E shtune, 27.04.2024, 03:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Laura Çuka: Kalosh Çeliku: ''Qengji më tha...''

E merkure, 19.06.2013, 07:58 PM


GËRSHETIMI I POEZISË DHE PROZËS

NË NJË ROMAN PËR FËMIJË

(Kalosh Çeliku: Qengji më tha: ha bar – roman, botoi “Asdreni”  Shkup 2013)

NGA LAURA ÇUKA

Emri i Kalosh Çelikut është i njohur në përditshmërinë tonë letrare për fëmijë, si me paraqitjet e tij të shpeshta në periodikun e llojit të vet satirik, ashtu edhe me publikimet letrare të gjertanishme parashikuese për Ditën e nesërme. Librat për fëmijë: Erdhi zogu me një këngë (poezi, 1982), Lepuri me pushkë (tregime, 1983), Shtëpiza e xixëllonjave (tregime, 1984) Arusha pa bisht (vjersha e tregime, 1986), Dielli zbret maleve (novelë, 1986), Vite me borë (roman, 1990), Trimi shihet në vepër (poemë humoristike, 1994), Çohuni trima shaloni lapsin (rrëfenja, 1994), Sorraku i qytetit (pjesë teatrore, 1994), në të cilin është përfshirë edhe pjesa teatrore Revolucioni i luleve e blerë në konkursin letrar të Pionierit (1980), që i ka paraparë demonstratat e studentëve në Prishtinë (1981), Babi ka dy nuse (roman, 1995), Dimri s’vjen me lule (pesë poema, 2007) etj. janë mirëpritur nga ana e lexuesit, duke mëtuar të formojnë njëfarë shije të mëvetsishme te ai, gjë që nënkupton edhe pranim të përhershëm në mjedisin e lexuesve të vegjël. Temë trajtimi pra ka, ecjen e shoqërisë në kohë, me të gjitha ngecjet e rastit në zhvillimin e saj. Autori përmes personazhit kryesor Jonit, fshikullon dobësitë dhe anët negative në shkollat shqipe. Shkrimtarin nuk e preokupojnë dot nuancat romantike të zhvillimit njerëzor, porse atë e bren mërzia e endjes së pinjollëve të popullit të tij në rrugë pa rrugë. Vetëm një pjesë e vogël hyn në këtë udhë pa krye, kurse të tjerët  (si p. sh. Joni me shokë), janë besnik ndaj gjeneratës së ardhshme prijëse për një të nesërme, i nderojnë heronjtë dhe i pranojnë këshillat e tyre, forcojnë atdhedashurinë dhe janë kundër vendnumrimeve të rastit. Pikërisht, këtë lexues autori do ta shoh xixëllonjë në shtëpi e shkollë, sepse vetëm ai do ta bartë dritën e përparimit dhe të zhvillimit gjithënjerëzor. Joni këtu na imponohet si provim i gjeneratës ndaj gjeneratës, si refleks imediat i zhvillimit të strukturës dhe të superstrukturës të brezave të rinj që pritet t’i dalin zot Atdheut me laps e libër.

Romani të lë përshtypje të mira për thellësinë e mendimit dhe të mesazhit. Shkrimtari ka ditur me mjeshtri t’i vjedhi veprimet dhe mendimet e Jonit me shokë për t’i hedhur me besnikëri në libër. Ose, me thënjen e Jonit: Xhaka ecën vetë para kohe, për të arritur te kulminacioni i ironisë, se tullumbat e Lulit të Vocërr ia kanë hëngër mësuesen. E sidomos ironi e fuqishme është ëndrra në të cilën qëngji i thotë: ha bar! Megjithatë, nuk dorëzohet vocrraku ynë që flen me gjelat. Që, e thotë mes faqeve të këtij romani pa frikë se, nuk i pëlqeu Abetarja. Jo vetëm kaq, po edhe tekstet shkollore që janë përkthyer kinezisht. I zemruar me këto gabime të të rriturve ai do ta ngris zërin kryengritës të shkollarit: mësuesja do të ishte mirë ta kullosë qengjin për të dalë te vjersha e keqe që e mëson se si t’i laj duart. Zemrim të cilin nuk mund ta frenojë , po e thotë haptas: Revistat e soçme për fëmijë ia jepni lopës. Dikur, nervozohet për të thënë se, unë di më tepër se mësuesja duke ia përplasur në sy babait që këtë vjershë ta mësoj ai vetë përmendësh.

Dritarja e shkrimtarit sheh një botë që s’është vetëm e fëmijëve, prandaj me plot gojën mund të themi se, Kalosh Çeliku shkruan për fëmijë, por mendon si i rritur. Romani i autorit është refleks i kohës së shkrimtarit, të cilën ai e sheh me sy realist. Ai me të drejtë ngul këmbë për një edukim të shëndoshë të të vegjëlve, imunë nga rropamat e prindërve dhe mësueseve të tyre të dalldisur e shashtisur pas partive politike (të një pakicë), të cilët jetojnë në një botë karrierizmi e burokracie.

Romani Qengji më tha: ha bar është përmbledhje ngjarjesh, të cilat në krahasim me librat e mëpërparshëm në prozë, është më i arriri artistikisht i autorit, më i sigurtë në gjininë e mirëfilltë të romanit. Kalosh Çelikun e preokupojnë temat nga jeta  e fëmijëve, nga përditshmëria e tyre në shkollë, familje dhe në shoqëri, por dhe në kontekst më të gjërë, gjë që është e mirëpritur në letërsinë shqipe për fëmijë.

Shkrimtari Kalosh Çeliku di t’i xiglojë shumë shpesh lexuesit me humor nëpër faqet e këtij libri. Dhe, ju do të ofshani nga kënaqësia kur t’i dilni në fund këtij udhëtimi të mrekullueshëm mes këtyre faqeve, që përbëjnë një mozaik të tërë rrëfimesh interesante, që këtë herë përqafojnë kapituj të një romani, i cili do të lexohet me interesim të madh nga dashamirët e librit. Në krijimtarinë për fëmijë, Kalosh Çeliku shquhet për frymën e tij optimiste e gazmore, për figurat e gjetura e tematikën e larmishme, për vargun karakteristik dhe sidomos për gërshetimin e poezisë e të prozës në të njëjtin krijim, gjë e rrallë kjo në krijimet letrare për të vegjëlit.

Romani Qengji më tha: ha bar i Kalosh Çelikut është plot figura e metafora, me një sintaksë të re të të menduarit modern. Hetohet një formë e re e ligjërimit. Në krijimtarinë e tij letrare kemi një përmbysje të një modelimi deri në sarkazmë. Rrëfimet e Çelikut i përshkon një hipertension dhe një frymë e re letrare.

Qengji më tha: ha bar është një roman për fëmijë me rrëfime interesante, edhe për lojë, edhe për lexim. Secili rrëfim, ndonëse e bukura krijohet me të shëmtuarën, është një botë në vete që lexohet me një frymë.

Në botën e tij të çuditshme, Çeliku në këtë roman ka krijuar diçka të bukur dhe të rrallë në letërsinë shqipe.

 

Kopertina e romanit për fëmijë: Qengji më tha: ha bar.



(Vota: 105 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora