Kulturë
Fatmire Duraku: Poezi e afërt dhe e ngrohtë
E enjte, 31.05.2012, 07:28 PM
Poezi e afërt dhe e ngrohtë
(Lidhur me librin me poezi “Portret i fshehur” të Remzie Zekollit, botuar më 2oo5)
Nga Fatmire Duraku
Poezia e Remzije Zekollit, sidomos kjo e
librit të fundit Portret i fshehur, në radhë të parë është e
qartë dhe e afërt. Komunikon lehtë me
lexuesin. Pra, pa ndonjë vështirësi, mund të shijohet nga shtresa të ndryshme
të lexuesve, që është vetvetiu një nga
vetitë e artit të mirë, të poezisë së
mirë...
Këtë poezi unë e
njoh nga fillimi, nga vargjet e para të autores, e cila filloi të shkruaj në heshtje, duke e rimarrë nëpër duar me durim nga disa
herë vjershën. Kjo ka bërë, që poezia e
saj - përveç arritjes të vërë kontakt të
lehtë me lexuesin, të arrijë të na bindë se arti i njëmend, nëse krijohet me përkushtim, i
takon gjithsecilit. Nuk është kjo ndonjë filozofi e ndërlikuar, por e thjeshtë – t`i jap gjak
poezisë, gjak nga kjo tokë dhe nga njeriu i së njëjtës tokë. Një filozofi e
thjeshtë, por e bukur. Duke qenë e tillë, poezia e saj le mbresë, gjithherë të
pushton me ritmin e vet të brendshëm, e cila hetohet gjithnjë e më fuqishëm,
bëhet tërësi. E parë nga kjo prizë, nga kjo tërësi, fitohet përshtypja se kemi
të bëjmë këtu me një vjershë të gjatë-poemë, e cila vetëm për hir të praktikës
ndahet në njësinë vjershë. Në këtë tërësi poetike, pra në këtë poemë të ndarë
në shumë pjesë – me tituj të veçantë, është dominonte vetmia, pritja, ëndrra,
dhembja... plaga e ndarjes nga pjesa e zemrës, nga bota ku i ke këngët dhe
varret, ku i ke vajet dhe rrënjët. Pritja bëhet më e rëndë nga përsëritja, nga prania
e vazhdueshme e vetmisë në shumë nga vjershat e librit. Në një vetmi të tillë
heroi lirik përjeton dridhje, parafytyrime, halucinacione.
Ja ta zëmë si do
të mund të dëshmohej kjo, me disa nga vargjet e poezisë “Kalaja e dashurisë”:
“ E unë ngela me zemër në dorë
kur
Ty pas shpine të ndriti gjaku...”
Halucinacion
apo jo, për çfarë është fjala? Për ndarje, apo për vrasje. Për ikjen e të
dashurit, që ai tërë jetën të kujtohet në vetmi, të pritet të kthehet prapë...
E thënë qartë, por prapë jo drejtpërdrejt, jo bardh e zi, gjë e cila do ta
lëndonte poezinë. Dhe, vetëm kaq, dy vargje të një
poezie do të mjaftojnë të meditosh, të gjendesh para dilemës – kush, çka? Dy
vargje të një poezie me çiltërinë dhe peshën e tyre, do të mjaftojnë të bashkë
ndiesh dhembjen dhe gëzimin, temën që shtjellohet, tërë mozaikun e gjërave, që
nuk shkruhen e aty e kanë zjarrin e vet, aty e flasin veten dhe hijen e tyre,
me të cilat preokupohet autorja.
II
Po të bënim një
krahasim me librin e parë të autores, do të hetonim qartë se kjo përmbledhje
është realizuar në mënyrë krejt tjetër. Derisa vargjet e librit të parë i
përshkonte këndimi pa ndonjë ndërtim me kuptim metaforik, vargjet e librit të
dytë janë të realizuara më me zell dhe
herë-herë me kuptim më të thellë, simbolik. Duke bërë një përpjekje të tillë -
të jetë më racionale, autorja tash na sjell një libër me ndërthurje të re, më
mjeshtërore, ku me përkushtim i këndon, etjes, netëve të trishtuara, vetmisë, ëndrrave të vrara, etj.
Simbolet janë të njohura, disa të marra nga
letërsia popullore, por këtu kanë marrë dritë dhe dimension të ri. Kështu ajo,
sado me përvojë të vogël në krijimtarinë letrare, në librin “Portret i fshehur”
na sjell poezi të formuluara mirë, vargje të gdhendura dhe artistikisht të
realizuara. Në këtë mënyrë, ndërsa e lexon këtë poezi, të pushton një ndjenjë e
ngrohtë, njihesh me një botë tjetër, me një botë të një gruaje e cila nga
thellësia e shpirtit të saj prej poeteshe qan hallin e gruas shqiptare në
stuhitë e egra të kohës, tash dhe në të kaluarën. Përpjekja e autores që të çel
një dritare të re në krijimtarinë poetike të femrës te ne në disa raste del
mjaft e suksesshme, që për një penë e cila ende është kërkim të rrugës së
shkrimit të vet artistik, nuk mbetet e
pa domethënie.
III
“Gjakut tim
Që prej kohësh
Kërkon liri”
Me
këtë moto autorja e fillon poezinë e vet, të librit “Portret i fshehur”, i cili
në të vërtetë është kuptimi i jetës, i etjes për liri në tokën e vet të lashtë,
është alfa e omega e preokupimit të saj. Kjo simbolizon një gjendje të rëndë,
përmes cilës ajo shpalos veten, këndon,
thur vargje, që përmes këngës të ngrihet mbi dhembjen. Sepse, nuk kanë thënë
kot poetët sa e sa herë, se kënga është ilaç.
Dhe, ja, ilaçi, ja
fjalët që shërojnë, të cilat duke u radhitur në dirtën e qiririt njëra pas
tjetrës e flasin natën e pafund të autores, pritjen, dhembjen që nuk zbutet, në
çastet e vetmisë së thellë, por në tëç njëjtën kohë edhe shërojnë, lirojnë nga
Ëankthi, nga klithja q heshtur e shpirtit;
“Sonte nuk kërceu
heshtja
Nuk heshti zemra
sonte...”
Sepse
“Ja si e mbajnë
fronin
Në letrën e bardhë
F j a l ë t”.
Dhe, në këtë
mënyrë ngadalë por gjithnjë e më e pranishme bëhet fjala, ajo tashmë është e
prekshme e gjallë, është në çdo objekt përreth. E autorja, duke i prekur
thellësitë e saj, fshehtësitë e saj, zë dhe kthehet në vete, të shpalos hirin
dhe zjarrin e kujtimit, të shkëlqimit të humbur. Kështu fjala bëhet bërthama e
besimit, e derdhur brenda dhe jashtë heroit lirik, në vetveten e autores, nga e
cila nuk mund të ikën. E si do të mund të ikën njeriu nga vetvetja!? Kështu, me vetminë, besimin, ëndrrën, ajo
shpalos gjërat, pak-pak ndrit portretin e fshehur dhe krijon një mozaik poetik.
Cili është ky
mozaik në këtë poezi, në shikim të parë – poezi e çastit? Po të merremi pak më
gjatë me këtë poezi, po të thellohemi pak më shumë në të, do t`i hetojmë shtresimet kuptimore, që qetë
dalin në sipërfaqe nga thellësia e vargut, nga thellësia e krijimit poetik. Ajo
nuk trillon, ajo nuk imagjinon, nuk ik në re... Ajo prek aty rreth vetes,
regjistron impulset e jetës, gëzimet dhe hidhërimet, dridhjet e shpirtit,
ritmet e së përditshmes. Duke i ndërlidhur pastaj të gjitha këto fije magjike
në vargun poetik, ajo krijon vargoin e
gjatë dhe të pashkëputshëm të jetëmbetjes sonë këtu, lidh fijet e së
kaluarës - të traditës, me fijet e së sotmes, me synimet
për një të nesërme më të mirë.
IV
Shumë gjëra
në jetë e kanë enigmën e vet. Autorja do ta zgjidh këtë fshehtësi, do të shoh
atë që dëshiron, por rruga është mjaft e gjatë dhe e mbuluar me mjegull.
“Mjegulla ka
mbuluar rrugët
Xhamat e
ngrirë
Nga të
ftohtit e natës...”
Pastaj shton
plot rezignim, krejt në dridhje, në dilemë të thellë, apo edhe fare e pashpresë.
“Me plagë në
trup
Si të të
gjej...”
Njëri ndër
preokupimet kryesore të poetes është fati i njeriut në vorbullën e kohës, në
këtë truall – në Ballkan, më afër - në Arbëri, por edhe më afër - në Kosovë. Ky
preokupim, që do të mund të lexohej thjeshtë – njeriu dhe fati i tij, nuk është
frymëshkurtër. Ajo e shtrin interesimin e vet në periudha të ndryshme të
kohës... Niset nga një detaj i vogël që më pastaj të thellohet pak nga pak, të
prek tutje në kohë, në lashtësi. Duke i realizuar të gjitha këto me sukses,
Remzije Zekolli ka krijuar një libër të mirë, një poezi, që sjell kënaqësi.
Njeriu dhe fati i tij prapë. Dhe, gjithherë.
Sepse, këtë njeri (dhe fatin e tij - në këtë truall), Remzije Zekolli e prek në
të gjitha dridhjet e tij shpirtërore, në të gjitha plagët, por edhe në gëzimet
– shumë të rralla, që i përjetoi; duke
qenë gjithnjë rob, por megjithatë gjithnjë i paepur. Remzije Zekolli, njeriun e vet, pra njeriun
tonë - këtë sot dhe këtu, nuk e sheh në asnjë rast vetëm bardhë e zi, thjesht,
por në të gjitha nyansat shpirtërore, jetësore, në të djeshëm, në të sotmen dhe
tutje - në të nesërmen. Sepse, “nuk ka asgjë pa rrënjë”, sikur thotë ajo. Dhe,
kjo do të ishte alfa dhe omega e poezisë së saj. Ja, të shohim poezinë Pse
Europë, ku ajo i drejtohet Europës, në këtë mënyrë:
“... Një pjesë e lashtësisë sate jam
Butrinti jam Unë
Dardania jam Kruja...”
Kështu, ajo - në këtë sferë, duke pohuar rrënjët e veta, lashtësinë e vet këtu, shkruan për trimat që mbajtën gjallë ëndrrën për liri, për heronjtë kombëtar, siç është poezia “Ti dhe ulliri” kushtuar Skënderbeut, apo ajo “Shndrit në përjetësi” – një poezi e bukur për Adem Jasharin, pastaj poezitë për nënën e heroit, për të dashurën e dëshmorit, për gjyshin e vet, etj., të cilët me gjakun e derdhur i sollën dritë të sotmes. Brenda kopërtinave të librit “Portret i fshehur” zënë vend edhe vargje të latuara me kujdes, të cilat prekin anë të tjera të jetës, kënde intime; ajo shkruan edhe për dridhjet e bukura të zemrës së dashuruar, por edhe për bukuritë e natyrës, për damarët e lashtësisë... për Durrësin, për Vushtrrinë... Duke i ndërlidhur bukur në vargje të gjitha këto, ajo ia ka dalë të krijojë një poezi të afërt, të çiltër dhe të ngrohtë.
Libri është organizuar me kujdes. Fillon
me moton “Gjakut tim, që prej kohësh
kërkon liri”, për t`u prirë nga vjersha programatike “Zoti ju bekoftë”, që
është një përkushtim për paraardhësit e autores, të cilëve ajo u falet për hir
të zemrës, për hir të dashurisë dhe të dritës që ia falën, pastaj - libri
ndahet në tri cikle “Për hir të zemrës”,
“Mjegull në xham” dhe “Qielli i syrit”.
Për fund, dua të cek se me këtë libër Remzije
Zekolli ia ka dalë të na bindë se e ka mësuar mirë zanatin e shkrimit poetik.
Mbetet të presim libra të tjerë edhe më të suksesshëm. Ajo ka çfarë të thotë
dhe atë di ta thotë...