| E marte, 16.04.2013, 08:35 PM |
28 nëntor
1939
Nga Bardhyl Pogoni
Kur
gjëmoi topi i armikut në Durrës. Kur klithmat tona “armë, armë” u tretën në
zhurmën e aeroplanëve që dukeshin në qiellin e Tiranës, ne mbetëm vetëm dhe
qëndruam. Qëndruam se na mbante një shpirt i vetëm. Qëndruam në Durrës me
kapter Mujon. Qëndruam në brigjet e Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit. Qëndruam
të gjithë, vetëm, me pak armë. Qëndruam, gjersa ramë.
Menjëherë
pamë dhe njohëm të gjithë. Njohëm tregëtarë flamujsh. Njohëm trimat e ballovet
dhe të shampanjavet. Njohëm të shiturit, liparakët e çdo kohe. Përmbi të
gjitha, njohëm shqiptarët e mirë. I pamë dhe i njohëm të gjithë. I pamë dhe
flamujt e armikut mbi kryet tanë. Dëgjuam dhe këngët e tyre. Por qëndruam të
gjallë. Qëndruam se na mbante një shpirt i vetëm. Na mbante flaka e Naimit. Na
mbante qëndrimi i patundur i Safet Butkës. Na mbante Lumo Skëndua.
28 nëntor
1939
Dita e
parë e Flamurit të Vlorës, në turp, në skllavëri. Atë ditë shqiptarët e shitur
varrosën flamurin. Atë ditë zbriste nga shtiza e lartë Flamuri i madh i
Skënderbeut. Shqiptar ai që zbret në pluhur Flamurin e Vlorës? Shqiptar ai që
puth e ngre lart Flamurin e Liktorit? Ne pamë në atë puthje të dridhen
ndërgjegjet. Ne pamë dhe në heshtje qamë.
Por dhamë
një betim:
A do të
varrosnim këtë ditë të përzierë me flamujt e këngët e armikut? A do të dëgjonim
në heshtje profkat e tradhëtarve? Jo!
Jo, thanë të gjithë shqiptarët e mirë! Jo, doli fjala nga shtëpia e Lumo
Skëndos dhe vesh më vesh në gjithë Shqipërinë! Jo, tha Safet Butka! Jo, tha
Hysni Lepenica! Jo, gjëmuan malet dhe zëri i djalërisë tha: Jo!
Atëherë
vendosëm. S’e lamë armikun të tallet me ne, të tallet me lirinë tonë. S’i lamë
tradhëtarët të ngrinin kupat atë mbrëmje të qetë, të qeshur. Vendosëm t’i
flasim turmës, t’i flasim armikut dhe t’i flasim tradhëtarve.
U nisëm
të gjithë më të ngrysur. Atje në sheshin
Skënderbej, ku një mot më parë këndonim lirisht, u mblodhëm në heshtje.
- Le të
ecim djema, le të ecim vëllezër – tha Safet Butka, - te varri i Naimit le të
vemi!
Dhe ne të
gjithë dëgjuam, dhe ne të gjithë kryet ulur u nisëm. Ramazan Jarani para dhe ne
të gjithë pas. Turma na pa dhe
kuptoi. Dëgjoi zërin tonë dhe të gjithë
pas nesh, të gjithë me ne.
“Eja
mblidhuni këtu!” – ja krisi kënga dhe asnjë nuk tha “përse?” Qe klithma e
dhëmbjes së kombit, qe zëri i ndërgjegjes që kërkonte shpërthim, liri. Armiku na pa, dëgjoi por s’lëvizi. Asgjë s’na
ndante, ne ecnim të gjithë. Turma e bashkuar me një ideal të vetëm drejt varrit
të Naimit. Atje larg, mbi një breg të vetmuar, u mblodhëm rreth. Flamurin me
zhgabë e mbanim lart. Dhe vasha shtatëvjeçarë që ndoqi pas t’anë, Ramazan
Jaranin, qëndronte zbathur, veshur me të
zeza. Vendosëm lule mbi varrin e ftohtë dhe, kryeulur, qamë. Qante në
heshtje, Safet Butka! Qante në heshtje, Ramazan Jarani! Qanim të gjithë ne dhe
vasha me të zeza qante...
Mbrëmja
më të ngrysur.Dhe aty me frymën e perëndimit, me pëshpëritjen e gjetheve, me
tingullin e fikur të një fyelli të largët, ne dëgjuam këngët e Naimit, ne
ndjemë flakën të na ngrohë zemrat.
- Kurrë
jo, vëllezër! – ngrihet Ramazan Jarani dhe flet: - Sonte kujtojmë me dhimbje
Flamurin e Vlorës... Le të qëndrojmë të patundur, vëllezër, se shpesh u
shkelëm, se shpesh ne pamë kuajt e ushtrive armike të pijnë ujët e Shkumbinit
por, kurrë s’u përmbys shpirti i qëndresës, kurrë s’u shua flaka e lirisë! Edhe
këtë herë, vëllëzër, do ta hedhim, do ta
hedhim!
Kështu
foli Ramazan Jarani dhe aty ne bëmë betimin, te varri i Naimit, te varri i madh
i kombit. Aty ne lidhëm bashkë: Varr, Turmë e Flamur! Aty ne u shkrimë, u bëmë një!
Aty ne krijuam Ritin e Fesë së Kombit.
Klithmën e
zjarrtë s’e mbante
më as varri
i Naimit, as
zemrat tona. Ne
donim shpërthim. Shpërthim nëpër
rrugët, shpërthim me këngë e britma, shpërthim me flamur përpara. Kërkonim që
britmat tona t’i dëgjonin të gjithë, armiq dhe shqiptarë, të huaj dhe mbarë
bota dhe i dëgjoi.
Ne u
nisëm andej. Nga gjiri i vashave u shpalosën flamuj, flamuj të Vlorës. Ne i
ndoqëm pas flamujt. I ndoqëm me këngë e britma gjer në qiell. Rrugët e Tiranës
u tronditën. Rrugët e Tiranës u ringjallën. Dritare e ballkone u mbushën me
flamuj të papritur. Shumë lagën me lot udhët e kalimit tonë. Shumë morën zemër
dhe u vunë pas flamurit kryengritës. Asgjë s’e ndalte vrullin e klithmës sonë.
Flakë u ndezën zemrat tona. E gjithë Tirana dëgjoi. E gjithë Tirana gjëmoi. E
gjithë Tirana përzjeu zërin e vet me këngët tona.
Kënduam
sa deshëm. Kënduam gjer në mesnatë. I
thamë armikut: “Jemi gjallë”! I thamë tradhëtarve: “Dridhuni”! Armiku gjithë
natën hapi sytë. Tradhëtarët s’i la ndërgjegja e turmës të mbyllin sy. Atë natë
kënduam lirisht. Lirisht mes bajonetash. Nuk kishte tradhëtar të ngrinte dorën.
Nuk kishte armik të thonte: “ndal”! Qe flaka që djeg në sy, vrulli i këtij
sulmit tonë. Qe shpirti shkëmb i djalërisë.
Atë natë ne kënduam me zjarr. Atë natë ne folëm me zjarr. Atë natë ne ndezëm një zjarr, zjarrin e shqiptarve të lirë. Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as “çlirimtarë” me yll...
Ky shkrim i kushtohet demostratës së zhvilluar në Tiranë nga nacionalistët shqiptarë, më 28 nëntor 1939. Botuar për herë të parë në gazetën “Flamuri”, organ i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, në Itali në vitin 1946.