Kulturë
Bebeka Alla, artiste, piktore, grimiore dhe fotografe
E hene, 09.07.2012, 06:03 PM
Bebeka
Alla, zëri i heshtur i çdo shfaqjeje operistike, artistike
Nga Albert Zholi
Një ditë surpizë
Para disa kohësh kur isha për vizitë në Itali, një i afërm i familjes, emigrant në Firence më çoi në zyrën e një avokati që ishte i apasionuar çmendurisht pas operës dhe baletit. Në hyrje të derës në krah të djathtë më tërhoqi vëmendjen një kalendar. M’u duk kalendar shqiptar. Fshiva sytë. Jo! Nuk u gënjeva. Sapo u afrova afër pashë të shkruar qartë në Kalendar i vitit 2012, ku kishte 20 personalitet të Operës shqiptare dhe të disa vendeve të botës. Në fund shikoj realizuar nga Bebeka Alla, mikja ime e heshtur. Sa u gëzova. Pasi e përshëndeta mikun e pyeta: Ku e keni gjetur këtë kalendar? Ma ka sjellë një miku im këngëtar operistik që e thërrasin vazhdimisht në Tiranë për të kënduar pjesë të ndryshme. Pse pyete më thotë? Pyeta sepse ajo që e ka realizuar këtë album është mikja ime, një grimiere, parukjere dhe një fotografe e talentuar. Ai u befasua. Ka bërë një realizim perfekt më tha. Kalendar të tillë i kam shumë për zemër. Mund të rri dhe pa bukë, por pa parë opera njëherë në javë nuk mund të rri më tha miku italian. Opera të zgjat jetën të çon në botën e bukur të hyjnive qiellore. Më vjen mirë që kjo lloj gjinie muzikore po gjen shtrat të ngrohtë edhe në Shqipëri.
Kalendari me personalitete
Një kalendar
i veçantë një kalendar shumë profesional, ku bie në sy zbërthimi artistik i
figurave qendrore të këngëtarëve të operave në kalendarin e vitit 2012, të realizuar
me mjeshtëri nga grimierja, parukerja dhe fotografja e talentuar Bebeka Alla. Janë
plot 20 këngëtarë operistikë shqiptarë dhe të huaj ku bien në sy: Simona
Bertini, Annaldo Kllogjeri, Aleksandër Stefanoski, Leonrado Gramenga, Victor
Sierra, Vikena Kamenica, Eva Golemi, Dorina Selimi, Mariana Leka, Irini
Nikolla, Ylber Gjini, Eriona Gjyzeli, Sonila Baboçi, Manjola Konjari, Armando
Likaj, Christopher Fel, Lindita Kola, Cangiz Sayin, etj., të cilët kanë kaluar nga duart e mjeshtres Bebeka Alla
për t'u shndërruar në personazhet e pavdekshme të operave si "Trovatore",
"Toska", "Falstaff", "Lucia di Lamermour", "Kiss
me Kate", "Turandot", etj.
Të 20
artistët protagonistë të kalendarit 2012, ishin dhurata më e bukur që ky
institucion u ka dhuruar këngëtarëve të vetë, por edhe të huaj duke shfrytëzuar
maksimalisht potencialet e tij krijuese. Puna e TOB-it vitet e fundit ka afruar
shumë spektatorin dhe duke sjellë gjithmonë e në rritje shfaqje me nivel të lartë
artistik ka bërë që në çdo stinë ambientet e TOB të ziejnë nga njerëzit. Këtë e
tregon edhe pjesëmarrja e artistëve të huaj në skenën tonë të Operës dhe baletit ku në këtë arritje skenike
një vend të veçantë zënë edhe portret-personazhet e krijuara nga Bebeka Alla, e
cila sipas Cikos: "Është një mjeshtre dhe artiste e skenës, e cila jep
kontributin e saj si piktor-grimiere, jo vetëm në këtë institucion, por dhe në spektakle
dhe shfaqje të tjera koncertale, të teatrit, musikaleve, etj".
Bebaka Alla është zëri i heshtur i çdo shfaqjeje artistike operistike, ku prej mëse 20 vitesh shumë artistë mbajnë firmën e shndërrimit të saj skenik dhe portretet e krijuara prej saj janë mirëpritur dhe janë duartrokitur nga mijëra spektatore.
Ndjesia e saj për kalendarin dhe TOB-in
“Jam ndjerë shumë mirë pasi të gjithë personazhet e mia janë ndjerë po aq mirë se unë. N.q.s do kisha pakënaqësi nga ana e tyre do ndihesha keq. Por ndihem dy herë më e lumturuar pasi këngëtarët e huaj operistik më kanë falënderuar në mënyrë të veçantë. Ende ndihem e gëzuar që munda t'u dhuroj këtë kalendar, këtyre figurave të shquara pasi ishte një ide e hershme e imja, e cila gjeti mbështetjen e miqve të mi. Gjej rastin t'i falënderoj të gjithë për këtë bashkëpunim artistik dhe me nivel”.
Roli i Bebekës në grimin e personazheve
Në teatër, opera, balet, personazhet tjetërsohen tërësisht në moshë dhe në karakter. Një rol mund ta luaj një aktor apo këngëtare e madhe në moshë kur në rol duhet të ketë moshë krejt tjetër dhe në fillim të shfaqjes për shkak të grimit asnjë nuk e njeh. Ky është roli i grimieres. Një rol që ndoshta nuk përballet direkt me spektatorin, por që ka rëndësinë e vet. Pastaj është zëri ai që i bën spektatorët ti njohin. Pra ky është roli i padukshëm i grimieres në skenë. Roli i grimieres në skenat botërore ngelet kurdoherë parësor dhe pse ata marrin pak nga lavdia e shfaqjeve. Kështu është dhe me Bebekën që dhe pse bën një punë kolosale, rri në hije, askush nuk kujtohet për të thënë dy fjalë për punën e saj, dhe pse ajo për të bërë një karakter rri me orë por edhe me ditë.
Vështirësitë në grim
Besoj se ka shumë vështirësi-thotë ajo. Madje mund të them që personazhe të veçantë duhet të punosh me orë, pasi duhet të jetë në funksion të pjesës që luan. Ka të drejtë! Kur shikon se si ajo punon me një përqendrim total befasohesh. P.sh, të kesh një personazh në jetën e tij normale dhe do ta kthesh nga të ri në të vjetër duhet të fillosh të punosh me rrudhat e fytyrës, që ka elementë të posaçëm dhe deri tek flokët. Sa punë rraskapitëse. Art shumë i vështirë, por po kaq dhe i bukur.
Pika më delikate e grimit
Në fjalorin profesional quhet derdhja e fytyrës. Kur realizohet derdhja elementët e tjerë janë më të lehtë, pasi më vonë shtohen të gjithë elementët që janë rrudhat, zgjerimi i faqeve dhe e një hunde të re. Me këto elementë fillon tjetërsimi i personalitetit.
A ka pas shkollë për grimiere?
Në sistemin monist u hap një kurs për grimier, parukier në Teatrin e Operës, por vetëm për Opera dhe në Teatër. Kur është futur për herë të parë në ambientet e studios në shkollë jam habitur, thekson Bebeka. Nuk kishte parë ndonjëherë paruke, por vetëm kishte dëgjuar për to. Në fillim u tremb nga paruket po aq sa u befasua. Një shkollë që nuk kishte ekzistuar më parë. Pati fatin që të ishte në këtë shkollë që i hapi shumë dritare në jetë.
Disa personalitete kryesore të artit dhe të kulturës që ka grimuar
Në Opera ka shumë, duke nisur që nga Ramiz Kovaçi (që nuk jeton më) , Gaqo Çako, Edit Mihali, Zoica Haxho, Mukadete Bara që është në fushën e baletit, Albert Janku, këto janë vërtetë personalitete të larta.
Në teatër
Takimi me teatrin ka qenë aksidentalisht për të dhe ajo ka grimuar jo pak personalitete. Ka punuar me Ndriçim Xhepën, Luiza Xhuvanin, Alfred Trebickën, Ema Andrean, por më vonë, në vitin 2003 pati një ofertë nga regjisori Gëzim Kame. Pranoi me shumë kënaqësi dhe aty preku me të vërtetë gjigandët e teatrit. Aty punoi me Robert Ndrenikën, Guljem Radojën, Rajmonda Bulkun, Ema Andrean, Bujar Asqeriun dhe u ndje mirë. Ishte një marrëdhënie shumë e mirë që punuan të gjithë bashkë. Doli një punë, ku me të vërtetë pati suksesin e vet dhe për të qe një dritare më shumë. Për të gjithë këtë punë që bënë bashkë në vitin 2004-n, aktorëve u dhuroi një kalendar. Kjo ishte një gjë e bukur dhe u prit shumë mirë dhe ishte hera e parë që ajo mori përsipër të dal veç punës së grimit edhe me fotografinë. I gjithë kalendari ishte i ndërtuar nga ajo.
Bebeka fotografe
Po. Ajo fotografon vetë. Të gjithë personazhet që ka bërë grim u kam bërë dhe foto. Madje, mund të themi se ka fotografuar të gjitha këngëtaret më në zë të Shqipërisë që nga Eli Fara, Manjola Nallbani, Aurela Gaçe, Rovena Dilo dhe deri tek Artiola Toska. Duke punuar në grim, duke krijuar personazhe filloi dhe t’i fotografojë ato. “Ti kem kujtim. Ti kem si pasqyrë pune. Si do ta pasqyroja punën time disavjeçare? Si mund të prezantohem përpara të tjerëve? Tashmë po bëj albume me fotot që kam bërë grim”, shpjegon ajo.
Një profesion i heshtur
Po, sepse
kam grimuar mijëra e mijëra personazhe dhe nuk i ka ruajtur. Që në momentin kur kam kapur aparatin me dorë unë ndjehem e plotësuar, se kam se çfarë të tregoj.
Zhani
Ciko
Bebeka
Alla është një mjeshtre dhe artiste e skenës, e cila jep kontributin e saj si
piktor-grimiere, jo vetëm në këtë institucion, por dhe në spektakle dhe shfaqje
të tjera koncertale, të teatrit, muzikaleve, etj.. Emri i saj tashmë gëzon
respekt të plotë.