Kulturë
Kujtim Mateli: Kujtim Dashi - ''Banca dello zio në...''
E merkure, 15.05.2013, 08:00 PM
“Njeriu i
Shpresës së Bjerrun” e mbylli muzgun e karrierës moçaleve të korrupsionit .
(Shënime kritike për vëllimin me tregime e novela “Banca dello zio në tenxhere me presion” të shkrimtarit KUJTIM DASHI)
Nga Kujtim Mateli
Në vitin
2006, shkrimtari dhe publicisti i njohur Kujtim DASHI, botoi librin me tregime
dhe novela “Në muajin e nëntë...”
(“OMBRA GVG”), që u pat mirëpritur nga lexuesit dhe kritika.
Në radhën
e librave të këtij autori prodhimtar e cilësor, ky ishte i 20-ti, ndërsa seria e tregimeve dhe novelave, për temën të
cilën kishte fokusuar ta trajtonte, do të ndiqej dhe nga dy libra të tjerë,
duke krijuar kështu një triptik, - diçka jo e zakonshme në prozën e shkurtër
shqipe, - i cili është plotësuar tashmë edhe me dy veprat e tjera “Pesë yje mbi
mjerim” (“LMG”, 2009) dhe, kohët e fundit, “Banca dello zio në tenxhere me
presion” (“ADA”, 2012, libri më i mirë i vitit i kësaj shtëpie botuese).
Prozatori
i talentuar Kujtim Dashi, si dhe në publicistikën e lëvruar, që për nga emri i
krijuar për shkak të kurajos e të principialitetit të tij të pakompromis, shumë
lexues ende e kujtojnë si “Kujtimi i Lezhës”, shquhet për trajtim të guximshëm
të temave bashkëkohore. Në të tri këto vepra me rreth 85 tregime e novela,
autori i ka bërë skanerin shoqërisë shqiptare. Si të tilla, tregimet e novelat
e Kujtim Dashit mund t’i vështrosh si dëshmi autentike artistike të realitetit
shqiptar, kryesisht në këto dekadat e fundit, me tërë shumanshmërinë, me
tragjizmin e absurdin e tij, po dhe me protagonistët e tij.
Në to të
shpërfaqet gjerësisht jeta shqiptare në një periudhë të vështirë e mjaft
komplekse, siç është tranzicioni, shpesh e ndërthurur funksionalisht me të
shkuarën, madje kjo vazhdon të jetë për të si një minierë; spikasin situata
interesante të qëmtuara nga realiteti, por mbi të gjitha, do të thosha,
dallohet për karakteret që tenton dhe, në rastin më të mirë, i realizon
mjeshtërisht, të cilët s’të hiqen nga mendja, duke pasuruar kësisoj galerinë e
tipologjinë e karaktereve, çka përbën një nga kontributet më me rëndësi të
këtij shkrimtari. Në mes të të cilëve do të veçoja “Njeriun e Shpresës së
Bjerrrun”, lideri, që arriti t’i injektonte tranzicionit shqiptar tiparet më
negative të mundshme, duke përmbushur kështu dhe misionin e tij.
****
Në
vështrim të parë të duket episodik a kalimtar, por si personifikim i
udhëheqësisë shqiptare gjatë tranzicionit të pasegmetarizuar demokratik, siç
shpjegon autori në një fusnotë për këtë krijesë të tij, - lexuesi lehtësisht e
në çdo rast e nënkupton se për kë bëhet fjalë, - ai jo vetëm që s’është i
tillë, por është dominant si askush tjetër më parë i skenës politike e sociale
të vendit, është shkaktari i bjerrjes së asaj shprese, për të cilën e pompuan
në fillim të proceseve demokratike puthadorës të të gjitha regjimeve, po dhe i
krijimit të një neodiktature, të veshur me slogane demagogjike e tash së fundi
nacionaliste të rrezikshme. Për lexuesit e vëmendshëm shqiptarë është
lehtësisht i deshifrueshëm se kush është “Njeriu i Shpresës së Bjerrun”...
Padyshim,
meritë e veçantë e shkrimtarit është sjellja për herë të parë në letërsi e
këtij lideri shpresëbjerrës, paçka episodik a kalimtar. Siç duket, autori i
krijon mundësinë lexuesit të “përplotësojë” figurën e tij me mbresa, gjykime
vetjake, duke ndryshuar kësisoj edhe raportet nga episodik në qëndror. Këtë do
ta konsideroja edhe risi në vizatimin e kësaj figure me plot detaje groteske
efikase, mjeshtër i të cilave është autori, çka e ka nënvizuar disa herë edhe
kritika letrare.
Shpesh
herë tregimet e novelat, si të triptikut në tërësi, po dhe të librit “Banca
dello zio në tenxhere me presion” të krijojnë përshtypjen sikur janë kapitujt e
një romani me theks të dukshëm social, me kumte të drejtpërdrejta.
Nëse do
të bënim një përvijim të shkurtër të asaj çfarë autori ka dashur dhe na e ka
dhënë mjeshtërisht në këtë triptik (tri pamjesh), shkurtazi do të ishte: te
pjesa e parë “Në muajin e nëntë...”, një titull metaforik ky, shkrimtari K.
Dashi, përmes dy cikleve me tregime e novela, respektivisht “Kori i kinemasë”
dhe “Ritual”, jep artistikisht atë periudhë të historisë sonë moderne, që në
mënyrë të figurshme ai i thotë “shkrepja e demokracisë”. Në pjesën e dytë të
triptikut “Pesë yje mbi mjerim”, satirizon marketingun që i bën
mjerim-shkatërrimit shqiptar “Njeriu i Shpresës së Bjerrun”, ose lidershipi i
qeverisjes aktuale, ndërsa në pjesën e tretë “Banca dello zio në tenxhere me
presion” dëshmon pasojat e rënda sociale të kësaj farë demokracie dhe
“marketingut”, që i bën “Njeriu i Shpresës së Bjerrun”. Autori ka arritur të
zbërthejë karakteret e personazhet, të cilët janë formuar në një mjedise të
tilla, ku e mira dhe drejtësia nëpërkëmben nga një palo pushtet që mbijeton në
sajë të votave të vjedhura. Një pushtet që ngrihet mbi hajdutërinë, do të pjellë
njerëz të tillë. Pushteti i sotëm e ka ngritur korrupsionin në profesion dhe
pushtetmbajtësit mund të krahasohen me ata të vendeve më të korruptuara të
botës.
****
Në suazën
e këtij recensioni do të mjaftonte të përvijonim dy nga krijimet më të goditura
të librit. Novela “Banca dello zio në tenxhere me presion” pasqyron jetën e një
adoleshenti në vitet e tranzicionit demokratik, i cili fatkeqësisht prej një
sërë rrethanash i është “dorëzuar” hajdutërisë. Nëpërmjet rrëfimit të tij para
hetuesisë jepet gjendja e rëndë sociale e familjeve shqiptare, të cilat janë
varfëruar deri në atë shkallë, sa nuk ndodhet gjë as për hajdutin. Ushtria e
hajdutëve, kontigjent kryesisht i ushtrisë së të papunëve, - si është e mundur,
zoti hetues, të gjithë i ditkeni për mua, vetëm një gjë, atë më kryesoren, s’e
dini, që jam i papunë nuk e ditkeni, ku të ha unë, me se të jetoj-, i thotë në
një çast hetuesit adoloshenti hajdut, - i cili i ka shtirë në një moment
tmerrin kryeqytetit, saqë nuk guxon qoftë dhe një grua të dalë me bizhuteritë e
veta. Po edhe brenda shtëpisë duhet të dijë ku t`i ruajë gjërat me vlerë. Një
qytetari i kishte shkuar mendja që t`i ruante paratë e veta dhe të gjithë
dokumentet më të rëndësishme në një tenxhere me presion. Autori jo vetëm e vë
theksin në këtë novelë mbi autorët e vërtetë që kanë shkaktuar këtë gjendje
pasigurie të shoqërisë shqiptare në këtë fillim të mijëvjecarit të ri, po duket
sikur u bën edhe gjyqin shkaktarëve të kësaj bombe sociale. Gishti është
drejtuar sërish tek “Njeriu i Shpresës së Bjerrun”, që e drejton vendin me
metoda despotike, duke shpërfillur e rrëzuar parimet e funksionimit të një
shteti demokratik.
*****
Një pamje
tjetër, kësaj here në qarqet intelektuale, alibinë e fiktivitetin e titujve dhe
gradave shkencore na e jep novela “Pas Guttenbergut, një filxhan çaj me
kamomil”, e cila ka vetëm katër personazhe ku përfshihen tre brezat e një
familjeje: gjyshja, djali, nusja dhe nipi. Autori nuk u ka venë emra, sepse
janë mes disa dhjetëra mijëra zyrtarëve të kësaj qeverisjeje po dhe të këtij
mentaliteti që sundon jashtë dhe brenda
në “fabrikat e injorancës”, në gjashtëdhjetë e ca universitete publike e jo
publike, ku secili do të ndihej se bëhej fjalë për të. Autori i ka
karakterizuar këto personazhe me mendësitë e kohës në të cilën jetuan këto tre
breza.
Nipi i
përgjigjet kohës më të vonë, është përfaqësues i atij brezi që pas vitit 2005
mbushën zyrat e qeverisjes demokratike duke mbijetuar nëpërmjet konvertimit
politik shpesh herë, pavarësisht bindjeve e origjinave të tyre sociale. Thënë
ndryshe “ia shitën shpirtin djallit”. Merita e tyre ishte se me bizneset që
kishin krijuar në qeverinë e mëparshme kishin bërë ca para të cilat i
konvertuan me vende pune. Po vendet e punës donin minimalisht një arsim të
caktuar. Kështu prapë nga ato lekë që kishin fituar nxorën ca mënjanë dhe i
bënë kartona diplomash e masetrash.
Madje, sa herë që dilnin jashtë, i shënonin si specializime, edhe pse në
të shumtën e rasteve shkonin për vizita familjare, ose ndonjë shërbim të
shkurtër. U frynë CV e zyrtarëve tanë nëpër zyrat e shtetit dhe bashkë me ta
dhe personazhi i kësaj novele. Me të tilla përpjekje, nipi arriti që të bëhet
drejtor i rëndësishëm i një ministrie.
Personazhi
i novelës “Pas Guttenbergut, një filxhan
çaj me kamomil”, nipi i kësaj familjeje, arriti që të marrë dhe një diplomë
masteri. Po tema që mbrojti ishte e tëra plagjiaturë. Frika i lindi kur për
plagjiaturë në Evropë po ndëshkoheshin rreptë, edhe kur këta ishin ministra,
madje dhe president. Ish-ministri i mbrojtjes, gjermani Guttenberg,
ish-presidenti hungarez Schmidt apo ministri gjerman i kulturës, lanë vendet e
tyre të punës pikërisht për plagjiaturat e dokumentuara. Po a do të
ndëshkoheshin dhe këtu në Shqipëri? Shqetësimin e nipit, nuk e miratoi asnjë
nga pjesëtarët e kësaj familjeje. Para se ndëshkimi të arrijë tek ti,- i
thoshin,- ke një karvan të tërë përpara. Ke ministra që janë bërë me
doktoraturë, deputetë, gratë dhe dashnoret e tyre, diplomatë dhe shumë njerëz
të tjerë që tregimet historike, tashmë i konvetuan në tema shkencore e janë
Doktorë e Profesorë. Qetësoheshin kur mendonin se karvani i këtyre
pseudoshkencëtarëve ishte aq i madh sa, kur të arrinin tek masterat,
masterxhiku i novelës kishte dalë në pension.
****
Autori
stigmatizon në këtë novelë kulturën e pandëshkueshmërisë që është krijuar në
institucionet tona e në tërësi në shoqërinë postkomuniste shqiptare dhe që ka
lëshuar rrënjë të thella, saqë shumëkush mendon se shkulja e këtyre plagëve të
rëndado të jetë shumë e vështirë dhe një proces i gjatë, por dhe një sfidë e
prosperitetit të ardhshëm të atdheut tonë të shtrenjtë.
Frika, se
një ditë do të ndëshkohen për paudhësitë që kanë bërë, nuk ndihet vetëm tek
nipi. Tek fjalët ngushëlluese që i japin gjyshja dhe prindërit, ndihet ora e
afërt që do të verë para përgjegjësisë këta pushtetarë që i përdorën zyrat e
shtetit si qendra biznesi dhe shkatërruan vlerat demokratike që ishin krijuar
në këto institucione.
Temat
edhe të 14 tregimeve të tjera të shkrimtarit të talentuar Kujtim Dashi, si dhe
të mëparshmeve në dy librat e tjerë të triptikut, janë gjetje interesante e
origjinale, çka përbën një nga veçoritë më të qënësishme të këtij autori.
Kujtim
Dashi është nga të paktët krijues të këtyre viteve të tranzicionit të
stërgjatur, që të vërtetat e jetës i bëri pjesë thelbësore të veprave të tij.
Shumë shkrimtarë e vunë letërsinë në
shërbim të pushtetit dhe, duke bërë këtë gjë, ndiheshin mirë, gjoja se po
viheshin në shërbim të demokracisë dhe ndjeheshin mirë me këtë vetiluzionim
përfitues, kurse në të vërtetë iu nënshtruan një pushteti arrogant dhe harruan
se në të gjitha kohrat, detyra e shkrimtarit është të japë me realizëm kohën në
të cilën jeton e kontradiktat e mëdha të saj.