Mendime
Bardhyl Mahmuti: Reagim ndaj shkrimit të Koço Danajt
E merkure, 26.06.2013, 06:59 PM
Reagim
ndaj shkrimit të Koço Danajt “Nuk do të ketë
«Shqipëri të Madhe» por do të ketë « Shqipërisë Natyrale »”
Ideja e « Shqipërisë Natyrale » - konstruksion « artificial» në funksion të manipulimit politik!
Nga Bardhyl Mahmuti
Sa herë
bëhej fjalë për krizat e njëpasnjëshme që karakterizuan Ballkanin Perëndimor në
diskurset politike, diplomatike, mediatike dhe analitike një vend të
rëndësishëm zënë idetë që lidhen me kufijtë e hapësirës kombëtare.
Sa i
përket Çështjes shqiptare, ideja e “Shqipërisë së Madhe” u “rishfaq” në
diskurset e komunistëve jugosllav (pa marrë parasysh të cilës përkatësi etnike
ishin) pas shpërthimit të protestave të vitit 1981. Edhe pse një kërkesë e
tillë nuk figuronte në asnjërin program të asnjërës nga organizatat klandestine
shqiptare që vepronin në atë kohë ideja e “Shqipërisë së Madhe” u shndërrua në
gogol! Propaganda rreth kësaj ideje do të intensifikohet gjatë tri dekadave të
fundit, e sidomos në periudhën e luftërave çlirimtare.
Është
interesant të theksohet se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovë diskurse
analogjike dëgjohen gjithnjë e më shpesh edhe nga ana e disa politikanëve apo
analistëve me influencë në krijimin e opinionit publik. Për dallim nga qarqet
antishqiptare të cilët “gravitojnë” rreth nocionit “Shqipëri e Madhe”, në mesin
e politikanëve, analistëve dhe gazetarëve shqiptar
nocionet
“Shqipëri Etnike” dhe “Shqipëri Natyrale” zënë një vend që nuk mund të
neglizhohet.
Sikur të
ishte thjeshtë një debat idesh në mes profesionistëve të lëmive të ndryshme do
të kishte qenë me interes për të gjithë të interesuarit rreth këtyre temave.
Mirëpo, në kontekstin aktual ku një pjesë e territorit të shtetit të Kosovës
është nën kontrollin e strukturave ilegale të regjimit të kaluar serb hapja e
këtyre debateve “intelektuale” nuk mund të jetë e zhveshur nga qëllimet dhe
strategjitë e caktuara politike.
Të gjithë
ata që kanë përcjellë me vëmendje zhvillimet politike lidhur me shpërbërjen e
Federatës jugosllave janë plotësisht të vetëdijshëm se populli shqiptar i
Kosovës u ballafaqua me një politikë të gjenocidit të ngjashme me atë që kishin
përjetuar gjysmë shekulli më parë shqiptarët e Çamërisë:mbi dhjetëra mijë të
vrarë dhe rreth një milion të shpërngulur....
Të gjithë
njohësit e kësaj periudhe janë të vetëdijshëm se mbështetja politike dhe
ushtarake që iu dha Kosovës nga demokracitë perëndimore, në krye me SHBA-të,
përkundër dëmeve të konsiderueshme, reduktuan në masë të madhe pasojat e
politikës shfarosëse të regjimit të Beogradit dhe pamundësuan realizimin e
planit serb për Kosovën.
Gjithashtu,
të gjithë janë të vetëdijshëm se falë kësaj mbështetje politike dhe
diplomatike u mundësua shpallja e
pavarësisë së shtetit të Kosovës dhe njohja ndërkombëtare e këtij vendimi
historik.
Përkundër
këtyre fakteve të pakontestueshme shpesh na ndodh që të lexojmë shkrime fyese
ndaj flamurit shtetëror të Kosovës; kritika të “analistëve” pse “Kushtetuta e
Kosovës nuk parasheh bashkimin me Shqipërinë” e kështu me radhë. Më intereson
të di se a do të pranonin këta kritikues ekzistencën e shtetit të pavarur
të Çamërisë nëse flamuri i këtij shteti
nuk do të ishte me simbolet e identitetit kombëtar shqiptar dhe nëse në
Kushtetutën e këtij shteti nuk do të theksohej e drejta për bashkim me
Shqipërinë? Apo do të qesin shkokla, siç thotë një shprehje popullore. Nëse
mendojnë se kontekstet historike janë të ndryshme po u sugjeroj të lexojnë për
gjenocidin në Ruanda dhe heshtjen ndërkombëtare. Vetëm nga data 6 prill deri më
4 korrik 1994 u vranë rreth 800.000 pjesëtarë të etnisë Tuci! Heshtje e plotë
apo ndonjë komunikatë për shtyp!
A do të
pranonin këta kritikues ekzistencën e shtetit të pavarur të Iliridës nëse
flamuri i këtij shteti do të përmbante hartën e territoreve shqiptare që
aktualisht janë nën Maqedoni dhe të supozojmë nja 13 yje më të mëdhenj se të
flamurit të Kosovës? Apo do ta refuzonin me pretekst se numri 13 është numër
“baksuz” dhe pse në Kushtetutën e këtij
shteti nuk do të theksohej e drejta për bashkim me Shqipërinë?
Mund të
vazhdohet me pyetje të ngjashme edhe për territoret me shumicë shqiptare në
Mal të Zi
dhe në Kosovën Lindore. Thelbi nuk ndryshon.
Sado
ironike që t’u duken pyetjet paraprake është një fakt i pakontestueshëm se
kritikat më të ashpra janë drejtuar ndaj udhëheqësve politik të Kosovës. Pra,
aty ku më së shumti janë arritur rezultate!
Flamuri i
shtetit të Kosovës nuk e cenon aspak identitetin tim kombëtarë dhe të drejtën
time të identifikohem me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenore!
Përkundrazi! Ata që e mbajnë mend të kaluarën jo të largët dhe mungesën e
shtetësisë së Kosovës u kujtohen shtypjet dhe poshtërimet që na janë bërë në të
gjitha fushat dhe simbolet që karakterizonin identitetin tonë kombëtar! Në të
njëjtën mënyrë si sot nën Serbi, Mal të Zi e nën Maqedoni!
Aktualisht
është duke u zhvilluar një luftë e vështirë politiko-diplomatike rreth
sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe në këtë proces të vështirë harmonizimi i
qëndrimeve, sidomos me aktorët vendimtarë në marrëdhëniet ndërkombëtare, është
jetik për ardhmërinë vendit.
Qëndrimi
i SHBA-ve dhe i BE-së për mos ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe mos bashkimin
e Kosovës me ndonjë shtet tjetër aktualisht është qëndrim që shkon në interes të ruajtjes së tërësisë
territoriale të vendit tonë. Aq më tepër
kur kemi një situatë të tillë ku pjesë të tëra të territorit tonë funksionojnë
jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore të Kosovës. Në këtë kontekst
politik dhe diplomatik të aktualizosh “riparimin tërësor dhe jo pjesor të
padrejtësive koloniale që janë bërë ndaj shqiptarëve përmes krijimit të
Shqipërisë Natyrale, domethënë, Shqipëria në kufijtë e saj natyrale” siç bën
Koço Danaj, është qasje antishkencore dhe mund të jetë me efekte negative.
Kur them
qasje antishkencore kam për bazë tipologjinë (Shqipëri artificiale/Shqipëri
natyrale)
që bën z.
Danaj. Në shkencat shoqërore marrëdhëniet shoqërore trajtohen në tërë
kompleksitetin që i karakterizon dhe sidomos një trajtim të veçantë u kushtohen
raporteve të forcave si në rrafshin lokal ashtu edhe në atë rajonal e
ndërkombëtar. Në këto marrëdhënie nuk ka
asgjë artificiale apo natyrale. Ka raporte forcash!
Të marrim
krijimin e shteteve kombëtar. Ky proces është një proces historik që ndodh në
një kontekst shoqëror dhe rezultat i një raporti forcash. Aktualisht në botë
ekzistojnë rreth 6000 etni të veçanta dhe numri i tyre vjen vazhdimisht duke u
zvogëluar si pasojë e asimilimit. Ndërsa kemi rreth 200 shtete (193 shtete
anëtare të OKB-së)!
Sikur të
ishte e vërtetë ajo që pretendon z. Danaj se gjoja “ marrëdhëniet e reja
ndërkombëtare mbështeten në forcën e së
drejtës e jo në të drejtën e forcës” mozaiku i shteteve do të ishte
ndryshe. Do të kishim, së paku shtetin e
popullit të Kurdistanit me rreth 40 milion kurdë dhe me 503 000 km². Realiteti
është ndryshe! Sot kemi shtete të pavarura me sipërfaqe 44 hektarë
(Vatikani), Monakon me rreth 2 km² dhe
me dhjetëra shtete të pavarura që kanë nga dhjetëra km² e me dhjetëra mijë
banorë! Mund ta quajmë si të duam:padrejtësi historike, padrejtësi politike apo
çfarëdo lloj padrejtësie. Kjo nuk e ndryshon faktin se marrëdhëniet
ndërkombëtare funksionojnë mbi raporte forcash!
Z. Danaj!
Në raportin e forcave aktuale të shteteve me peshë në institucionet
ndërkombëtare nuk mjafton “të kesh të
drejtë” apo të argumentosh kërkesat “për riparimin e padrejtësive koloniale”.
Kërkohet, para se gjithash, të kesh miq që të mbështesin! Miqësia nuk krijohet
me nocione “artificiale” të tipit “Shqipëri natyrale”. Kjo qasje antishkencore
mund të manipulojnë ndonjë patriot që në shpirt ka realizimin e aspiratave tona
shekullore por nuk mund të krijojë miq as në qarqet politike e as në qarqet
shkencore.
Hapësirat
shtetërore z. Danaj ngërthejnë në vete sipërfaqen tokësore, nëntokësore, ujore
dhe ajrore. Përcaktimi i këtyre hapësirave është rezultat historike i luftës në
mes forcave lokale, rajonale dhe ndërkombëtare. Le të mblidhen hidrologët e
cilit do vend të botës dhe le të na tregojnë me “argumente shkencore” se me
çfarë kriteresh “natyrale” u përcaktuan kufiri detar me Graqinë, Italinë, Malin
e Zi? Çka ka karakteristikë kombëtare uji i detit në këtë anë të kufirit të
Shqipërisë që dallon nga uji i detit në anën tjetër të kufirit? Apo mos peshqit
dhe karkalecat i kemi “kuq e zi”? Çka ka
karakteristikë kombëtare hapësira ajrore shqiptare nga hapësira ajrore e
kombeve fqinje? “Oksigjenin shqiptar” ?! Apo cilat janë karakteristikat të shpezëve që jetojnë në hapësirat tona
kombëtare? “Apo shqiponja shqiptare”?!
Zoti
Danaj! Nuk ka asgjë natyrale e as artificiale në marrëdhëniet shoqërore! Në
kontekstin aktual, po e ripërsëris, është duke u zhvilluar një luftë politike
dhe diplomatike për të shtrirë sovranitetin e Kosovës në tërë territorin e saj!
Rezultat i kësaj lufte nuk do të varet nga “idetë e mëdha” që do të shtrohen
por nga përkushtimi serioz për të instaluar vlerat dhe parimet demokratike në
tërë territorin e Kosovës. Harmonizimi i pikëpamjeve të aktorëve të Kosovës
lidhur me
strategjinë që institucionet e vendit duhet të aplikojnë në raport me strategjitë e fuqive demokratike
është kusht i domosdoshëm për të pritur rezultate të favorshme për shqiptarët.
Vetëm
duke harmonizuar qëndrimet me shtetet e demokracive perëndimore mund të
krijohen raporte të reja në të cilat edhe shqiptarët e Iliridës dhe të Luginës
së Preshevës (të cilët nuk kanë statusin shtetformues siç jeni të informuar
gabimisht z. Danaj) si dhe shqiptarët në Mal të Zi dhe ata të Çamërisë t’i
realizojnë të drejtat dhe aspiratat kombëtare.
Në këtë
dinamikë zhvillimesh politike dhe diplomatike idetë e “mëdha” si “Shqipëri e Madhe”, “Shqipëri Etnike” dhe
“Shqipëri Natyrale” nuk i shërbejnë krijimit të aleancave të qëndrueshme me
fuqitë demokratike në botë! Përkundrazi!
Në këtë
kontekst shoqëror e historik të mbushur me padrejtësi të mëdha të trashëguara
nga e kaluara vetëm ata politikan që nuk bien në grackë të konstruksioneve
propagandistike “artificiale” mund të krijojnë raporte miqësore “të natyrshme”
për të realizuar pjesërisht apo tërësisht aspiratat tona kombëtare. Sot më
shumë se kurë më parë shqiptarëve, kudo qofshin ata, u duhet t’i artikulojnë
veprimtaritë politike, ekonomike, arsimore, kulturore dhe të gjithanshme që në
këtë trend të globalizmit të dalin fitimtarë. Vetëm duke mbështetur
personalitetet e dëshmuara si në rrafshin politik ashtu edhe në atë atdhetar
mund të rrisim gjasat se aspirata politike e elaboruar në kohën e krijimit të
shteteve në Ballkanin Perëndimor
dhe e shtruar në Programin Politik të Lidhjes së Prizrenit do të avancohet në përputhje me rrethanat e krijuara.