Kulturë
Haki Kasumi: Kontribut për jetën dhe veprën...
E diele, 10.02.2013, 09:02 PM
Recension
KONTRIBUT PËR JETËN DHE VEPRËN E NJËRIT NGA ROMANCIERËT MË TË MIRË HISTORIKË
(Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, ”Sulejman Krasniqi, Veprimtaria atdhetare”, Prishtinë, 2012, fq. 334)
Nga Prof. dr. Haki Kasumi, Prishtinë
Libri më
i ri monografik i prof. dr. Sabile Keçmezi Basha i titulluar ”Sulejman
Krasniqi, Veprimtaria atdhetare”, Prishtinë, 2012, fq. 334, është botimi i radhës i studiueses dhe historianes
së njohur.
Përpjekja
serioze e autores për ndriçimin e figurës emblematike të një veprimtari të
veçantë të çështjes kombëtare shqiptare, të shkrimtarit më të përkushtuar të
romaneve historike shqiptare, të intelektualit me vrull dhe guxim të veçantë të
shprehjes së mendimit të drejtë për drejtë kur do herë dhe para çdo kujt, ose
si mund të quhet ndryshe të intelektuali me mendimin e tij kryengritës, është
një kontribut i rëndësishëm dhe i madh për historiografinë shqiptare dhe jo
vetëm për të.
Që në
fillim të këtij vështrimi duhet konstatuar se rëndësia e këtij studimi
monografik qëndron veç tjerash edhe në faktin se autorja prof. dr. Sabile
Keçmezi Basha ka arritur të hapë një tema të reja në historinë bashkëkohore
shqiptare, çështjen e presionit, vuajtjeve dhe të përndjekjeve të
intelektualëve të guximshëm shqiptarë të viseve që ndodheshin nën robërinë
serbe, duke paraqitur dhe trajtuar rastin karakteristik të Sulejman Krasniqit të
Hoçës së Vogël të Rahovecit, që vërtet nuk është i vetëmi, por njëri ndër shumë veprimet e tilla
institucionale antishqiptare të pushtetit okupues serbo- jugosllav, që përbënin
planet dhe projektet shtetërore të cilat kishin një qellim të vetëm qe intelektualëve
shqiptarë t`ua bënin të pamundur qëndrimin dhe jetën normale në Kosovë.
Hulumtimi dhe ndriçimi i kësaj forme të presioneve ndaj popullatës shqiptare,
nuk ka qenë deri me tash në masën e duhur çështje e interesimit të
institucioneve shkencore të vendit dhe as e individëve të fushave të ndryshme
të hulumtimit të dukurive të tilla antinjerëzore, gjë e cila nuk do të duhej të
ndodhte si doemos në këto vitet e pas çlirimit të Kosovës. Studiuesja e
pasionuar Prof. Dr. Sabile Keçmezi Basha ka bërë përpjekje serioze qe këtë
boshllëk ta plotësoj dhe zbusë me këtë libër monografik, të cilin sot po e
promovojmë në qendrën Komunale të vendlindjes së njeriut dhe atdhetarit i cili
u bëri ballë dhe i sfidoi ato veprime antinjerëzore dhe antishqiptare të një
pushteti të cilin bota demokratike e vlerësoj si pushteti më diktatorial dhe
shtypës në Evropën e pas Luftës së Dytë botërore. Ky libër kam bindjen se të
ushtroj ndikimin e tij pozitiv të studiuesit dhe të institucionet shtetërore të
Republikës së Kosovës dhe të hap horizonte për hulumtime, evidentime dhe
trajtime të shumë e shumë rasteve të ngjashme të presioneve, keqtrajtimeve,
burgosjeve, vrasjeve dhe detyrimeve për tu largua nga vendlindja dhe familja
edhe të shumë intelektualëve të tjerë shqiptar të viseve qe ndodheshin nën
robërinë e rëndë sllave, vetëm pse ishin shqiptar dhe nuk pajtoheshin me
regjimin dhe trajtimin antinjerëzor që u bëhej nga politika dhe pushtetarët
serb.
Nga
aspekti i metodologjisë së punës shkencore libri i prof. dr Sabile Keçmezi Basha,
“Sulejman Krasniqi- Veprimtaria atdhetare”, është një studim serioz dhe
interesant. Autorja në mënyrë të argumentuar paraqitet veprimtarinë atdhetare
të njërit ndër intelektualet e spikatur shqiptar të Kosovës i cili po reagonte
në mënyrën e vetë kundër robërisë së rëndë serbe.
Libri me
të drejtë nga autorja është ndarë në tri pjesë kryesore dhe në shumë tituj e
nëntituj, ku secili është më interesant se tjetri.
Në pjesën
e parë është shkruar për jetën rinore dhe formimin e personalitetit të veçantë
me un të fortë të një të riu shqiptar, i cili që herët fikson kërkesat dhe
veprimet e rrugës e cila çon në drejtim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar të
shqiptarëve. Janë interesante sjelljet, veprimet, orientimi dhe harmonizimi i
tyre nëpër të gjitha fazat e jetës se këtij atdhetari.
Pjesë e
rëndësishme e kësaj monografie është edhe pjesa e dytë e cila përbëhet nga
kujtime dhe kontribute të shumta të bashkëkohësve, bashkëpunëtorëve dhe miqve
të veprimtarit dhe shkrimtarit më të veçantë shqiptar. Të gjitha shkrimet e të
tjerëve për Sulejman Krasniqin janë interesante, reale , korrekte dhe
përshkohen me një admirim dhe përpjekje për ta prezantuar sa më objektivisht
dhe gjithanshëm portretin dhe veprimtarinë krijuese të njërit prej krijuesve të
letrave shqipe.
Në pjesën
e tretë dhe të fundit të kësaj monografie, autorja me të drejtë rreshton disa
nga faksimilet e dokumenteve të procesit gjyqësor kundër këtij patrioti dhe
veprimtari të devotshëm të çështjes shqiptare dhe një numër të fotove , të
gjitha këto me qellim të konkretizimit dhe argumentimit të një pjese të asaj që
është thënë për figurën dhe veprimtarinë e ndritshme të Sulejman Krasniqit.
Në fund,
kam bindjen e mbështetur në veprën në fjalë se autorja ka arritur të ofrojë një
studim të mirë me të cilin shumë lexues do të ndahen të kënaqur dhe do të
zgjerojnë njohuritë e tyre për të kaluarën e afërt, si dhe për disa nga
peripecitë e intelektualit dhe patriotit të veçantë shqiptar Sulejman
Krasniqit.