E marte, 24.11.2020, 03:50 PM (GMT)

Personalitete

Xhelal Marku: Llesh Zefi, figura fisnike e Dibrës

E hene, 17.09.2012, 05:02 PM


Llesh Zefi, figura fisnike e Lurës dhe e Dibrës

Nga Xhelal Marku

Qysh kur isha fëmijë, në moshë të mitur, ende pa hyrë në shkollë, në përfytyrimin tim është fiksuar me shumë respekt e konsideratë portreti simpatik i burrit të mençur të fisit Doçi të Lurës – Llesh Zefi. Ai ishte një mik i respektuar i Kullës së Halim Markut në Reç të Dibrës, por dhe një i afërmt e dashamirës i sinqertë i Kullës së dajave të mi – Hamit Ali Vladi. Ndaj, kontaktet me të, kanë qënë të shpeshta dhe të mirëpritura kurdoherë midis nesh. Kjo, sigurisht ka ndikuar edhe në njohjen time të plotë të vlerave të këtij burri të shquar e me karakter të fortë në krahinën e Lurës e të krejt Dibrës. E ku nuk ka shkelur këmba e Llesh Zefit, në punë të ndryshme drejtuese, si kuadër e si personalitet publik, si kryetar Lokaliteti në krahinat e Reçit, të Dardhës e të Sllovës. Dhe kudo ka lënë gjurmë dhe emër të mirë me punën e tij të përkushtuar, duke qënë gjithnjë i paanshëm dhe i drejtë në zgjidhjen e problemeve e të halleve të atij komuniteti, ku drejtonte. Kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë, e megjithatë emri i Llesh Zefit mbahet mend mirë dhe kujtohet me shumë respekt nga të gjithë ata, që e kanë njohur për vlerat e tij, si kuadër i rrallë drejtues, korrekt e mjaft autoritar. Autoritetin e tij ai e kishte ngritur mbi vlerat e komunikimit e të marrëdhënieve korrekte me banorët e zonave përkatëse, duke reflektuar kurdoherë në punë vetëm drejtësi, barazi e paanësi. Kjo e rriti shumë shpejt figurën e Llesh Zefit në opinionin e gjërë publik dhe e bëri atë të besueshme për të gjithë. Ndaj fjala e tij dëgjohej me vëmendje, si fjalë e një burri të mençur, të rreptë e të prerë, sepse dihej, që për drejtësi, Llesh Zefi nuk të falte. Kështu e ngriti lart ai, emrin dhe figurën e tij, si kuadër e si burrë i njohur e me vlera i Lurës. Por, aqsa ishte i rreptë e kërkues në detyrë, Llesh Zefi, ishte dhe tolerantë e me shpirt demokrati, për t`u dhënë rrugëzgjidhje problemeve lidhur me të drejtat e individëve për shkollim e integrim të barabartë në shoqëri, që siç dihet, ishin të kufizuara me ligj nga sistemi i athershëm i diktaturës. Këtu u krijua dhe ftohja e rregjimit komunist me Llesh Zefin, tek i cili ai sistem humbi besimin dhe më vonë filloi sulmet e pandërprera ndaj tij, me akuza të sajuara politike e jo politike, vetëm e vetëm për ta hequr nga skena si një nga figurat më të njohura e të respektuara të krahinës së Lurës. Por edhe në kushte të tilla, Llesh Zefi diti të orientohet e të mos bjerë në kurthet e sajuara të komunizmit. Ai e ruajti figurën e tij, duke fituar një mbështetje të gjërë e të vazhdueshme tek shumë miq e shokë, me të cilët bashkëpunoj gjatë gjithë jetës së tij, me autoritetin e intelektit e të burrërisë së tij. Madje edhe në kushte të tilla të survejimit e të ndjekjes, Llesh Zefi e rriti personalitetin e tij dhe besueshmërinë në opinion, sepse ai diti të argumentojë e t`i bëjë optimistë njerëzit, me shpresën për një të ardhme më të mirë, që së afërmi do të vinte edhe në Lurë, tek miqtë e bashkëfshatarët e tij. Kështu e komentonte Llesh Zefi, atë pragrrëzimi të komunizmit në Shqipëri. Me këto mesazhe që ai përcillte pareshtur tek njerëzit, Lleshi gjeti mbështetjen e madhe të banorëve të shumëvuajtur të krahinës, të cilët në vitin 1990 i thanë jo komunizmit, si një sistem i dështuar e kapitullantë. Dhe ajo ditë erdhi me sihariqin e saj të madh e të shumëpritur, që më në fund, muri i diktaturës komuniste ra edhe në vendin tonë. Dhe sigurisht kjo ditë e gëzueshme u përcoll me shumë entusiazëm e festime edhe nga Leshi e shokët e tij, ku gjithshka do niste nga e para dhe ndryshe nga politikat shkatërruese të komunizmit, që e mjeruan këtë vend me shumë pasuri e resurse ekonomike. Kësaj lëvizjeje të madhe antikomuniste, që solli dhe përmbysjen e madhe, Lleshi bashkë me djemtë e tij, me nipa e me mbesa dhe gjithë të afërmit, iu bashkua me shumë përkushtim e vendosshmëri, duke riafirmuar edhe njëherë vlerat e tij si politikanë e si figurë e njohur e zonës së Lurës. Pas 90-tës, ai është ideatori i parë i projekteve të zhvillimit ekonomik të familjes Doçi, që më vonë do të çonin në krijimin e bizneseve të suksesshme të firmës së njohur me emrin e bukur: “Lura”, me president pinjollin e këtij pragu, ingjinierin e talentuar, djalin e tij – Dod Doçin. Fatmirësisht, këto progrese të shpejta të zhvillimit të ekonomisë së tij familjare, ai i pa, i preku dhe i shijoi sa ishte gjallë dhe gëzoi bashkë me fëmijtë dhe të afërmit e tij, të cilëve u përcillte vazhdimisht mesazhin: “Punoni sa më shumë, se tanimë punoni për veten tuaj, por me dashuri e transparencë për njëri tjetrin”. Kjo ishte dhe ëndërra e hershme e Llesh Zefit, të cilën ai më së fundmi e pa me sytë e vet, të realizuar e të konkretizuar më së miri në jetën e tij familjare. Kësisoj, ai i mbylli sytë, me kënaqësinë e jetës e të trashëgimisë, që la pas, arkitekt i së cilës ishte.

Llesh Zefi, portreti tipik i një malsori

Portreti i Llesh Zefit, për të gjithë ata që e kanë njohur, konsiderohet si portreti më tipik i një malsori të Lurës, të cilës i përkiste. Shtatlartë si lisat e atij vendi të njohur për vlerat turistike në vend, estetik në veshje, i fjalës e muhabetit, i matur, i mençur, i arsimuar, por dhe me një zgjuarësi natyrale për t`u admiruar nga të gjithë. Ai dinte të ndërtonte bisedën me njerëzit në përshtatje me nivelin e formimit dhe sipas krahinave të ndryshme. Ndaj, ishte njeriu më i preferuar në mexhlise e në biseda, pasi njhej si mjeshtër i fjalës dhe i mendimit në zonë. Kështu, gjatë gjithë jetës së tij, si në rini edhe më vonë si kuadër drejtues, apo si pensionist në moshën e pleqërisë, Lleshi e ruajti me fanatizëm të madh mënyrën estetike të veshjes së tij, me një stil të veçantë, që i shkonte shumë me atë fizik që kishte. Atëherë kur pardesytë e bardha ishin të rralla në treg, Llesh Zefi do ta gjente patjetër pardesynë e tij të preferuar, sepse ishte i fiksuar në estetikën e veshjes së tij. “...Forma e paraqitjes, siç thoshte ai, është prezantimi i parë me njerëzit, ndaj duhet vlerësuar shumë. Një veshje estetike të shtynë drejt interesit për ta ndjekur me vëmendje tjetrin. Pra, nuk ka formë pa përmbajtje, sepse ato janë në funksion të njëra tjetrës dhe pazgjidhshmërisht. Kështu e kuptoj unë vlerën e veshjes, thoshte shpesh Lleshi, në biseda të lira me të interesuarit për këtë problem...”. Dhe ky episod i veshjes tek Llesh Zefi më ka ngelur në mendje qysh së vogëli, kur ai vinte shpesh në shtëpinë tonë, jo vetëm për miqësinë që kishim, ne, familja Marku me familjen Doçi, por edhe pse i shkonte përshtat  shoqëria me gjyshin tim Halim Marku, të cilit i pëlqente muhabetin dhe mikpritjen e tij. Ndaj, që atëherë, mua m`u fiksua paraqitja e tij, me një veshje të kombinuar bukur dhe në mënyrë estetike, që nga këpuca e deri tek kapelja që mbante, herë si berret dhe herë si model republike. Ai dinte të na bënte për vete edhe ne fëmijëve, duke na respektuar me ndonjë karamele a çekollatë. Kështu, përmes viteve u rrit konsiderata dhe respekti ynë për figurën e Llesh Zefit, një njeri i kompletuar me të gjitha cilësitë më të mira humane, që me prezencën e tij të bënte për vete, duke reflektuar kulturë e maturi në çdo veprim. Llesh Zefi ishte njeriu që studjonte shumë. Preferenca e tij ishte poezia legjendë e vargut të Fishtës, apo e vargut të Migjenit, të cilët i kishte mësuar përmensh dhe i recitonte shpesh në takime e biseda konfidenciale miqësh, pasi Fishta ishte i ndaluar në atë kohë. Të lexuarit i dha progres të vazhdueshëm formimit të tij, një kulturë kjo, që ai e reflektoi në çdo punë, që iu besua. Dhe ishte pikërisht hapësira e tij intelektuale, ajo që nxiti dhe ushqeu edhe tek unë, dëshirën e madhe për shkollim, duke m`u imponuar me kulturën e vet, por dhe me fjalët e përsëritura shpesh nga goja e tij: “...Or nip, duhet të mësosh mirë në shkollë, sepse vetëm kështu mund të bëhesh dikushi për vete dhe për shoqërinë...”. Kaluan vite dhe ne takoheshim prap me njëri tjetrin, ku pasi përshëndeteshim, përsëri për shkollimin pyeste. Përpjekje e sakrifica të mëdha bëri Llesh Zefi edhe për shkollimin e fëmijëve të tij, ndonëse në rrethana tepër të vështira të sulmeve politike nga pushteti komunist i athershëm, me të cilin u divorcua me kohë. “...Shkolla s`ka fund thoshte Lleshi, por një shkollë e madhe është edhe vetë jeta, përvoja, praktika e punës...”. Unë pata fatin ta filmoj atë në një sebep tek dajat e mi, me të cilët ai kishte lidhje të vjetra e shumë dashamirëse, ku biseda e tij më ka mbetur si një relike e fundit e kujtimeve për Llesh Zefin. Lleshi ishte një njohës i mirë i psikologjisë dhe i mentalitetit dibran dhe si i shetitur e i parë që ishte, i kishte lezet muhabeti e kuvendi në oda miqësh, ku sipas traditës biseda zhvillohet me një figuracion të pasur, me plot simbolikë e alegori, ashtu siç dinë ta bëjnë mjeshtërisht vetëm dibranët. Por, filozofinë e fjalës së mençur, Llesh Zefi e shoqëronte gjithnjë edhe me një shkëmbim duhani me miqtë, të cilin e pinte gjithnjë të dredhur e të fortë, ashtu si vetë karakteri i tij i pamposhtur përballë vështirësive. Ai ishte një burrë fisnik, që do t`i mungojë gjatë Lurës.

Dekorimi

Llesh Zefi punoi me përkushtim e korrektesë një jetë të tërë, dukle lënë pas një emër dhe një vepër, që e lartësoi vazhdimisht figurën e tij edhe pas vdekjes. Ndonëse i harruar dhe i sulmuar para viteve `90-të, erdhi një kohë, kur puna e tij do të merrte vlerësimet e munguara në vite. Kështu, gjashtëmbëdhjetë vjet pas vdekjes, ai do të merrte dekorimin më të lartë si misionar i pajtimit nga Shoqata Mbarëkombëtare e Pajtimit “Nënë Tereza”. Lajmin për këtë dekorim, do ta bënte të ditur vetë kryetari i kësaj shoqate, z. Mal Cani, nga Zalldardha e Dibrës, ku Lleshi kishte shërbyer për disa vjet me rradhë, si kuadër drejtues, me detyrë Kryetar Lokaliteti për krahinën e Reçit e të Dardhës. Ishte puna dhe vepra e tij, ajo, që kishte lënë gjurmë të thella dhe mbresa të pashlyeshme tek njerëzit e kësaj zone, të cilët me insistimin e tyre kërkuan vlerësimin e Llesh Zefit, që kudo që shkeli këmba e tij, ka përcjellë mesazhin e madh human të paqes e të pajtimit, duke shuar e zgjidhur mjaft ngatërresa, sherre e mëri të vjetra e të reja, mes banorëve të zonës, ku drejtonte. Një dekorim i tillë, po nga kjo shoqatë, ishte propozuar të bëhej edhe për të madhin akademik të Kosovës, Prof. Anton Çeta. Kështu ceremonia e dekorimeve mori përmasa të gjëra, nën organizimin e një Konference Kombëtare Shkencore, me temë: “Lufta për minimizimin deri në shuarje të plotë të fenomenit të gjakmarrjes”. Pra, ishin dy figura të rëndësishme, që do të vlerësoheshin në këtë konferencë, me një pjesëmarrje të gjërë, të përfaqësuar nga Presidenca, Kryeministria, Kuvendi i Shqipërisë, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, të Avokatit të Popullit, të Pushtetit Vendor, si dhe të shoqatave jo qeveritare nga Shqipëria e Kosova. Një ceremoni serioze zyrtare, që u hap me Hymnin e Flamurit dhe vazhdoi me të gjitha procedurat, deri tek realizimi i një pajtimi gjaku brenda në sallë. Rëndësi të veçantë këtij dekorimi i kushtoi edhe e gjithë Media Shqiptare, me prezencën e saj, nga fillimi e deri në fund. Në konferencë folën e përshëndetën shumë titullarë e përfaqësues  të institucioneve pjesëmarrëse, midis të cilëve edhe miku i ngushtë i Llesh Zefit, 90-vjeçari Lek Rajta. Pas këtyre vlerësimeve të larta, adresuar dy figurave protagoniste të dekorimieve, në sallë mbahet një minutë heshtje në nderim të jetës dhe të veprës së paharruar të Prof. Anton Çetës dhe të figurës më fisnike të Lurës, Llesh Zefi, të cilët dekorohen pas vdekjes. Një çast solemn dhe emocionues ky, për të gjithë familjarët, të afërmit, miqtë dhe shokët e shumtë, pjesëmarrës në sallë. Më pas vjen dhe momenti i dorëzimit të dekoratave përkatëse, që mbajnë vlerësimin me të lartë: “Urdhërin e Artë të Misionarit të Pajtimit e të Paqes”. Duke e marrë në dorëzim këtë dekoratë të lartë akorduar babait të tij, Llesh Zefi, pas vdekjes, trashëgimtari i tij, ingjinieri Dod Doçi – President i Firmës së njohur “Lura”, u shpreh: “...Ndjehem krenar për nderin që i bëhet sot, figurës së babait tim, në një ceremoni kaq madhështore sa kjo. Por, ndjej dhe keqardhje, për faktin, që vlerësime të tilla, ai nuk arriti t`i shijojë sa ishte gjallë dhe kjo sigurisht nuk kalon pa emocione tek unë dhe tek trashëgimtarët e Llesh Zefit. Ndaj, falenderimet e mia, në këtë ditë të shënuar për gjithë trungun familjar të Llesh Zefit, shkojnë për Shoqatën: “Misioni i Pajtimit Mbarëkombëtar”, që mban emrin e shqiptares së madhe humane “Nënë Tereza”, shkojnë për të gjithë ju pjesëmarrës të nderuar, që na respektuat me ardhjen tuaj dhe sidomos, për ato të dy familje fisnike, që zgjodhën pikërisht këtë ditë tonën, për të shtënguar fort duart e pajtimit, për të falur gjakun. Kjo ditë e dha mesazhin e saj: “Të përcjellim sa më shumë dashuri mes nesh, që paqja e pajtimi të mbizotërojnë kudo në jetën tonë...”. Faleminderit! Por, fjala e Dod Doçit, nuk mbaron këtu. Ai, pas ceremonise zyrtare të dekorimit, i ka ftuar të gjithë pjesëmarrësit, në një drekë bujare e argëtuese, siç e ka traditë gjithë fisi i Doçëve të Lurës, të cilit i përket. Kështu u mbyll ceremonia në vlerësim të figurës së respektuar të Lurës – Llesh Zefi, ëndërra e të cilit vazhdon në përjetësinë e brezave të trashëgimtarëve të Kullës së njohur dhe me emër të Doçit.



(Vota: 241 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora