E premte, 26.04.2024, 07:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Rreth identifikimit të formantit - AV

E enjte, 18.04.2013, 09:05 PM


RRETH IDENTIFIKIMIT TË FORMANTIT –AV

SI PRAPASHTESË E SPECIFIKUAR

FOLJEFORMUESE NE SHQIPE

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Në burimet e sotme normëzuese teorike të shqipes standarde formanti –AV, edhe pse nuk ceket fare, del i identifikuar më tepër si infiks ose konglutinat prapashtese sesa si prapashtesë e mëvetësishme, madje në asnjë rast nuk e ndeshim të pohuar, për çudi,  as si infiks prapashtese foljeformuese(!). Meqë në realitetin tonë gjuhësor këtë formant jo vetëm e ndeshim si konglutinat prapashtesor në kategoritë e sistemit emëror edhe të atij foljor, por atë e ndeshim edhe në funksion thjesht si prapashtesë të mirëfilltë foljeformuese, ne, kësaj teme  po ia kushtojmë këtë trajtesë, punim ky, të cilën e kemi merenduar në këto gjashtë pjesë, që po i paraqitim në formë  pyetjesh:

E para, si trajtohet ky formant nga D. Nikollë Gazulli dhe Xhuvani-Çabej?

E dyta, si qëndron raporti ndërndikues shqip-serbisht i shembujve me këtë formant (ngjasime dhe dallime)?

E treta, ky formant del i identifikueshëm, në fjalorët  normative të shqipes së sotme letrare, apo jo?

E katërta, në cilat burime leksikografike ndeshim shembuj, ku formanti  -AV  në zëra të veçantë, figuron si prapashtesë e mirëfilltë foljeformuese?

E  pesta, pse ka mbetur  e patrajtuar nga standardologët tanë deri tashti një dukuri e tillë foljeformuese?

E gjashta çfarë i imponohet shqipes së sotme dhe standardit të saj lidhur me këtë dukuri?

Natyrisht, meqë  kemi të bëjmë, si me thënë, me një temë të parrahur më parë nga studiuesit tanë, përpjekjen tonë e quajmë skicë trajtimi ose sprovë të parë ballafaqimi, teorikisht e praktikisht, lidhur me këtë dukuri, andaj nga lexuesi i nderuar dhe sigurisht edhe nga studiuesit kërkojmë konsideratë për këtë punë tonë filltare,  por njëherazi ngulmojmë që ata (studiuesit) varësisht nga specializimi që kanë, t’i shtojnë vetes obligim që këtë çështje ta zbardhin sa më mire dhe zgjidhjen e saj ta bëjnë sa më të lehtë.

1. Nga konstatimet e  D.  N.Ikollë Gazullit  dhe

Xhuvani–Çabejt rreth formantiT -AV

Formanti –AV si prapashtesë fjalëformuese e mëvetësishme, me sa dimë, së pari është cekur nga D. Nikollë Gazulli në Fjalorthin e tij (1941) dhe pastaj edhe nga Xhuvani-Çabej, në monografinë, Prapashtesat e gjuhës shqipe (1962, por këtu ky formant trajtohet, jo si prapashtesë e mëvetësishme, por si konglutinat në 8-9 variante.

Sidoqoftë e pamë të arsyeshme që konstatimet e tyre dhe tonat lidhur me ato vepra, paksa të parafrazuara prej nesh, t’i sjellim në vijim.

a) Konstatime nga Fjalorthi i D. Nikollë Gazullit

(1941)

D. Nikollë Gazulli, në veprën Fjalorth i ri  (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë,1941, formantin –AV dhe atë –AVRË (këtë me pike pyetje) i shënon si prapashtesa të mirëfillta të gjuhës shqipe dhe për ilustrim jep këta shembuj:

a) -AV: arrgj-av-istë (i rrgjavët, pal-av-itë (palue), mbuh-av-itë (mbuhatë), guj-avë

(guall-i,  zhgyrrëç-i), çgallavitë (sgallë), bardh-av-el (bardhë).

b) –AVRË (?): pet-avër-a (petavër).

Meqë, nga studiuesit e deritashëm paraqitja e të nderuarit D. N. Gazulli rreth identifikimit të formantit –AV si prapaashtesë e mëvetësishme e shqipes, madje e specifikuar si foljeformuese nuk dime se është shoshitur, ne, veprën  në fjalë, e konsultuam me vemendje të shtuar dhe konstatimet përkatëse po i shprehim në vijim:

Së pari, edhe pse autori  në shembujt përkatës formantin –AV nuk e shënon veçan, por si konglutinat me prapashtesën përkatëse, megjithatë nga zbërthimi i shembujve perceptimi i mëvetësisë bëhet i mundshëm.. Kështu, me këtë punë ky dijetar mund të cilësohet si pararendës i dijes së sotme lidhur me ndërtimin e foljeve me prapashtesën e mirëfilltë -AV. Kjo që u tha vërehet  te mbiemrat: i rrgjavët, bardhavel dhe tek emri  petavër,  sepse  kuptimisht mbiemrat e tillë nuk tregojnë aq  cilësi sa koncept veprimi, madje edhe ndërtimisht kuptohet se janë formuar mbi bazë të pjesores: rrgjavë (me rrgjavë), ashtu si edhe  bardhav(ë) (bardhavë, me (u) bardhavë) + -el, ashtu si edhe  shumbulli petavër si prejpjesor petav/ë+ËR (me petavë), prej nga del edhe mbiemri i petavtë, peta(v)ç

Së dyti, është me interes të dihet se edhe brenda tekstit në nja dy raste autori mbron formantin –AV si prapashtesë të mëvetësishme të shqipes.

E para, këtë e shpreh  mjaft qartë kur foljen palav/itë, d.m.th.  pal/av,  pa –itë fundore, e krahason me pjesoren e shqipes palue (me palue) “e palavi-ti me fjalë” d.m.th., siç e shpjegon ai,  “E paloi, s’e la me folë, me ç’rast formantin –AV e krahason me prapashtesën – Oj  (ue) të shqipes, folje kjo që del e formuar nga emër-tema pal/ë-a. Së këtejmi, na imponohet krahasimi i këtyre katër trajtave foljore mbi  emrin temëfoljeformues palë-a:

Pal/OJ  me pal/UE

Pal/AV  me pal/AVË

Pal/IT  me pal/ITË (!)

Pal/OS  me pal/OSË

Dy trajtat e para edhe trajtën  palit(i) me mbaresë sllave i ka shënuar vetë autori, ndërsa atë palos me palosë (të letrarishtes së sotme) e shtuam ne.

Të jemi më të qartë, vihet re, se autori te folja: palav/itë, duke e krahasuar formën e foljes pa fundoren –itë, vetvetiu na jep për të kuptuar se formantin –AV njësohet me prapashtesën –O (UE), paloj, palue.  Në këtë mënyrë me vetëdije formantin –AV e konsideron me origjinë anase, sinonim me prapashtesën -Oj (UE), duke sfiduar kështu historianët e gjuhës sonë që ta vrasin mendjen se ky element mos ka të bëjë, apo jo, me ndonjë farë ngjasimi me zhvillimin e prapashtesës –Oj  nga *On *UO, UA, UE /  -Oj dhe së këndejmi  edhe diftongu  i vjetër *AU  mund të ketë ndjekur të njëjtën rrugë zhvillimi, duke u shndërruar në AV,  process ky i zhvilluar ndoshta që nga protoshqipja, apo jo? Sido që të jetë, autori si përforcim të mendimit të tij se formanti –AV është  prapashtesë shqipe,  ai pas foljes arrgj/av, të cilën e cilëson si formim të rregullt të shqipes, në kllapa qartëson: mbaresa –AV, duke shtuar argumentimin: mandej shihet ndikimi i gjuhës sllave me verbat që sosin në  -iti dhe –ati”.   Pra, siç po shihet, autori e shpjegon mbaresën –TI  të infinitivit të serbishtes veçmas jo në konglutinim me formantin –AV,  siç del te shembujt e tij dhe në variantet  e Xhuvani-Çabejt(!). (Shih aty, f. 297.)

E dyta, gjithashtu këtë mendim e përforcon edhe te shembulli çerav/de  (i çgallavitun), ku fundoren –de e shpjegon si mbaresë sllave të tipit çela/de, ku shton sqarimin: me ide të përbashkët (kolektive), ndërsa tërë fjalën çerav e konsideron trajtë të rregullt në shqipe. (Po aty, f. 229.)

Pra, në të dyja këto raste autori nuk e vë në dyshim prejardhjen autoktone të formantit –AV-  te foljet e tipit palav(-itë), ndërsa te fjalët  përkatëse  të këtij tipi, vetëm fundoret ose soset, siç i  quan ai: –i/ti dhe –de, i konsiderom me prejardhje sllave.

Sido që të jetë, nga paraqitjet e tilla kuptohet se formanti –AV(Ë), duke u ndarë veçmas nga shembujt me mbaresat –I/TI ose –A/TI, infinitive të serbishtes, në fjalët e shqipes del në funksion të qartë të paraprashtesës foljeformuese, apo jo?!

Ne, këtë veprim të autorit e vlerësojmë si ide të mire ose kriter të mjaftueshëm që formanti foljeformues –AV(Ë), pa marrë parasysh a do të argumentohet në analizat e ardhshme, si anas, mjet i përbashkët, apo si huazim transfer nga serbishtja, në shqipe gjithsesi duhet të cilësohet si prapashtesë e mirëfilltë për formimin e foljeve të një tipi të veçantë.

b) Nga konstatimet e Xhuvani-Çabejt

Në monografinë Prapashtesat e gjuhës shqipe (Tiranë 1962), profesorët tanë të nderuar e përfshijnë edhe formantin –AV, por, si të themi, jo veçan, po në funksion infiksi a si ndërlidhës të temës fjalëformuese me prapashtesën përkatëse kryesisht të mbiemrit me të cilën, siç e shohin ata, ky formant del i konglutinuar në disa variante. Së këtejmi,  për të parë se si del formanti i tillë në atë punim, bashkë me  konglutinatet prapashtesore përkastëse, po japim edhe shembujt ilustrues që i shoqërojnë:

1) –AV/EC: burrav/ec, grindav/ec, ligav/ec, llapav/ec, qullavec, qyrravec;

2) –AV/EL: bardhav/el, bashtav/el, kaçav/el, paçav/el, qyrrav/el;  shurdhav/el

shushav/el, xarnav/el;

3) a) –AV/Ë: arrav/ë (arrë), gujav/ë (guall gujatë), myzav/ë (myzë a mizë) dhe

shushav/ë (nga folja shushas);

b) –AV/ËT:  i gurav/ët (gur), i hekurav/ët (hekur), i killavët (killë) i lizavët

(li-a, lizë-a) i rrëgjavët (rrëgjuar) dhe i tërpiavët (terpi);

4) –AV/IK:  grindavik, ndyravik dhe

5) –AV/IQ:  lagaviq, lucaviq, ndyraviq, shurraviq.

Gjithashtu autorët e nderuar kanë në konsideratë edhe shembuj me prapashtesat:

-AV/I, -AV/ICË dhe AV/INË,

të cilat referohen në kuadër të prapashtesave përkatëse –I, -ICË, -INË, por, në tekst vetëm  për variantin e parë jepen këta dy shembuj: larav/i, palav/i.

Dhe, siç konstatohet aty, të gjithë shembujt përkatës të gjininisë mashkullore e formojnë gjininë femërore me -E, si p.sh.: ligavece, bardhavele, shurdhavele, e guravët, ndyravike, lucaviqe.

Sidoqoftë, edhe pse këtu, siç e pamë, kemi të bëjmë me 8 a 9 prapashtesa konglutinuese dhe shembujt janë dhënë, kryesisht, nga fjalët e brumit të shqipes, megjithatë autorët, këtë dukuri e shohin të ndërndikuar me format përkatëse të gjuhës serbe dhe si argument lidhur me këtë sjellin këta shembuj serbisht -shqip:

a) emra prejfoljorë:

grmljava nga grmljeti (bubullimë), država nga držati (shtet), mrkava nga mrknuti

(kaçubë);

b) mbiemra denominativë:

bodlikav nga bodlika (me gjemba), gizdav nga gizda (i stolisur), grbav nga

grba (kurrizdalë),

dhe në fund sjellin konstatimin jo aq kategorik: “Prandaj mund të thuhet se prapashtesat tona: -AVË dhe  -AVËT,  janë prej burimit sllav”.

Pra, siç vihet re, prapashtesat –AVË dhe –AVËT (që shënohen në një pike (pika 3)), quhen prapashtesa tona, por supozohen me prejardhje sllave, vetëm pse këtë formant e ndeshim në gjuhët sllave  tek  emrat me –AV/A dhe mbiemrat –AV, por nuk futen më thellë.

Sidoqoftë, nga sa më sipër, për ne, dalin disa çështje që kërkojnë sqarim e njëherazi edhe trajtim më profesional, p.sh.:

E para, pse autorët, nuk e paten në konsideratë dallimin e fjalëve me –AV të konglutinuara me këto prapashtesa -el,-ë, -(i,e)-ët dhe –i  që kanë më tepër frymë vendese, nga ato -ec, -ik, -iq nënkupto edhe –icë dhe –inë të implikuara edhe në fjalët serbishte (madje  për këto dy të fundit nuk e sjellin asnjë shembull me prapashtesë që ka edhe elementin –AV?

E dyta, del, apo jo, i identifikueshëm formanti –AV(Ë), qoftë si infiks, qoftë si prapashtesë e mirëfilltë e specifikuar edhe në sistemin foljor të shqipes apo vetëm në sistemin emëror, pasi ky fakt nuk ceket në studimin e tyre?

E treta, shikuar sipas dijes së sotme, përveç prejardhjes sllave për çka shprehim rezervë, kur është fjala te tema foljore, autorët kishin  konceptet jo të qarta, apo jo, kur nuk e  pohojnë temën foljore në formimin  e fjalëve të tilla, edhe pse ajo vetvetiu imponohej edhe në shembujt  sinonimikë të tyre?

Këtë që e thamë se disi atbotë studiusit tanë nuk kishin koncepte të qarta për këtë çështje e hetojmë te shembujt e shënuar prej tyre, si::

a)  Jo vetëm tek të gjitha rastet e shembujve nën 1) dhe 2) por edhe  nën 3),  pika b),  po edher te mbiemri i rrëgjavët, si sqarim shënohet trajta sinonimike i rrëgjuar, ku shihet qartë pjesorja e shqipes së sotme rrëgjuar te mbiemri  i(e) + rrëgjuar , dhe nga kjo del e kuptueshme se edhe tema prodhuese e të gjithë mbiemrave me –AV fundore të paranyjëzuar me i(e)  –TË është pjesore e mirëfilltë: rrëgj+avë - i(e) rrëgjav+ët ose i(e) rrëgjav+TË.

b) Së këtejmi, lypset një sqarim i domosdoshëm edhe lidhur me emrat e shënuar në kllapa te shembujt: i nguravtë (gur), i hekuravtë (hekur)  i killavët (killë), i lizavët (lizë), ngase ata nuk kanë të bëjnë me  temën prodhuese të mbiemrave përkatës të shënuar aty, sepse, siç dihet, mbi bazë të emrave të tillë dalin këto trajta mbiemërore: i gurtë, i hekurt, i killtë, i  liztë, ndërsa si tema prodhuese për shembujt me –AV shërbejnë, apo jo, pjesoret e foljeve përkatëse:  (me) nguravë – i(e) nguravtë, (me) hekuravë – i(e) hekuravtë, (me) killavë -  i killavtë, (me) lizavë  - i(e) lizavtë,  e kështu me radhë.

c) Madje duke e pranuar të vërtretën se me  prapashtesën –AVË  janë formuar pak emra konkretë si arravë, nga arrë, gujavë nga  guall gujatë si dhe shushavë nga folja shushas (variant foljor), aty bëhet i njëjti lëshim rreth sqarimit,  mbase, siç e thamë, emri përkatës nuk shërben si temë fjalëformuese e emrave përkatës  me -AVË:  arravë, gujavë (gujatë) dhe shushavë (shushas), ngase sipas dijes së sotme emrat e tillë, janë formuar nga emërzimi me mbare zero (konversion) i pjesores e jo nga rrënjori, andaj formimet e tilla quhen prejpjesorë pandajshtesorë.

ç) Edhe sinonimet sqaruese gujatë për gujavë, dhe shushas (me) shushatë  për shushav shushavë – përforcojnë sqarimin që u dha në pikën e mësipërme.

Sidoqoftë, këto dhe çështje të  tjera, siç është edhe raporti ndërndikues i prejardhjes (sllave) të  formantit, për çka ne shprehëm rezervë, do të përpiqemi t’i zbardhim gjatë analizës në vijim, me synim që edhe përgjigjja në fund të trajtesës të jetë më e tejdukshme dhe më e pranueshme, sidomos për standardologët e gramatikanët  tanë.

2. Raporti ndërndikues shqip - serbisht i shembujve me

formantin -AV

Nga sa u parashtrua deri këtu del e nevojshme që shembujt me –AV të trajtohen në raport ndërndikues serbisht-shqip. Dihet mirëfilli se që nga shek IX – XIV shqipja ishte në konstakt me gjuhë sllave (bullgarisht serbisht), andaj ndërndikimi i tillë, në intervale edhe me presione administrative e ceremoni kishtare etj. ka vazhduar me shekuj, madje vise-vise po vazhdon edhe në ditët e sotme. Kjo nuk mund të mohohet, megjithatë siç mund të konstatohet lehtë, secila gjuhë deri në ditët e sotme ka ruajtur në sistem thelbësoren e identitetit të vet

Që në fillim të kësaj trajtese u cek mendimi i Xhuvani-Çabejt, të cilët edhe pse jo aq në mënyrë kategorike, u shprehen se formanti -AV(Ë), mund të thuhet se ka prejardhje sllave, ndërkaq D. Nikollë Gazulli, pak përpara tyre, u përpoq ta argumentonte se formanti –AV është prapashtesë shqipe, andaj e trajton ndaras nga mbaresat e infinitivit të serbishtes -i/ti,  -a/ti, mirëpo edhe ky në finesa, te shemujt përkatës, nuk e mohon elementet e sllavishtes.

Për mendimin tone kjo dukuri ndërgjuhësore serbisht – shqip, me aq sa dimë, nuk del e trajtuar në thellësinë e gjerësinë e duhur, andaj  edhe rreth  konstatimit të burimit a  prejardhjes sllave të formantit –AV, siç paralajmëruam pak përpara, duke u lënë vend studiuesve më kompetentë, për mendimin tone,  mund të shprehet rezerve e ligjshme, kur kemi parasysh këto fakte:

Së pari, edhe para dyndjes së sllavëve në këto anë formantin -AV e kishte gjuha e folësve të këtyre trevave, së paku kjo vërtetohet me dy emra fisesh ilire: kandav/ët dhe parauej/të ose paravej/të, po ashtu edhe me dy emra qytetesh që kishin fundoren –AVA: Setidava e Baridava. si dhe emrat e lumejve. Drava, Sava  etj.

Së dyti, është i njohur shkencërisht fenomeni i shndërrimit të diftongut *AU indoeuropina në –AV, pra edhe në shqipe dhe si shembull ceket  fjala  lauden   e latinishtes që në shqipe reflektohet  lavd (me lavdue), fenomen ky që ka ndodhur gjithsesi para ardhjes së sllavëve në këto vise.

Së treti,  dihet se –v- ja në shqipe është konsonant epentetik që dokumentohet edhe në sistemin foljor  si b.f. te   folja:  laj (me la) lava lave lau  lafsh, pastaj  pava (pashë) me pa etj dhe në atë emërore, si: kuajt kvaltë, evropë /europë, softuer / softver, harduer/hardver etj.

Së katërti,  kjo dukuri e shndërrimit të diftogut -au -av shfaqet në mjaft shembujt në gjuhën tone të sotme, po i prmend  vetëm  nja dy raste nga shprehjet e gjalla (popullore) lidhur me emrat shka shkau/ shka shkav(i) dhe  ka kau / ka kav etj. dhe  kjo argumetohet edhe sot e kësaj dite në shprehjet::

Besa e shkavt si bishti i kavt  (nuk rri pa lëvizur) ose

Lëkura e kavtë – opanga e qullavtë.

Së pesti, edhe pasthirrma habitore e dy gjuhëve AU-AU, zakonisht, sidomos te ne, shqiptohet  AV-AV!

Së gjashti, kemi vërejtur se prof. Çabej kur përmend huazimet sllave në shqipe nuk e cek asnjë rast huazimi nga serbishtja me –AV fundore.

Së shtati,  madje edhe shembujt ilustrues që japin Xhuvani- Çabej  dalin shumë të  diskutueshëm, madje edhe të pambështetur, kështu të tre emrat  grmljava, država dhe mrkava nuk janë formuar me prapashtesën –AV, po me –VA. Ja si shpjegohet formimi i emrit država (shtet), ashtu si edhe ai dava? (dhënës)  në serbishte: Nga  tema e unfinitivit  bie -TI, drža-ti ose  da-ti,  temës drža- ose da - i shtohet  prapashtesa –VA drža+VA,  da-VA+ ?,  pra A-ja para –V-së  i takon temës së foljes, jo formamtit –AV, ashtu disi shpjegohet edhe ndërtimi i emrit grmljava, ndërsa shembulli i tret? mrkava  është inekzistent për serbishten letrare. Në serbishte për fjalën kaçubë të shqipes nuk del barasvlerësi mrkava, por të tjerë si  žbun, šikara e ndonjë tjetër. Edhe lidhur me mbiemrat mund të bëhet ndonjë vërejtje, po sidoqoftë ata dalin, si me thënë,  të qëndrueshëm. Me fjalë të tjera, konstatimi  rreth prejardhjes nuk ka mbështetje nga shembujt e tillë ilustrues, por mbase në parim autorët kishin të drejtë, apo jo,  le të vlerësohet. 

Besojmë se këto fakte janë të mjaftueshme sa për të sjellë në rishikim konstatimin e tillë rreth prejardhjes serbe të formantit –AV në fjalët shqipe en bloc, por më e rëndësishmja lidhur me këtë konstatim do të dale nga analiza e mëposhtme, ku jo vetëm trajtat  barasvlerëse nga fjalori, por edhe ato eptimore e të tjera do të preken, do të krahasohen, duke theksuar edhe fushat e nënfushat  semantike që mbulojnë fjalët me –AV në të dyja gjuhët.

Sido që të jetë,  pra, meqë këtë formant e ndeshim, aktualisht në të dyja gjuhët serbisht e shqip, ne, për të pasur një ide më të qartë rreth këtij ndërndikimi shikuar kryesisht në rrafshin sinkronik, duke pasur në spikamë përkimet dhe dallimet, konsultuam shembujt përkatës nga fjalorët dygjuhësh serbish-shqip dhe anasjelltas të botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës (Fjalori serbokroatisht-shqip (1974) dhe Fjalori shqip-serbokroaitisht (1981)) dhe nga ky konsultim, dhe jo vetëm nga ky, na u imponuan disa konstatime mjaft interesante dhe të rëndësishme që sjellin dritë rreth temës sonë, ndër të cilat, po spikasim këto:

E para, ç’është e vërteta, ndërsa në gjuhën serbokroate më drejtë në gjuhën serbe, formanti –AV, del i identifikuar si prapashtesë, kryesisht tek një tip mbiemrash dhe së andejmi si sufiks konglutinues del prodhues në formimin e foljeve, emrave dhe mbiemrave në atë gjuhë, në gjuhën shqipe formanti –AV del parësorisht si prapashtesë e mirëfilltë foljeformuese e një tipi të veçantë kuptimor e ndërtimor dhe së andejmi ndeshet si infiks edhe në kategori të tjera  si derivate si te mbiemrat prejfoljorë e prejpjesorë të tjerë.

Pra, ky është dallimi i parë që bie në sy aktualisht në mes të këtyre dy gjuhëve lidhur me përftimet me formantin –AV. në serbisht mbiemri  me –AV, është prodhues, por ndeshet në konkurrencë me  trajta të tjera mbiemërore sinonimike, ndërkaq  në shqipe folja me –AVË  është vepruese dhe prodhimtare dhe, për konceptin përkatës, nuk ndeshet në konkurrencë me forma të tjera sinonimike .

E dyta, nga sa pamë, numri i mbiemrave të regjistruar në burimet përkatëse më –AV fundore në gjuhë serbishte kalon 100-shin, të cilët mbulojnë kryesisht kuptim neutral por mbizotërojnë ata të fushës përkatëse pejorative,  por jo të gjithë shembuj janë aktivë, ndërkaq në gjuhën shqipe edhe pse numri i regjistruar  i mbiemrave me –AV nuk del aq i madh  (hë për hë edhe nuk dihet), pjesërisht ka përputhje konceptesh me një pjesë të mbiemrave të serbishtes pikërisht për fushën pejorative, por i dallon konglutinimi dhe përshkallëzimi përkatës kuptimore, mirëpo nëse shikohet folja shqipe si bosht fjalëformues, atëherë numri i plërftimeve me –AV(ë), siç do të shohim, mund të kalojë shumëherë 100-shin dhe kuptimisht del e specifikuar pothuajse plotësisht për një koncept të përshkallëzuar në kuadër të fushës pejorative.

E treta, pikërisht sa i përket fushës kuptimore që mbulojnë, mbiemrat me –AV  serbisht  e shqip, që vetëm në fushën  pejorative kanë njëfarë përkimi por jo plotësisht, siç u tha, kur kemi të bëjmë me hijesa përshkallëzuese semantike brenda asaj fushe. Për ndryshim nga shqipja, pothuajse të gjithë mbiemrat e tipit me –AV në serbishte shprehin kuptimësi pak a shumë neutrale edhe brenda fushës pejorative, ashtu si edhe mbiemrat e gjuhës shqipe me prapashtesat konglutinate: -AVTË, -AVEC, -AVEL, -AVIQ etj. por dallim kuptimor ndryshon, siç u tha,  tek përshkallëzimi.

E katërta,  për të pare më mire përkimet e dallimet strukturore fjalëndërtuese në këtë raport ndërgjuhësor brenda fushës pejorative po i paraqitim disa shembuj mbiemrash barasvleres sinonimikë në dy versionet::shqip-serbisht e anasjelltas. 

a)Versioni shqip – serbisht:

1)  i(e) belbër, - i(e) belbavtë(!) - prljav, kaljav, blatnjav, glibav, mrljav, škrbav, musav,

škrnjav, smoljav.

2) çalaman, topall, - i (e) topallavtë(!) - bagav, ?opav, šepav (topallast),

3) marrash, budalla, -  (e) budallavtë(!) - blesav, šašav, tupav, manjkav, manji?av,

glupav, benav, tvdoglav, budalav (budala, budalast).

Siç po shihet të gjithë shembujt në serbishte dalin me prapashtesë të njëjtë  -AV, në shqipe nuk ndodh ashtu. Mirëpo edhe në shqipe, ashtu siç po e shohim te shembujt e mësipërm të serbishtes, për mbiemrin e caktuar të asaj gjuhe dalin disa barasvlerës sinonimikë, por për dallim, siç do ta shohim, në shqipe mbiemrat dalin me prapashtesa të ndryshme,..

b) Versioni serbisht – shqip

1) slinav – qyrrash, qyrravec, qyrranjos, përqyrran, qurrac, qurramadh,  qurran, i qurrosur

-  i (e)qyrravtë, i(e)përqyrravtë;

2) mlitav – i (e) qullët, qullac,, qullan, qullamc, qullamaç, qullash, i(e) mveshtë,

i(e) ngathët ndiferent, përtac, i plogët, indolent, i (e) qulltuar, i(e) qullosur

i (e) qullavtë;             .

3) gušav – gushan, gushëdalë, gusharak, gushosh, gushacak, gushëfryrë, gushiq,

gushëmadh, gushacak, gushak, gushar, gushok, – i (e) gushavtë;

4) žuti?av (bledunjav) – i(e) verdhë, verdhac, verdhcak, verdhcuk, verdhëzak,

verdhacuk, verdhak, verdhuk, verdhash, i(e) vërdhemët, i(e)verdhët

verdhush,verdhosh, verdhuk, verdhul, i(e) verdhëm, i(e) verdhullëm,

verdhacak, verdhok, verdhan, i(e) verdhuar, i(e) vërdhemë – i(e) verdhavtë.

Siç po shihet në të dyja versionet, ne, grupit të shembujve të regjistruar në burimet përkatëse i kemi shtuar të nënvizuar (bolduar) mbiemrin e paranyjëzuar në diskutim të shqipes, prapashtesa e të cilit ka në përbërje elementin -AV:

i (e) belbavtë, i (e) topallavtë, i (e) budallavtë, i (e) përqyrravtë,

i (e) qyllavtë, i (e) gushavtë, i(e) verdhavtë

t? cil?t nuk ndeshen, hë për hë, në burimet e konsultuara, por siç do të shohim bashkë me foljet përkatëse mbi bazë të pjesores të së cilës shpjegohen të formuar dhe në realitetin tonë gjuhësor kanë përdorim të rregullt, andaj edhe sfidojnë jo vetëm të njihen më mirë, por në ndonjë farë mënyre ose gjithsesi, gëzojnë të drejtën universale edhe të futen edhe në shqipen  letrare për nënfusha të caktuara kuptimore.

Të jemi më të qartë, të gjithë mbiemrat barasvlerës të shqipes ndaj mbiemrit të serbishtes, si p.sh: slinav – të dhjetit,. mlitav – të 15-it,  gušav  të 12-it dhe žuti?av, të 22-tit, si më sipër, asnjërin nuk e quajmë të tepërt, ngase janë formuar sipas gjedheve përkatëse të fjalëformimit shqip dhe shprehin ose mund të shprehin një ngjyresë dallimore shkallëzuese brenda konceptit të gjerë përkatës të nënfushës semantike, qoftë të natyrës neutrale ose edhe të përshkallëzuar, ndërkaq shembulli i fundit me –AV/TË fundore në shqipe, si  (i(e) belbavtë, i(e) topollavtë, i(e) budallavtë, i(e) përqyrravtë, i(e) gushavtë,, i(e) verdhavtë, sigurisht i ngarkuar edhe me kuptim figurativ, e themi me plot gojën, mbulon,  pa konkurrencë, shkallën më të lartë, atë të fundit të konceptit përkatës pejorativ, zakonish, përçmues, keqësues, gjithsesi mospëfillës. Pse ndodh kështu, si është formëzuar ky specifikim si rregull, nuk mund  ta dijmë për cok, ngase kjo dukuri lypset studiuar. Mirëpo, neve na shkon mendja se kjo ka të bëjë me kushtëzime emocionale të karakterit sociolingustik të ravijëzuar në periudha të caktuara historike. Sido të ketë qenë, tani kjo dukuri del e formëzuar më tepër në shqipe se në serbishte, siç e thamë, dhe ky fakt vërtetohet nga vetë stili i të shprehurit, nga i cili vetëdijshëm ose edhe nënvetëdishëm aksiomativisht arsyetohet  në parim kjo e vërtetë e padiskutueshme.

E thamë edhe në serbishte, e vërtetë kjo që pranohet edhe nga tericienët e asaj gjuhë, edhe pse  si duket edhe në atë gjuhë si edhe në shqip një specifikim i tillë i mbiemrave me –AV për fushën pejorative do të ketë lindur më vonë, sepse në perudhat e hershme nuk do të ketë ekzistuar kuptimi mbizotërues  pejorativ i këtij formanti në asnjërën nga këto dy gjuhë.

E pesta, për ta kuptuar edhe më mirë diferencimin që bëmë rreth përshkallëzimit kuptimor, në pikën e mësipërme,  brenda fushës pejorative, sipas raportit: shkallë e gjerë neutrale/ shkallë më e lartë e veçantë përçmuese mospërfillëse, po i japim nja tre shembuj mbiemrash serbisht me barasvlerësit përkatës të fushës neutrale (pejorative) në disa gjuhë të huaja dhe shqip:

serb               angl.           gjerm                    fr.              It.             shq.

-------------------------------------------------------------------------------------------------

1) brblav          chatty        geschwatzig      causeuur   ciarliero    fjalaman

2) qelav           bald           kahl                  chauve        calvo       qelan (qeros)

3) shugav        mangy       raudig               galex         rognoso    zhugan (i zgjebosur),

Siç po shihet në rubrikën e fundit, shqip, për kuptimin neutral pejorativ vlejnë a mund të vlejnë si barasvlerës  mbiemrat në shqipe jo në trajtat me –AV, por të tjerë sinonimikë, si p.sh  për fjalën fjalaman, mund të vlejnë shembujt sinonimikë që i ndeshëm të regjistruara në burime përkatëse:

llafazan, fjalacak, fjalatar, fjalaç, gojc, gojec, gojqen, përgpjaç, përgojc, përgojues,  përgojç, përgojac, e ndonjë tjetër,

të cilët, mund të kenë (secili për vete) ndonjë shenjë a hijesë përshkallëzuese në fushën neutrale natyrisht me ngjyrime përkatëse stilistike, por për shkallën më të lartë të ngjyrimit përkatës mospërfillës, pra, po në fushën e kuptimësisë pejorative, që zakonisht bartin edhe kuptimësi të fytyruar, vjen në konsiderim vetëm trajta me –AV i flamanavtë ose fjalamanavç. Kështu për rastet e mësipërme, nëse nuk ndeshen të gatshme trajtat e tilla atëherë automatikisht, në realitetin tonë gjuhësor, improvizohen lehtë gjegjëset sipas modelit, si:

i(e) fjalamanavtë (fjalamanavç), i (e) përgojavtë (përgojavç),

i (e) qelavtë (qelavç), i(e) zhugavtë (zhugavç),

dhe kështu kjo zgjidhje vlen për të gjitha rastet.

Si shprehen përshkallëzimet e tilla në gjuhë të tjera ne nuk mund ta dimë, por për gjuhën tonë, kjo që e thamë del shumë e praktikueshme, ngase ravijëzimin e tillë e kemi të trashëguar dha gjallon, pa mëdyshje, në realitetin tonë ligjërimor.

Me sa kemi vërejtur, në ndonjë rast në toskërisht  (letrarishte e sotme)  koncepti i tillë , i shkallës më të lartë, qoftë te folja, qoftë te mbiemri a emri priret të shprehet me prapashtesën –OS (me prejardhje greke), si: zhubravit – zhubros, sklepav – sklepos, qelav/em – qeros/em etj., por dallimi i tillë përshkallëzues assesi nuk del i plotfkuptimshëm në profilim sikurse shprehet  me trajtat me –AV.

E gjashta, nga sa pamë te shembujt në serbisht, vërehet se nga seria e mbiemrave me kuptim kryesisht pejorativ të asaj gjuhe, ndahet një grup jo aq i madh i shembujve, me të cilët nuk shprehet kuptimësi pejorative, si:

hubav ose ubav - i kënaqshëm ose i bukur, zdrav - i shëndoshë a i shëndetshëm, , prav  - i drejtë,  žilav -muskuloz, pepeljav - i perhitur. gizdav  - i stolisur,. mirisav – aromatik ose  erëmues, blistav - i shkëlqyeshëm etj.,

ashtu siç ngjan edhe te disa emra me formantin –AV, në atë gjuhë, tipi ljubav (dashuri), pozdrav (përshëndetje), žerav (kalë), pojav (dukuri), rukav (mëng), narav (natyrë) etj.

Këtë fakt po e spikasim, sepse me sa kemi vënë re në shqipe assesi nuk del i përshtatshëm mbiemri ose e emri me më -AV, si barasvlerës ndaj shembujve të tillë të serbishtes, d.m.th., për ata që nuk shprehin kuptimësi pejorative, kështu b.f. për hubav ose ljubav (ljubak) thuhet i kënaqshëm, dashuri (i dashuruar) dhe kurrsesi i kënaqavtë!, dashuravë, i dashuravtë(!), e kështu me radhë. Është  krejt tjetër gjë, kur kemi të bëjmë me ngjyresa stilistike brenda shqipes.

E shtata, në kuadër të kësaj vistre mbiemrash të serbishtes vumë re se në afro 20 raste rekomandohet një shembull me konstrukt tjetër si më i parapëlqyer po me të njëjtën prapashtesë, tipi  blatav në vend blatinjav, manjiçav ndaj manjkav etj., me fjalë të tjera numri i tyre (mbiemrave me –AV) mbi këtë bazë, sipas këtij rekomandimi, priret të reduktohet, gjë që nuk mund të ndodhë në shqipe, për shembujt që dalin me elementin, -av, ngase koncepti i shprehur me –AV, i përket asaj natyre që zakonisht nuk mund të zëvendësohet me ndonjë konstrukt tjetër, sepse këtë punë e ka në dorë  pjesorja përkatëse si bazë mbështetëse dirigjuese.

E  teta, janë disa ose, me sa pamë, mbi 10 shembuj me  prapashtesën –AV, për të cilët  rekomandohet sinonimi barasvlerës me prapashtesë tjetër, si p.sh.

bodlikav – bodlikast, budalav – budalast, gizdav – ljubak, skrbav – skrbast, rundav – rundov, pljesnav – pljesniv, ljukav – boleshljiv, herav –razrok,  gnjidav – prezir, burbljav – bucmast, tupav – tupan, tvrdoglavac, sklizav – sklizak   halav –halapljiv, e ndonjë tjetër.

Gjithsesi mund të thuhet se formanti –AV në raste  të tilla konkurrohet për të njëjtin koncept nga prapashtesa e forma të tjera më të favorizuara në letrarishten e sotme të serbishtes, siç janë: prapashtesat e mësipërme -ast, -ov, -iv,  -ir, -an, -ak dhe të tjera, që në atë gjuhë madje dalin edhe më të specializuara, për ngjyresa ose nënfusha të caktuara kuptimore si:  -i?, -kast, -ar, -ac, -ski, –ast, -ok, dhe ky zëvendësim bëhet në mënyrë normale varësisht nga specializimi i nënfushës semantike që mbulojnë fjalët me prapashtesat përkatëse, nënfusha  këto që për prapashtesat e gjuhës shqipe e specializimin e tyre ende dalin çështje jo të trajtuara sa e si duhet, por sidoqoftë, sipas asaj që u konstatua më sipër mund të thuhet se numri i mbiemrave me –AV në serbishten letrare priret të reduktohet, gjë që në shqipe, kur kemi parasysh nënfushën e qartë të specifikuar që mbulojnë mbiemrat e tillë ose foljet me -AVË, një reduktim i tillë, hë për hë, nuk vjen në konsideratë, ngase në shqipe kuptimësia e mbiemrit ndërlidhet, siç u tha, jo vetëm me emrin, por gjithsesi me atë të foljes përkatëse prodhuese, gjë që në gjuhën serbe ka natyrë tjetër ndërndikuese.

Madje, po theksojmë e ritheksojmë në mënyrë të veçantë se në shqipe shembulli me formantin –AV nuk mund  të zëvendësohet me kontrukt tjetër prapashtesor, pa prekur në nënfushën ose ngjyrimin përkatës semantik.

E nënta, pra në gjuhën serbe raporti mbiemër më -AV ndaj foljes infinitivore me –a/VA-ti del me dallime sa i përket trajtëformimit dhe fjalëformimit, por ekziston edhe një ndarje tjetër, janë vërtet disa folje që nuk duket se formohen mbi këtë bazë, por disa të tjera po, sepse edhe formalisht disa duken e disa jo të formuara mbi bazë të mbiemrit më –AV.

a) Krahaso mbiemër / folje në serbisht:

Së pari, disa shembuj nga foljet “svršenog vida” (perfektive) që sipas formës, s’ka përkim mbiemër/infinitiv:

budav / budati, backav / backati, buktav / buktati, ?upav / ?upati, klizav / klizati,

lajav / lajati, gubav / gubati, gušav / gušiti, govnav / govniti etj

Së dyti, nga foljet “nesvršenog vida” (imperfektive) sipas formës ka përkime:

brašnjav / brašnjaviti, baljav / baljaviti, ?elav / ?elaviti, grbav / grbaviti,

kilav/ kilaviti, mršav/ mršaviti, ?orav/?oraviti etj

Sipas regjistrimit në burimet përkatëse që konsultuam numër më i madh i shembujve del sipas mënyrës së parë sesa të dytës.

Për të qenë edhe më e qartë çështja  në raportin  e dallim/përkimit serbisht-shqip, po i krahasojmë disa shembuj me barasvlersit përkastës në të dyja gjuhët:

b) Krahaso: mbiemër /folje në trajtën përfaqësuese serbisht e shqip

serbisht                        /                     shqip

‘’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’

?orav ?oraviti qorav-im          /        i qorravtë  me u qorravë (qorrav/em)

kilav kilaviti kilav/im             /        i killavtë  me u killavë (killav/em)

gušav gušiti guš/im                /         i gushavtë  me u gushavë (gushav/em)

Pra, siç po shihet mbiemri i serbishtes më –AV në rastet e mësipërme është formuar mbi një temë emërore, por ai mund të dalë edhe mbi një temë foljore e mbiemërore dhe anasjelltas, nga mbiemra të tillë mbi bazë të një mbiemri me –AV mund të formohen emra mbiemra e folje, ndërkaq  këtu, te shembujt tanë më sipër, në shqipe, del e mjaftueshme pjesorja e foljes përkatëse, ajo qëndron si bazë dirigjuese kuptimore e ndërtimore.

Sidoqoftë, siç po  shihet konkretisht, siç u tha,  si temë prodhuese të mbiemrit me –AV në serbishte  ka  shërbyer një emër: ?or, kilo, guša dhe kështu e ndeshim të përftuar mbiemrin përkatës: ?orav, kilav, gušav, madje po kjo trajtë mund të trajtohet formalisht edhe si morfemë foljeformuese e infinitivit të foljeve imperfektive: ?oraviti, kilaviti, gušiti a gušaviti ose e prezentit të dëftores të diatezës pësore: ?orav/im (se), kilav/im (se), gušav/im (se). Ndërkaq, në shqipe, po përsërisim, mbiemri shpjegohet ose nënkuptohet si i tillë gjithsesi si prejpjesor, edhe në qoftë se përftohet spontanisht pa pasur folje të përftuar më parë.

c) Krahaso barasvlersit (mbiemër e folje) të serbishtes

me ata  të gjuhës shqipe

Nga krahasimi ose zhvillimi i barasvlerësve të serbishtes me ata në gjuhën shqipe vërejmë:

Së pari, mbiemri i serbishtes ?orav nuk është identik me atë të shqipes, ngase në shqipe mbiemri i qorravtë del si mbiemër i paranyjëzuar dhe me prapashtesën –TË, i formuar, siç u tha, mbi bazë të temë-pjesores së foljes qorrav(ë) (me (u) qorravë) - i qorravtë.

Së dyti, vërejmë ndryshime te infinitivi, ndërsa në serbishte infinitivi formohet me mbaresën speciale –TI, siç janë edhe shembujt e mësipërm:  ?oraviti, kilaviti, gušiti, por  në disa raste edhe me  mbaresën ?i, si:  pe?i (nga pek-ti) - me pjekë,    stri?i  (nga strig-ti) - me qethë, në shqipe, paskajorja e mirëfilltë formohet me pjesëzën me + pjesore e shkurtër, siç janë shembujt e mësipërm: me (u) qorravë, me (u) killavë, me (u) gushavë, përkatësisht:  me pjekë, me qethë etj.

Në rastin konkret gjuha jonë popullore atavikisht ka shfrytëzuar formantin –AV(ë) si fundore foljore ose, më mire me thënë, pjesorja  me -AV(ë),  shërben si prapashtesë e mirëfilltë konsonantike dhe mbi bazë të saj, (pjesores së paskajores) dalin rrjedhojat përftuese.. Kështu mbi këtë bazë shpjegohet se është formuar mbiemri i paranyjzuar (i,e) -të, tipi i gushav, pra nga gushav(ë)- me (u) gushavë), sikurse: i pjektë ,  i  pjekur, nga: pjek(ë) me pjekë ose  i vendos, i vendosur,  nga vendos(ë) me vendosë, vendosur.

Gjithsesi mbi këtë bazë pjesoreje me –AVË shpjegohen edhe formimet e kategorive të tjera përkatëse si: emra (gushavë-a, të gushavët etj.), mbiemra (gushavç, gushavel, gushavec l etj), ndajfolje (gushavët, gushavur).

Në të vërtetë, në këtë dukuri vërejmë edhe dallime të tjera në raportin serbisht /shqip, si dhe njëfarë përkimi të prezentit të ndikativit të serbishtes me të tashmen e dëftores së shqipes, andaj krahaso edhe një here këto dallime e përkime që po i paraqitim në pikën vijuese. 

ç) Krahaso mbaresat eptimore

serbisht                                                             shqip

‘’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’’

1) Mbiemri   gušav                      -                          i gushavtë ,

2) Inf. gušaviti (gušiti)              -                         me u gushavë

3) Prezenti i dëftores  njëjës / shumës:

I.    Ja gušavim,  mi gušavimo           -             (unë) gushav, (ne)  gushavim

II.   Ti gušaviš,  vi gušavite                -             (ti)    gushav,  (ju)  gushavni

III   On gušavi ,  oni gušave              -             (ai)    gushav,  (ata) gushavin.

Vihet re se tema e formave të foljes në serbishte del me formantin –AV+I (gušAVI-), në të gjitha vetat, njëjës e shumës, formë e ngjashme me infinitivin pa -TI fundore të asaj gjuhe, veç shumësit veta e tretë, ndërsa në shqipe formanti –AV është konstant, megjithatë përkimet sipas parimit teknologjik nuk janë të përjashtueshme.

Sidoqoftë, dihet mirëfilli, se këto dy gjuhë, shqipja e serbishtja, me shekuj ishin në kontakt, në raporte ndërndikimi, siç janë edhe sot, andaj nuk përjashtohet e vërteta se ka pasur edhe ndërndikime gjuhësore, kjo ka ndodhur edhe në gjuhë të tjera, por siç po shihet rreth temës në shqyrtim, secila gjuhë (serbishtja e shqipja) ka shfrytëzuar natyrën e eptimit të vet. Edhe ky fakt vërteton se gjuha shqipe që para shekullit IX, si duket e kishte të formëzuar sistemin e vet foljor, ku bënte pjesë edhe  paskajorja me + pjesore e shkurtër, apo jo?

Natyrisht,  rreth raportit ndërndikues serbisht-shqip lidhur me formantin –AV e të tjera mbesin çështje të paprekura, por ne po mjaftohermi me kaq, për të vazhduar trajtimin e  kësaj teme për çështje brendapërbrenda shqipes.

3. Del, apo jo, i identifikuar formantI –AV në shembuj përkatës

në kuadër të fjalorëve tanë normativË?

Edhe pse është e vërtetë se prej se mbahet mend, ne, kemi të trashëguara fjalë me formantin –AV jo vetëm si infiks te emrat e mbiemrat e foljet, por edhe në funksion të prapashtesës së mirëfilltë foljeformuese, mirëpo që nga Gazulli e këndej  foljet e tilla i ndeshim edhe paksa të studiuara ose edhe të regjistruara, megjithatë në Gramatikën e Akademisë dhe  në burime të tjera relevante teorike normëzuese të gjuhës shqipe, me sa pamë nga konsultimi, nuk dilte asnjë shembull i favorizuar as në kategorinë e emrave as në atë të mbiemrave me formantin -AV,  por në fjalorët tanë normative; që konsultuam, duke filluar nga FGJSH 1954, FGJSSH 1980, FGJSH 2006 deri te Fjalori drejtshkrimot 2011, ndeshim mbiemra e emra, madje aq më tepër ndeshim edhe folje, edhe pse në numër jo aq të konsiderueshëm,  ku duket se del i implikuar  ky formant konglutinues prapashtesor si infiks, shembuj këta, që  jo të gjithë ceken edhe nga Xhuvani –Çabej,  por del edhe ndonjë rast i ri, të cilët  po përsëriten nga burimi në burim.

Sa për ilusrtrim ne do të mjaftohemi me paraqitjen e disa shembujve nga të dyja sistemet (emëror e foljor), që i volëm nga burimet përkatëse normëzuese:

a) Disa shembuj nga sistemi emëror (emra, mbiemra e ndajfolje):

1) më–ec: burravec e mburravec, grindavec, jargavec, ligavec, qyrravec, rroskavec, zhargavec. - 8 shembuj<

2) më –el: baltavel, bardhavel, jargavel, shurdhavel, karavel(e), shushavel, xarnavel,  zgarravel; garravel  -   9 raste;

3) më -ë : shushavë, përkavë, gujavë, mëzhdravë    -  4 shembuj

4) më –i:  kacavi, çarravi, palavi, garravi   -  4 shembuj;

5) më –inë: shkarravinë, gllavinë, zhargavinë   -  3 shembuj;

6) më -iq: shurraviq, shalavriq, kaçaviç; kakaviq, shkalqaviq, ndyraviq  -  6 shembuj;

7)   nguraf?t (v/f)  (ndajfolje)   -    1 rast.

b) Disa shembuj nga sistemi foljor që asociacionojnë:

1)) më –it: buhavit, çuknavit, davarit, gackavit, gojavit, hallavit, jargavit, seravit,  stavit, valavit, llagavit, ravit, shkumbavit, shkarravit, zhargavit,  koklavit, zbavit, shkoklavit, zhdavarit, zharavit,  zhubravit       -   21 shembuj

2)  –AT  e ndonjë tjeter: karav/at, kavatoj, palavoj, shkalav/iq, ballavesh, çaravesh, shkalav/esh, shkarrav/esh, kalav/ar/em, kacav/ar/em, kacav/irr/em, (!).     -   11 shembuj

Me thënë të drejtën, për foljet e thamë se infiksi –AV- asociacionon, ngase siç e kemi vënë re në serbishte në disa folje nuk pranohet –AV si infiks,  por trajta –VA (tipi dati – davati da-VA-ti, por edhe në shqipe të diskutueshme dalin disa shembuj të pikës  b) , sidomos rastet e nënpikës  2), si palAVOJ (me palavue) e ballAVESH (me ballaveshë) me fundoret  -avatoj, -avoj, a-vesh, -avar, por edhe  disa nga grupi i foljeve  -AVIT fundore përveç rasteve: gojAVIT (me gojavitë), jargAVIT (me jargavitë) dhe shkumbAVIT (me shkumbavitë), dalin të diskutueshme, ngase  ndërtimisht mund të zbërthehen ndryshe, sepse nuk kanë temë të qartë fjalëformuese motivuese.

Sidoqoftë, edhe me aq shembuj që janë të padiskutueshëm që njëherazi janë edhe obligues për përdorim pasi i ndeshim në burimet e standardizuara, dëshmohet se jo vetëm në sistemin emëror, siç trajtohen nga Xhuvani-Çabej, po edhe në sistemin foljor, formanti –AV del i identifikueshëm, edhe pse vetëm si konglutinat foljeformues.

Lexuesi i vëmensshëm ka mundur me vërejtë se nga prapashtesat  që ceken në punimin e Xhuvani –Çabejt, sipas shembujve në sistemin emëror, gjashtë të tilla dalin të pranishme në fjalorët tanë normative:.-AVEC, -AVEL, -AVË, -AVIQ, -AVI dhe –AVINË sepse me to janë shënuar disa shembuj (sipas tipit përkatës; burravec, baltavel, shushavë, shurraviq, kacavi, shkarravinë), por nuk dalin fare shembuj  të tri prapashtesave të tjera: -AVËT, -AVIK dhe –AVICË.

Me thënë të drejtën  nuk brengosemi fare për shembujt me –AVIK dhe -AVICË,  sepse nuk i rrinë fort natyrës së gjuhës shqipe, por për shembujt me  –AVËT po, duhet të brengosemi fort, ngase kemi të bëjmë me mbiemrat e nyjshëm të gjuhës shqipe me prapashtesën –TË, të tipit  prejpjesor i ngurravtë nga nguravë me u nguravë,  i hekuravtë  nga  hekuravë, me u hekuravë etj, të cilët assesi nuk mund të krahasohen kuptimisht me mbiemrat  e tipit  i (n)gurtë,  i hekurt  që formohen mbi tema emërore (gur, hekur).

Së këtejmi, pse nuk janë shënuar shembuj me  prapashtesën –AVËT e në përgjithësi  me formantin –AV  dhe sa ka ndikuar ose është keqkuptuar mendimi i Xhuvani- Çabejt me konstatimin se “mund të thuhet se prapashtesat tona –AVË dhe -AVËT  janë me prejardhje sllave te hartuesit e fjalorëve normative, është çështje që kërkon përgjigje dhe meriton trajtim të veçantë, sepse e quajmë të pamjaftueshme vërejtjen që bëmë ne më sipër lidhur me këtë.

Sidoqoftë, ne reduktimin e shembujve  me formantin –AV, në fjalorët tanë normativë nuk mund ta quajmë punë të mbarë, andaj edhe po e konsiderojmë silajthitje a si çështje të hapur, gjithsesi të diskutueshme.

Nga  materiali i vjelë si më sipër nga fjalorët tanë normative, për ne zgjuan interes  këto dy çështje, t’i quajmë pozitive.

E para,  trajta ndyraviq  (e bartur  nga punimi i Xhuvani –Çabej), zgjon interes, ngase për të parën here hasim  një mbiemër me –AV që del i formuar mbi pjesoren e rotacizuar  Pra,  nga pjesorja ndyrë del mbiemri i ndyrë, përkatësisht nga pjesorja  ndyravë(!), munden me dalë mbiemrat si i ndyravtë, ndyravec, ndyravel, pra edhe ndyraviq, siç është dhe shpjegohet i përftuar nga  ndyrav+iq.

E dyta,  zgjon interes gjithashtu edhe trajta  ngurafët, si ndafolje, ngase është trajtë e mbiemrit  i nguravtë, përkatësisht e pjesores  ngurav/ë+të (me nguravë), ku  V-ja e formantit –AV del e zbutur në F.

Pra, nga shembulli i parë doli i  identifikuar mbiemri me –AVËT, i përjashtuar në burimet e tjera mbi temë të pjesores së ish gegërishtes letrare, por mbi temë të pjesores së letrarishtes së sotme mbi bazë toskërishte dalka i legalizuar ky rast i rotacizuar (!), apo jo!?

Ndërkaq, nga shembulli i dytë nguravë/t identifikohet, dritë me diell,  pjesorja e foljes me prapashtesën –AVË  me nguravë, formë kjo ekzistuese, por që nuk del e shënuar në asnjë rast tjetër në ato burime.

Së këndejmi, siç është paralajmëruar në titullin e kësaj trajtese, dhe paksa siç vepruam nga pjesa e parë e punimit dhe në raport me disa barasvlerës foljorë  të serbishtes dhe madje  kalimthi e cekëm edhe në sqarimin tone më sipër për rastet ndyrav/iq  dhe  nguravë/t, ne në pjesën vijuese  do të sjellim edhe argumente në bazë të fakteve shkrimore  se formanti –AVë në realitetin tone gjuhësor, pa mëdyshje, del si prapashtesë e mirëfilltë foljeformuese, madje  e shënuar edhe në burime përkatëse leksikografike.

4.  Po në cilat burime leksikografike vërtetohet formanti

-AV(Ë)   si prapashtesë E mirëfilltë foljeformuese?

Për të vërtetuar se formanti –AV-, siç u pa më sipër, nuk del vetëm si rast i konglutinuar në formimin e emrave, të mbiemrave, si  dhe të foljeve me –av/IT,  -av-AT etj,  por, del, jo rastësisht,  edhe si prapashtesë e mirëfilltë foljeformuese, ne konsultuam tri burime leksikografike, ku me shembuj konkretë (dëshmi shkrimore), argumentohet ekzistimi i një dukurie të tillë në ligjërimet tona me cilësi e prirje mjaft të lartë të pakufizuar vepruese e prodhimtare.

a) Konstatime nga Fjalorthi i Abdullah Zymberit (1979)

Prof. Abdullah Zymberi në veprën Fjalorth i fjalëve të rralla, Rilindja, Prishtinë 1979, edhe më qartë se  D. N.. Gazulli, madje gjithsesi edhe se Xhuvani-Çabej e vë në spikamë përdorimin e formantit –AV në formimin e fjalëve të shqipes, qoftë si emra ose mbiemra, qoftë edhe si folje. Në këtë Fjalorth, të vlerësuar lart edhe nga prof. A. Kostallari, jo vetëm vërtetohen shembuj me -AV të cekur edhe në burime të tjera si:

bardhavel, pandravel, copavel, pacavel,  shkarravel, pastaj i cuklavt, i kaçarrelavt etj,

por dalin edhe shembuj të rij me prapashtesën –Ç:

marravç, pinlavç, pandlafç, shkalakavç, trenafç (f/v),

madje asociocionojnë edhe ndajfoljet: çaravesht dallavesht dhe mbiemrat  si:

i çaraveshun, i kaçarravun,

por për trajtesën tonë aq më tepër zgjoi interes fakti, se aty dalin të regjistruara nja dy folje karakteristike me prapashtesën e mirëfilltë –AVË: 

me u kaçarravë, me u lulsavë.

Këtë fakt po e theksojmë në mënyrë të veçantë, ngase është hera e pare, me sa dimë, që  studiuesi i caktuar t’i  identifikojë nga gjuha popullore foljet e tilla  me prapashtesën –AVË  dhe t’i shënojë në zëra të veçantë në fjalor, me të cilin pretendohet që fjalët e tilla të rralla të shtrihen edhe edhe në gjuhën letrare (standarde). Një veprim të tillë e quajmë të rëndësishëm sepse, si me thënë, në këtë mënyrë i është hequr velloja nga fytyra një dukurie të fshehur nën duvakun  e arkaikëzuar të ligjërimit popullor, realisht dukuri ekzistuese, por e pa vënë (!) ose  e privuar arbitrarisht, duke mos i dhënë prestigjin e duhur në kuaxdër të shqipen letrare kombëtare, apo jo?

Si duket edhe ky qëndrim guximtar për atë kohë i autorit mbase do të ketë ndikuar që të legalizohet, si me thënë, tëvënët re ose të  regjistruarët e foljeve të tilla atëherë, të cilat ishin lënë pas dore ose hezitohej rreth mbledhjes e vlerësimit të tyre nga disa vjelës të visarit popullor. Konkretisht, nuk dime sa ka ndikuar pozitivisht ky veprim i prof. A. Zymberit  te disa punonjës të Institutit Albanologjik të Prishtinës,  të cilët në fjalorin përkatës të tyre, siç do ta shohim  fill, kanë prezentuar një material të tillë, që ka të bëjë me temën tone, në numër më të konsiderueshëm.

b) Konstatime nga “Fjalor fjalësh e shprehjes popullore”

të IAP 1982 

Nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në vitin 1982, u botua vepra me titull Fjalor fjalësh e termash popullore, kryesisht i vjelë nga trevat shqipfolëse në ish-Jugosllavi. Gëzon fakti se lidhur me temën tone aty del i regjistruar një material relativsht më i bollshëm në krahasim me burimet e mëparshme.  Botuesi nuk e fsheh synimin, ngase sipas titullarit, këto fjalë të burimit atokton, pra edhe fjalët e  me –AV, do të jenë “sadopak një ndihmesë e mire, jo vetëm në fushën e kërkimeve dialektologjike, por edhe në atë të pasurimit e të freskimit të gjuhës sonë në përgjithësi”.

Sidoqoftë, siç do të shohim tani, disa shembuj me formantin –AV, që i ndeshim aty, edhe pse jo të gjithë, nuk i sjellin vetëm “pasurim e freskim gjuhës sonë në përgjithësi”,  por, kanë ose duhet ta lozin po atë efekt edhe për shqipen standarde në vaçanti, madje për temën tone bashkë me freski e kënaqësi ajo lëndë solli edhe mbështetje edhe ndihmesë trasimi për të arritur drejt cakut, sepse:

Së pari, aty, mbi bazë të temës prodhuese më –AV, ndeshim këta emra e mbiemra (prejpjesorë), të formuar konglutivisht me prapashtesat përkatëse si:

–EL:  bardhavel e bardhavele, bishtavel e bishtavele, garravel, panravel; zgatavell , zhavell;

-TË:   (i,e) buhavtë, i(e) gemavtë,i(e) gutavtë, i(e) gobavtë, i(e) hullavtë, i(e) krrubavtë,

i(e)  ujcavtë, i(e) leshavtë, i(e) nguravtë,  i(e) panlavtë, i(e) spihavtë, i(e) roshavtë,

i(e) zgjyravtë, i (e) zllagavtë, i(e) rrebaftë (v/f)      -   15 shembuj;

–C:     shushkavc, kalavanc, kakavac, pungavc;

-Ç:      grrivaç, garravaç, çakavç, moravç;

-INË:   shijavinë;

-IMË:  gjaravimë;

-AMË: daravamë, valavamë;

-I :        gjidavi, zhavi;

-ICË:    dunjavicë,  gravanicë, vajavicë, piskavicë;

-Ë:        agllavë, ngucavë, valavitë;

-INKË, -K(Ë):  stavinkë, gavkë, garrabaçkë, calavak, pavrak e ndonjë tjetër.

Së dyti: ndeshim këto folje, të cilat i ndamë në dy grupe: së pari, mbi bazë, konglutinuese dhe së dyti, me prapashtesë të parme të mirëfilltë: AV(Ë):

1. me fundore-prapashtesat përkatë si konglutinate:

-IT: buav-it/, baravit, rraxhav-it, shkarrav-it, palav/it, zavit/em;

-AT: llackavat, xhakavat, gravalat/em;

-ESH dallavesh, çaravesh, çallavesh;

-IS    kalaveshtis; zllavis, palavis;

-O/j: kavatoj,

2.  me prapashtesën e mirëfilltë AV(ë):

:brymav/et (me brymavë), buhav/em, (me u buhavë), bumav/et

(me u bumavë), tumhav/et (me tumkavë),    mushav/em

(me u mbushavë),  lulësav/em  (me u lulësavë)       6 shembuj..

Disa nga foljet e pikes 1. mund të shpjegohen alternativisht edhe mbi bazë tjetër, jo si folje me temë në –AV(ë),  por ne i përfshimë më tepër si asociacion për hir të fushës semantike që mbulojnë, ashtu si edhe foljet e mirëfillta me –AVË nga pika 2.

Sidoqoft, ne, për karakteristikat e veçanta që kanë dhe interesin që zgjojnë për temën toneë bollduam (nënvizuam) mbiemrat e paranyjëzuar, të tipit i leshavtë ( i(e) – të), 15 shembuj dhe foljet me –AV(ë), tipi  me u lulësavë  6 shembuj, sepse nga mbiemrat e tipit të tillë, dëshmohet pjesorja  e foljes me –AV/ë ndërsa nga grupi foljeve nënvizuam foljet  e pikes 2, ku  formanti –AVË, del në funksion të qartë foljeformues.

Natyrisht nevojiten edhe sqarime e plotësime të tjera, por ne, paralajmërojmë se konceptet lidhur me nënfushën semantike që mbulojnë foljet me –AVË, me siguri, do t’i kemi edhe më të qarta, pasi ta konsultojmë materialin përkatës nga fjalori i M. Elezit dhe nga ai i sjellë prej nesh nga realiteti ynë gjuhësor, si dëshmi individuale jona mbështetur në visarin konkret të përditshëm nga ligjërimet tona.

c) Kontatime nga Fjalori i M. Elezit (2006)

Në veprën e Mehmet Elezit, Fjalor i gjuhës shqipe, Tiranë 2006, edhe pse materiali i tillë as për së afërmi nuk është shterrues, formimet me formantin –AV, aty, megjithatë shikuar  nga të gjitha segmentet, pasqyrohen në mënyrë më reale se në çdo burim tjetër, edhe sa i  përket  shtrirjes së fjalëve me –AV si në sistemin emror, ashtu edhe në atë foljor, por ne, për mos me zgjatë punë do të përqëndrohemi vetëm në të shënuarit foljeve me prapashtesën e mirëfilltë –AV(Ë).

Së këtejmi, për të fituar idenë se si autori ka vepruar rreth regjistrimit të përftimeve të tilla, të trajtave përkatëse me formantin –AV(Ë), fillimisht po japim një shembull konkret tipik,. pikërisht shembullin e  pare të këtij tipi balushë-a  që e ndeshëm në Fjalorin e tij bashkë me rjedhojat ose me  tërë çerdhën fjalëformuese, si me thënë, paradigmore që dalin mbi bazë të këtij emri t; foljezuar.

Ç’është e vërteta, kuptimi i fjalës balushë-a në FGJSH 2006 i referohet fjalës balë-a, për kuptimin e së cilës është dhënë ky përkufizim:

pullë e bardhë në kokë të a në trup të kafshëve, balishë, baliskë, kafshë me pulla të tilla. (Aty f. 67.)

Po autori për fjalën balushë, përveç përkufizimit të mësipërm, jep edhe 8 kuptime të tjera polisemantike, por për ne, për temën tone, zgjojnë interes, siç u tha, vetëm fjalë-trajtat e përftuara mbi bazë foljore (prejpjesore) që jepen aty me formantin –AV.

Në të vërtetë, aty  mbi bazë të fjalës balushë me formant –AV(Ë) kategoritë përkatëse  kanë këtë zhvillim.

1) Folje: 1. kal. a) balushav (trajtë përfaqësuese, e tashme, veta e pare njëjës e dëftores)

b) balushava, (e kryer e thjeshtë, veta e pare njëjës e dëftores)

c) me balushavë (paskajore e mirëfilltë)

ç) shembull fig.: e balushavi keq.

2. vetv. a). u balushava, me u balushavë

pës. b) balushav/em

2) emra          a) balushavje (prejpjesor, emër veprimi, gjinia femërore),

b) të balushavët(!), të balushavtit ose të balushavurit(?) (prepjesor, gjinia

asnjanëse),

c) e baloshavta (emër abstrakt, gjinia femërore);

ç) i balushavti, (e balushavta) të balushavtit (të balushavtat) (emërzim

mbiemri);

d) balushavë-a (prepjesor pandajshtesor).

3) mbiemra   a)  i (e) balushavtë

b)  i (e) balushavur

4) ndajfolje: balushavë/t(?), balushavur(!)

Meqë në shembuj të tjerë të foljeve me prapashtesën –AV(Ë) ndeshim të përfshirë edhe emërzimet e mbiemrave të nyjëzuar me prapashtesën –T/i (tipi i balushavti, e balushavta), emri abstrakt, tipi e balushavta, përftimet në trajtën e asnjanësit të paranyjëzuar me TË (tipi të balushavët), trajtën e prejpjesorit pandajshtesor, tipi balushavë-a  si dhe atë të ndafoljes mbi këtë bazë (tipi balushavët), ne shënuam edhe këto pesë forma, pasi modeli lejon dhe mbase vetëm rastësisht mungonin pa u shënuar nga autori.

Sidoqoftë, ne, pa cekur shembujt me foljet më –avit, tipi gjall/av-it, me -avis, tipi arrgj/avis-em, dhe me –atë, tipi mbar/av-atë, si dhe emrat e mbiemrat e mundshëm, si: balushavel, balushavec,  balushaviq, balushavç  e të tjerë,  tipa këta me prapashtesat -el,-av/ec, av/iq, -ç etj. që më sa pamë nuk mungojnë në këtë burim ashtu si edhe ndajfoljet me formantin –AV, që i hasëm në veprën në fjalë, jo pse nuk paraqesin interes, por për hirë të përmasës  së një  trajtese si  kjo,  më poshtë po i shënojmë, siç e cekëm më sipër, vetëm foljet me prapashtesën e mirëfilltë –AV(Ë), që i ndeshëm në këtë burim.

Në të vërtetë, edhe pse aty ka raste të regjistruara vetëm në trajtën vetvetore ose  vetëm pësore, ne po i shënojmë më poshtë në trajtën e pjesores së paskajores së mirëfilltë, d.m.th. mund të lexohen shembujt  në trajtën përfaqësuese, tipi balushav  ose si paskajore, tipi me balushavë:.

balushav/ë, bërrylavë, bjeshkavë, breshkavë, brymavë, cangalavë, cikatavë, ckurravë, coftavë, cokatavë, cuklavë, curravë, çafaretavë, çaraveshavë, çekeravë, roçkavë, duglavë, andavë, gemavë, gërbavë, gungavë, gushavë, haparavë, hurpavë, kabloshavë, kaçarotavë, kalaboshavë, kalaveshavë, kataroshavë, kërthijavë, killavë, klluçavë, kokrrizavë, korubavë, krrutavë, kukavë, leshavë, lëkuravë, ligavë, lishavë, lulsavë, lyrthavë, lluçkavë, mbushavë metiavë, myjavë, ndelavë, ngridhavë, pandlavë, përvjeçavë, përlloçavë,  përqyrravë,  pështymavë,  piklavë,  prishavë,  pshurravë,  puçrravë,  pusavë,  qelavë,  qullavë,  rogavë,  rudavë, rrejkavë,  rrjepavë, rrudhavë, rrugavë, rrypavë,  spirravë, sturavë, sutavë, sykavë, shejavë, shulavë,  shpiravë, shytavë, tenjavë, terpiavë, trenavë, tulavë, tumhavë, ushlavë, xekrravë, zgueravë zgoravë , zhangavë, zhelavë, zhugavë, zhutavë.

Kështu në këtë burim ndeshim të regjistruar gjithsej 88 shembuj, folje këto me prapashtesën e mirëfilltë –AVË,  por nëse i shtojmë këtij numri me dhjeta shembuj mbiemrash  të paranyjëzuar, tipi: i ndyllavtë, pastaj edhe të atyre jo të paranyjëzuar më –EL, tipin gucavel , dhe prapashtesa të tjera,  ku si temë prodhuese e të cilëve nënkuptohet se shërben pa ndërdyzje pjesorja e  foljes përkatëse me –AV(Ë), ose po t’i shtojmë këtij numri së paku një ose dy trajta nga  tetë sosh, emra mbiemra ndajfolje si rrjedhoja prejpjesorësh, sipas modelit a zhvillimit fjalëformues që pamë te shembulli balushavë, atëherë numri i fjalëve me  prapashtesën –AVË, rritet me dhjeta herë, madje edhe më shumë që mund të kalojë disa herë  100-shin.

Në të vërtetë, për të dëshmuar faktin, siç e thamë më sipër se numri i fjalëve, madje edhe i foljeve me formantin –AV në këtë fjalor, as për së afërmi nuk del shterrues, ne i volëm e po i sjellim poashtu disa shembuj nga realiteti ynë gjuhësor, që pa dyshim është një pjesë e vogël nga thesari madhor ligjërimor i trevave tona që dëshmon se vërtet numri fjalëve të tilla potencialisht, varësisht  nga konteksti, del  me mundësi të pakufizuar shumimi.

ç)  Disa shembuj  foljesh nga realiteti ynë gjuhësor si dëshmi personale

Ja, pra, edhe disa shembuj aksiomativisht  dëshmues    padyshim  ndeshen    përdorim e sipër në realitetin tonë gjuhësor:

baglav/ë,  besheretavë, belbavë, beteravë,  biravë, bubrravë, budallavë,  trullakavë, çallavesshavë, çakllazavë, çatallavë, dredhavë, dreqavë, dushkavë, fëlliqavë,  futavë,  gabelavë,  galavë,  gropavë,  hekuravë,  hingirizavë,   ibretavë, hirravë,  hullavë,  kaladredhavë, lopavë, kokrravë, kopilavë, kryqavë, krupavë, krrylavë,  kurthavë,  përçudavë,  përdreqavë,  pështjellavë,  plancavë, pluhnavë,  pykavë, qenavë,  rreshkavë,  rriqnavë,  shalakavë, shkretavë, shkrolavë, terravë, truçavë, thadravë, vyshkavë, zgurdullavë, zhyllavë, etj.

Nga krejt këto që u parashtruam, dëshmohet katërçipërisht, se përkundër faktit se në gramatikat tona nuk pohohen folje me formantin –AV(Ë), si prapashtesë e mirëfilltë foljeformuese, ne realitetin tone gjuhësor një dukuri e tillë nuk mund të mohohet dot, ajo ekziston që nga thellësitë e kohës, por ne e argumemtuam të trashëguar edhe shkrimisht që nga fjalorthi i D. Nikollë Gazullit (1941), pastaj nga dy shembujt karakteristikë që dalin në Fjalorthin e A, Zymberit (1979): me u kaçarravë, me u lulësavë,, si dhe  nga  gjashtë shembujt që i ndeshëm në Fjaloriin e IAP-së,si:

(me) buhavë, (me) brumavë, (me) tumhavë,

(me) bumavë, (me) mushavë, (me) lulësavë

që me  temat e nënkuptueshme foljore të 15 mbiemrave prejfoljorë të nyjshëm me prapashtesën –TË, tipi,  i(e) gemavtë, atëherë, padyshim numri rasteve mbi bazë të foljes me --AVË fundore, kap shifren mbi 20 raste.

Ndërkaq  edhe më qartë dhe më bindshëm formimet e tilla u dëshmuan nga Fjalori i gjuhës shqipe i Mehmet Elezit (Tiranë 2006), jo me pak shembuj, të cilët bashkë me rastet që u sollën prej nesh nga realiteti ynë gjuhësor si dëshmi  aksiomativisht të padiskutueshme japin  për të kuptuar se numri tyre, varësisht nga konteksi, nuk mund të kufizohet në qinda raste, por vërtet, numri mund të jetë i pakufizuar.

  këtejmi, mund të thuhet se pasi çështja e kësaj dukurie del për të parën herë para  opinionit shqipfolës dhe në veçanti para studiuesve e standardologëve tanë si një pyll a një sinxhungël e pashkelur, por sigurisht si një pasuri e patundshme gjuhësore me vlerë të papakrahasueshme i takon gjuhës së natyrshme shqipe,  të cilët, jo vetëm duhet të ballafaqohen me një dukuri të tillë  brendagjuhësore të shqipes, ta vlerësojnë dhe ta zgjidhin si duhet, mbase me implementim të pjesshëm ose të plotë në letrarishten e sotme, apo jo?!

5. Pse ka mbetur e patrajtuar nga standardologët tanë

deri tashti një dukuri e tillë foljeformuese?

Natyrisht, jo vetëm  nga ndonjë studiues i huaj, por edhe nga njerëzit tanë, me habi,  mund të shtrohen pyetje:  Pse  ka mbetur e partrajtuar kjo temë nga standardologët e  gjuhës tsnë?  Pse ka ndodhur një zvarritje e trajtimit të kësaj dukurie nga shkenca jonë gjuhësore për një kohë kaq të gjatë, sidomos që prej vitetev të ’60-a  të shekullit të kaluar e deri sot, kur shqipja letrare kombëtare del mjaft e stabilizuar!?  Madje, aty nuk qenka fjala për një numër të vogël, por për me mija fjalë aktive shqipe që ende dalkan të patrajtuara ose aq më keq të pakonstatuara gramatikisht!? Në të vërtetë,  Në Gramatikën e Akademisë dalin të identifikuara mirë  9 prapshtesa foljore, ndërsa e patrajtuar gramatikisht nuk është vetëm kjo prapashtesë foljeformuese por janë edhe 18 të tjera. Së këtejmi del se gjuha shqipe ka në përdorim 28 prapashtesë të identifikuara foljeformuese. (Shih  N.V. Foljet me –O në gjuhën shqipe, Prishtinë 2002.)

Lidhur me këtë, rreth zvarritjes së trajtimit të kësaj lënde, mendojmë  se  është e drejtë  dhe e nevojshme, apo jo, të kërkohet përgjigje dhe përgjigjjen duhet ta japin pikërisht studiuesit e standardologët kompetentë, megjithatë ne supozojmë se përveç mungesës së konceptit, janë edhe nja  tre faktorë që e kanë ndikuar në zvarritjen  studimit të kësaj teme:

E para, mbase si shkak i një zvarritje të tillë ose mosnjohje të fakteve ka ndikuar një qëndrimi nga politika gjuhësore e marrë në vitet para e pas mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) të miratuar vullnetshëm nga studiuesit, kur me rastin e formëzimit të shqipes letrare mbi bazë të toskërishtes, qe përjashtuar komplet struktura foljore e ish-shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes, andaj sipas asaj logjike ligjërisht standardologët e studiuesit e kohës kishin për detyrë, jo të studionin prurjet nga gegërishtja, por vetëm ta propagandonin, por edhe ta arsyetonin (shkencërisht!) me tërë forcën e dijes, mjaftueshmërinë e sistemit foljor të toskërishtes, tani të konvertuar si  sistem foljor i  shqipes letrare kombëtare, i cili, sipas tyre ishte ose duhet të ishte i aftë plotësisht për të përfaqësuar denjësisht tërë sistemin foljor    gjuhës së natyrshme kombëtare shqipe pa lënë keq asgjë dhe së këtejmi u lanë nën hije ose u lanë jashtë standardit pa rrezatim e përkujdesje shkencore edhe disa vlera nga gegërishtja si paskajorja e disa të tjera e bashkë me to edhe kjo temë normalisht mbeti pa interes trajtimi deri tash, apo jo?!

E dyta, përveç atij qëndrimi, për mostrajtimin e kësaj teme do të ketë ndikuar edhe supozimi tjetër  si ai i Xhuvani –Çabejt, mbase edhe i keqkuptuar e i stërfryrë subjektivisht nga të tjerët, se formanti i tillë -AV, në fjalët shqipe ishte i huaj, kishte prejardhje sllave, andaj rastet e tilla  konsideroheshin, në mos pjellë e serbishtes, patjetër ishin përftime të shpifura nën ndikimin e asaj gjuhe, andaj  si të tilla ishte punë përçmuese ose as që ia vlente të humbej kohë rreth vlerësimit të rasteve të tilla, apo jo?!

E treta, mbase edhe nuk dihej nga studiuesit  kompetentë të asaj kohe për përmasat e shtrirjes së rasteve në fjalë në realitetin tonë gjuhësor, madje nuk dihej as për nënfushën e veçantë semantike që mbulohet me to, sepse para eksploruesve të visarit popullor ose para studiueve, edhe pse nuk janë fjalë të pista, edhe vetë dhënësit e marrësit e informacionit ashtu    edukuar me mësimet e kohës, kur seleksionoheshin  gjërat sipas udhëzimeve nga lart,  do të kenë hezituar me pyetë e me marrë nëpër gojë fjalë të tilla  të fushës pejorative, keqësuese, përçmuese, të cilat shprehen vetëm në çaste prekëse emocionuese që ndërlidhen me përshkallëzimin më të lartë të fushës kuptimore mospërfillëse. apo jo?!

Sidoqoftë, ndërkaq  pasi  raporti i shembujve  të shqipes me ata të serbishten u sqarua sadokudo, me ngjasimet dhe dallimet që nuk ishin të pakta,  sigurisht u vërtetua se nuk kemi të bëjmë me kopjime ose kalkëzime të vrazhda nga serbishtja, dhe pasi e pamë se edhe në  burimet e deritashme normëzuese, edhe pse lënda e tillë dilte  e reduktuar, megjithatë shembuj me këtë formant nuk mungonin, dhe sidomos veç gjuhës popullore folje me formantin e mirëfilltë –AV(ë), tash së voni gjithnjë e më tepër po dalin  edhe  në gjuhën e shkrimit ose në vepra leksikografike,  atëherë mbase edhe pa pritur  përgjigje,  pse  ka ndodhur një zvarritje e tillë lidhur me studimin e  kësaj dukurie  nga standardologët  kompetentë të gjuhës sonë, ne duke dashur të ndihmojmë që ky problem  të gjejë zgjidhje të përkapshme, marrim guxim që në vijim (në pjesën e fundit të këtij punimi) të shprehim opinionin  tonë.

6. Çfarë i imponohet shqipes së sotme dhe standardit

të saj lidhur me krijimet me formantin –AV(Ë)

Nga sa u trajtua deri këtu, gjithnjë duke pranuar të vërtetën se gjithçka nuk është thënë lidhur me këtë temë, madje as për shkaqet e zvarritjes së shqyrtimit të saj e të tjera, megjithatë ne  po e shfrytëzojmë rastin që ndonjë mendim a ide  konkrete tonën ta shprehim në vijim, me qëllim që  sadokudo t’u lehtësohet puna standardologëve tanë, të cilëve u takon që në kuadër të sistemit  përkatës  të shqipes sonë standarde ta sqarojnë e ta  zgjidhin  edhe  çështjen e foljeve me  formantit –AV sot, menjëherë, pa e lënë punën për nesër: 

E para, për mendimin tone, në këtë kontekst nga standardologët e sotëm, kërkohet  të pranohet e vërteta, se përjashtimi ose anashkalimi i sistemit foljor të gegërishtes me rastin e formëzimit të standardit në periudhën para e pas Kongresit të Drejtshkrimit 1972, gjithsesi ishte një veprim joshkencor dhe shumë me pasoja negative, ngase u zhvesh standardi nga prurjet nga dialekti me shtrirje më të gjerë relievore, i cili edhe e kishte njëfarë përvoje jo vetëm formale edhe si standard,  kështu me një veprim të tillë  mbeten jashtë standardi vlera të pakompensueshme të shqipes natyrore, siç ishte rasti i paskajores me + pjesore e vlera të tjera dhe si viktimë e një veprimi të tillë si duket  mund të  radhitet edhe mostrajtimi i deritashëm i foljeve më –AVË,  pasi që edhe kjo dukuri bën pjesë në karakteristikat themelore të dialektit gegë, prandaj si pike e pare shqipja e sotme zyrtare e standardi i saj patjetër duhet të pajisen me paskajoren e mirëfilltë, ngase e ka vendin e zbrazët dhe nga mungesa e saj kanë mbetur nënfusha të caktuara semantike pa u mbuluar kënaqshëm, madje edhe kjo analizë jona, po të përjashtohej paskajorja, do të dilte si një punë e gjymtë, apo jo?.

Së dyti, edhe pse çështja rreth foljeve me –AVË, ndoshta, mund të konsiderohet si një çështje minore, në krahasim me problemin e paskajores etj, megjithatë edhe për këtë lypset qasje e re e esëllt. Besoj se tashti është e kuptueshme për të gjithë njerëzit e pjekur që e duan shqipen të sforcuar dhe shqiptarinë më të bashkuar, se integrimi i paskajores dhe qasja e re  ndaj prurjeve nga dialekti i gegërishtes, pra tashti edhe vlerat e foljeve me -AV në standard, aspak nuk e lëndojnë letrarishten e sotme mbi bazë të toskërishtes, përkundrazi atë e shpëtojnë nga zvetnimi, nga drunjëzimi i mëtejshëm, dhe se atë bazë e bëjnë më të fortë, e bëjnë edhe më shqipe, edhe më kombëtare dhe aspak nuk e prekin keqas strukturën e saj si gjuhë zyrtare dhe njëherazi gegërishten me vlerat e saj, e cila është krahu i djathtëi shqipes natyrore, e shpëtojnë nga arkivimi i mëtejshëm arbitrar.

Së treti,  ka ngjarë çfarë ka ngjarë më përpara, keq e mire, mire e keq rreth formëzimit të shqipes zyrtare, s’kemi nevojë me hapë gjyqe për të gjykuar  apo  me shqiptue  qoftë  edhe përgjegjësi morale, kundër askujt për të kaluarën. Me këqyrë hollë e hollë është fatmirësi që tashmë e kemi një gjuhë të ravijëzuar standarde, e cila fatmirësisht ka mundësi me u bë edhe më aftë, duke u pajisur me fjalë e forma që nuk i ka, të cilat s’ka pse mos me i pranue nga  e ama e vet, shqipja e natyrshme,  pa e prishur fare kornizën vetjake. Në këtë kontekst, kurrsesi nuk duhet lejuar vazhdimi i injorimeve ose i keqinterpretimeve ndaj vlerave të shqipes natyrore të mbetura jashtë standardit. S’do mend, nga çdo dialekt, e folme, sociolekt a idiolekt duhet  përthithur vlerat dhe ato duhen integruar për ato nënfusha të veçanta semantike, ku del e nevojshme pa krijuar pasoja, siç është paskajorja, tashti  edhe foljet me –AV. Paranoja e krijuar me vite nga propaganda jo e bardhë ose për mungesë konceptesh ne mendjen e ndonjë fanatiku, qoftë edhe me emër standardologu se gjoja prurjet e reja të domosdoshme në normën e shqipes standarde e shkatërruakan atë dhe së andejmi norma e re u dashkërka rinisur nga gërmadhat, duhet shëruar. Mendjeve të tilla, u duhen doza jatrokimie, apo jo, le të vlerësohet. Fundja, nga përdorimi i paskajores në këtë punim, me çfarë e ku është damkavë standardi, përveç damkosjes së paranojës së ndonjë fanatiku, apo jo?!

Gjithkujt duhet t’i flejë në mendje e zemër se asnjë vlerë nga gjuha amë nuk e shkatërron standardin, por përkundrazi, atë e përplotëson, e bën më të aftë në aspektin e brendshëm dhe njëherazi e bën më të forte në luftën e konkurrencës ndaj sfidave që paraqiten e do të paraqiten nga globalizmi i sotëm dhe i nesërm botëror.

Së katërti, kur është fjala të foljet më –AVË, duhet pasur qëndrim serioz e qasje të qartë. Tashmë, pas kësaj paraqitjeje prej nesh e kemi mjaft të qartë, apo jo,  se prejardhja sllave e saj del  me rezerve të ligjshme, ndonëse raporti ndërndikues i këtyre dy gjuhëve nuk mohohet dot,  por shikuar në aspektin sinkronik, siç është cekur edhe më përpara, çështja e prejardhjes nuk paraqet kurrfarë pengese, kur është çështja e vlerave reale të ngulitura në kohë e hapësirë, ngase të gjitha gjuhët në konstakt edhe ato që sot konsiderohen si më të zhvilluarat në botë kanë pasur ndërndikime me gjuhë të tjera, madje edhe huazime fjalësh e formash me përqindje të lartë deri 7O-80% si anglishtja, turqishtja etj., andaj edhe raporti serbisht-shqip lypset vlerësuar nga pikëpamja e vlerave, jo nga emocionet e rastit.

Sido që të jetë, duke e lënë këtë çështje të hapur, theksojmë se nga materiali që e kemi në dispozicion në ndonjë rast shihet se ishte aktiv edhe ndikimi i shqipes, në ndonjë të folme të serbishtes. Pikërisht nga fjalë e shprehje të tilla të shqipes përmendet  fakti se në disa të folme sllavishtfolëse ka shtrirje pikërisht shprehja: ne ke?avi se, e cila sigurisht është  krijuar sipas shembullit të shqipes mos u keqav, që në letrarishten e sotme të gjuhës sonë shprehjes së tillë i përgjigjet sadopak barasvlerësi mos u keqos e në serbisht  ne ološavi se(!),  shprehje këto që i lejon modeli, por që nuk i ndeshim të shënuara në burimet përkatëse të asnjërës gjuhë.  Fundi i fundit nga materiali i ekspozuar në këtë punim kuptohet, se në aspektin sinkronik në shumicën e rasteve nuk kemi të të bëjmë fare me shprehje të një kulture gjuhësore të huaj, pasi shihet qartë se pothuajse të gjitha  rastet (fjalët e shprehjet) me –AV janë zhvillim i brendshëm i shqipes.

Së pesti, e thamë se lidhur me temën tone ndërndikime ka pasur, por nga një dukuri e tillë lidhur me fjalët më –AV në aspektin fjalëformues, shqipja ka epërsi.. Mjafton të krahasojmë fjalën boshtprodhuese fjalëformuese për shembujt me  –AV  që në serbishte është mbiemri i një tipi të veçantë, i cili siç e kemi vërejtur sadokudo del me kuptimësi e formë ndërtimore heterogjene,  në shqip del  folja (pjesorja)  po ashtu e një tipi të veçantë, por me  kuptimësi e formë ndërtimore homogjene. Dihet gjithashtu se folja  është koka kuptimore e fjalisë dhe pjesorja e saj, është vetë tipari themelor i strukturës fjalëformuese, ndërsa mbiemri, siç dihet në fjali (në të dyja gjuhët) nuk del si fjalë e mëvetësishme, apo jo?!. Pra, së këtejmi, vetë folja në gjuhën shqipe ndërtimisht e kuptimisht motivon dhe arsyeton dhe njëherazi mundëson, varësisht nga konteksti, si me thënë, prodhimin serik pa kufizim, të fjalëve të tilla (prejpjesorëve) të cilat atavikisht dalin të ravijëzuara që në kohë e hapësirë kahmot në kuadër të sistemit të gjuhës së natyrshme shqipe, madje përkundër anashkalimit a përjashtimit nga standardi, ato edhe sot, në realitetin tone gjuhësor, dalin shumë vepruese  e prodhimtare, sepse te fjalët e tilla:

E para,  dalin të qarta si prapashtesa –AV, si formant foljeformues, ashtu si edhe tema prodhuese  mbi bazë, emërore, mbiemërore ose foljore, si p.sh.:  qen-i  (qen+av – qenav me qenavë), i keq (keq +av keqav me keqavë), shkokloj me shkoklue (shkokl+av  shkoklav me shkoklavë).

E dyta, i motivon  nënfusha e qartë semantike me kuptimësi pejorative të shkallës më të lartë, konceptet e së cilës mbulohen  me fjalët e tilla.

E treta, i karakterizon modeli i qartë fjalëformues mbi bazë të pjesores, e cla me strukturën e vet paradigmore, automatikisht  pa mundim  improvizimi, mundëson formimin e fjalëve të reja  për fushën e caktuar semantike, pa kufizim shumimi.

Andaj, duke i pasur parasysh këto tri kritere, formantin e qartë foljeformues, temën e qartë prodhuese (emër, mbiemër, folje), fushën e qartë semantike si dhe modelin  fjalëformues  mbi bazë pjesoreje, që janë fakte të forta të pamohueshme motivuese, formohet bindja se pikërisht këto të vërteta garantojnë gjallimin e formime të tilla në të kaluarën , ashtu  njëherazi sigurojnë  edhe të ardhmen e  fjalëve të tilla,  me fomantin -AV në gjuhën shqipe, atëherë edhe teorikisht nga standardologët tanë duhet vlerësuar drejt kjo dukuri, duke u dhënë fjalëve të tilla vendin e merituar në sistem, duke i përcaktuar edhe sirregullat e nevojshme edhe në burimet tona teorike normative.

Së gjashti, sistemi foljor i gegërishtes dhe përgjithësisht ku bëjnë pjesë edhe përftimet  me –AV, siç i mendojmë ne, paraqitet, hë për hë, si  një minierë e pashfrytëzuar gjuhësore, ku disa margaritarë gjuhe vetëm  po shihen me sy e po kapen me dorë, si paskajorja e ndonjë tjetër, por ende lënda e tillë përgjithësisht nuk ka filluar së përpunuari në impiantet gramatikore, andaj nuk kemi as gjysmëfabrikate, madje ende nuk ka kaluar së studiuari as në në laboratorët e analizave të thella logjike e sociolinguistike, sipas fushave semantike, për të kaluar pastaj si prodhim final brenda  strukturat përkatëse legale ligjërimore. Prandaj duhet njohur e shfrytëzuar ky thesar, jo vetëm nga krjuesit e artit letrar, por edhe nga gazetarët, e mos të flasim për humoristët e komedishkruesit, por edhe për mësuesit  e për kënd jo, të cilët, sikurse edhe ne personalisht, deri më tash, i kanë ndrydhur në vetvete vlerat përkatëse të formimeve me –AV, duke kujtuar se  vërtet  fjalët e tilla,  pasi nuk i rekomandonte letrarishtje e sotme, duhej zhdukur ose duhej hedhur tej si një plaçkë e pavlerë a si një pjellë të keqe, të shpifur nga ndikimi i serbishtes etj.(!!!).

Së shtati, meqë foljet me prapashtesën –AVË dhe përgjithsësisht fjalët me këtë formant, dalin të privuara, jo vetëm nga prestigji, por faktikisht edhe nga e drejta përdorimit, qoftë për mungesë koncepti, qoftë nga  faktorë të tjerë, tashti, kur kanë ndryshuar raportet politiko-shoqërore, ngase edhe standardi nuk shihet njëanshëm më me sy shkurtpamës, atëherë në interes të pasurimit ose kompletimit të gjuhës sonë standarde edhe me prurje të domosdoshme nga gegërishtja,  edhe  foljet, përkatësish fjalët me formantin –AV jo vetëm duhen ofruar opinionit të gjerë, por edhe duhen ndihmuar e udhëzuar për shtrirjen e përdorimin e tyre sipas  kritereve të qëndrueshme e jo në mënyrë stikike.

Sigurisht, pas kësaj paraqitjeje prej nesh edhe ky problem duhet pare esëll dhe fjalët e tilla duhet shfrytëzuar në përdorim normal  si në gjuhën popullore, ku duhet dhënë prestigji,  por aq më tepër duhet ndihmuar për ta gjetur rrugën më të përshtatshme:

Së pari, në gjuhën e krijimtarisë poetike, siç ka bërë edhe poeti e intelektuali i mirënjohur Agim Gjakova, i cili në një poezi shprehet kështu:

haparaven (kokrrizat në rërë)… (Shih: Koha ditore dt. 19.08.’2002, f. 2.)

pse mos t’i shfrytëzojnë fjalët e tilla edhe të tjerët, në kontekste të caktruara, apo jo?!.

Së dyti,  madje pse mos ta përdorin këtë mënyrë shprehjesore gazetarët e humoristët,  përkthyesit, politikanët e kush jo,. kur kanë nevojë me shprehë nuanca të tilla kuptimore pejorative ose të ngjashme, andaj lidhur me  këtë marr guximin  me i improvizue nja tri raste, që nuk i quajmë model, por sprovë nismëtare, si b.f.

1)  Ja,  si e tregon fotografia momentin se si u mërrolav  N.N. me rastin kur u kritikau, por mjerisht nuk mujta  me kapë çastin me blic,  kur  u keqav edhe më shumë në surrat,  kur mori vesh se për atë punën e flliqaftë të tijj ishte hapur procedure e thikavtë penale…

2)  I thashë, o i shkretë, as mos u shtihav, as mos u belbav, por ec e thuaje të vërtetën qysh  e di, pa u tutë e pa u ngutavë, por ai,  frikavçi i pusavtë në vend se të vepronte  si i thashë,  e shkretavi krej:  u budallav e  u lopav  më zi se lopa që fle mbi bagla të veta, nuk qe i zoti me thënë as gjysmë të vërtetën. Kështu nga  friga, tucavçi i dreqit, se mos do t’i  hamerrrej ai fare qenavçi lehav e i turret  gjithkuj,  sa here e prekin kah podina, kah ai kulltuku  i butavtë,  që e ka zënë bythavçi i dreqnillavtë, në zyrën e shtetit dhe kështu ky shtihavçi ynë e lloçavi edhe më shumë veten, por më përlloçavi  edhe mua, shtihavçi i zanavtë…!

3) Me  iu sklepavë sytë dërlavecit  nuk është dëm i madh, pastrohen me ujë e sapun, po me iu sklepavë sytë e mendjes kaçarotavçit mendjeqykav që e mban veten dijetar, atëherë keqavet  e qykavet  krejt puna, sepse të shtrembnavtët e thuprave të mendjes  së tj tashmë të thadravta nuk  zbuten dot edhe me i shti  në ujëvale, ato tashmë  veç  therravin  e  me to, nuk mundet kush me thurë asgjë të mire.

Sigurisht ai që i ka fjalët e tilla me AV në sistemin e vet ligjërimor, edhe pse në gjuhën e shkrimit ende nuk i janë mësuar sytë me i pa,  ka mundësi  me improvizue  shembuj, madje  shumë më të goditur e më natyrshëm se këta që i bëmë ne. Ndërkaq ata që mbase i  kanë tretur nga sistemi ndërkohë, duke i dëgjuar dhe duke i pare me sy në të ardhmen, besoj se do të mësohen dhe do t’i përdorin, madje  më me vend se ne, sa here që stilistikisht u duhen.

Sidoqoftë, të gjitha këto dhe të tjera, që u përmenden prej nesh pa gjurmuar më thellë është dashur t’i dijnë e duhet t’i dijnë edhe sot e nesër standardologët tanë, në mënyrë që mos të bëhen gafe të tilla siç ka ngjarë në vitet para e pas Kongresit të Drejshkrimit, kur nga gramatika dhe fjalorët normativë u përjashtua en bloc pothuajse tërë sistemi foljor i gegërishtes, madje si rrjedhojë edhe shembujt me infiksin –AV u reduktuan shumë në fjalorët normative, ndërsa foljet me -AV u përjashtuan krejtësisht.(!!!?)

P ë r f u n d i m

Në fund na mbetet të rrumbullakësojmë me pak fjalë këtë vëzhgim tonin të analizuar në gjashtë pjesë, andaj edhe përfundimin nga kjo trajtesë po e përmbledhim po ashtu në gjashtë  pika:

1) Me sa dime formanti –AV si prapashtesë foljore edhe pse e trashëguar që nga thellësitë e kohës në gjuhës shqipe, teorikisht  identidfikohet si e tillë nga D. Nikollë Gazulli (1941), i cili e mbron mëvetësinë anase të saj. Pas tij  edhe studiuesit e mirënjohur Xhuvani –Çabej (1962), e dëshmojnë këtë formant në fjalët e sistemit emëror të shqipes, por vetëm si konglutinat në  8-9 variante, duke e konstatuar si prapashtesë vendëse po me prejardhje sllave, por pa u futur më thellë.

2)  Meqë formanti  –AV ndeshet edhe në gjuhën serbe raporti ndërndikues i shembujve në këto dy gjuhë u trajtua mjaft në hollësi në pjesën e dytë. Nga lënda e konsultuar nga fjalorët përkatës dygjuhësh, serbisht-shqip e anasjelltas, doli se, vërtet, ka fjalë e shprehje në të dyja  gjuhët me formantin –AV, ndërndikim ky që nuk mohohet, por.sa u përket fushave semantike që mbulojnë dhe nga pikëpamja e ndërtimit dhe e përfaqësimit të fjalëve të tilla  më shumë ka dallime se ngjasime, ngase në serbishte si fjalë bosht  në funksion të tillë del një tip mbiemri, ndërsa në shqipe del folje me prapashtesën e mirëfilltë –AV(Ë), Së këtejmi, nga kjo analizë fitohet përshtypja se në gjendjen aktuale, shumica e përftimet në shqipe janë zhvillime të brendshme të saj, ngase në asnjë kategori eptimi ose në finesa nuk kemi  kalkëzime të vrazhda, andaj edhe sa përket prejradhjes sllave të formantit –AV shprehet rezerë e ligjshme.

3) Sidoqoft, në periudhën e formëzimit të shqipes së sotme letrare, para e pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972) fjalët më –AV nuk u favorizuan, madje jo vetëm foljet me prapashtesën–AV(ë) nuk përfshihen fare, por as mbiemrat e paranyjëzuar me prapashtesëm -TË. të tipit  i ngurravtë, nuk përfshihen në fjalorët normative të shqipes letrare kombëtare të kësaj periudhe, megjithatë si infiks (konglutinat) formanti AV, del i  indentifikuat jo vetëm në shembuj të sistemit emëror, por edhe në sitemin foljor, sidomos  te foljet me  –AVITË fundore etj..

4)  Për të parën here foljet me parapashtesën –AVË, të cilat në ligjërimet tona popullore  kanë trashëgimi të kahershme përdorimi në kohë e hapësirë, si dëshmi shkrimore ne i kapëm nga Fjalorthi e prof. A. Zymberit (1979), dy raste, pastaj i ndeshëm në Fjalorin e e IAP-së 6 raste, ndërkaq  në Fjalorin e M. Elezit (2006) numri tyre arrin afro 90 shembuj dhe po aq e më shumë raste dalin nga gjuha e gjallë popullore, por edhe nga deshifrimi i prejpjesorëve përkatës si emra, mbiemra e ndajfolje, ku formanti –AV del si konglutinat.  Kështu  në realitetin tone gjuhësor  numri fjalëve, mbi bazë pjesoreje ose  si folje  të mirëfillta me prapashtesën  –AV, varësisht nga konteksti, del me mundësi të pakufizuar shumimi dhe nuk vihet në dyshim aktiviteti dhe prodhimtaria e tyre.

5) Në pyetjen pse ka ndodhur një zvarritje e tillë e studimit të një dukurie të tillë deri në ditët e sotme si përgjigje, përveç mungesës së koncepteve theksohen këto tri shkaqe si komponente:

a) Përjashtimi i sistemit foljor të gegërishtes, me rastin e formëzimit të shqipes letrare zyrtare mbi bazë të toskërishtes para e pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972),  sepse edhe foljet me –AVË janë karakteristikë e gegërishtes.

b) Keqkuptimi i konstatimit të Xhuvani- Çebejt mbi gjoja prejardhjen sllave të formantit –AV, e si rrejedhojë edhe fjalët me –AVË mund të jenë konsideruar si pjellë e serbishtes.

3. Mosnjohja e  fushës semantike që mbulojnë fjalët me –AV, përmasat e shtrirjes së tyre idhe mosnjohja e vlerave përkatëse të një dukurie të tillë.

Sidoqoftë, arsyetimet e tilla nuk mund të jenë justifikim i zvarritjes së mëtejshme e studimit të foljeve me –AVË, prandaj  edhe kjo pasuri e pashfrytëzuar duhet pare e vlerësuar në kuadër të shqipes standarde.

6) Së këtejmi, kur kemi parasysh shumësinë e fjalëve me këtë formant në përdorim e sipër dhe sidomos çerdhën fjalëformuese mbi bazë pjesoreje, imponohet e vërteta që  implementimi i foljeve me -AV në standardin e gjuhës shqipe del i obligueshëm dhe një  integrim të tillë e mbështesin dhe e lehtësojnë këto fakte:

E para,  dalin të qarta, si tema prodhuese  mbi bazë, emërore, mbiemërore ose foljore, si p.sh.: qen-i  (qen+av – qenav me qenavë), i keq (keq +av keqav me keqavë), shkokloj me shkoklue (shkokl+av  shkoklav me shkoklavë). ashtu edhe prapashtesa –AV, si parapashtesë e mëvetësihme foljeformuese,

E dyta, del  e qartë edhe nënfusha semantike me kuptimësi pejorative të shkallës më të lartë, konceptet e së cilës mbulohen në mënyrë më të plotë vetëm me fjalët e tilla.

E treta,  një dukuri të tillë e motivon modeli i qartë fjalëformues mbi bazë të pjesores, e cila me strukturën e vet paradigmore, automatiksisht  pa mundim improvizimi, mundëson formimin e fjalëve të reja  për fushën e caktuar semantike, pa kufizim shumimi.

Së këtejmi,  meqë  foljet me prapashtesën –AVË, për shkaqe të ndryshme, kanë qenë    privuara nga përdorimi letrar zyrtar, ne mendojmë se përdorimi i tyre sot e në perspektive duhet ndihmuar e udhëzuar, duke sugjeruar e yshtur, poetët. shkrimtarët, por edhe gazetarët, humoristët e komedishkruesit, mësuesit e  kënd jo, për mundësinë e shfrytëtimit të kësaj  pasurie gjuhësore..

Së fundi, duke qenëse fjalët me formantin –AV, edhe pse kryesisht si konglutinate, dalin të përfshira në fjalorin normëzues të shqipes,  si emra, mbiemrq, e sidomos folje me prapashtesën –IT , -AT, madje edhe –me O , –OS etj, në përdorim e sipër, që si të tilla nuk janë vetëm të rekomandueshme, por  janë  edhe obliguese me u përdorë në shqipen standarde, andaj një obligim i tillë vetvetiu kuptohet si rregull se duhet shtrirë, pse jo, edhe te foljet  me prapashtesën –AVË, të cilat deri tash ishin të panjohura (!) për standardin.

Gjithsesi kjo pasuri gjuhësore kombëtare duhet futur nën përkujdesje të gjuhës standarde, ngase  edhe me këtë element kompletohet  e sforcohet  në njëfarë mënyre standardi  i shqipes në luftën e konkurrencësnë raport  me gjuhët e huaja..



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora