Kulturë
Sabile Basha: Homazh për fëmijët e vrarë
E premte, 04.01.2013, 09:10 PM
NJË
LIBËR- HOMAZH PËR FËMIJËT E VRARË NË LUFTËN E KOSOVËS (1981-1999)
Hanëmshahe Ilazi “A vriten engjëjt?!, Prishtinë 2012, f. 372
Nga
Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha
Të nderuar të pranishëm,
Për
fëmijët është shkruar, shkruhet dhe do të shkruhet vazhdimisht. Për ta u
shkruan libra, e u xhiruan filma të cilët temë trajtimi patën jetën dhe
ngjarjet, të cilat përcjellin fëmijërinë e lumtur o të munguar të tyre. Por,
ama, librin që po e promovojmë sot, nuk ka të bëjë me as njërën prej këtyre. Se
ky libër në vete ngërthen krejt diçka tjetër nga ajo, që jemi mësuar të lexonim
e të shihnim në botën e qytetëruar.
Libri “A
vriten engjëjt “ të cilën e ka shkruar
me një përkushtim e kujdes të veçantë, me një përmbajtje të veçantë dhe,
gjithashtu, autorja e librit është një zonja e veçantë- Hanëmshahe Ilazi, e
cila, me vokacion nuk është historiane-shkencëtare, por bënë punën e tyre. Nuk
është psikologe, por, ka depërtuar thellë në ndjeshmërinë e engjëjve. Mos të
harrojmë se mbi të gjitha, zonja Hanëmshahe është nënë, e sikur çdo nënë tjetër
e ka ndjerë dhe e ka përjetuar rëndë dhembjen e çdo nëne e prindi që kanë
humbur më të dashurit e tyre.
“A vriten
engjëjt”, është një libër i tmerrit dhe i krimit. Një libër që të shtang posa
ta lexosh titullin e që të nxit, e cytë, që të futesh në brendinë e rreshtave
që ngërthen në vete, me të dhëna të bollshme e fotografi fëmijësh që u vranë e
u masakruan anë e kënd Kosovës.
Për dike,
ndoshta është e pabesueshme, por faktet flasin për vërtetësinë e ngjarjeve
makabre që u zhvilluan në truallin e përgjakur të Kosovës martire që nga viti
1981 e deri më 1999, kohë të cilën e përkufizon vet autorja.
Besoj se
askush nuk e ka harrua se në Kosovë patëm një luftë jo të zakontë dhe, me një
okupues edhe më të pazakontë, do të thosha barbar. E si do të quheshin ndryshe ata që vrasin fëmijë- veçse kriminel.
A vriten
fëmijët bre?! do të pyeste poeti. Po, në këtë libër është përgjigja që të
shtang. Është dëshmia rrëqethëse e e faktografuar që zonja Hanumshahe i ka
grumbulluar dhe i ka sistemuar, duke na ofruar vetëm një pjesë të majës së
ajsbergut të tragjedisë që ka ndodhur në Kosovë.
Kush i
vret fëmijët, vallë?! , do të pyeste çdo njeri që, vërtet është njeri. E
përgjigjja nuk është larg! Nuk është e panjohur! Nuk është enigmatike.
Urdhëroni e lexoni librin e zonjës Hanumshahe dhe do të gjeni shumë të dhëna,
shumë dëshmi dhe shumë, e shumë mallkim
nga historia.
Libri
është tmerri vet, por që në të njëjtën kohë të bën të ndihesh i revoltuar, i
rebeluar, i mobilizuar, i rezistuar para së keqes, dhe të mësohemi që kurrë më,
mos të harrojmë të kaluarën, për të mos u përsëritur, jo vetëm tek ne por
askund në botë.
Kush i
vrau ata engjëj, kush?! Do të pyeste çdo ndërgjegje njeriu dhe nuk është habi,
O zot, ata-vrasësit, na detyruan e na mësuan që ta urrenim edhe njeriun. I
thënë njeri-vrasësit apo jo.
Të
ndalemi për një çast dhe të mendojmë, se te gjithë ne jemi nënat, baballarët,
motrat e vëllezërit e tyre. Jemi prindër që nuk i kemi ma ata engjëj të
brishtë. Nuk i kemi ma puthjet dhe buzëqeshjet e tyre. Nuk na kthehen nga
shkolla! Nuk na thërrasin për asgjë! Nuk na kërkojnë ama bash asgjë, por
kujtimi për ta... nëpër vite e dekada ka me na përcjell si dhimbje migrenoze
nga ecejaket e lodhura në trotuaret e
historisë, që kërkojmë vetëm pak për ta, një vëmendje sublime nga gjenerata e
gjenerata që do të vijnë.
Tematika
e kësaj monografie është trajtuar me një seriozitet të madha (shkencor). Secili kapitull
ndërlidhet reciprokisht mes veti dhe plotësojnë kuptimin e njëra tjetrës.
Statistikat që prezantohen këtu janë të sakta, ku paraqiten me emra e mbiemra,
me vendlindje e komuna, me vend ndodhje të masakrave, andaj libri është monument
shkrimi argumentues dhe bindës.
Në fillim është dhënë përmbajtja e librit, fjala e redaktorit e recensentëve. Pastaj pason hyrja, e shumë
kapituj të tjerë. Ndërsa në fund jepet përfundimi i librit që njëherë është i
përkthyer edhe në gjuhën angleze e gjermane. Por, po ashtu kisha propozua që
edhe libri si tërësi kishte qenë mirë që të përkthehej në ndonjë gjuhë të huaj.
Libri ka
edhe shtojcën: Foto e Faksimile, që është pjesa më rrëqethëse e tij, ku janë
materializuar me fakte ngjarjet që trajtohen në këtë monografi.
Lexuesi i
rëndomtë do ta përgëzojë autoren për punën e madhe që ka bërë, por në të
njëjtën kohë do të ndaj trishtimin e dhembjen me të, duke hapëruar bashkë me të
nga emri në emër, e nga dhimbja në dhimbje
nëpër shumë kapituj (gjithsej tetë).
Autores
së librit “A vriten engjëjt?!” Hanëmshahe Ilazit, i lumtë, që me punën e saj të
pa ndalur, na dhuron këtë libër- lapidar për fëmijët e vrarë të luftës së
fundit në Kosovë. Ju lumtë edhe për kurajën që keni pasur, ngase në momente kur
lexoja librin, ndjehesha me ju, kam qenë në pozitën tuaj dhe e dijë se çfarë
keni ndjerë, se, mu kujtua përgatitja e librit tim “Të burgosurit politik
shqiptarë” kur me net të tëra nuk fusja gjumë në sy dhe përjetoja kalvarin e
dhembjes bashkë me ta. Ankth me net të tëra.
Ju,
zonjë, keni bërë një punë sa të madhe-kombëtare, po aq edhe humane, ngase
pjesën ma të pastër e më të mirë të qenies sonë e keni nxjerr nga harresa. Iu
keni vu emra e mbiemra. Iu keni dhënë vendin e merituar në piedestalin e
monumentit kombëtar të të rënëve për
liri dhe pavarësi.
Dhe krejt
në fund do të thosha se, ky libër le të jetë sot, edhe një homazh kombëtar e
njerëzor për jetën e atyre fëmijëve që u shuan në mënyrë të pafajshme nga dora
barbare. Le të jetë një dëshmi e paharruar e një kujtese e dhimbshme, jo, për
hakmarrje, por që krimet, mos të përsëriten kurrë më, në trojet shqiptare e
askund në botë.
(Fjalë e mbajtur me rastin e promovimit të librit “A vriten engjëjt” të Hanumshahe Ilazit, veterane e UÇK-së)