Kulturë
Istref Haxhillari: Ikja e Skënder Haskos
E premte, 08.02.2013, 09:34 PM
Ikja e
Skënder Haskos
Nga Istref Haxhillari
Ndahet
nga jeta një nga ata shumë të rrallët shkrimtarë, bij e mishërime të mirësisë,
saqë nuk do të përdhosja asgjë po të thosha “u nda sot nga vdekja”. Sepse
vdekje është kaherë zia e heshtja që rrinë mbi, nëpër dhe nën të ashtuquajturën
jetë letrare.
Skënder
Hasko bëhet pas kësaj nga ata njerëz që e kanë njëlloj të ndritshme edhe
praninë, edhe mungesën, dhe të cilët, për fat të keq, detyrojnë t’ua kujtosh të
mirat që kanë bërë vetëm pasi ikin së këtejmi.
E takova
shumë herë dhe komunikuam me telefon disa herë të tjera. Më befasoi para tre
vjetësh kur u pamë në një veprimtari letrare të revistës “Obelisk”. Para se të
hynim në sallë, më tha diçka lidhur me letërsinë e lënë pas dore, dhe ai kumt
m’u duk dyfish i hidhur ngaqë më vinte prej një shkrimtari që s’mund të kishte
hasmë, ziliqarë, shpifarakë e dështakë të çartur nga llogorja. Përndryshe,
“vishemi me rrobat e të vdekurve të huaj, mbathim këpucët e tyre…”
Është
bërë gati ves që, tek përshkruan vdekjen e dikujt me emër, autori të
legjitimojë tërthorazi dimensione që pandeh se nuk çmohen sa duhet. Mirëpo
rasti Skënder Hasko i dëbon vetiu të gjitha hamendjet, me atë pamje të
jashtëzakonshme mirësie, ku u ngujua e
vigjiloi për gjysmëshekulli me radhë, si te kryet e një shoqërie që as rron, as
vdes, por humb gjithsesi mëshirën e mirëkuptimin ndaj shpirtrave të zgjedhur.
Vështirë
t’i ketë njohur tjetërkush më mirë ato thellësi shpirti ku historia nuk është
veçse një lojë teatri, që rëndom mbyllet me gjak e gjëma, teksa duhet të
kulmojë vetëm me atë humor ku secili prej nesh, pavarësisht nga bindjet, kahet,
synimet etj, gjen tek tjetri, tek vëllai a sivëllai copëza nga fatkeqësia a
pafuqitë e veta fatnore.
Të
shkruash letërsi për fëmijë është iniciativa më e madhe dhe më e vështire për
një shkrimtar dhe Skënderi ishte pa dyshim mëshirimi i këtyre cilësive të
çmuara.
Ka poetë
e shkrimtarë që bëhen të tillë në kushte dhe rrethana të caktuara. Vepra e tyre
letrare është e kultivuar, pjesë e edukatës, lule e rritur në kushte
artificiale nëpër sera. Të tillë janë të shumtit. Këta jetojnë pak, vdesin
shpejt, harrohen shpejt.
Ka të
tjerë, fare të paktë që lindin të tillë, artin e të shkruarit e kanë nëpër
damarë, janë mëkuar me të, jetojnë me të, vdesin për të. Ngjajnë me lulet e
rritura në kushte natyrore. Ky lloj arti jeton gjatë, kapërcen vitet, mbetet
përherë i freskët.
Skënder
Hasko i përket grupit të dytë.
Ai është
artist i lindur.
Copëza të
shumta impresionesh, mbresa të afërta dhe të largëta, ngecur diku në thellësi
të kujtesës, vërshojnë nëpër veprën e tij letrare porsi virgjëresha të
paprekura nga dhuna e harresës nëpër vite. Burojnë natyrshëm nga shpirti i
etur, me larmi temash dhe stil origjinal, përjetime estetike, copëza bukurie të
spikatura.
Në qendër
të krijimtarisë letrare janë fëmijët, bota e tyre e mrekullueshme. Por është
edhe një tufë çaji, një degez ahishteje e blertë, një vashëz e bukur si dritë,
një burrë i fortë e i patundur si shkëmb. Shpirti i tij është univers gjigand i
pa shteruar kurrë. Meditimet rrjedhin vetë nëpër vezullime natyrore: ndjesi
pikante për dashurinë, bukuritë e jetës, magjinë e ndjenjës.
Librat e
tij të shtyjnë ta duash jetën, ta shijosh gjer në pikën e fundit, të kapesh me
thonj e dhëmbë pas çdo çasti. Ato trokasin fort mbi lëvozhgën e ashpër të
jetës, që na ik aq shpejt, si pa kuptuar
Në çdo
kohë.
...Dhe në
çdo moshë.
Bota e
brendshme e njeriut, parë nga këndvështrimi dhe eksplorimi i syrit të tij
meriton të respektohet. Një arkitekturë me dritare të mëdha për të parë dritën,
për të kapur trillet e ngjyrave dhe aromat e luleve, për të depërtuar në
thellësi të sentimentit njerëzor.
Sidomos
botës së fëmijëve.
Secila ka
melodinë e vet, mbresë që fikson momente të këndshme ose të hidhura, të
padukshme në vështrim të parë, por të endura me gjuhën e letërsisë të bëjnë për
vete, të futin në përjetimin e magjisë që ka mbërthyer autorin në atë çast.
Dhimbja e
Skënder Haskos vjen e freskët, me ngjyresa të llojllojshme, ku shfaqet shpirti
i këngëtarit, mbushur me prushin e përshkënditur, tjerrë me dhimbje e mall.
Ka
rrjedha e përrenj që mbushin lumenjtë dhe humbasin në detin e thellë të
kulturës, por ka edhe burime këngësh që krijojnë një lumë krijimtarie disi
ndryshe. Ai vadit arat e ndjenjave dhe ato të mendimit, të dashurisë e
urrejtjes, të asaj pjese të jetës që nuk duket por shprehet, që nuk preket por
lexohet.
Një lumë
të tillë ndjen, kur lexon Skënder Haskon.
Fjalët e
artistit të bëjnë ta duash atë kur lundron në brendësi, ta urresh kur të
përplas fuqishëm nëpër shpellat e
mendimit, të shijosh shushurimën e
rrjedhave në vorbullën e krijimit. Çdo tingull, qoftë edhe një gur i hedhur mbi
sipërfaqen e tij ka drithërimën e ndjenjës dhe
kthehet në varg.
Më duket
pleonazëm t’i mbyll këta rreshta me shprehjen “Të qoftë dheu i lehtë”, sepse
ai, me paqen që shpërndante, talentin e lindur, librat dhe mençurinë, me
njerzillëkun dhe shpirtin qelibar, ua
bëri më të pranueshëm ajrin të gjallëve, më të këndshme letrën e bardhë
germave, dhe më të lehtë dheun atyre që kanë ndërruar tashmë jetë, ose vdekje.
Skënder Hasko nuk ka nevojë për lavdi, lavdia ka nevojë për të.