E premte, 26.04.2024, 07:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Sprovat e jetës si frymëzim lirik

E enjte, 24.05.2012, 10:23 PM


SPROVAT E JETËS SI FRYMËZIM LIRIK

Nga Xheladin Mjeku

Adem Berisha (1948) vjen tek lexuesi me vëllimin e tij të tretë poetik si rezultat i një pune me përkushtim duke u përballur me sprovat e jetës dhe fenomenet e dukuritë që preokupojnë dhe sfidojnë pareshtur. Në çastet kur po përballoja rrugëtimin plot befasi dhe retushime të reja estetike në poezitë e “Përballjes”, para më qëndronte trinomi  enigmatik i Adem Berishës. Ai  vinte si poet, rapsod dhe si vështrues i kujdesshëm ngjarjesh historike me elemente të dëshmitarit të kohës, që vepron me ngulm në skalitjen e gurit të kalasë poetike të  tij dhe që shpërthen si vullkan, në të shumtën plot mllef e dhimbje. Sidoqoftë, në këtë trinom poeti e ka fjalën kryesore, pa lënë anash  edhe faktorë të tjerë si ndërlidhje funksionale e krijimit të vlerës poetike që prezanton.

Kjo poezi mëton të thyej gëzhojën e botës  fëmijërore dhe të frymoj me botëkuptimet e të mëdhenjve por, kujdesshëm dhe si me druajtje ecën tehut të shpatës se të dy brezave paralelisht për të hapur shtegun e ri të  pjekurisë poetike.

Ndërtimi epiko-lirik i opusit letrar

Lirikat  e këtij libri, jo kushtimisht motiveve dhe formës së komunikimit poetik me lexuesin, janë të vendosura në ciklet: “Ngjarje që flasin”, “Poema e lirisë”, “Krenari e jo mahi”, “A vret ndjenja e gjakut” dhe “Lazdrajkë që rrëmben” të cilat bëjnë bashkësinë poetike të “Përballjes”. Parathënia, komentet dhe vlerësimet e miqve në “Mesazhe e dedikime miqsh” dhe “Pikëpamjet”, vijnë si pjesë përcjellëse që e  plotësojnë librin, duke përkrahur ndërtimin e një fizionomie të qëndrueshme dhe të mirëpajisur.

Kështu, poezia e Adem Berishës shquhet për vargun epiko-lirik i cili përshkon dukshëm krijimtarinë e tij e i cili i rri pranë frymës autoktone të ligjërimit epiko-heroik. Harmonia  e vargut sjell ritmikën poetike që na kujton melodinë popullore dhe përafron me  nuancime të këngës rapsodike duke mos  iu shmangur kapjes së fijes së ngjarjes që në nismë si tek “Amanet që pret . . . ”, “Hallkë çeliku e historisë” dhe ndonjë poezi tjetër që i përafrohen këngës rapsodike. Tek Adem Berisha  veçojmë edhe stilin fishtian e atë të poezisë së traditës që korrespondon me vargun epik, i transponuar mirë në mesazhin që ajo përcjell. Një numër i konsiderueshëm i këtyre poezive, përveç strukturimit katër vargjesh, ritmit, rimës, vargut konsonantik dhe semantikës që dominojnë pothuajse në tërë përmbledhjen poetike, kanë edhe funksion të perceptimit të tërësisë motivore dhe asaj tematike.

Që në fillim të shkrimit poetik autori shpalos qëndrimin, mallin dhe gatishmërinë që kurdoherë të sakrifikohet për “At-Mëmëdheun” e tij sa herë të jetë nevoja. Baraspeshimi i fajit me atdheun shpalos qëndrimin kulmor plot mall:

Unë nuk jam fajtor pse të dua,

nuk kam faj pse s’rroj dot pa Ty,

Ti më jep edhe krahë për të fluturuar

po pati këtu fajtor, jemi që të dy”.

(“Kush është fajtor”)

Ligjërimi poetik vazhdon rrugëtimin gjithandej nëpër ciklet e radhës duke i kënduar vendit, personaliteteve të merituara të kauzës sonë, figurave të artit e kulturës si dy shtyllat themelore të një kombi por, një veçanti krijuese vjen nga kjo penë edhe me synimet për socializimin me situatat dhe ndryshimet e rrjedhave shoqërore të vendit të tij. “Poema e lirisë” shtrin rrezeveprimin  e sajj në gjithë hapësirën ku lufta dhe heroizmi flasin me emra të përveçëm si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Dedë Gjo Luli, Sadik Rama i Gjurgjevikut,  Azem Bejta, Adem Jashari,  Azem Hajdini-Xani, Abdyl Krasniqi e tjerë, të cilët dëshmuan vlera sublime për kauzën kombëtare në etapa të ndryshme të së kaluarës dhe të tashmes.

Cikli poetik “Maja e madhështisë” vjen me përkushtime të dedikuara emrave të kulturës, humanizmit, vlerave dhe miqësisë që kurorëzohen me falënderimet dhe  mirënjohjen e autorit përgjatë gjetjeve frymëzuese bazuar në faktografinë e vlerave dhe ngritjen lapidare të shumë personaliteteve ndër të cilat spikatën dr Silva Bala, Nexhmije Pagarusha, Elena Gjika, Xhevë Lladrofci etj.

Nga modestia e autorit që temat e ngjarjet ti prek kujdesshëm dhe pa bujë, takojmë edhe  ciklin  me motive të dashurisë Lazdrajkë që rrëmben, në shtjellimin e të cilit edhe pse i vogël si vëllim, ndihet një sensitivitet i hollë i autorit, pa pasur për pretendim përshkrime të ngjarjeve por, me një qasje të kujdesshme dhe shprehje të ndjenjave të  theksuara të dashurisë si tek poezia  Lazdrajkë po, por e mirë” ku citojmë: “Le t’i fal kësaj shpirt e zemër/pa u kursyer e menduar fare,/kjo ka një e më të bukurin emër/Aurora, “lazdrajkë” - sirenë shqiptare”.

Grotesku dhe sarkazma - pasqyrime të jetës që provokon

Shpërthimi i protestës së zëshme përmes vargut në shumë poezi, vjen si prodhim i një pakënaqësie të grumbulluar prej kohësh në përballje me dështimet dhe keqinterpretimet e ndryshimeve të shoqërisë si dhe abuzimet me vlerat e mirëfillta.

Emërtimi i cikli “A vret ndjenja e gjakut tingëllon qortueshëm për “paradokset”  e njerëzve dhe shikimin në “retrospektivën” e bujshme të veprimtarisë anakronike të tyre, nëpërkëmbjen e vlerave të shumta nga puthadorë e keqbërës të sojit të veçantë, që kryesisht karakterizon frymën e poezisë të përshkuar nga sarkazma dhe ironia. Ky cikël që  simbolikisht është rrumbullakuar në frymën e ngjarjeve, po të zbërthehet në kuptimësinë e tij, nënkupton gjithçka që në vete ngërthen tematika e trajtuar, me insistimin për luftimin e shpirtligjve, veprimeve primitive, abuzimeve dhe devijimeve shoqërore që për tendencë kanë prishjen e gjakut të njeriut të mirë. Në një periudhë të gjatë kjo ishte “sëmundja e kohës” e cila gllabëron vlerat e arritura me angazhimet dhe përkushtimin e njerëzve të devotshëm që për ideal kishin lirinë, progresin dhe ngritjen permanente të vlerave del sheshit se keqbërësit injorantë nuk kanë kohë dhe ideale të shëndosha por, kanë interesa dhe ambicie për përfitime të pandershme nga veprimet e tyre të errëta, veti këto të këqia të cilat me penën e tij të mprehtë i kapë autori duke i trajtuar në mënyrë të rreptë, plot sarkazëm, ironi deri në përbuzje. Groteska e kësaj kaste njerëzish shkon aq larg sa bën të humbasësh durimin për të   shfryer mllefin deri në masën e urrejtjes:

‘‘Po ju nga erdhët oj faqja e zezë, o të mjerët ogurzi?!

Po, po e di, ju jeni vetë djalli me shpirtin e tij të zi!

Oooh! Ik ti or sojkeq! Merr botën në sy, tretu e ik, iiiiik!

ik nga tokë e shenjtë diku larg në Azi, Australi, Afrikë...”.

(”Turpi nuk ka brirë”)

Në një periudhë të gjatë kjo ishte “sëmundje e kohës” me tendencë për të gllabëruar vlerat e arritura me djersë e gjak të njerëzve që për ideal kishin atdhedashurinë e lirinë, civilizimin, kështu që poeti tek pikëpamjet e tija ndër të tjera shprehet: “Është e pafalshme të shtiresh atdhetar kur veprat të nxjerrin antikombëtar!”

Kjo që u shqyrtua këtu dhe në shumë poezi tjera të këtij cikli si: “Myk mesjetar”, “Mjeranët”, “Në duel me shpirtligësinë” e ndonjë tjetër, flasin për përkushtimin e Adem Berishës, gjithnjë duke synuar ndryshimin e veseve dhe karaktereve të ulëta njerëzore në shoqërinë e re. Kjo e keqe duket sheshit dhe kërkon trajtim të kujdesshëm mbase për një kohë më të gjatë.

Përmbyllja si mesazh

Gjatë leximit të poezisë së Adem Berishës, veçanërisht kësaj të fundit, vërejmë një kronologji të zhvillimeve dhe ngjarjeve të shumta historike, kulturore dhe sociale, në  zinxhirin e jetës dhe aspiratave shekullore të ngritjes nga harresa, sfidimit të lirisë shpirtërore në kontekstin e rindërtimit të jetës, përpjekjeve të pareshtura për kapërcimin e ngecjeve të shoqërisë në periudha të ndryshme kohore, në përballje me realitetet e krijuara.

Nga përshtypjet e lexuesve dhe adhuruesve të fjalës poetike, që kanë bërë komente të ndryshme dhe përkushtime poetike për autorin e këtij libri, shihet qartë se kjo poezi lexohet dhe absorbohet mirë nga masa intelektuale dhe krijuese. Këtu veçohen mendimet dhe vlerësimet e shkrimtares, publicistes dhe veprimtares së shquar Këze (Kozeta) Zylo, Alma Papamihalit, Gentian Banajt, Riza Çatos, Edmond Shallvarit, Tonin Nikollit, e ndonjë tjetër që do t’i takojmë në vijim.

Vlera e poezisë së Adem Berishës matet me ndjesinë që bartë dhe peshën e mesazhit që sjell përgjatë rrugëtimit të saj në kodin etik e historik me insistimin për kapjen e bërthamës së qëllimit derisa qëllimi dhe synimi i saj është ndreqja e defekteve të shoqërisë dhe ndërtimi i saj mbi baza të shëndosha si një inspirim krijues dhe si imperativ për të favorizuar e ndërtuar një të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe vendit të tij, shikuar në prizmin e qasjes poetike.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora