Kulturë
Guxim Alimani: Ai quhet Azgan Haklaj
E premte, 08.02.2013, 08:42 PM
AI QUHET
AZGAN HAKLAJ…
Nga: GUXIM ALIMANI, përkthyes dhe publicist
Kushdo
patriot i sotëm mundohet të bëjë një udhëtim imagjinar, virtual rrugës së
Flamurit prej Taksimit të Largët të Imperatorisë Turke për të ardhur në Junik e
në Prizren, në Shkup e në Elbasan, në Durrës e në Myzeqe dhe për të sosur
turravrapin në Vlonë. Edhe virtualiteti nuk është pak sot pas një shekulli, se
më së fundi diçka ngelet prej tij: kujtimi. Se është e vështirë që ti njeri
sado patriot qofsh, ta përshkruash Udhën e Flamurit. Është kohë stresesh e
prekupacionesh që t’i dikton vetë bota e kapitalit që përjetojmë.
Mirëpo
gjithmonë si në shembujt që vijnë nga historia gjendet dikush që ka patur
kurajon të përshkruajë këtë udhë, jo thjesht si rrugëtar nostalgjik, por si një
aktor aktiv shumëdimensional.
Ai nuk
është një Sanço modern që pretendon të shembë dogana e bashkojë kufi.
Është një
burrë modest atdhetar, politikan e artist, me spikamë jo të vogël në analizë e
shkrim. Ka një emër të thjeshtë që vjen si huazim linguistik nga gjuha e
perandorisë së cilës 100 vite, më parë me zor ia shkoqëm këtë copë Shqipëri, së
cilës po i festojmë ditëlindjen.
Quhet
Azgan.
Azgan
Haklaj.
Këto
fjalë për këtë mik e shok, këtë demokrat e atdhetar që vjen prej vendlindjes
sime, që jo pak na bëri të krenohemi në histori, jo se si kam menduar edhe më
parë ti hedh në letër. Por rasti shpesh bëhet mbret.
Nuk dua
t’ja nënshtroj librit një analizë të detajshme, pse do të duhej shumë kohë dhe
jo pak fletë. Gjithësesi nuk mund të lë pa thënë dy fjalë aspak si kompliment
për këtë punë sa voluminoze aq dhe cilësore të Azganit se sa si një ndjesi prej
leximit të librit.
“Kombi
dhe Demokracia”, as si ide dhe as si titull, nuk janë qasje eskluzive të Azgan
Haklaj. Filozofë e historianë të çdo përkatësie etnike i janë qasur
sistematikisht termit “Komb” dhe “Demokraci”. Pra nuk është e lehtë të shkruash
për diçka që kahmot është ezauruar në stile dhe gjykime nga më të larmishmet.
Por Azgani në këtë trajtim na paraqitet me një origjinalitet që zor ta gjesh
tek autorë reputativë dhe të kultivuar.
Azgan
Haklaj akademizmin në këtë vepër ja jep lexuesit përmes një shkrirje
mjeshtërore të filozofisë dhe përjetimit.
Kur lexon
Azganin, edhe po nuk e njohe personalisht, me pak fantazi mund ta portretizosh
atë si tipik për idealizmin dhe karakterin e fortë.
Tek ai
shkrihet vullneti i luftëtarit e atdhedashësit me qasjen moderne filozofike.
Tek
Azgani nuk gjenden snobi dhe as dukja, por thjeshtësia e misionarit.
Ai në
vend të propagandës e të slloganeve ka vënë për gjykim vetë eksperiencën e
prekshme.
Kur flet
për Kosovën, Azgani ka prekur çdo cep të saj.
Ka pasur
në dorë kockat e Boletinit në Mitrovicë sikur dhe dëgjuar historinë e Shaban
Polluzhës në oden e tij drenicake.
Kur flet
për Preshevën përkundër situatës që mbretëron atje, ai vetë ka ngritur Flamurin
e Kombit në ballkonin e komunës, duke detyruar deri tek autoritetet sllavo-ruse
të protestojnë zyrtarisht.
Kur flet
për Çamërinë, Azgani është vetë në Qaf-Botë dhe mahnit mijërat e shikuesve tek
interpreton perlën e Osman Takës.
Natyrisht
nuk është e lehtë të shkelësh çdo pëllëmbë tokën e kombit dhe të lesh gjurmën
tënde, e cila sa më shumë kohë kalon aq më e pashlyeshme do të bëhet.
Më shumë
sharm e stil Azgani ka futur vizionin e tij për bashkimin kombëtar duke qënë sa
koherent e pragmatik, aq dhe i guximshëm e stoik.
Ai edhe
teorikisht edhe praktikisht nuk e sheh bashkimin kombëtar si një unifikim
terrenesh gjeografikë që janë në përkatësinë shekullore shqiptare.Kjo lloj
propaganda slloganore po shihet rëndomë sot edhe në grupime politike shqiptare
anembanë trojeve tona.
Azgan
Haklaj operon si misionar i një tjetër lloj bashkimi e unifikimi nacional: atij
shpirtëror, artistik e kulturor.
Natyrisht
ky bashkim s’është i lehtë e pa pengesa dhe këtu hyn vullneti i pashoq i
Azganit.
E kur
kryhet ky lloj bashkim nuk ka më as Zot të mund të ndërmjetësojë për ta
plasaritur sërish.
Duke
mbyllur këto pak rrjeshta, modest për një punë që i kalon kufijtë e të qënit
normale. Së pari, si shqiptar e pastaj si mik, krenohem edhe unë si mijëra
qeliza të këtij vendi e kombi me Azganin dhe me shpirt i bashkohem një kori jo
të vogël simpatizantësh të tij që zënë fill në Ibër për ta ndalë furinë në
Tempullin e Dodonës:
Faleminderit, Azgan!