E premte, 26.04.2024, 07:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Berisha: Agu e hap dritarën vetë

E shtune, 05.01.2013, 12:29 PM


Në kuadër të kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë Drejtorati për Kulturë i Komunës së dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës organizuan dhe mbajten Manifestimin Letrar “Peja poetike”, me ç’rast u bë edhe promovimi i katër veprave të shkrimtarit, gjuhëtarit dhe studiuesit Ali R. Berisha: Vëllimin me poezi: Agu e hap dritarën vetë,   librin me tregime “Hijet e flladitshme të diellit”, Aforizma nga autorë shqiptarë - vëll. 4 – në bashkautorësi me Luz Përnokajn dhe monografine për shfaqjen dramatike “Trimi i mirë me shokë shumë” në bashkautorësi me Sylë Osmanajn. Kësaj radhe po botojme një cikël poezish nga vepra e përmendur.

AGU E HAP DRITAREN VETË

ALI R. BERISHA

LUMIT I KAM RËNË NË GJUNJË

E shikoj lumin.

Nga vala
Do t’i kërkoj
Ta ketë veten në dorë

M’u kujtua edhe njeriu.

AUTOGRAFI PËR LUMIN

Kur lumi është yni
lisat e kanë hijen më të mirë
e peshku i tij mishin më të shijshëm
e hijet rreth tij kanë shumë dashuri
e gurgullimat e tij rrëzohen e çohen

e ai lumë nuk ndien lodhje
është i gëzuar sikur të rridhte përpjetë

kur lumi është yni
s’ndjen kurrë lodhje
s’ndjen kurrë gjumë

e lumi e rrjedh kohën
që ta harxhojë sa më mirë

kur lumi është yni
poeti i këndon këngët më të mira

Cila është vasha që dashurinë në ty e ka mbytur
cili është trimi që në ty ka vjedhur shkathtësinë

O, cila është jeta më e bukur që vala jote e ka shuar
O, cila është jeta më e bukur që vala jote e ka jetësuar
O, cila është dashuria më e dashur
që vala jote e ka nusëruar

Kam dëgjuar se lumi ka një nusebukur!

DRITAT JANË TË NDEZURA

Në cep të tavolinës u vu zemra
e nxjerrë nga kraharori
garantuan se nuk do të rrëzohet
aromë barërash
shkëlqim aparaturash
bardhësia nuk i garanton shpresës
ekspertët kanë kaluar me punë
në sektorin e pastërtisë

fabrika punon non-stop
nën regjimin e rregullit të kurdisur

aparatet kanë ndalur frymën
që të mos rëndohet ajri

e gjakun për ta ndërruar
të ngrohur nëpër damarë deri në
45 shkallë
rrezik nuk ka

fabrikat tashmë
kanë siguruar prodhimin në turbotrans

studentëve u ligjërohet
për epokën e tavolinave
janë siguruar ligjërues të rinj
të zverdhur nga seksi

Po përfundon ndërresa e pestë
mjekët shikojnë nëpër dritare
se kur do të agojë
për t’i fikur dritat.

PËRFYTYRIM

S’ka hënë, s’ka bulktha
S’ka fërfëllimë pylli,
S’ka valëzim liqeni,
As ngricë, as krahnezë
S’ka gjethe, lule, kamomile,
S’ka aromë fare

Kam veten time
Mëngjesin
Një tjetër

S’më hahet
S’më pihet
Tym duhani nxjerr nga gryka
Gogësij nga të pirat e ndryshme
Lemzoj thartinë
Qyrroj kërhamë pagjumësie
Jargoj pështymë me duhmë kafeje

Kjo vetja ime e paasditur
Dëshiron ta pyes diçka
Mëngjesin
“Cili ishte ai
që i pari shkroi ditar?

A ka qenë ai i pari, edhe
që ka pirë alkool?
I pari që ka pirë edhe
kafenë pa sheqer?

A ka qenë ai i pari
që ka zbuluar një kthinë koke
si kjo imja?”
Ai ka qenë sigurisht i marrë

Po më merret fryma
Përpiqem të bëhem i durueshëm
I qetë – që të më thonë;
“Po na vjen gjynah prej tij!”

Ndryshe do të më shajnë
Tash nuk jam në natë - se ajo iku
as në mëngjes - ai u zhduk
as në ditë - se s'ka qejf sytë me m’i pa!

Ia kam marrë inat natës
-Kurrë mos ardhtë!
Kam dëshirë ta shoh qiriun që ndizet
Për t’u tretur
-Kurrë mos ardhtë!
Se jam duke pritur …
As vetë s’e di se çka

Sot
Do të ëndërroj atë
Që nuk kam kurrë për ta gjetur

Ngre dorën
Të rëndë si guri
Për të gjetur ndonjë hije
Nuk e gjej … e kërkoj me dy gishta
Më del figura e spathit
Pulqeri më ka mbetur

Në ciflën e gotës
Të voglin e shkela

Me këmbën e karriges kur u ktheva nga ËC-ja
Gjumi më ndjek për të më nxjerrë brenda

Filloj dhe e shaj
Diçka që s’e shoh
E që ikën nga unë si nga zogu i dreqit.

VARGU LINDI NË PRANVERË

Kur lindi vargu
Ishte pranverë

Kur vetëm dheu
Ishte sy shpirti
E nga qielli
Rigonte vetëm shi

Anash vinte diç
S’i dihej emri
Nuk ndalej kund
Hynte te poeti
E zinte aty
Vendin e vargut

Ishte pranverë
Kur mbushej spic
Vendi i lindjes
Ishte pranverë
Kur leu vargu

Ishte pranverë
Kur nga thellësia
E qiellit blu
Ra dashuria
E i ra poetit
I rëndë si shkëmb

Ishte pranverë
Kur lindi vargu.

RRËNJË LISI

Lisi qëndron krenar mbi hijen e vet
krenohet edhe hija me freskun e vet

lisi  i madh rri lart, shikon përpjetë
hijen e tij e mbarojnë me dorë gjethet

ai që e pret të dashurën nën lis nuk ka hije
ai nuk ka gjethe e as lisin e gjetheve.

Atje  janë lisi, gjethet, hija dhe ai që
rri nën lis  për ta pritur hijen.

DUROJNË SYTË

Më bëhet se po vjen ai …
Ik! Ndërro rrugë!
Se nuk mund(esh) ta shoh(im)

Syrin me lot
Sytë zor e durojnë

Syrit me rrudhje
Sytë i ruhen

Syrit të përgjakur
i dallohen hekurat si damarë
Prej syrit në sy
ka kapituj të tërë
enigmash.

PIKAT KËRKON JETË

Kam parë terrin
Natën dhe mandatën
Tash shoh njeriun
Njeriun dhe Njeriun
Djallin, perëndinë
Le t’k’naqdurojnë sytë
Fillimditën traditën
E (këtij) vendi të “grytë”!
Tek Ura, tek ura –
Vraponi burra burra!
Përmbajtja e tretë
Nisja me fushqetë
Ndër lumenj dhe gurra
Pika kërkon jetë

PAS SOTIT...

Pas sotit edhe një ditë
Do ta ketë emrin e vet
Me temperaturë të harruar
Pa freskun e shiut

Frymëmarrja merr n’thua
Jetëzon - e në mua
s’lë gjë

Rrugë quhet ajo
Nëpër të cilën kalon dashuria
Nëpër gropat dhe urat e saj

Pas sodit edhe një përqafim
Edhe një ag edhe një gji i freskët.

POEMA MË ÇOI TE LOTI

E lexova poemën që më çoi te loti
Ma çoi nënën prej varrit
Dhe ma solli babën e vrarë për gjak
E m’çoi në një fushë të përgjakur
E m’çoi në guvat e kasolles sime të vjetër
Si në pëllëmbë të dorës

S’mund të rehatohem
Për disa kapërcyelle drite
S’munda t’i shpjegoj kujt se çka kam
As t’i bëj të më kuptojnë

Mirë ka bërë Europa që e zbuti poezinë
Se ishte një ujk i çartur
Kur merrte me u nxe
E me i shti valë prushit poetik

Poetët e rinj kanë shëruar poezinë
E dikurshme të mjerë
Nga gjaknxehtësia
Nga indoktra
Nga manifestet
Nga armiqtë e panumërt
Dhe na dhimbsej që çdo çast
Prisnim t’i dilte shpirti
E të shpëtonte nga lotët
Duke na lënë të ciflosur
Në gotat e spirrëzuara të alkoolit.

MË KUJTOHET

Më kujtohet
Kur lexoja poezi lirike
Në lëvoret e drunjve

E poezi epike
Në shpellat e bjeshkës.

FITOJANI LIRINË DASHURISË
(Atyre që u përflaken puthjet në buzë)

Vështrimi i afërt i katërantë
i dashurisë
lulëzim ngjyrë-arome

hapet qielli i hapësirtë
rrezet e yjeve në ylber
shikim-shigjetë për të hyrë nën të

dëgjohet një metaforë

përqafime të ngadalta
të dashurisë
mal mal mal

ëndërr e paskaje e dashurisë
gjakimi sy i përdashur
këtu vjen një simbol
tash

s’jam askund ku s’je
je kudo ku jam

nuk do ta pushtoj
asnjë dëshirë
mos ma robëro

dashuria ka fituar
dhe strehuar në ne
ku ndalet fshikullimi

tash
e ka radhën të luajë në piano
me tinguj vështrim
pa lojëçka

siç jemi ne
është dashuria
-është vargu i parë i baladës.

KËNGË E THJESHTË

një shoqe ime e ngushtë
as e gjerë as e gjatë
në të zgjuar të një mëngjesi
pa në dritare një perëndeshë
- perëndeshën e këngës

Zgjohu i tha
Dhe i shkoi pas
Do ta fal një bukuri përbrenda
brenda do ta kesh
nektarin shpirtmbajtës të këngës

Se ç’u bë mikja ime
art dhe robinjë e këngës
se ç’u bë e se ç’u bë

mikja ime e ngushtë
nisi të më shngushtohej
nisi të shperëndeshej
nisi të më - shmikohej

arrita ta këshilloj
- mos u stilizo
se po ia vjedh bukurinë këngës
mos vallëzo kur këndon
se po ia thyen këmbët melodisë

këngës mos ia humb pahun
mos e ndal
le të marrë udhë në lirinë e vet
s’ka nevojë për bukuri të tjera

në një mesditë
në të zgjuar
mikja ime
pa në dritare një shperëndeshë

qau dhoma e zbrazët
qau shumë
për vdekjen e hershme të këngëve.

STINA SI KUJDES

Më fal për stinën
Dua t’i bëj derë një ere
Ku jeton çdo gjë
Do t’i shkoj asaj
Që do të mund t’i marr erë
Era hapësirë shtegu.

DASHURIA QË DASHURON

Vetëm dashuri -
Dashuria ushqen
Pastaj vijnë radhazi
Gjethet, lulet, bletët

Ushqehuni me dashurinë
Ky ushqim të rron
Të rron e të flatron

Dëgjoi ama e dashurisë
Dhe e mori engjëllin folës
Mbi krahët e nderë yll më yll
E flatroi, e flatroi, e flatroi
E flatroi pa zë

E la jetim shikimin e shigjetuar
Në kurmin e cepëndrrës
Të njërës prej Rinave tona

Mirë e ka!
E vë dorën në zjarr

Se mirë e ka – tha vuajtjetari
Dhe kërkoi ndjesë
Për këngën e përgjysmuar
Për lotin

Një shikimdehur
Nga habia përgjaku buzën
Në gotën e spirruar
Kur dëgjoi vargun

Vetëm dashuria dashuron

I dashuri
I njërës prej Olimbive tona
S’deshi të besonte se engjëlli
Ka rrëshqitur
Nga krahu në fluturim



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora