E shtune, 27.04.2024, 10:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Pogoni: 28 nëntor 1939

E marte, 16.04.2013, 08:35 PM


28 nëntor 1939

Nga Bardhyl Pogoni

Kur gjëmoi topi i armikut në Durrës. Kur klithmat tona “armë, armë” u tretën në zhurmën e aeroplanëve që dukeshin në qiellin e Tiranës, ne mbetëm vetëm dhe qëndruam. Qëndruam se na mbante një shpirt i vetëm. Qëndruam në Durrës me kapter Mujon. Qëndruam në brigjet e Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit. Qëndruam të gjithë, vetëm, me pak armë. Qëndruam, gjersa ramë.

Menjëherë pamë dhe njohëm të gjithë. Njohëm tregëtarë flamujsh. Njohëm trimat e ballovet dhe të shampanjavet. Njohëm të shiturit, liparakët e çdo kohe. Përmbi të gjitha, njohëm shqiptarët e mirë. I pamë dhe i njohëm të gjithë. I pamë dhe flamujt e armikut mbi kryet tanë. Dëgjuam dhe këngët e tyre. Por qëndruam të gjallë. Qëndruam se na mbante një shpirt i vetëm. Na mbante flaka e Naimit. Na mbante qëndrimi i patundur i Safet Butkës. Na mbante Lumo Skëndua.

28 nëntor 1939

Dita e parë e Flamurit të Vlorës, në turp, në skllavëri. Atë ditë shqiptarët e shitur varrosën flamurin. Atë ditë zbriste nga shtiza e lartë Flamuri i madh i Skënderbeut. Shqiptar ai që zbret në pluhur Flamurin e Vlorës? Shqiptar ai që puth e ngre lart Flamurin e Liktorit? Ne pamë në atë puthje të dridhen ndërgjegjet. Ne pamë dhe në heshtje qamë.

Por dhamë një betim:

A do të varrosnim këtë ditë të përzierë me flamujt e këngët e armikut? A do të dëgjonim në heshtje profkat e tradhëtarve?  Jo! Jo, thanë të gjithë shqiptarët e mirë! Jo, doli fjala nga shtëpia e Lumo Skëndos dhe vesh më vesh në gjithë Shqipërinë! Jo, tha Safet Butka! Jo, tha Hysni Lepenica! Jo, gjëmuan malet dhe zëri i djalërisë tha: Jo!

Atëherë vendosëm. S’e lamë armikun të tallet me ne, të tallet me lirinë tonë. S’i lamë tradhëtarët të ngrinin kupat atë mbrëmje të qetë, të qeshur. Vendosëm t’i flasim turmës, t’i flasim armikut dhe t’i flasim tradhëtarve.

U nisëm të gjithë më të ngrysur.  Atje në sheshin Skënderbej, ku një mot më parë këndonim lirisht, u mblodhëm në heshtje.

- Le të ecim djema, le të ecim vëllezër – tha Safet Butka, - te varri i Naimit le të vemi!

Dhe ne të gjithë dëgjuam, dhe ne të gjithë kryet ulur u nisëm. Ramazan Jarani para dhe ne të gjithë pas.  Turma na pa dhe kuptoi.  Dëgjoi zërin tonë dhe të gjithë pas nesh, të gjithë me ne.

“Eja mblidhuni këtu!” – ja krisi kënga dhe asnjë nuk tha “përse?” Qe klithma e dhëmbjes së kombit, qe zëri i ndërgjegjes që kërkonte shpërthim, liri.  Armiku na pa, dëgjoi por s’lëvizi. Asgjë s’na ndante, ne ecnim të gjithë. Turma e bashkuar me një ideal të vetëm drejt varrit të Naimit. Atje larg, mbi një breg të vetmuar, u mblodhëm rreth. Flamurin me zhgabë e mbanim lart. Dhe vasha shtatëvjeçarë që ndoqi pas t’anë, Ramazan Jaranin, qëndronte zbathur, veshur me të  zeza. Vendosëm lule mbi varrin e ftohtë dhe, kryeulur, qamë. Qante në heshtje, Safet Butka! Qante në heshtje, Ramazan Jarani! Qanim të gjithë ne dhe vasha me të zeza qante...

Mbrëmja më të ngrysur.Dhe aty me frymën e perëndimit, me pëshpëritjen e gjetheve, me tingullin e fikur të një fyelli të largët, ne dëgjuam këngët e Naimit, ne ndjemë flakën të na ngrohë zemrat.

- Kurrë jo, vëllezër! – ngrihet Ramazan Jarani dhe flet: - Sonte kujtojmë me dhimbje Flamurin e Vlorës... Le të qëndrojmë të patundur, vëllezër, se shpesh u shkelëm, se shpesh ne pamë kuajt e ushtrive armike të pijnë ujët e Shkumbinit por, kurrë s’u përmbys shpirti i qëndresës, kurrë s’u shua flaka e lirisë! Edhe këtë herë, vëllëzër, do ta hedhim,  do ta hedhim!

Kështu foli Ramazan Jarani dhe aty ne bëmë betimin, te varri i Naimit, te varri i madh i kombit. Aty ne lidhëm bashkë: Varr, Turmë e Flamur! Aty ne u shkrimë, u bëmë një! Aty ne krijuam Ritin e Fesë së Kombit.

Klithmën  e  zjarrtë  s’e  mbante    as  varri  i  Naimit,  as  zemrat  tona.   Ne  donim  shpërthim. Shpërthim nëpër rrugët, shpërthim me këngë e britma, shpërthim me flamur përpara. Kërkonim që britmat tona t’i dëgjonin të gjithë, armiq dhe shqiptarë, të huaj dhe mbarë bota dhe i dëgjoi.

Ne u nisëm andej. Nga gjiri i vashave u shpalosën flamuj, flamuj të Vlorës. Ne i ndoqëm pas flamujt. I ndoqëm me këngë e britma gjer në qiell. Rrugët e Tiranës u tronditën. Rrugët e Tiranës u ringjallën. Dritare e ballkone u mbushën me flamuj të papritur. Shumë lagën me lot udhët e kalimit tonë. Shumë morën zemër dhe u vunë pas flamurit kryengritës. Asgjë s’e ndalte vrullin e klithmës sonë. Flakë u ndezën zemrat tona. E gjithë Tirana dëgjoi. E gjithë Tirana gjëmoi. E gjithë Tirana përzjeu zërin e vet me këngët tona.

Kënduam sa deshëm. Kënduam gjer në mesnatë.  I thamë armikut: “Jemi gjallë”! I thamë tradhëtarve: “Dridhuni”! Armiku gjithë natën hapi sytë. Tradhëtarët s’i la ndërgjegja e turmës të mbyllin sy. Atë natë kënduam lirisht. Lirisht mes bajonetash. Nuk kishte tradhëtar të ngrinte dorën. Nuk kishte armik të thonte: “ndal”! Qe flaka që djeg në sy, vrulli i këtij sulmit tonë. Qe shpirti shkëmb i djalërisë.

Atë natë ne kënduam me zjarr. Atë natë ne folëm me zjarr. Atë natë ne ndezëm një zjarr, zjarrin e shqiptarve të lirë. Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as “çlirimtarë” me yll...

Ky shkrim i kushtohet demostratës së zhvilluar në Tiranë nga nacionalistët shqiptarë, më 28 nëntor 1939. Botuar për herë të parë në gazetën “Flamuri”, organ i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, në Itali në vitin 1946.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora