Mendime
Dukagjin Hata: Poezia e poetit Ferik Ferra
E premte, 22.02.2013, 08:22 PM
Rreth poezisë së poetit Ferik Ferra
Trekohësia si zbulesë tronditëse poetike
Nga Dukagjin HATA
Mëtimi për t’iu qasur e aq më tëpër për të
depërtuar në shtresimet estetike të një poezie elitare, për të selektuar në
shumësinë e elementëve poetikë ato më përfaqësuesit, në thelb, i ngjet
përpjekjes së ankthshme për të deshifruar një ëndërr. Ky “kufizim” të rrethon
me hijen e tij të trishtë kur merr në dorë veprën poetike të Ferik Ferrës, një
nga individualitetet më të përveçme të poezisë sonë aktuale, një bard i sharmit
të përndezur të majave të etnopsikqikës iliriane. Në vargjet e tij të ndjerë e
plot temporitëm lirik, rroposet në honet e tingujve të gjuhës poetike një botë
transhendente, plot kumte bukurie virgjine e dritë-hije të magjishme. Që nga
vëllimi i parë poetik “Duke kapërcyer shekullin” e deri tek i fundit me titull
“Katër shekuj para Krishtit”, që sapo ka dalë në qarkullim, Ferra ndërton një
minibotë të tij, në të cilën mpleksen fort rrënjë historike dhe mitike të botës
shqiptare, fakte, impresione, gjurmë kujtese, zhvendosje në kohë dhe hapësirë
të imazheve dhe gjendjeve, për të nxjerrë më në pah kohën e tij dhe hapësirën e
etnisë kombëtare. Ferra është një lirik i ngrohtë, plot ritme jete dhe ngjyra
të përndezura, ku rrinë aq mirë dhe në simbiozë të plotë elemetët klasikë me
modernitetin poetik. Ai i ndërton imazhet në formë mozaiku, duke na dehur me
secilin gur të tij, por duke na dehur ende më shumë me të tërën e cila, duke
qenë e plotë dhe e begatë në pasurinë e tekstit dhe nëntekstit, na josh të
përjetojmë të njëjtën aventurë shpirtërore, si dhe poeti, para se t’i hidhte
gjendjet dhe impresionet e tij në letër.
Në tetë librat e tij me poezi, Ferra vizaton me
dorë të lirë peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i
zgjeruar rrathët e këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në
strofë, nga poezia në poezi, nga libri në libër, me një pasuri tronditëse
trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse. Nëse në librin e parë “Duke kapërcyer
shekullin” poeti rreket të integrojë preokupimet e tij dhe të brezit që
përfaqëson në raport me kombëtaren dhe globalen, tek “Dielli i vështirë” ka më
shumë përvoja vetjake që përthyhen e ridimensionohen në fiksacionin poetik.
“Nata e vdekjes së dytë” e thërret poetin në një udhëtim vertikal në
kohë-hapësirën e ëndrrës së kulluar”, ndërkohë që tek “Ëndrra e bregut tjetër”,
“peisazhi i fshehur”, me të cilin operon poeti bëhet më i tejdukshëm dhe
figuracioni më kompleks. Në dy vëllimet
e mëvonshme “Nata pa agim” dhe “Flautet e
dimrit”, rrathët e gjakimit poetik shkojnë drejt shtrirjeve të reja, kadencat
dhe ritmet poetike bëhen me kumbues, mesazhet më të fortë, dhe të gjitha këto
elementë tentojnë ta çojnë kumtin poetik drejt përmasave universale.
Tek “Pellgje dielli”, “uni” i gërshetuar me
moderentetin në struktura poetike postmoderniste, përcjell imazhe të qashtëra,
ku përthyhen konturet vezulluese të kredos së poetit. Këto “pellgje dielli” ku zhytet fiksacioni i
tij poetik ruajnë si në një herbarium lulet e thara të stinëve të shkuara,
krojet e fëmijërisë që “kullojnë gjak e hi”, “zambakët e perëndmit”, “qiellin e
fluturave” në “litarin e shekujve”, “duart e fshehura të qiellit” në “sidinë e
heshtjes”, “shigjetën e vijës së bardhë” që “zhduket nga sytë e dritës”. Në gjezdisjet e tij tutje –tëhu nëpër
botë, Ferra vështron tek metropolet gjigande të Perëndimit, si bie fjala në
Milano, jo strukturat arkitektonike dhe vizatimet në kohë të qytetërimit, me
metrotë, bankat, kafenetë luksoze dhe madhështëinë e institucioneve, por hiret
e femrave të bukura që vetëflirtojnë nëpërmjet xhamave të reklamave të dyqaneve
me veshje femërore, teksa “… zemrat ndiejnë ofshe e prekje/ syve të ndezura të shtratit/zbrazin
çmimet/xhepin e fshehur të dashurisë…”. (Vëllimi poetik “Pellgje dielli”,
Poezia “Metropol” fq 22).
Aktin e shenjtë të krijimit, që kur njeriu nis të
shkruajë për herë të parë dhe gjithë atë proces të gjatë e të vështirë
dhimbjeje e drite të lindjes, teksa e shoqëron poetin në rrugën e tij, Ferra i
paraqet me aq finesë dhe elegancë në triptikun poetik “Vajza e Parnasit”,
“Zana” dhe “Muza”, ku “germat e ndara t’qerpikëve/ yjet e syve çojnë/degë më
degë të qiellit/n’kopështin e mendjes së Hyut”. (Poezia “Muza” fq. 25).
Tek poezia “Çamiko” (kështu e quajnë grekët vallen
e njohur çame të Osman Takës), autori me një lirizëm rrënqethës, ku përzihen
nota epike dhe dramatike, na jep fuqinë shndërruese të artit të vërtetë, atë
triumf shpirtëror që i buronte trimit çam jo vetëm nga fuqia e idealit
kombëtar, por dhe nga eleganca dhe virtuoziteti i të hedhurit valle. Magjia e
valltarit, që bën kërcimin e fundit të jetës së tij, e shtang të bijën e
“komandantit të mordit”, siç e quan poeti ekzekutorin, duke e detyruar t’i
lutet të atit, që t’i falë jetën të dënuarit me varje.
Ferra është poet i kërkimit të magjijimeve, me të
cilat ka hasur në shtigjet e kohës dhe përvojës, në endjet e tij vetmitare si
lëvizje fizike, si percetim, si kujtesë, si fiksim, si arkeologji e trajtave
arkitipale të etnisë së tij. Ai është një bard i jehonave të mitit shqiptar, të
cilin e integron në epokën globale, duke i zhvendosur protagonistët e eopsit
ilirian, Mujin, Halilin, Tridhetë Agët, protagonistët e Jutbinës, me orët e
malit, zanat dhe ornamentet e një bote të qashtër, në kohën tonë, në etnitetin
ballkanik, evropian, në metroplet ku poeti lyp muzën e tij. Në hullinjtë e
Eposit të Kreshnikëve dhe sivëllezërve të tij, Ferra gjen përkime
transhendetale me psikologjinë e sjelljes dhe veprimit bashkëkohor, një
transhendencë polivalente, që i jep dorë për të sendërtuar projeksionet e tij
poetike: ”Lëshuar krahët zhurma/deri në thellësi të shekujve/trokamën e
Jutbinës bjen/gërryen në trokun/ e Mujit e të Tridhet Agëve/ shtrirë si gumenë/
për të rrëmbyer Evrenenë e bukur/miken e Halilit/deri këtu në kufijt e Tartarisë/ku
vajzat si drita/mbushin sheshet e trotuaret/me yjet e qiellit t’Dakisë”. (Poezia “Yjet e Dakisë”, fq.10).
Kulmin e këtij kërkimi marramendës, duket se Ferra
e arrin në vëllimin e tij më të fundit ”Katër shekuj para Krishtit””, ku në
lirizmin e hollë reflketiv mpleksen elementët më të mirë të traditës dhe
modernitetit, thellësitë e kërkimeve dhe zbulesave tronditëse, që na joshin të
bëhemi pjesë e mesazheve dhe nënteksteve të tij. Në poezitë e kësaj përmbledhje
vihet re ritheksimi i prirjes së kahershme të poetit, thellimi i orvajtjes për
të ndërtuar paralele në kohë dhe hapësirë, me anë të imazheve të gjalla, që
vijnë nga “kohë premordiale”, siç mund të thoshte Jung-u. Poeti e rizbulon
botën që e rethon nëpërmjet ëndrrës së kulluar dhe mitologjisë, duke u vendosur
me vetëdije pranë rrjedhës më të mirë të poezisë moderniste e postmoderniste
shqipe.
Nëse do të kërkonim një fjalë kyçe për të
përshkruar diskursin e Ferik Ferrës, veçanërisht në përmbledhjen e tij të
fundit me poezi, “Katër shekuj para Krishtit”, ku duket se ka një tendencë të
përshkallëzimit të ngjyrimeve dhe situatave poetike, ndoshta, fjala më e gjetur
do të ishte fjala “thellësi”, si një cilësi e tekstit dhe nënteksit, e asaj
bote të vizatuar me aq sharm, që duket sikur buron –nëse përdorim një shprehje
të Jungut- nga pavedtëija kolektive e shekujve. Ajo që konstaton Borges-i për
thellësinë, si një cilësi e errët dhe njëherësh e ndritshme e gjërave, do t’i
shkonte ndoshta aq për shtat Ferik Ferrës, endjeve të tij drejt të pamundurës,
në mirazhet në dukje më të çatrafilluara poetike. Themi në dukje, pasi në të
vërtetë, kjo endje është më se e vetëdijshme, është një kërkim në formë mozaiku
i poetit në vetë shpirtin e mitit dhe të historisë së kombit të tij.
Ferra e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj
të panjohur, duke sjellë hieroglife dhe shenja të tjera të lashta të botës
shqiptare, si mundësi potenciale të shtegtimit vijues të imazhit premordial. Ky
imazh, herë si figurë poetike, herë si vizatim i një gjendjeje preludi, që
gjithmonë ka një fillim të nënkuptuar, aty ku mbaron ëndrra, rrok në hapësirën
e vet një botë idilike, pagane, parakristiane, kristiane, moderne dhe globale,
në pikëkalimet e kohëve dhe të mesazheve që vijnë prej tyre, drejt një
shtegëtimi që shkon kah pafundësia.
Udhëtimi i poetit në kohë
“Hënën mbështetur në ballë/ deri poshtë thonjëve
pashi i flokut/futur në gështenjën e malit ngjyra/ku derdh qumështin e
lëkurës/Bukuroshja e Durrësit/mëndafshin e përgëdheljeve të jerëmta”, thotë
poeti në poezinë që pagëzon librin “Katër shekuj para Krishtit”, duke evokuar
preludin e bukurisë së amëshuar, që
Poezia e Ferrës është një endje në tezgjahun e
ndjesive të epërme, metafizike, një kërkim arkitipal në kujtesën e gjërave, në
atë “Kuti Pandore”, që ai e hap pak e nga pak, pas çdo poezie, për të na
pëcjellë figura, trajta strukturore dhe imazhe befasuese. Freskia dhe
sponaniteti i gjetjeve poetike, vëzhgimet e holla dhe fine, ambivalenca e
figurës dhe imazhit, kontrapunti etj., janë vetëm disa nga pamje të ajzbergut
poetik të Ferrës.
Trekohësia si element strukturor, konceptual dhe
funksional i ndërtimit të ligjerimit poetik, i jep dorë poetit për të zbuluar,
siç mund të thoshte Borges, “kujtesën e fjetur të botës”. Është kjo kujtesë,
qoftë si përvojë jetësore, qoftë si imazh, si kronikë apo si histori, shpesh
herë e mbetur si rudiment në pavetëdijen poetike, që e motivon poetin në
udhëtimin e tij trandenshent, duke ia përmbushur kënaqësinë e “flirtit” me
vetveten dhe gjërat që e rrethojnë. Përveç të kaluarës, të tashmes dhe të
ardhmes që gjallojnë në të njëjtën pikë në kurbën e trajektores së tij poetike,
ai vë në lëvizje dhe një kohë të katërt, kohën e ëndrrës së kulluar, me anë të
projeksioneve të fiksacionit poetik.
Ky vizion konturon një dimension real të botës
shqiptare, atë shtrirje hapësinore të pamatë, atë udhëtim historiografik që as
rrjedha e kohës, as kumtet e epokës së globalitetit, nuk e kanë zhbërë dot nga
ndjesia e epërme e percetimit të Ferrës, i cili shikon në këtë vektor të
harruar të vetëdijes së kombit të tij, iluzionet që marrin krahë dhe bëhen
flamuj dëshirimi në qiellin e paskaj të ëndërrimit.
Leximi i parë i Ferik Ferrës është një lexim
“gjeografik”, nëse mund ta quajmë kështu, ku poeti shpalos bredhjet e tij
fizkike dhe mentale. Por, siç e thamë më sipër, peizazhet e tij janë latente,
ndaj duhen dekodifikuar. Dhe autori na fton ta gjejmë “pasuordin”, mjafton të
jemi të vëmendshëm dhe t’i shkojmë pas në gjezdisjen e tij poetike.
Leximi i dytë është leximi nëntekstual, duke parë prapa gjendjeve
poetike, imazheve dhe figurave mbi të cilat ata ndërtohen nga poeti, për të
zbuluar atë shije të epërme shijimi, që na ofron një poezi kontemporane, me
rrënjë të forta në truallin e shqipeve.
Leximi i tretë është leximi reflektiv, i cili është
leximi i kritikut dhe studiuesit, për të depërtuar në skutat më të fshehta të
pavetdijes poetike të poetit, duke nxjerrë në dritë shtysat dhe rrjedhojat e
artit poetik elitar të Ferrës.
Lirika “imazhiniste” e Ferrës është një lirikë e
bukurisë së virgjër, e madhështisë së natyrës shqiptare, e përkimeve magjike të
kulturës shpirtërore ballkanike, një blatim që një shpirt i ndjeshëm, kumbues
si një harpë hyjnore, i bën tokës së tij. Ajo është një lirikë e ndjerë dhe
fine, e ndërtuar me një gjuhë të pasur, me figura befasuese, me një përkushtim
të epërm ndaj ritmeve, rimave të brendshme e kadencave poetike, lirikë e një
muzikaliteti tronditës.
Bronxi i kurbave të diellta
Poezi nga Ferik Ferra
Syri këputi mollën
Syri këputi mollën
në degën e parajsës.
Nën qerpikët e syve të Helenës
dhjetë vjet gjak e helm
mejdanëve të Trojës,
dredhi e shkrum deri në kthim.
Shtjellën e ernave të Ferrit
Paolo e Françeska përqafuar
përjetësisht përdredhin.
Qielli shtyn duart
për të rrëmbyer shpirtin e Ofelisë,
ishullin e vogël të luleve,
sipër valëve të lumit.
Një nënë në tokë,
gazi i buzëve të fëmijës, syni,
në gjirin e saj të fryrë qumështi,
ku pupilat e shekujve
ndritin rrjedhën.
Tiranë, 5 prill 2008
Gjuhë flakësh
Gjuhë flakësh
flakë në fundin e thesit të natës,
lëpijnë gjuhët siluetën bionde,
çantën mbi kompasin e fildishtë të kofshëve,
minifundi, abazhuri, varuar në bel,
ku fshihet flaka e dytë e natës,
trëndafilin në petalet e thonjve
e plagën e shegës së buzëve
që presin
mbi rrafshin anë rrugës.
Pranë
murana e një kohe të shkuar
fsheh një të dytën e hijes së tutorit,
mbi kokrrat e syve mbërthyer
kosën e rrezeve të hënës,
duke përgjuar padurimin e nisjes
të makinës së dytë,
për të lënë tek e fshehura në muranë
kartmonedhat e buta të dashurisë
në duart e nxira të natës.
Tiranë, 18 maj 2008
Nudo
Në punishten hyjnore
mjeshtri i jep dorën e fundit nudos,
butë, rrezet mbi sedefin e lëkurës,
qiell, pupilat në mozaikët e syve,
qershi, tuli i perlave që fshihen,
mëndafsh, valëzim floriri deri poshtë belit,
ku lodrojnë format e fryra të kurmit
e lidhin pulpat peshën e dashurisë.
Duke shtyrë lehtë brrylat e hapsirës
engjëjt
hapin dyert e studios hyjnore,
për të hyrë
daltat e penelat e shekujve të poezisë.
Tiranë, 10 qershor 2008
Petkun e Evës
Petkun e Evës
ngjeshin kurmet
e nimfave të plazhit,
bronxi i kurbave të diellta
gufmon dashuri.
Sy që hyjnë nën çadra
për t’u gdhirë në shezlone nimfash,
ëndrrat për “atë”
ngatërrojnë njëra tjetrën.
Çerdhe thurur me degët e erosit
ku çvishen ngjyrat e ylberit,
ngushtojnë duart
shtatin e Venerës,
ngatrrojë radhën
për ta nisur
edhe një herë nga e para.
Dhërmi, 8 shtator 2008
Këmbët e orëve të vogla
Këmbët e orëve të vogla
rëndojnë pushin e rrezeve të hënës
thërmuar në hapat e asfaltit.
Pafta yjesh
ngulur në këpucët e natës
ecin mbi kokën time,
hapësirave qiellore
e mbushin me prekje zbraztësinë.
Anëve të rrugës
me dryj e shula
dyer e qepena mbyllur,
ëndrrat e gjumit të tretë
në këputje meteorësh.
Hapur
vetëm dyqani i funeralit
“Parajsa” shpk,
ku vezullojnë zgavra arkivolesh
veshur me sfungjer e mëndafsh,
për ta ndierë më të butë vdekjen.
Kurora letre të ngrira trëndafilash
rreth tavolinës së nëpunësit të turnit,
me qafën e këputur
mbi pëllëmbën e gjumit,
që pret të përcjell
klientin e fundit.
Tiranë, 25 nëntor 2008
Ave Maria
Qielli humbi pjergullat e bardha
brymë rrezesh
mureve,
degëve,
rrugëve.
Sytë thyejnë kurbën e djelltë,
fragmentin e rrugës së përjetshme.
Fluturime të tejdukshme engjujsh
midis zërave të Ave Marisë.
Në krahun tjetër të qiellit
ka dy mijë vjet
që ka lindur Krishti.
Milano, 25 dhjetor 2008
Sograta
Plumbi i orëve të ditës
kullon kurbave ovale të Sogratës,
brumin e kafes
gërryer deri në mahnitje,
jetën e legjendës së përjetshme
të çdo shpirti.
Rrugëve përmes gurit e qiellit,
harqet e tokave të nxehta
e ylberë ngjyrash
të mozaikëve të thyer,
karvanit që nuk i prin vdekja
në hapësirat e gjeniut.
Barcelonë, 28 dhjetor 2008
Nina nana
Nina nana djepin t’përkund hana
rrezja e dritës mbi pallate e tbana,
jepi, o mal, hua petkun e borës,
jepi, o gji, ngadalë prekjen e dorës,
jepi, o diell, buzëqeshjen tande n’maja,
jepi, o lule, ngjyrë e erë ndër vllaja,
jepi, o zanë, çurkimin e bylbylit,
jepi, o qiell, në sy bishtin e yllit,
jepi, o pyll, të plotë shtatin e lisit,
jepi mendjen t’kthjellët si ujë burimi,
jepi nusen t’veshun n’petka florini,
jepi zemrën t’bardhë si shkuma e valës.
Ky asht, bir, në shpirt bekimi i nanës,
Tiranë, 28 shkurt 2009