Mendime
Miftar Mehani: Reagimi kundër zjarreve
E premte, 14.09.2012, 06:58 PM
Ah, po të reagonim kundër zjarreve sikur ndaj kërkesave për përgjegjësi
Nga Miftar Mehani - Profesionist i emergjencave
Në një konferencë
rajonale me temë “Menaxhimi i zjarreve për mbrojtjen e pyjeve dhe ambientit”,
ndër analizat e shumta që u bënë për zjarret e ndodhura në këtë vit në rajonin
tonë, me theks të veçantë në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Maqedoni, u përmend
edhe çështja e dhënies së përgjegjësisë nga institucionet e vendit. Forma se si
u kërkua çështja e dhënies së përgjegjësisë, gjegjësisht ndëshkimin që duhet dhënë
kësaj qeverie nga qytetarët përmes votës së lirë, e bëri nervoz përfaqësuesin e
institucioneve, i cili për këtë çështje ai as që deshi të diskutohej. Kërkuesi
i përgjegjësisë, pjesëmarrës në debat, shprehu një qëndrim tejet parimor karshi
institucioneve.
Besim
Zogaj, zyrtar i Agjencisë Pyjore të Kosovës në Ministrinë e Bujqësisë,
Pylltarisë dhe Zhvillimit rural, pjesëmarrës, mund të kishte të drejtë që nuk donte të merrej
me konstatimin e profesorit dr. Faton Berisha, se kjo qeveri do të duhej të ndëshkohej
nga vota e elektoratit për këtë dëm që i është shkaktuar vendit. Është e qartë që
po kërkohej një ndëshkim për mungesën e gatishmërisë së institucioneve për t’i
mbrojtur resurset kombëtare nga ata që janë caktuar për menaxhimin e tyre. Për
më tepër, ngase vetë zyrtari në fjalë po thoshte se në Agjencinë e tij i kanë pasur
planet mbrojtëse, por është tjetër gjë realizimi i këtyre planeve. Por edhe dr.
Berisha ka të drejtë që kërkon llogari për pyjet e shkrumbuara. Planet nuk bëhen
për t’u dekoruar me to, por që të jenë të realizueshme teknikisht dhe
financiarisht. Apo planet i bëjmë sa për t’u shfajësuar nesër para dikujt tjetër
që ne dimë, mundemi por s’ia dalim se nuk po kemi mjete?!!... Apo, edhe më qartë,
nuk po na japin mjete!? Ne i kemi bërë përgatitjet, por janë ata të eurove që po
na e zbehin planifikimin për mbrojtje të resurseve. Dhe, me që ra fjala, të kujt
janë këto resurse: të Agjencisë, të Ministrisë përkatëse, të Qeverisë apo janë pasuri
kombëtare? Nëse është menaxhuar një pasuri që nuk është jotja, vetëm sa je duke e kryer punën për të cilën
je i ngarkuar, për këtë je i paguar. Nëse për mungesë menaxhimi apo menaxhim të
keq e ke humbur atë resurs ose të është dëmtuar, duhet dhënë përgjegjësi para
pronarit se nuk bën ndryshe. Ç’është të menaxhuarit
e një pasurie nëse nuk është mbrojtja e saj brenda atij menaxhimi? Po nëse
gjenden duke prerë pyllin varfanjakët sa për ta siguruar nxehjen gjatë dimrit në
pjesën e shpallur të ndaluar, i sanksiononi? Patjetër, që po! Atëherë ju që me (mos)veprimet
tuaja shkatërroni me mijëra hektarë (3400 vetëm sivjet, siç e thonë vetë), a
askujt nuk duhet t’i jepni përgjegjësi? Është e qartë që zjarre ka edhe në vende
të tjera, edhe në rajone gjithandej. Kishte thatësi me temperatura të larta,
kishte pakujdesi që nuk mund ta zhbësh
me asnjë formë të tërën. Pastaj, zjarre do të ketë edhe në të ardhmen, po puna është
çka kemi bërë? Numërojini vetëm tri aktivitete konkrete vjetore që parandalojnë
zjarret dhe më thoni a është më e madhe kostoja e tyre apo harxhimet vjetore të
karburanteve që i ka dikasteri përgjegjës për mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare?
Çështja qëndron në qasjen që kemi formuar, në radhë të parë si institucione
qendrore dhe lokale, për to:
? Nuk
ka mjete financiare për parandalim të tyre;
? Planet
mbrojtëse më shumë u ngjasojnë një dyfletëshi si urdhëresë administrative;
? Thirrjet
stereotipe të qytetarëve për vetëdijesim (zakonisht post festum);
? Harxhime
më të larta në emër të aktiviteteve sesa për vetë realizimin e tyre.
Para disa
ditësh në lidhje me çështjen e përgjegjësisë lexuam këtë deklaratë për media të Ahmet
Zejnullahut, kryeshefit të Agjencisë Pyjore në Kosovë: “...Gjatë kohës kur në të
gjitha komunat e Kosovës ka pasur zjarre, kryetarët e tyre gjatë tërë kohës i
kanë pasur të mbyllur telefonat, duke mos e pranuar përgjegjësinë për zjarret”.
Si bëhet që pushteti lokal të mos i përgjigjet pushtetit qendror? A nuk po
kthehemi prapë te Qeveria që duhet vënë rend e të dihet kush ha e kush pi? T’ia
kthejë shpinën zjarrit ai që është përgjegjës për masat parandaluese e lëre më reaguese?!!
A duket të lejohet kjo?! Në fund të fundit, përse të hapen telefonat e të merret
me zjarret, kur nesër askush s’i kërkon përgjegjësi për këtë?
Në konferencën
e përmendur ku thirren për të trajtuar shkencërisht çështje të rëndësishme të pasurisë
kombëtare, mungojnë shumë institucione, shtëpi mediatike e individë që nuk do të
duhej të mungonin. Se përse është kështu ka disa shkaqe të cilat duhen
analizuar posaçërisht, porse që është një pasqyrë e mirë e sjelljeve tona të papërgjegjshme,
nuk do shumë mend për ta konstatuar. Mu sikur papërgjegjësia e individëve që, të
gjendur në afërsi të pyjeve, mund t’ua
japin flakën. Me ligj të gjithë kanë përgjegjësi për mbrojtje nga zjarri.
Edhe individët, edhe institucionet.
Në shumë komunikata
lexohet për dyshimet në zjarr-vënie të qëllimshme, e me të cilat raste janë duke u marrë policia. Formulime
të tilla, të lëshuara nga organet e rendit, më tepër më duken justifikim, sesa
kontribut real në mbrojtjen nga zjarret: të dyshojmë jemi ne, popullata;
organet e rendit duhet t’i kapin të pandërgjegjshmit, piromanët. Profesor dr. Kudusi
Lama i quajti të papërgjegjshme deklaratat e shumta të lëshuara nga
institucione të ndryshme për situatën me zjarret.
Debati në këtë konferencë mbaroi me opinionet dhe
pyetjet e bëra nga të pranishmit, të cilat ishin tejet konstruktive dhe ç’është
më e rëndësishmja prekën esencën e problematikës: menaxhimin e zjarreve.
Dr. Faton
Berisha nuk e kërkoi përgjegjësinë e askujt, as të qeverisë, as të pushteteve
apo udhëheqësve lokalë që ia kthejnë shpinën zjarreve; ai mbase e di mirë që përgjegjësia
te ne rri vetëm në fjalor, përgjegjësinë ne nuk e vëmë në funksion fare, andaj
ai këtë problem e barti në ditën e zgjedhjeve. Athua, e mbajmë në mend deri atëherë?
Do të shuhen zjarret, se bien temperaturat, lindin telashe të tjera të reja dhe
ne nuk do të kujtohemi...
Në dalje
të konferencës një kolegu im më tha: kishte edhe shumëçka të thuhej! Po ti, e
pyeta, kishe për të thënë gjë? Po, - ma ktheu. Po, mirë, ruaje për vitin e ardhëm,
se njëjtë do ta kemi, - ia ktheva!