Kulturë
Ryzhdi Baloku: Qetësia pas shiut
E marte, 10.07.2012, 05:52 PM
QETËSIA PAS SHIUT
Nga Ryzhdi Baloku
Retë e
grumbulluara që u shfaqen rrëzë maleve në skaj të qytetit, filluan ta vërshonin
horizontin duke e mbuluar si valë deti tërë hapësirën qiellore. Dielli hyri
prapa reve, gryka u errësua dhe rrufeja nisi të shkrepë herë pas here. Për një kohë
të shkurtër i tërë qielli u nxi, u bë sterrë. Vetëtima e bubullima
shpeshtoheshin gjithnjë e më shumë, dukej sikur po bie shi, por as që rigonte. Ndonëse
ishte mesditë, pamja i ngjante muzgut të mbrëmjes, përderisa vapa edhe më tepër
shtohej.
- O Zot çfarë
kohe !, - pëshpëriti më vete xha Sokoli.
Bënte aq
zaparë sa mezi merrte frymë, i dukej sikur dikush po ia vë shkelmin në fyt. Tërë
trupin ia kaploi një nxehtësi. Nisi të djersitej edhe këmisha po e ngushtonte. I
shkapërtheu të gjitha pullat që ta çlirojë gjoksin. Prej sikletit u ngrit në këmbë,
filloi të ecë rrotull divanhanes, që mos të ngulfatej nga zagushia. Përsëri u
kthye kah dritaret, për të marrë frymë më lirshëm. Ende pa mbërri aty, rrufeja
goditi shumë afër. Krisma e dridhi shtëpinë, për një çast xha Sokoli e ndaloi
ecjen. Iu duk si të ishte çarë lisi në dysh, megjithatë e dinte se ai nuk ishte
goditur, meqë zbrazja e rrufesë kishte ndodhur më afër. Për ta konstatuar cakun
e goditjes, ktheu shikimin në peizazhin përreth. I parafytyroi fidanët e
kopshtit. Supozoi se rrufeja e kishte goditur arrën në kopshtin e fqinjit të parë.
Nga përvoja i dinte pasojat që mund të shkaktonin goditjet e rrufesë. Mendimi i
vajti në ngjarjet tragjike të kohës së shkuar. Asokohe në raste të tilla njerëzit
grumbulloheshin në vendndodhjen e fatkeqësisë. Me hapa të lehtë iu afrua
dritares të shihte se ç’kishte ndodhur. U ul në divan, u mbështet anash më njërin
krah, dhe shikonte jashtë. Kishin
filluar të binin pika të rralla shiu që dëgjoheshin me kërcitje “cak-cuk” mbi
gjethet e pemëve, mbi barin që ishte tharë dhe mbi tjegullat e pullazit të shtëpisë.
Jashtë nuk shihej e as dëgjohej zë njeriu, duket se rrufeja kishte goditur pa
ndonjë pasojë.
Nuk shkoi
gjatë, u errësua edhe më shumë, sikur të ishte natë, kur papritmas ia krisi rrebeshi
i shiut, u lëshua me vrull si me rrjedhë prej kënate, nga dritarja filloi të hynte
një fllad i këndshëm.
Xha
Sokoli e ndjeu një kënaqësi të papërshkrueshme dhe një çlirim që ia përshkoi tërë
trupin që e bëri të frymojë lirshëm, iu duk si me ia hequr lakun nga fyti. Freskia
e përnjëhershme e detyroi ta kapërthejë sërish këmishën. Më lehtësi u ngrit në këmbë
dhe nisi të sillej rrotull divanhanes, i dukej se ishte liruar nga një barrë që
ia rëndonte trupin. U soll disa herë, sërish u ul pranë dritares të shikojë jashtë.
Nga strehët e çatisë, çurgu i shiut rridhte me vërtik, qielli ishte nxirë,
natyrën e kishte mbuluar një errësirë, rrugën pranë shtëpisë e kishte vërshuar
uji që rridhte si përroskë. Ktheu shikimin në kopsht, plasaritjet në tokë nuk
shiheshin më. Lisi m’ at’ anë shihej me vështirësi nga rrebeshi i shiut që ishte
lëshuar si litar.
Kishte
kohë që s’kishte parë kaq reshje shiu. Shyqyr Zotit, nuk ka breshër, tha më vete.
Pasi u kujtua pak, përsëri foli më vete: Bereqet është kjo, natyra do këndellët.
Lumëbardhi do ketë ujë me bollëk, do t’i mbushet shtrati. Jazi i Tophanes do të
ketë ujë plot e përplot dhe dollapët do t’i lëvizë me lehtësi. Drini i Bardhë përgjatë
shtratit do të mbushet, do të ketë vadë i tërë Dukagjini, toka do gjelbërohet
dhe sërish do të ngjallet jeta.
Iu duk
vetja se po përtërihej. Për t’u sprovuar, sërish u ngrit në këmbë dhe nisi të ecë
rrotull divanhanes. I dukej se po lëviz me lehtësi. Mendoi: Tani mund të eci sa të duash,
megjithatë ka kohë për këtë, vetëm le të vazhdojë të bjerë shi derisa të ngopet
toka, do të shtohet bereqeti. Kur të pushojë shiu, do të shkoj në Tophane te
dollapët, atje do të arrij sa ora, mandej gjatë pelegrinazhit aty do të çmallem
për kohët e kaluara duke i përkujtuar shokët që ikën në amshim.
Gjatë kësaj
ecejakeje, në divanhane ia behu e shoqja Zoja, me një habi u drejtua:
- O
Sokol, për çfarë arsyeje po sillesh rrotull si dollapët në Tophane, a mos ke
filluar të çmendesh ?
Xha
Sokoli u ndal ta dëgjojë të shoqen çka po i flet. Nga inati me shpejtësi i dolën
fjalët si plumb pushke, iu përgjigj:
- Jo grua
nuk është ashtu, kësaj nuk i thonë çmenduri por mrekulli.
Për t’ ia
zhvlerësuar fjalët, e provokoi:
- Oj
grua, a po më tregon, a je lodhur ?
- Si mos
të lodhem duke punuar pranë shporetit në vapë, - iu arsyetua ajo.
Ky e
priste këtë përgjigjeje, sërish e ngacmoi:
- Por
gruaja ime, pas freskisë që e solli shiu, a e pate më lehtë ?
- Po,
sigurisht që e kisha më lehtë, - iu përgjigj me një ton bindës, pa menduar gjatë
për qëllimin e pyetjes.
Zoja më në
fund e kuptoi se pas këtij dialogu kishte qëndruar një grackë e kurdisur nga i
shoqi, por ishte vonë për t’i korrigjuar fjalët, ndërsa ky ia ktheu me një buzëqeshje
ngazëllimi si shprehje e triumfit mbi këtë betejë mendimesh.
Për t’ia
zhvlerësuar mendimin e saj si të gabuar, vazhdoi:
- O moj
gruaja ime edhe pse je më e re se unë, nga përvoja edhe ti e di se kushtet
klimatike kanë ndikim në ambientin jetësor. Ti vetë e përjetove plogështinë e kësaj
vape të padurueshme, në kohë fresku njerëzit janë më aktivë, jeta është më dinamike.
Ky rrebesh i shiut do sjellë mrekulli, të cilës po i gëzohem e nuk po çmendem.
Për ta
shtendosur gjendjen e rëndë që e kishte krijuar pa dashje, ajo vazhdoi dialogun
për t’ ia tumirë mendimet e tij:
- Ashtu është
burri im, ecja e jote rrotull divanhanes për mua ishte befasi. Ti gjithmonë pa
nguti i ke vlerësuar situatat dhe me vete mendova: ç’u bë tash ? !
Për ta përmbyllur
qetas këtë bisedë, xha Sokoli ia priti:
- E vërtetë
është, gruaja ime, unë asnjëherë nuk e kam shprehur gëzimin në këtë mënyrë, pos
atëherë kur na lindi nipi.
Që ta ndërrojë
temën e bisedës, Zoja i tha :
- More
njeri, a more vesh gjë për djalin e Zekës ?
- Jo
grua, vetëm se po dihet që është arrestuar nga sigurimi shtetëror, - iu përgjigj
pa e zgjatur me sqarim. Mirëpo, pas një meditimi të shkurtër, përsëri vazhdoi.
- Siç më thanë,
gjatë bastisjes kishin bërë rrëmujë, nuk kishin lënë dru e gur pa e lëvizur nga
vendi. Nën pretekst se po i gjurmonin provat akuzuese, kishin shkaktuar dëme të
mëdha materiale. Në këtë vandalizëm ishte dalluar një udbash shqiptar, për të cilin
flitet se edhe babai i tij dikur kishte qenë spiun në shërbim të serbëve e
malazezëve, qysh nga koha e krajlit.
Ajo ndërhyri
për ta plotësuar.
- “Po
Sokol po, dardha pikë ndër dardhë”.
- Ashtu është,
- iu përgjigj ky, për të vazhduar: - Atë ditë i kishin bastisur edhe disa shtëpi
tjera. Po thonë se është zënë një organizatë ilegale, janë arrestuar shumë veta,
ngase ishin përgatitur për luftë guerile kundër shtetit. Më vonë një i njohshëm,
i cili ishte më i informuar se të tjerët, më tha:
- I kanë zënë
dy, e jo një organizatë, porse që të dyja kishin pasur qëllime të njëjta.
Ajo ndërhyri:
- A ende
shqiptarët me disa mentalitete ideologjike janë rreshtuar si dikur, dikush
legalist, dikush ballist, e dikush partizan - komunist ? !
- Jo grua
jo. Si duket, kur janë themeluar në ilegalitet ato nuk kanë qenë në dijeni për
ekzistimin e njëra tjetrës, ndonëse që të dyja në programet e tyre kishin
paraparë të luftonin për çlirim dhe bashkim të trojeve shqiptare.
Derisa e
argumentonte mendimin, nga afër u dëgjua një krismë rrufeje e përcjellë me vetëtimë
e bubullimë, e cila ua ndërpreu bisedën. Pas pak xha Sokoli i tha asaj:
- Zojë,
shko menjëherë të nipi se mund ta ketë trembur kjo krismë, ndërsa vetë iu afrua
dritares dhe u ul aty pranë.
Pasi
mbeti vetëm në divanhane, mendja përsëri i shkoi te arrestimet e atyre ditëve. Në
mesin e të arrestuarve ishte edhe Gjini - i biri i Zekës.
I zhytur
në mendime e mbështeti kokën mbi pëllëmbën e dorës, bërrylin e të cilës e
kishte vënë mbi jastëk. Në qetësinë e kësaj vetmie nisi të meditojë për të kaluarën
që e kishte përjetuar së bashku me Zekën qysh me fillimin e luftës së Dytë Botërore.
Rrugëtimin
e këtyre kujtimeve nëpër kohët e kaluara ia ndërpreu gërvima e basamakëve prej
druri e cila shkaktohej nga shkelja me këmbë e dikujt që po hipte shkallëve. Xha
Sokoli e përqendroi shikimin kah dera e hapur e divanhanes. Pas pak çastesh e
pa figurën përballë vetes. Ishte biri i tij Trimi i tëri i lagur nga shiu. Ai,
pa hyrë brenda i mbështeti të dyja duart anash derës së divanhanes, iu drejtua
xha Sokolit:
- Mirëdita
Babë,
- Qenke bërë
qullë, biri im. Shko ndërroji rrobat.
Përkundër
këshillës, Trimi nuk u largua, por vazhdoi:
- Si ia
kalove kësaj dite, babë, a të mundoi vapa pa ra shiu.
- Ia
kalova disi, shko e hiqi këto rroba nga trupi, e mandej mund të bëjmë bisedë sa
ta do qejfi, - i tha me një ton këshillues.
- Po babë,
por së pari desha të të shoh, e mandej t’i zhveshi të lagëtat prej trupit - iu
përgjigj Trimi.
Trimi
zbriti shkallëve në katin përdhes. U ter pakëz duke u fshirë me peshqir, mandej
i veshi rrobat tjera dhe mbasi e vizitoi të birin, të shoqen dhe nënën që gjatë
asaj kohe gjendeshin poshtë në dhomë, ktheu sërish në katin e epërm të babai në
divanhane. U ul në divan, e pyeti:
- Babë për
çfarë po kujtoheshe ?
- Po e
kujtoja Zekën, që asokohe ishim në shërbim ushtarak në të njëjtën kazermë, - iu
përgjigj pa e shkoqur shikimin nga dyshemeja dhe vazhdoi:
- Ishin përjetime
që nuk duhet harruar, janë mësime jete. Njeriu sa më shumë jeton, aq më shumë mëson.
Përvoja e së kaluarës gjithmonë është bartur nga gjenerata në gjeneratë më të ndërtohej
e ardhmja më e mirë. Ndodh që ato të duken si të padobishme, por të vjetrit kanë
thënë: “ruaji në xhep” do të vijë koha kur mund të nevojiten. Jeta sa është e
mirë, po aq është edhe e vështirë, është me përplot gracka. Për atë që di, jeta
është kënaqësi, por dituria fitohet me mësim dhe përvojë. Unë shumë çka kam mësuar
nga babai im. Pa mësimet e tij, jetën do ta kisha pasur shumë më të vështirë. Por,
për një të ardhme më të mirë nevojitet shkollimi. Një fjalë e urtë thotë: “Me
një lule nuk çel pranvera”, apo: “Me një hu nuk thuret gardhi”, prandaj pos
hapjes së shkollave, baras djemve duhet të arsimohen edhe vajzat, një ditë ato
do bëhen nëna. Edukata në familje fitohet prej tyre. Të pashkolluarit më lehtë nëpërkëmben,
ndërsa popujt e arsimuar jo vetëm që vështirë nënshtrohen, por edhe
prosperiteti është në anën e tyre.
Pas këtij
monologu të babait, foli Trimi:
- Babë,
rinia e jonë ka filluar të arsimohet. Dikur nëpër shkolla mësimi vijohej vetëm
në serbishte dhe pakkush prej shqiptarëve asokohe shkollohej. Tash situata është
pakëz më ndryshe. Numri i nxënësve shqiptarë është rritur, madje kanë filluar t’i
mësojnë disa lëndë mësimore edhe në gjuhën shqipe. Mirëpo, a po më tregon se çfarë
ishte aq interesante që po e përkujtoje shërbimin ushtarak gjatë periudhës
kohore të Mbretërisë Jugosllave ?
Xha
Sokoli filloi t’i rrëfejë për ngjarjet e asaj kohe, të cilat i kishin lënë gjurmë
dhe i ruante me përkushtim në kujtesë.
Ai nisi t’i shpalosë një nga një ngjarjet e kohëve të kaluara, prej ditës në ditë si një shfletim regjistrash, sipas renditjes nga ditari i kujtimeve, përmbajtja e të cilave përshkohej me përjetime që i ngjanin valëvitjes së barkës në detin e trazuar, duke u përballur me përplasjet e vrullshme të dallgëve përmbytëse.
Fragment nga prologu i romanit në dorëshkrim ...