E shtune, 03.12.2022, 02:48 PM (GMT)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Përpak desh i përzimë kësulat

E shtune, 28.04.2012, 10:54 AM


PËRPAK DESH I PËRZIMË KËSULAT

Nga: KALOSH ÇELIKU

Dje, e humba të drejtën e anëtarësimit në ndonjë parti politike shqiptare. Sot, faljen e pesë vakteve në xhami. Shkaku, se: Përderisa unë vendosja t’ju trokas te dera si mik, kalorësit e arratisur veç më ishin ulur në rendet e para me këmbën përmbi këmbë. Përditë i ndërronin partitë politike si kurva burrat. Moti e kam thënë: Kurvë nuk është gruaja që shkon burrë më burrë, po politikani që shkon parti më parti. Edhe, u pajtova me fatin: falë u qofshin në këtë jetë e në atë jetë të gjitha postet e shpërblimet partiake! Nuk ua kam aspak lakmi. Rroftë për mua poezia, vera dhe gratë! Gjithë jetën po të duan le të bëjnë politikë madhore: le të bëhen shkrimtarë besnik të partive politike, ministra, ambasadorë, deputetë të popullit, drejtorë e zv/drejtorë, besimtarë të Allahut…

Mirë e kam edhe kështu unë kaçaku i fushës, për inat të tyre do të merrem me kulturë dhe shkrimin e ndonjë libri. Ditët në fillim kalonin mirë, ata merresheshin me politikë madhore e unë me kulturë. E dinim kufirin e Çifligut të xha Derellës te Përroni i Thanës. Asnjëri nuk përziheshte në arën e tjetrit për ta prekur kufirin, të mbjellë misër për sorrat. Dardhën gorricë me vite e kishim të përbashkët për hije gjatë verës.

Përçudi, kjo “marrveshje patriotike” nuk zgjati shumë, njësoj si ajo marrëveshja e dikurshme historike “shqiptare-jugosllave”. Burrat e kombit nuk e mbajtën fjalën, papritmas filluan të merren edhe me arsim e kulturë. I përvetsuan gati të gjitha manifestimet kulturore dhe i politizuan deri në palcë. Ose, themeluan institucione kulturore partiake, siç thonë “vëllezërit” paralele. Vërtetë, ne i themeluam në kohë të vështira, kur “vëllai” na rrinte me sopatë mbi kokë, po tani manifestimeve kulutore u delë zot Partia. Edhe, i organizon për çdo vjet, dihet më në “nivel” si politikën shqiptare. Populli thotë: sa për sy e faqe, plot zhurmë e piskamë në mes të Dimrit. Edhe atë, duke i veshur vetëm me një ngjyrë partiake, kur dihet se  kultura nuk i takon vetëm një partie politike, po mbarë popullit shqiptar. I hurit e i litarit, siç thotë populli merr pjesë nëpër këto manifestimre kulturore: kalorësit e arratisur, pashterkëkuqet, patriotët e vonuar, rrufjanët, Trëndafilet shamizeza e partizanët e sotshëm si shkrimtarë partiak. Vetëm, mall e ke të shohësh ndonjë artist babaxhan mes këtyre patriotëve të vonuar. Dumdumët hipin në foltore dhe për dy sahat e bëjnë Shqipëri Etnike. Gati të gjithë duan të duken, marrin fjalën për diskutime të zjarrta, edhe harrohen nëpër betejat e përgjakshme neokomuniste. Orë të tëra i maltertojnë në foltore me “heroizmat” e tyre të dikurshme patriotike të pranishmit në sallë. Shpeshëherë, ndodh ta humbin rrugën edhe partizanët partiak të punësuar si argatë nëpër instuticionet shtetërore, që rregullisht më shumë marrin pjesë nëpër këto takime kulturore që t’i shoh Baba Parti, sesa për hatër të librit.

E di, ju do të thoni: edhe ju poetët rebelë më nuk duroheni me vargje profetike, poezinë e keni zjarr. Dorën në zemër, e kemi edhe flakë, por kur i shohim këta kalorës të arratisur krah për krahu në mes të sallës si e kanë rrokur librin shqip për fyti, nuk na shkrep-ndizet as poezia. Plas ti po deshe gjithë ditën duke i fry zjarrit, xixë nuk del mbi çati në atë sallë të ftohtë polare. Rrugën e hapi Edi Rama me librin “Kurban”. Lëmë, siç duket që e shtruan partitë politike për të fshirë kulturën shqiptare e gjetën Shkupin. Turr nga të katër anët e Atdheut me thesin plot arna me libra në shpinë. I nxjerrin librat “besceler” mbi tavolinë si kungujt e Stambollit. Tjerrin mendime “filosofike”, flasin jerm për lënjët e tyre që nuk i hanë as lopët e Koperativës. Kotnasikoti i duartrokisin të pranishmit, t’i përfundojnë lëvdatat e gjata patriotike për njrë-tjetrin se, po derdhet grosha. Dhe, ma kujtojnë thënjen e satiristit Niko Nikolla në një Akademi përkujtomore për Mehmedali Hoxhën (1997), në Strugë: Nuk ka popull shqiptar, po popull shkrimtar. Vetmevete them: Shkupi siç duket në këtë Njëqindvjetor të pavarësisë së Shqipërisë nuk paska punë tjetër më të mençur, përveçse përurimit të librave të kalorësve të arratisur. Plot gojën them: Lum ky popull me gjithë këta “patriotë e shkrimtarë”. Lakmi është për t’ia marrë edhe bota. Dhe, habitem si është e mundur me gjithë këta trima lufte që e rrokin topin për fyti, ende ky popull ta gëdhijë mëngjesin në robëri. Përmëtepër, na e gërditën politikën, tashti janë duke na e gërditur edhe librin me poza patriotike. Punemadhe, që fëmijët tanë ende nuk kanë tekste shkollore, lektyra shkollore, revista për fëmijë… Pajtohem me trumbetimin e partizanëve të arsimit: e ardhmja u takon fëmijëve, e kalorësve të arratisur e sotshmja, që nguten për së gjalli duke u shtyrë me bërryla ta fusin veten me zor si “çlirimtarë” në histori. Tekefundit, ne nuk u prëzihemi në bërjen e politikës madhore në Qeveri, në Kuvend, ministri. Përse, atëherë së paku nuk e lënë rehat të marrë frymë në ditën e sotshme arsimi dhe kultura shqiptare?!

Realiteti, unë nuk shkoj edhe aq shpesh nëpër këto “manifestime kulturore” të partive politike. Herë më bëjnë ndonjë ftesë, herë nuk më bëjnë nëpër dasmat e tyre partiake. Ndonjëra, ndodh edhe e humb rrugën nëpër Bit-Pazar. Ose, ma ka harruar Shtëpinë, tavanin me dërrasa si te ajo kënga popullore e Rexhep Zajazit: “Çitmi çikë santiret se plasa”. Ku ta di unë autori i këtij shkrimi, ndoshta edhe tremben mos shkruaj për “flijimet e tyre artistike”, ndonjë elegji me çifteli gjatë dyluftimeve të tyre për pushtet pa pushtet. I dorëzuan armët, tashti rrokën në dorë librin për luftë. Përmëkeq, ndonjëri ose ndonjëra nga “burrat dhe gratë e kombit”, kur e gjen veten pa ferexhe në shkrime, zemrohet  duke sharë shkrimin dhe hedhë gurë e dru mbi autorin. Ndodhë. Megjithatë, unë kam tjetër bindje krijuese se, nuk ia vlen të merret pjesë nëpër këto karnavale partiake me maska, ku partitë politike merren me arsim e kulturë e trusakatët-intelektualë me politikë. Vërtetë nuk dinë të bëjnë politikë madhore këta ekzemplarë të rrallë të “vëllazërim-bashkimit”, ama kulturën siç duket e “hanë”, përtypin me dhëmbë.

Përinat të gojëkëqinjve edhe disi pajtohem me fatin e krijuesit. Thashë: Tashti e tutje do t’i ndërrojmë profesionet, politikanët do të merren me kulturë e ne intelektualët me politikë. Suksese të pakaprëcyera treguan në arsim, ndoshta u ecën qerrja e thyer mes maleve edhe në kulturë. Që sot, tashti filloi fushata parazgjedhore: partitë politike do të merren me arsim e kulturë e ne njerëzit e artit me politikë. Moti kisha dëgjuar nga im Vëlla, që kishte hëngër bukë në një sofër me Abaz Ermejnin në Paris, se: shqiptarët janë të prirur të gjithë të merren me politikë. Edhe maxhatorja, edhe bujku, edhe bariu, edhe berberi, edhe këpuctari, edhe tullumbaxhiu, edhe hoxha, edhe lypsi, edhe rrugaçi… Popull i çuditshëm jemi ne shqiptarët, që në të ardhmen patjetër me ne duhet të merret për studime nëpër laboratore shkenca. Askund në botën përparimtare nuk ndodhë ky lulëzim marrëzie siç ndodh te ne shqiptarët. Po e pyete dikend në Vashington se, kush është president i Amerikës, do t’i rrudhi krahët. Përgjigjet, nuk e di. E te ne shqiptarët, edhe fëmijët e djepit po i pyete kush janë kryetarët e partive politike më të mëdha  shqiptare, do të të përgjigjen njëzëri: Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Botën ta lëmë pak rehat me problemet e veta politike, të kthehemi te ne shqiptarët. Burrat e mejdanit, që gjithmonë i ke në rendet e para, qofshin politike, fetare apo kulturore. Arsimin dhe kulturën i kanë si poligon ku i reklamojnë para kamerave televizive “fitoret” e tyre politike. Ndodh, ndonjëri edhe të shtyhet me bërryla para gazetarëve. Në xhami kur e do nevoja, i vënë në përdorim edhe grushtat. Muaj më parë e nxorrën me grushta nga xhamia edhe besimtarin e Allahut, Haxhi Deputetin.

Përpak, një skandal i tillë të më ndodhë edhe mua në një përurim të librit. Padashtas, shkaku vendeve të lira, u ula në rendet e para duke menduar se nëpër këto aktivitete kultuore kur na digjet zjarr mbi krye, nuk vinë politikanët. Thashë: haj t’i shoh burrat e mejdanit edhe si bëjnë  kulturë shqiptare në “liri”. Mjaftë më i përcolla vetën nëpër ekranet televizive. Për bela, mu atë natë erdhën gati të gjithë krah për krahu: ministra, ambasadorë, drejtorë, funksionarë politik, rrufjanë, hoxhallarë… Përçudi, mungonte vetëm Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

“Vëllai” kujdestar i Shtetit të përbashkët, që përkujdeseshte për mbarëvajtjen e përurimit të librit pas pak kohe më tha: duhet të ngritesh nga ky vend për dy - tre rende më mbrapa se na erdhën papritur kalorësit e arratisur: ministrat, ambasadorët dhe funksionarët e Babës Parti.

Mirë, ore burrë i them: po, unë jam ulur në rendin e katërt, nuk jam në rendin e parë, vend i rezervuar gjithmonë për politikanët. Tekefundit, unë kurrë nuk u kam shkuar në Qeveri, Kuvend, as në ministri t’ua zë vëndet, e as në selitë partiake t’u lutem për poste e emërime të ambasadorëve. Unë gjithë jetën ulem mbrapa me popullin, në karriget e fundit, sot për herë të parë u ula pak më para dhe u bë nami. Punemadhe, i thashë partizanit të Babës Parti: nuk çohem nga karriga. Pse të mos ulen mbrapa një herë në jetën e tyre edhe këta burra mejdani?! Përndryshe, si do të jemi të barabartë me “vëllazërim-bashkim” në shtetin e përbashkët “demokratik”?! Falë Zotit Madh: ministrat, ambasadorët dhe funksionarët politik më në fund u pajtuan që unë të rri në vendin tim, karrige pa poste. E ata, diku në fund të sallës si dashamirë të “flaktë” të librit duke gërhatur në gjumë e sharruar shelgje në livadh për liri.

Dhe, përpak desh i përzimë kësulat…



(Vota: 73 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora