shqiptare gjatë
festave fetare, “myslimanët” e sotshëm kanë bërë “ndryshime” rrënjësore. E di,
arabo-turqit do të na e marrin pak inatin pse sofrën e “iftarit” e shtrojmë në
rrugë, para këmbëve të kalit të Skënderbeut. Punemadhe. Përgjigje: matanë, në
mes të Çarshisë grupi tjetër radikal i “myslimanëve” në mes të rrugës i luten
Zotit t’ua falë mëkatet në “Mekën maqedonase”. Përveç xhamive, faltore të
“Allahut” duan t’i shpallin edhe rrugët e Bit – Pazarit. Kalimtarët e rastit
nëse nuk duan t’i bashkohen “xhematit” të tyre me “Din e Iman” për në Xhenet,
mund të presin të kryehet ceremonia fetare në mes të qiellit hapur mes gjithë
këtyre xhamive me dy e katër minare në Shkup e nëpër katunde.
Edhe, për fund: Lamtumirë lexuesi im me “Din e Iman” mes dy zjarreve! Ose, siç thotë populli shqiptar: Hyp se të vrava, zdryp se të vrava! Koha është, tashti edhe për mua pak pushim i merituar vjetor. Edhe mua, në këto ditë me vapë të madhe në Shkup, më pret faltorja ime me nëntë minare: Xhamia shqiptare...