E diele, 28.04.2024, 01:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Faik Shkodra: Një histori autentike e shqiptarit

E enjte, 31.05.2012, 07:15 PM


NJË HISTORI AUTENTIKE E SHQIPTARIT NËPËR KAPËRCEJ TË SHEKUJVE

Dibran Demaku: “Vetmi”, novelë, botoi “Shkëndija”, Prishtinë, 2012.

Nga Dr. sc. Faik Shkodra

Veprat letrare janë riprodhim i ngjarjeve dhe i dukurive, janë pasqyrim i botës dhe i jetës së një shoqërie të caktuar dhe, siç na mësojnë teoritë letrare mbi artin e të shkruarit, krijuesit e veprave letrare bëjnë përpjekje të shumta, madje shumë të mundimshme, që në subjektet e veprave të tyre të kapin në trajtim e pasqyrim çështje e probleme sa konkrete e jetësore aq të vëzhguara me vërtetësi e me të dhëna të bollshme nga realiteti jetësor dhe shoqëror, të dhëna që manifestohen në kohë dhe hapësirë.

Nëse këto kërkesa plotësohen nga krijuesit e veprave letrare artistike, atëherë vepra letrare artistike, jo vetëm i përmbush porositë e nevojshme që lidhen me atë realitet, por njëkohësisht shkrimtari bëhet zëri e kënga, bëhet jehona dhe biri i kohës e i shoqërisë së cilës i takon.

Natyrisht, në këtë funksion të veprave artistike ndikon fakti se asnjë vepër letrare nuk lidhet me një sistem individual vlerash, por me të drejtë thuhet se vepra, e çfarëdo zhanri qoftë, paraqet një sistem të tërë dukurish dhe aspektesh, të cilat shpalosin të dhëna të një kohe të caktuar, duke sjellë kështu para lexuesve vlera të veçanta artistike dhe estetike, vlera që lidhen me përjetime dhe kujtime që, kuptohet, nuk mund të jenë të përgjithmonshme.

 

Plaga që dhemb, e që duhet të shërohet

 

Dibran Demaku, emri dhe mbiemri i të cilit nis me një aliteracion, në novelën “Vetmi” ka rrokur në trajtim një temë interesante dhe shumë aktuale, temë që lidhet me ruajtjen e traditave kombëtare, me kujdesin e ruajtjes së zakoneve për mikpritjen, bujarinë, sofrën shqiptare, që karakterizohej për zemrën e madhe, të dëshmuar me bukë, kripë e zemër, për odën dhe për kullën shqiptare dhe, si për ironi, autori, me përjetim e frymëzim të thellë, i shpërfaq mendimet e ndjenjat më të fuqishme, me të cilat arrin ta lartësojë dashurinë dhe respektin për njeriun dhe mysafirin dhe, siç thotë shkrimtari, “oda me pak dritë e me shumë tym duhani, me dritare të vogla e me pak dritë, por edhe në atë pak dritë, ne ishim më të bashkuar dhe e shihnim më mirë njëri-tjetrin”.

S’ka dyshim se vlerësimet e tilla s’mund t’i luajë as topi. Sado që në shoqërinë moderne vërehen përparime të dukshme në të gjitha fushat, përsëri në këtë modernitet janë venitur, madje edhe janë tretur, harmonia, dashuria, kujdesi dhe respekti i ndërsjellë i njerëzve.

Gjatë leximit të novelës mësojmë mbi vlerat e shumta që lidhen me traditat tona kombëtare, vlera këto që kanë të bëjnë me besën, me ngrohtësinë miqësore, me gëzimet që sillte dasma, me respektimin e dokeve dhe zakoneve rreth organizimit të dasmës, që, kuptohet, ishte njëra prej ngjarjeve më të veçanta për jetën e dy të rinjve. Po këto zakone dikur respektoheshin deri në skajshmëri, ndërsa mikpritja shqiptare, zakoni i nderit të mikut a mikeshës dhe fjala e dhënë, respektoheshin deri në kult. Kur lexojmë fjalitë: “Vritet njeriu në pikë të ditës dhe kurrgjë kurrkujt. Në kohën e sotme shkon njeriu si qeni në rrush. Të hyjnë hajnat dhe të vjedhin në shtëpi dhe ti as nuk je i zoti të mbrosh pasurinë tënde... Dikur shqiptari nuk kishte asgjë tjetër, pos bukës dhe kripës, por zemrën e kishte të gjerë. Ndërsa sot, kur i ka të gjitha, sikur nuk ka zemër”, kuptojmë se vërtet shqiptarët përditë e më shumë po varfërohen shpirtërisht, përditë po ballafaqohen me kontradikta të dhimbshme, të cilat nuk janë pa pasoja për brezat që vijnë. Me fjalë të tjera, gjendja kryesore shpirtërore e shqiptarëve, sipas Dibranit, është bërë plagë që dhemb, plagë që duhet të shërohet, plagë që shkakton hidhërim e shqetësim. Ky dëshpërim vazhdon ta shkatërrojë qenien tonë kombëtare.

Duke i pasur parasysh këto të vërteta, me arsye të plotë është thënë se është vështirë t’i arsyetojmë këto dukuri të shëmtuara dhe këtë tëhuajtje të njeriut tonë, i cili në fakt mendimet “i shfaq në formën e një shkëndije, që, porsa ndriçon me një dritë të mekur e të sëmurë ndonjë pjesëz të vogël të botës së jashtme, shuhet pa lënë gjurmë”! Këtij vlerësimi i përgjigjet sentenca dhe thënia e mendimtarëve të kushedi para sa shekujsh, se “Nuk është koha që krijon njeriun, por njeriu kohën”.

Në tërë subjektin e novelës së sipërthënë konfliktet midis së djeshmes dhe së sotmes, midis brezave moshash ndër më të ndryshme, jo vetëm shtjellohen në rrafshe të shumta, por këto konflikte shquhen për veçoritë e dallueshme dhe, si të themi, situatat me kundërvënie nuk mbeten pa pasoja dhe të shkëputura nga realiteti jetësor. Ato në tërë subjektin e novelës bëhen pjesë përbërëse e dramës së viteve të shekullit të shkuar dhe të shekullit të tashëm.

Në të vërtetë, Dibrani në tërë novelën, përmes personazheve arrin të bëjë analiza të ndjeshme psikologjike. Autori, ne stilin e tij origjinal, përmes analizave, të themi ‘sui generis’, arrin të na e japë botën komplekse të personazheve duke e lidhur këtë botë delikate me dukuri, me situata, me ngjarje e me veprime të papranueshme të ecjes së shoqërisë drejt progresit, ose më mirë të themi drejt regresit. Ndërkaq, brenda këtyre ecjeve vërehen thyerje e gjendje të padëshirueshme, vërehen situata e momente që te njerëzit e ndershëm, të sinqertë e të padjallëzuar sjellin pakënaqësi dhe revoltë të skajshme.

Përsiatjet e shkrimtarit në dhënien e vetive psikologjike të personazheve si dhe të realitetit të kohës nuk bëhen vetëm përmes monologëve, por tërë kjo dramë shpirtërore bëhet përmes një pasqyrimi realist, ku mund të vërehen ndryshime të thella, që jo rrallë nuk shihen nga sytë e njerëzve të thjeshtë.

Mirëpo, vetë personazhi qendror i novelës, Mal Guri i Gurishtës, në raport me udhëheqësit e lartë partiakë paraqet një simbolikë që duhet kuptuar me shumë mençuri.

Mal Guri, në përgjithësi, në mënyrë të figurshme është simbol i qëndresës, i forcës, i pathyeshmërisë morale e shpirtërore para vështirësive, që nuk ishin të vogla dhe të lehta për t’u përballuar. Mali në mënyrë metaforike paraqet, si të themi, çatinë ku njerëzit e përndjekur e të vënë në shënjestër nga njerëzit e shërbimeve sekrete, kanë mundur të strehohen. Mal Guri bëhet një jorgan që i mbron nga ato akuza e stërakuza të trilluara nga spiunët dhe kolaboracionistët e sistemit komunist.

 

Arti dhe filozofia e popullit ngrihen në lartësi të shprehjes estetike

 

Mal Guri është një personazh që shquhet për mençurinë dhe botën e madhe shpirtërore. Mësimet dhe veprimet e tij sikur ta kujtojnë thënien se jeta është një ëndërr dhe vetë mençuria popullore e Mal Gurit flet për të vërtetën e njohur kaherë se arti dhe filozofia e popullit, së bashku, lulëzojnë dhe ngrihen në lartësitë e shprehjes estetike.

Brenda subjektit të novelës ndeshim protestën e njeriut të ndershëm për lirinë që i mungon, për të drejtën që ia kanë marrë, që ia kanë nëpërkëmbur, që ia mohojnë, për kulturën dhe traditën që ia kanë bastarduar dhe ia kanë vrarë në mënyrën më të vrazhdët jonjerëzore.

Duke lexuar pjesët: Bisedë pleqërishte, As ëndërr, as zhgjëndërr, Mal Guri, Vetmi, Në dhomën nr. 13, Mysafiri i paftuar, Kapitull pa titull, Monolog me lumin, Lis në këmbë, Po thonë..., shohim se të gjithë këta tituj në vete bartin simbolikën dhe metaforat më të fuqishme, që nga lexuesi do të duhej të kuptoheshin drejt dhe arsyeshëm.

Përmes këtyre mestitujve shohim klimën shpirtërore të autorit rreth çështjeve më të ndjeshme që lidhen me traditat, me lirinë, me dashurinë, me vendosmërinë, me atdhedashurinë, me humanizmin dhe me qëndresën heroike të popullit, për vendin, ndaj çdo gjëje që ka vlerë kombëtare dhe njerëzore, pra të gjitha këto aspekte bëhen tipare kryesore të vlerave që shtrihen në trungun e novelës.

Duke e parë novelën nga ky këndvështrim, mësojmë se novela është një histori autentike që shpalos botën dhe etnopsikologjinë e shqiptarit nëpër kapërcej të shekujve dhe, shikuar në një plan më të gjerë, novela është një mozaik dukurish shpirtërore e mendore të popullit, e që nga ana e Dibranit janë dhënë me një trajtim sa të suksesshëm dhe emocional, aq edhe artistik e estetik.

Në përmbajtjen e novelës autori me mjeshtëri të veçantë ka ditur t’i mishërojë dhe t’i bëjë pjesë unike të temës të dhënat, gjuhën, kulturën, etnografinë, filozofinë e pasur të popullit, jetën zakonore dhe vlerat e pasura të llojeve të krijimtarisë gojore dhe të gjitha këto ka arritur t’i lidhë, si mishin me kockën, me traditat më të shkëlqyeshme të popullit shqiptar dhe me gjuhën e bukur e të këndshme të tij.

Ne pjesët e novelës rrezatojnë aspekte që lidhen me dritësi për liri, për dashuri, për besnikëri, për humanizëm, që lidhen me ato pjesë që kanë filluar të rrënohen, të zhbëhen dhe si të tilla nga autori na janë prezantuar si kronika të zeza, që dëmtojnë historinë dhe kulturën kombëtare. Në këtë kontekst, do përmendur demonstratat e rinisë shkollore dhe studentore në vitet 1981, të cilat demonstrata regjimi barbar e kriminal i Serbisë jo vetëm që i shtypi, por edhe i shpalli armiqësore dhe të rrezikshme për prishjen e “vëllazërim- bashkimit”, që për 50 vjet ishte bërë parullë e sundimit të Titos dhe hyzmeqarëve të tij.

I tillë ishte edhe i ashtuquajturi Udhëheqësi i madh dhe i lartë partiak, i cili, pa skrupulla e pa gjak të nënës shqiptare, kërkonte nga Mal Guri t’i gjykonte, t’i dënonte dhe t’i shpallte armiqësore e kundërrevolucionare demonstratat e shqiptarëve. Sipas Mal Gurit, këto ishin jo vetëm kërkesa të rënda, të shtruara prej udhëheqësit të partisë, por ishin të dëmshme dhe të parealizueshme. Madje, madje, Mal Guri nga fjalët e tepërta që i nxirrte nga goja udhëheqësi partiak, vërente një fukarallëk të mendimeve, për çka e porosit udhëheqësin të ruhet nga fjalët e tepërta.

Ma1 Guri, që nuk pranonte të mohonte vetveten, as popullin e vet, bisedën e niste disi qetë e shtruar, pa e çuar menjëherë fjalën te flaka e ngjarjes.

Në vijim të novelës Dibrani natyrshëm e me një racionalitet të veçantë arrin të paraqesë atmosferën shungulluese të krijuar nga disa pushtetarë të regjimit komunist dhe dialogët e monologët e zhvilluar midis Ma1 Gurit e Udhëheqësit të lartë partiak të fusin në mendime, në histori, të vënë në dijeni për shqiptarët halleshumë, për shqiptarët tragjikë, por që fatbardhësisht shumë prej tyre dëshmohen si heronjtë e këngëve epike dhe me idealet e larta tregohen të pamposhtur, të guximshëm të qëndrueshëm ndaj çdo dhune e presioni që ushtrohej nga sistemi komunist. Dhe, lexuesi ka fatin të njihet më drejtpërdrejt me figurën e madhe çfarë ishte Mal Guri, që nga Dibrani është individualizuar e është tipizuar si një rreze dielli në fund të ditës së errët, si një shkëndijë drite në fund të tunelit - dhe ai ishte misterioz si mali, i fortë si guri. Mal Guri gjithë jetën mbeti simbol qëndrese, metaforë atdheu, mbrojtës i traditave dhe gjithnjë jetën e kaloi vertikalisht, pra nuk u gjunjëzua dhe kujt s’ia bëri me gisht. Ai mbeti një kronikë e gjallë, një lis me rrënjë të thella dhe, po të thellohesh më shumë në karakterin dhe idealet e tij, kupton se vërtet ishte një arkiv i tërë - arkiv që të vë në dijeni për një mori dëshmish e dokumentesh mbi jetën, historinë, kulturën, traditën dhe mbrojtjen e vlerave të kombit e të historisë së dhimbshme të shqiptarëve. Mal Guri jetoi me të vërtetat historike. Jetoi me ngjarjet e Luftës së Parë Botërore, të Luftës së Dytë Botërore, jetoi me presionet dhe elaboratet e shkrimtarëve dhe akademikëve të Akademisë së Shkencave të Serbisë për shpërnguljet masive që iu imponuan shqiptarëve drejt Turqisë e vendeve të tjera të botës, jetoi me përçarjet që pushteti komunist dhe kralët e ndryshëm arritën t’i fusnin midis shqiptarëve, madje midis dy vëllezërve, midis fëmijës e prindit, motrës e vëllait, jetoi me dënimet drakonike, që pushteti u bëri shqiptarëve për më shumë se një shekull.

 

Pasqyrimi i së djeshmes së rëndë dhe i së sotmes jo aq të dëshirueshme

 

Kur të gjitha këto të dhëna kihen parasysh, këto të vërteta që në novelë janë përvijosur dhe janë sintetizuar me një mjeshtëri e njohje të thellë të zanatit të shkrimit, atëherë pohojmë se Dibran Demaku në tërë novelën ngjarjet i vështron me syrin e një njeriu të ditëve tona dhe të njëjtat ngjarje i trajton nga pozitat e një artisti me dije e përvojë krijuese letrare. Nga grumbullimi i të dhënave, Dibrani nxjerr në dritë ngjarje të rënda, tronditëse, ngjarje që rënduan mbi historinë dhe fatin e popullit shqiptar. Me fjalë të tjera, Dibrani nuk mbetet rob i kornizave të kohëve për të cilat bëjnë fjalë pjesët e novelës, por ngrihet mbi to dhe në këtë mënyrë arrin të depërtojë përtej caqeve të parashikuara, bën, pra, një shtrirje kohore më të gjerë në të gjitha drejtimet, drejtime këto që vendosen në kohë dhe hapësirë.

Duke lexuar novelën, mësojmë se Dibran Demaku na jep material të pasur, nëpërmjet të cilit pasqyron të djeshmen e rëndë dhe të sotmen jo aq të dëshirueshme, sepse ndryshe e kemi menduar dhe e kemi dëshiruar Kosovën e pasluftës, jo një Kosovë përplot hajni, përplot mafiozë, përplot deputetë me biografi të shëmtuara e njolla vrastare të vëllezërve e të motrave tona, politikanë të komprometuar në aspektin edhe moral, edhe kombëtar, dhe politikanë e deputetë të padinjitetshëm, disa prej të cilëve vendin e kanë prapa grilave. Të gjitha këto, i di populli, i di masa! Gati të gjitha këto probleme e shqetësime autori i ka rrokur si me shkop magjik dhe këtë e ka bërë duke u futur thellë e më thellë në shpirtin e në jetën e personazheve, duke nxjerrë në dritë fakte dhe të dhëna shumë domethënëse për realitetin e kohës, me të cilin hall ballafaqohen njerëzit e Kosovës së pasluftës. Personazhet ka arritur t’i pikturojë në mënyrë sa të gjallë aq me ndjesi e lartësi artistike. Figura e Mal Gurit është e veçantë. Atë e karakterizon një pastërti shpirtërore, një guxim dhe një qëndrim shumë njerëzor dhe patriotik.

Këtu duhen parë meritat dhe prirja e Dibranit, i cili me forcën e fjalës artistike nxjerr ide, porosi dhe mendime të fuqishme mbi jetën, historinë dhe fatin e popullit shqiptar.

Mal Guri i Gurishtës dhe peripecitë e tij të shumta, në një anë, si dhe mençuria, patriotizmi, ndërgjegjja dhe vendosmëria për ta luftuar të keqen, dhunën, të padrejtën, veprimet e dëmshme të pushtetarëve të sistemit, bërë mbi njerëzit e pafajshëm, në tjetrën anë, të gjitha këto e bëjnë novelën Vetmi krijim të rëndësishëm dhe interesant, ndërsa kryepersonazhi do të mbetet në mendje të lexuesve si një figurë dhe një hero shumë i adhuruar dhe i paharruar për kohë të gjatë.

Novelës Vetmi ia shtojnë vlerat dhe rëndësinë njohëse e artistike frazeologjitë që Dibrani ka ditur t’i bëjë pjesë të subjektit të ngjarjeve. Natyrisht, për këtë dëshmojnë këto frazeologji, këto fjalë të urta dhe këto shprehje të rralla popullore, të gjetura me sens të rrallë artistik, që novelës i japin gjallëri, frymë, forcë e vlerë të shumëfishtë artistike dhe estetike. Në mesin e këtyre margaritarëve të filozofisë së popullit, po përmendin: Si qeni në rrush, Fjalët e shumta janë fukarallëk, Ruaju nga fjalët e tepërta, Delen që ndahet nga kopeja, e ha ujku, Kthehu të kopeja, sa nuk është bërë vonë, Të shkuara, të harruara, Më mirë një ditë shqiponjë, sesa njëqind ditë sorrë, I riu si veriu, Pa krahë nuk fluturohet, Këtu nuk jemi në livadh, Duhet ruajtur në furtunë, Murit me kokë nuk i bihet, Edhe burgu është për burra, Më mirë i vdekur se besëprerë, Guri i rëndë në vend të vet, Prit gomar sa të dalë bar, Plak, mos çaj dërrasa, Partia është bimë e dreqit dhe e të keqit, Do t’u hasë sharra në gozhdë, Si ujku e dhia, E hëngërt kokën e vet, Toka e huaj edhe të vret etj., nëpërmjet të cilave autori arrin që mendësinë dhe filozofinë e popullit ta dëshmojë në mënyrën më sublime dhe, falë kësaj mendësie, ngjarjet dhe situatat shpirtërore të personazheve bëhen më të kapshme dhe mbi këto të dhëna autori krijon shtjella ideoemocionale të fuqishme.

 

Odisetë e popullit nëpër regjime e sisteme të rënda

 

Nga kompozicioni i novelës shohim se Dibran Demaku, si edhe në veprat e tjera, është krijues i idealeve të larta, ideale që i ka vënë në shërbim të popullit e të njerëzimit, në përgjithësi. Në trajtimin e realitetit historik, shoqëror e jetësor, shkrimtari tregohet i kujdesshëm, tregohet realist dhe gjithandej novelës, me shpirt e mendje e dashuron një jetë, një shtet dhe një ecje më të mirë sesa kjo që po e karakterizon Kosovën. Pikërisht Kosovës së pasluftës dhe popullit të saj autori i këndon çiltër, prandaj edhe lexuesi, pa ndonjë subjektivizëm, do ta përgëzojë autorin që ka ditur ta përpunojë një temë të kohës, një temë që tingëllon sa aktuale aq edhe e shkruar me stil e ndjenja të veçanta shpirtërore. Këto tipare e veçori te lexuesi ngjallin simpati e respekt, sepse këtë Dibrani e meriton, sepse e njeh realitetin ekzistues të Kosovës, e njeh historinë e saj të dhimbshme, e njeh shpirtin e lënduar të popullit, e di nëpër çfarë dramash e luftërash ka kaluar, i njeh idealet dhe ëndrrat e tij dhe, thënë metaforikisht, të gjitha këto bëhen pjesë e mendimit, e ndjenjave që autori i shkrin në fatin dhe në ëndrrat e popullit. Të tilla aspirata që ka Dibrani, na i kujtojnë thëniet e një studiuesi që i ka shprehur për një poet me frymë e me shpirt kombëtar: “Vetëm në këtë mënyrë, poeti nga thellësi e shpirtit të tij, gjen ato zgjoje mjalti sekrete, ato fjalë që janë në gjendje t’u bien njerëzve drejt e në zemër, t’i bëjnë të ndërgjegjshëm e luftëtarë të vërtetë. Vetëm kështu poeti bëhet i domosdoshëm në gjirin e shoqërisë e në ndërgjegjen e atdheut”.[1]

Gjithandej novelës autori ka përvijosur jetën e popullit, odisetë e tij, kaluar nëpër regjime e sisteme të rënda dhe pikërisht tronditjet e vuajtjet që i ka përjetuar, në mënyrën më të sinqertë edhe paraqesin historinë dhe psikologjinë e tij të trazuar.

Gjithashtu, themi pa ndonjë hezitim se Dibran Demaku është serioz në trajtimin e temave me karakter kombëtar e historik. Pohojmë kështu, ngase mendimet e shpërfaqura, si rreth botës së personazheve, si aspiratat që ata shprehin për jetën dhe rreth jetës, si ëndrrat dhe shpresat që i kanë për jetën dhe ardhmërinë, të gjitha këto i ka vendosur në dritën e një të ardhmeje që përpara ka vazhdimësinë, pra ka përparimin e dëshirueshëm.

Natyrisht, në këtë vështrim sollëm vetëm disa mendime, konstatime dhe pikëpamje rreth vlerave dhe strukturës së novelës Vetmi dhe jemi të sigurt se çështjet që janë bërë objekt trajtimi meritojnë analiza e vlerësime edhe më të thella. Na mban shpresa se qëllimi i Dibranit që, nëpërmjet veprës, pa ndonjë pompozitet, te shqiptarët, në përgjithësi, kurse të këta të Kosovës, në veçanti, të ngjallë ndjenjën e dinjitetit kombëtar, të forcojë ndërgjegjen kombëtare dhe të mos e harrojnë të djeshmen dhe t’i shërbejnë më mirë së ardhmes, duke i krijuar kushte e mundësi popullit për një përparim të njëmendtë në të gjitha fushat, do të bëhet realitet, ngase, siç ka vlerësuar Qemal Haxhihasani, kur flet për Thimi Mitkon: “Nga gjiri i këtij populli kanë dalë figura të shquara historike në fushën e luftërave çlirimtare, me të cilat i kanë treguar botës se si shqiptarët dinë të mbrojnë Atdheun e tyre me çdo kusht e sakrificë, kanë dalë dashamirë të kulturës, të arsimit dhe mirëbërës të mëdhenj”.[2]

Kujtojmë se e gjithë novela, me përbërësit e saj, në mënyrën më reale e përligj konstatimin se “Ardhmëria është ideal i të gjithë atyre që aspirojnë për jetën, për më të bukurën, më të lartën, më njerëzoren. Të lidhura me këto aspirata, letërsia dhe arti synojnë gjithnjë rritjen për të sjellë vlera të reja, arritje të reja, të cilat do të sintetizojnë afirmimin e të gjitha përpjekjeve njerëzore krijuese të mëparshme dhe perspektivën e zhvillimit real jetësor”.[3]

Le të vlejë ky zhvillim edhe për shqiptarët.


[1] Fatmir Gjata, Këngëtar me zemër trime, Nëntori nr. 4, f. 108, Tiranë, 1989.

[2] Qemal Haxhihasani, Thimi Mitko (Jeta dhe vepra), Parathënie, f. 123, Instituti i Historisë së Popullit, Tiranë, 1981.

[3] Briseida Mema, Kritika dh letërsia bashkëkohore, f. 101, Tiranë, 1991.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora