Kulturë
Vullnet Mato: Shpulla e ëmbël
E enjte, 18.04.2013, 07:00 PM
SHPULLA E
ËMBËL
(Tregim nga libri i pergatiur per shtyp)
Nga Vullnet Mato
Sapo dola
në korridor nga dera e klasës së katërt A, ku kisha mbaruar orën e mësimdhënies,
më shkuan sytë befas te vendpushimi para kabinetit të biologjisë. Aty në
gjysmerrësirë, Ermali i së katërtës B tentoi atë çast të puthte me zor,
Luljetën dhe ajo e goditi me një shpullë rrëmbimthi. Kjo sjellje e pazakonshme
e tij, më la pak sekonda të menduar, madje edhe të tronditur. Sepse ai nxënës
ishte krijesa ime model, me të cilën kisha punuar veçmas katër vjet radhazi,
për ta formuar si njeri dinjitoz, nga i cili mund të merrnin shembull të gjithë
të tjerët.
E thirra
Ermalin te shkallët, ku u nis të vraponte dhe i thashë që në fund të orëve të
vinte patjetër të më takonte te kabineti im i letërsisë. Ai e kuptoi plotësisht
që e kisha parë veprimin e tij të mbrapsht me shoqen e klasës dhe u skuq, aq sa
nuk e deshi veten që kishte rënë padashur në lakun e syve të mi.
Qysh në
ditët e para të ardhjes së tij nga fshati i largët malor, unë e kisha zgjedhur
atë djalë të zgjuar, trupvogël, si një brumë njerëzor të pastër, për t’i dhënë
formën e një njeriu me intelekt të zhvilluar, me kulturë të bollshme letrare
dhe me edukatë të spikatur qytetare. Duke i ushqyer dijet e tij sistematikisht,
me libra nga biblioteka ime, duke e mbajtur pranë më këshilla, deri edhe duke i
dhuruar këpucët e mia të tepërta për këmbët e veshura keq. Më pas e kisha bërë
"koleg" për matematikën, ku ai shkëlqente, t’u shpjegonte problemat e
vështira nxënësve të klasës sime në kujdestari gjatë orëve të studimit. Në fund
të fundit, të gjitha këto i bëja, edhe për të matur veten time, se deri ku mund
të arrinin aftësitë dhe mundësitë e mia njeri - formuese, si mësues me përvojë njëzetvjeçare. Por gjesti i
tij i sotëm më la paksa të zhgënjyer për këtë segment të karakterit të tij të
panjohur prej meje. Sepse në drejtime të tjera, ai shquhej për mirë dhe ishte
bërë nxënës i dhjetës absolute në të gjitha lëndët.
U ndjeva
mjaft i befasuar prej tij, jo se unë isha aq strikt e pedant, sa të mos merrja
parasysh, se ai djalë, që tashmë kishte marrë pamje burrërore, me pushin e zi
në mjekër dhe me shtatin e hedhur djaloshar, nuk do të lakmonte vajzat, madje
edhe t’i puthte ato. Por kurrsesi të bëhej një dhunues femrash, si ai që më
kishin zënë sytë pak më parë.
Në fund
të orës së gjashtë Ermali më priste kokulur te banka e parë, përballë katedrës
dhe u ngrit në këmbë, sapo hyra në klasë. I thashë të ulej dhe mora karrigen
time u ula përballë tij. Dukej paksa i turpëruar, por pa ndryshuar ngjyrën në
atë fytyrën e njohur mirë prej meje, ku si në një ekran lexoja sesi
ravijëzoheshin në ngjyra dhe shprehje të mimikës, gjithë ndjenjat e tij. Më
erdhi ndërmend ajo fytyra e skuqur shumë nga turpi dhe pendimi, kur e kisha
qëlluar me shpullë, si të parin dhe të fundit rast në jetën time prej mësuesi.
Për shkak se kishte thyer xhamin e dritares së kabinetit të letërsisë, të
kompletuar me paratë e rrogës sime, për mungesë fondesh nga drejtoria e
shkollës. Mjedis, ku kisha krijuar të gjitha kushtet për të studiuar pasditeve
klasa ime në kujdestari me konviktorë të ardhur nga fshatrat. Ai jo vetëm më
kërkoi falje të sinqertë për atë dëmtim pa dashje, por edhe me pendim të
thellë, më qëndroi më afër se kurrë, me një dashuri, sikur të isha prindi i tij i vërtetë.
Në rastin
e pazakontë të sotëm, si fillim i hodha vetëm një vështrim serioz të pjerrtë.
Por ende pa arritur të hap gojën i pari, për ta akuzuar për sjelljen e tij të
padenjë, ai me nuhatjen e mprehtë se ku rrihte çekani i bisedës, nxitoi të më
thotë:
-Më keni
thënë prej kohësh, profesor, se sinqeriteti është e vetmja dhuratë që mund t’i
falim njëri-tjetrit dhe unë e kam pasur këtë, si të vetmin postulat në të
gjitha komunikimet e mia me ju...
-Këtë e
kam konstatuar me kohë, - e ndërpreva kënaqësish që ma kujtoi atë kërkesë, -
Prandaj dhe duhet të më flasësh sa më sinqerisht sot, pse ke filluar të bësh
akte të tilla rrugaçërie me vajzat e klasës? Aq më keq, me Luljetën, me atë
vajzë të urtë e të ndershme që nuk i pranon nga askush këto lloj sjelljesh?
Kur
dëgjoi fjalën ”E ndershme” ai formoi në fytyrë një nënqeshje të lehtë paksa
ironike.
- Më keni
kapur mat, profesor, dhe ju lutem të më falni, por jam i detyruar të flas fare
hapur, se nuk kam si të shpjegohem ndryshe. Unë Luljetën e kam dashur dhe kam
shkuar me të...
Shqeva
sytë mbi fytyrën e tij aq të qetë, sikur të kishte thënë thjeshtë, kam pirë një
kafe me atë vajzë.
-Si the,
more, ma thuaj edhe një herë?
-Kam
pasur marrëdhënie intime me dëshirën e saj...
Deri në
ato çaste, dija se Luljeta ishte vetëm shembulli më i qartë, që na jep natyra
me përsosjen e bukurisë femërore në moshën e adoleshencës, kur ajo piqet si e
tillë. Madje me një pamje aq ekspresive, sa ajo vajzë fshatare, edhe me një
fustan të thjeshtë, tregonte hire vajzërore, me të cilat mund t’i prishte
mendjen çdo djali. Dhe padashur m’u kujtua, viti i parë, kur me një mikun tim
që i binte organos, organizoja mbrëmje argëtimi me klasën time në kujdestari,
për t’i qytetëruar fëmijët fshatarë, Luljeta e turpëruar, i hiqte duart nga
supi i djalit, me të cilin kërkoja të mësonte vallëzimin në çift. Si ishte
munduar tani, ajo vajzë me këtë djalë që kisha para syve, kishin shkuar deri në
ekstremin fundor të formimit qytetar?!...
-Shkova
me Luljetën, pas një mbrëmjeje që bëmë deri vonë në konvikt, dhe ajo ma kërkoi
vetë. Duke më treguar edhe mendimin e shoqeve të saj, se ajo ndershmëri për të
cilën flitej shumë, ishte vetëm një xham akulli që duhej thyer, për të mos
penguar të dukej ana femërore e një vajze. Dhe unë, që e kisha vuajtur shumë
shpirtërisht thyerjen e xhamit të kabinetit, u stepa në fillim. Por duke
kuptuar dëshirën dhe vendosmërinë e saj, nuk mund të mos i përgjigjesha me
dashurinë time. Pastaj kur mbaruam, ajo më tha papritur, duke u përkulur për të
veshur të brendshmet:
- Nuk të
vij më. Kjo që bëra me ty sonte do të jetë e para dhe e fundit herë...
- Pse? -
e pyeta i çuditur në kulm.
- Nuk më
pëlqen ta bëj më këtë gjë.
-
- Meqë e
kishin bërë shoqet e ngushta, u bëra kurioze...
U mendova
pak, si mund ta bindja që të mos hiqte dorë nga unë.
- Do vish
se s’bën, se ti më do mua!- i thashë duke qenë i sigurt për këtë.
- Nuk të
dua kushedi se çfarë, kisha vetëm simpati për ty dhe kaq.
Më erdhi
shumë inat nga ato fjalë që nuk i prisja kurrsesi prej saj dhe u tregova
egoist:
- Do më
vish, se po nuk më erdhe, këtë që bëra sonte me ty, do ua tregoj të gjithë
shokëve të klasës...
Ajo ngriu
pak sekonda, duke më vështruar me habi, pastaj tha me një zemërim tepër të
madh:
-
U tërbova
nga ato fjalë të tmerrshme të dala nga goja e saj dhe menjëherë ia futa me
shpullë turinjve. Ajo më vështroi me sy të shqyer dhe pasi u bë spec e kuqe në
fytyrë, iku me vrap. Tani jo vetëm nuk më flet fare me gojë, po edhe ikën sa më
larg nga unë. Po me thënë të drejtën, profesor, tani sepse kam filluar ta dua
më shumë dhe i penduar për shpullën e asaj nate, që ishte një aksident i imi,
desha ta afroj me puthjen që pikasët ju. Por mesa duket, ajo sot mori hakën.
Dhe qoftë ashtu siç e kuptova unë, një shpullë e ëmbël, vetëm sa për
hakmarrje...
E dëgjova
Ermalin duke mbajtur frymën pezull nga habia dhe nuk gjeta frymë tjetër për të
ndërhyrë me këshilla të panevojshme në intimitetet e moshës së tyre. Duke
menduar se me ndryshimet e reja, që po u bënte koncepteve rinore faktori i
jashtëm formues, me gjithë mjetet e fuqishme të kohës, unë kisha dalë jashtë
lojës. Aq më tepër, atë çast ndjeva tamam, se tashmë, pak para mbarimit të
shkollës së mesme dhe marrjes së dëftesës së pjekurisë, ata ishin bërë
vetëveprues, sipas botëkuptimit të tyre për jetën dhe unë gjendesha veçse në
pozicionin e një spektatori. Megjithatë, edhe disa kohë më pas, një pikëçuditje
e madhe më qëndroi në mes të trurit, si huri i vetëm një gardhi të rrëzuar, ku
qengjat e dikurshëm kishin fluturuar.