E marte, 27.07.2021, 07:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhelal Marku: Si këndoi me çifteli minoritari nga Saranda

E shtune, 28.04.2012, 11:11 AM


Flet ish-telekronisti i RTSH-së për 25 vjet, ish-mësuesi i letërsisë në gjimnazin e Rrëshenit - gazetari Xhelal Marku

SI  KËNDOI  ME  ÇIFTELI  MINORITARI  NGA  SARANDA

-TVSH-së, i duhen rreth 2-vjet, për të transmetuar filmimet e mia.

-Ja si këndoi me çifteli, minoritari nga Saranda.

-Takimet me Sali Berishën kanë qënë përherë interesante e të bukura për ne gazetarët.

-Koha për xhirim në minierë zgjaste aq sa ajo e një turni pune, pra 8-orë. Ndaj, kur dilnim nga galeritë pas kronikës, ishim të nxirë si vetë minatorët, ku vetëm dhëmbët kishim të bardhë.

-Ditët më të vështira të punës: Dëbora e madhe e vitit 1985 dhe përmbytjet në vitin 1992, në Mirditë.

-Pse më pushuan nga puna, kur nuk u filmua një Anëtar i Byrosë Politike nga TVSH-ja?

-Ç’farë ndodhi në rivarrimin e 15 viktimave të Qafës së Valmirit?

Nga Albert ZHOLI

Një burrë i qetë, i respektuar dhe i dashur me shokët, i apasionuar pas kameras dhe gazetarisë, Xhelal Marku për një çerek shekulli ka rendur me kamera në dorë cep më cep Mirditës e Pukës, Lezhës e Matit, Kurbinit e Krujës, duke filmuar  në vendet më të vështira dhe ka krijuar një arkiv mjaft të pasur xhirimesh në TVSH, që do t`ia kishte zili çdo televizion privat.

- Z. Xhelal, ju mbaruat për mësuesi, por u punësuat si telekronist në RTSH. Si erdhi ky emërim?

- Kur u emërova në detyrën e telekronistit për rrethet: Mirditë-Pukë më 16 dhjetor të vitit 1974, isha vetëm 25 vjeç. Ky emërim më gjeti në fillimet e një pune plot pasion e përkushtim si mësues i letërsisë në gjimnazin “Bardhok Biba” të qytetit të Rrëshenit. Ishte viti i dytë i punës në këtë profesion të bukur e fisnik, që e kisha nisur fill pas diplomimit në Fakultetin: Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dhe sigurisht  në fillim nuk e prita mirë këtë emërim, që më detyronte të lija profesionin e mësuesisë, për të cilin kisha investuar 16-vjet shkollim të pandërprerë. Do të niste kështu një punë e re për mua dhe në një profesion të ri-atë të gazetarit të RTSH-së, me të cilin u lidhëm aq shumë, saqë e harrova mësuesinë. Dimensioni i kësaj pune më rrëmbeu me artin e vet, por dhe me peshën e përgjegjësinë e fjalës, që përfaqësonte në opinionin e kohës. Dhe, ecëm bashkë dorë për dore, për një çerek shekulli, përmes vështirësive, duke u ngjitur në lartësitë e profesionit të mrekullueshëm të gazetarit të televizionit. Nga lartësia e këtyre viteve, shoh një jetë përmes ekranit, ku lëvizin plot gjallëri, personazhet e kohës: minatorë e gjeologë, metalurgë e sharrëtarë, pemëtarë e barinj, mësues e mjekë të palodhur, por dhe sportistë e sportiste të dalluara. Një arkiv i gjërë e i pasur, që zë një vend të merituar në pasurinë me vlera të çmuara kombëtare të RTSH-së, ku tashmë njihem në opinion edhe si themelues i arkivit të Mirditës për TVSH-në, përgjat 25-viteve të punës në këtë Institucion. Është një pasuri arkivore e tillë, që sipas një përllogaritjeje, këtij Televizioni i duhen rreth 2-vjet, për ta transmetuar atë. Ndaj kam të drejtë të them: “Pata fat, që isha gazetar dhe që kontribuova në një Media Kombëtare, siç është TVSH-ja”. Në këtë Institucion, unë u rrita, u kualifikova dhe u edukova me përgjegjësinë e punës së gazetarit e të kameras. Ndaj faleminderit RTSH ! Janë këto lidhje, që kanë lënë mbresa të forta tek unë. Mirënjohje dhe për Mirditën, që me aq dashuri më trajtoi, ndaj kam të drejtë ta konsideroj atë si vendlindjen time të dytë, pasi të parën e kam në Reç të Dibrës.

- Vështirësitë e filmimeve në miniera, ku konsistonin dhe si realizoheshin?

- Kisha  dëgjuar për punët e vështira në  miniera, por dhe kisha parë  disa procese  pune, që kryheshin jashtë galerive. Kureshtja ime ishte të filmoja punët brenda në galeri, ndaj planifikova një kronikë në Minierën e Kurbneshit. Ishte dimër i ’75-ës dhe në Kurbnesh si zakonisht bënte shumë ftohtë. Pasi zbrita nga autobuzi i linjës, biseda nisi me drejtues e specialistë të minierës, të cilët më ndihmuan për të filmuar në thellësitë e galerive. Ishte një përvojë e re për mua kjo, ndaj planifikova kronika edhe për minierat e tjera të Mirditës e të Pukës, që në atë kohë numroheshin plot 13 të tilla si: Kurbneshi, Spaçi, Tuçi, Qafë-Bari, Gurthi, Derveni, Kaçinari, Thirra, Maja e Madhe, Perlati e më vonë u rihap edhe Rubiku. Pranë e pranë minatorë e gjeologë, metalurgë, sharrëtarë e shoferë, që i jepnin jetë e gjallëri krahinës. Këta ishin personazhet e kronikave, reportazheve dhe emisioneve të mia, me të cilët u njoha dhe u miqësova duke bashkëpunuar me ta, gjatë gjithë kohës si korrespondent i RTSH-së, disa prej të cilëve i kujtoj edhe sot bashkë me detajet interesante të jetës së tyre. Më ka ngelur në kujtesë një episod nga një festë në mes të pyllit me gjeologët e Pukës, në Ditën e gjeologut, ku pata kënaqësinë të isha i ftuar prej tyre. Aty pranë punës, tek kampionet e mineraleve, krahas drekës,  që e kishin përgatitur ata vetë, nisi edhe një shfaqje e improvizuar nga gjeologët, që e rriti atmosferën e festës së tyre. Por më interesantja e ditës ishte, kur një gjeolog nga Saranda, një mesoburrë, emrin e të cilit e kam harruar, mori në dorë një çifteli dhe filloi të luante mrekullisht,  si të ishte vetë Ndue Shyti. Ai kishte mbi 20-vjet, që punonte e jetonte me gjithë familje në Fushë-Arrëz të Pukës, ku ishte ambientuar e përshtatur aq shumë, sa ishte vështirë ta dalloje nga  vendasit. Në Sytë e tij lexohej jo vetëm përkushtimi për profesionin, por dhe dashuria për Pukën dhe pukjanët. Të tillë njerëz pasionantë e të sakrificës dhe pa pretendime i takoje kudo, në çdo sektor të jetës. Ata ishin frymëzimi ynë, ishin personazhet dhe miqtë më të mirë të ekranit, të cilët do t`i ndiqnim edhe në majë të malit, pa përfillur vështirësitë dhe pengesat, që dilnin gjatë punës. Është  kënaqësi për mua, që nga karakteri i tyre i qëndresës përballë vështirësive, kam mësuar vazhdimisht, pasi puna jonë kishte plot lodhje e vështirësi si: ecje të gjata në këmbë dhe shpesh edhe përmes borës e shiut, sepse siç dihet ne ishim gazetarë, por që bënim njëkohësisht edhe punën e operatorit me kamera. E thashë këtë fakt, sepse kam dëgjuar të flitet me habi nga ndonjë kameraman, se çfarë kanë bërë më shumë se ne telekronistët?! Po zotëri, kanë bërë. Kanë bërë regjinë dhe gazetarinë, që ty t`i bënin të tjerët, kanë bërë shpesh dhe ecjet në këmbë, kur ti nuk lëvizje pa të ardhur makina tek shkallët e TVSH-së; e pse jo, kanë bërë edhe shkollë më shumë se ti. Është kjo arsye, që asnjë korrespondent i RTSH-së, nuk e ka filluar punën në këtë Institucion si marangoz apo si hidraulik, që më pas të mund të bëhej ndonjë; “Artist i Merituar” apo ndonjë: “Mjeshtër i Madh”- duke marrë tituj pa vepra, pa krijimtari. Është për t`u theksuar kjo, sepse ende s`kanë marrë tituj të tillë, mjeshtrat e vërtetë të  Ekranit të TVSH-së, si: Virgjil Kule, Dhimitër Gjoka, Kiço Fotiadhi, Alfons Gurashi, Tefta Radi, Gazmir Shtino, Xhelil Aliu, Bajram Hoxha, Roland Roshi, Skifter Këlliçi, Ndue Ukcama etj., të cilët opinioni i gjërë i publikut brenda e jashtë kufinjëve, i ka njohur dhe i respekton si “Mjeshtra të Mëdhenj”, që me veprën e tyre i kanë  dhënë emër Radiotelevizionit Shqiptar në vite. Mirënjohje dhe për shkollën, që ata i kanë dhënë Medias shqiptare, gjatë gjithë kohës nëpërmjet Ekranit të vogël. Unë, por besoj dhe të gjithë të tjerët, kemi mësuar dhe kemi ç`të mësojmë nga përvoja e arti i punës së tyre të urtë e krijuese, që i ngjan atij kallirit plot kokrra, model i thjeshtësisë dhe kulturës qytetare.

- Ku ishin vendet kryesore që ju xhironit apo zhvillonit intervista?

- Unë kam një jetë në media, plot 37-vjet, por më duhet të pohoj se mbresat e mia si telekronist përgjat 25-vjetëve në TVSH, me aktivitet në gjashtë rrethe të zonës verilindore, si në: Mirditë, Pukë, Lezhë, Mat, Kurbin e Krujë, kanë qënë dhe mbeten vitet më mbresëlënëse, për vetë hapsirën që më krijonin njohjet dhe marrëdhëniet e mia me personazhet e punës dhe objektet e punës, pra: Minierat, fabrikat dhe uzinat e përpunimit të mineraleve, sektorët e përpunim-drurit e të gjeologjisë. Prioriteti që kishte industria nxjerrëse e përpunuese në atë kohë në jetën ekonomike të vendit, më detyronte  t`u rikthehesha shpesh këtyre sektorëve. Ndaj i kam njohur nga afër shumë minatorë, metalurgë e gjeologë, me të cilët pas kronikës apo reportazhit edhe kam festuar me ta, sidomos për festat e vitit të Ri, të cilët edhe në kufirin ndarës të viteve gjithmonë gjëndeshin në punë. Kështu, për çdo vit të Ri, pas orës 12-të të natës, kur derdhej llava e bakrit në uzinën e Rubikut, përherë unë do të lija tavolinën time familjare për të filmuar metalurgët, që festa i gjente gjithmonë në punë.”Saldatorë” të viteve, i kemi quajtur këta njerëz, që ishin modeli më perfekt  i sakrificës. Dhe pas kronikës, ishin metalurgët që më ftonin, për të vazhduar festën bashkë me ta, aty në mjediset e punës, me ushqimet që ata kishin marrë nga shtëpia e tyre. Kështu i kishim festat ne telekronistët, larg tryezës familjare. Kujtoj, që në mjaft raste për arsye pune, jemi detyruar të lëmë edhe dasmat e shtëpisë.

- Ky ishte profesioni i telekronistit, me sakrifica të shumta, që kishin mall fëmijët të na shihnin në tavolinën familjare në ditët e festave. Por, kishte dhe kënaqësinë që të jepte ekrani me punën e bërë, me urimet që na jepnin herë pas here shikuesit e shumtë. Për të kuptuar këtë, po sjell në kujtesë vetëm punën, që duhej për të realizuar një kronikë në minierë. Koha për xhirim zgjaste aq sa ajo e një turni pune,  pra 8-orë, sepse ishin shumë procese pune, që nga ndriçimi në frontin e prodhimit e deri tek shpimi i lagur dhe transporti nga thellësitë e galerive. Ndaj, kur dilnim nga galeritë pas kronikës, ishim të nxirë njëlloj si minatorët, ku vetëm dhëmbët kishim të bardhë. Në këto kushte, pas punës  trajtoheshim gjithmonë si minatorët: Bënim dushe, pinim qumështin e normës, merrnim rrezet e nevojshme etj. Dhe më pas, kishte vlerat e veta edhe një drekë bashkë me minatorët, këta njerëz të sakrificës, që lanë jetën galerive, sepse sëmundja profesionale e silikozës ju preu jetën në mes (mosha mesatare e tyre nuk i kalonte të 40-tat ). Nderim për punën, kontributin dhe përkushtimin e tyre në zhvillimin e  ekonomisë së  vendit.

- Si trajtoheshin gazetarët e televizionit në regjimin komunist dhe si ishte përgatitja e tyre?

- Megjithse kushtet në përgjithësi ishin të vështira, duhet të pranojmë se kishim edhe trajtime.  Për shembull, telefonin dhe shtypin e përditshëm i kishim falas, paga ishte e mirë dhe kishim djeta të mjaftueshme për shërbimet. Kohët e fundit filloi të zgjidhej edhe problemi i vështirë i transportit për disa rrethe. Duke vlerësuar terenin e thyer e malor që kisha, në vitet 80-të, TVSH-ja mua më pajisi me motor tricikël, për të udhëtuar, që padyshim ishte një favour për punën dhe një trajtim ndryshe nga të tjerët. Kjo ndikoi edhe në cilësinë, sasinë dhe shpejtësinë e punës në televizion, ç`ka vërtetohet edhe me vlerësimet e larta, që kam marrë në ato vite, si dhe me shkallën e lartë të kualifikimit, që fitova para kohe mbi bazën e punës së bërë. Padyshim, që hop në punën time kanë qënë pasqyrimi me cilësi i ngjarjeve të mëdha si: zhdukja e pasojave të tërmetit në Lezhë në vitin 1979, ndërtimi i hekurudhës Milot-Rrëshen-Klos etj., për të cilat dhe jam dekoruar me urdhërin:”Naim Frashëri”.

- Do të veçoja si momentet  më të vështira në punën time si gazetar: Izolimin e Mirditës nga dëbora e madhe e vitit 1985, si dhe Përmbytjet në këtë rreth në vitin 1992, ku u këputën ura, u prishën rrugë dhe furnizimi i popullsisë bëhej me kafshë ose me elikopter. Kujtoj se për arsye të bllokimit të rrugëve u vonua edhe informacioni në televizion, por të habit fakti, që edhe kur shkoi kronika, redaktori dezhurn i ditës e transmetoi atë vetëm një herë në orën 16-të dhe pastaj e hoqi nga transmetimi, duke e zhdukur si kronikë, që për shkak të tij, nuk u bë pjesë e arkivit të TVSH-së, pasi arkivoheshin vetëm lajmet e orës 20-të, duke humbur kështu një ngjarje të madhe!? Të tillë njerëz të  papërgjegjshëm, i kemi pasur edhe drejtues në televizion, të cilët nuk njihnin as gjeografinë e Shqipërisë.

- Ju sapo përmendët paaftësinë e ish drejtuesve të TVSH-së, po raste të ndëshkimeve të padrejta nga ana e tyre a keni pasur ?

- Sigurisht që kemi pasur, ndaj duke sjell ndërmend këta tipa tipik të paaftëshish, që vetëm miqtë e tyre në Partinë e Punës i mbanin me nga njëzet a tridhjet vjet pa lëvizur në institucione, dua t`ju kujtoj lexuesëve një ndodhi, që për sytë e “Qorrit” desh u pushova nga puna. Bëhet fjalë për fillimet e viteve `80-të. Ishte koha kur “qorrat” e pushtetit të atëhershëm bënin ligjin për më të vegjëlit, siç ishim ne, që bënim punë të vështira. Një ish zv.shef redaksie, kishte harruar të më njoftonte mua, për të shkuar në Pukë, për të pasqyruar veprimtaritë e një  anëtari të Byrosë Politike, në këtë rreth. Ndaj, kur u analizua mospasqyrimi i këtyre veprimtarive në TVSH, shefi “pa sy”, preferoj të më sakrifikonte mua, duke arsyetuar si sadist, se gjoja isha njoftuar dhe sipas tij, nuk paskam dashur për të shkuar në detyrën e caktuar dhe kaq. Por, kur problemi qëndronte kështu, që unë nuk paskam dashur të shkoj atje, pse nuk more masa të tjera ti dhe pastaj më analizoje për përgjegjësitë që kisha?! Kuptohet, ky qëndrim ishte sa tinzar aq edhe sadist, për të shkarkuar përgjegjësitë mbi mua, që i përkisja një shtrese të pambrojtur. Në analizën, që u bë pa praninë time, merret një masë ekstreme: Pushim nga puna. U përpoqa të takoja drejtorin e përgjithshëm të asaj kohe Thanas Nanon, i cili i mbushur me informacion të rremë, nuk pranoi të  më dëgjonte në argumentet e mia, për akuzën që më bëhej. Kështu, mora pushimin nga puna, që do ta mbaj mend, si ngjarjen më të hidhur të jetës time. Çudia ndodhi më pas: Redaksia pranoi të bashkëpunonte me mua, megjithse marrëdhëniet financiare ishin ndërprerë. Kështu, vazhdoi situata për dy muaj: ku unë punoja, kronikat transmetoheshin me autorësinë time, shpërblehesha dhe me djeta, por që në fakt  isha i pushuar nga puna. Madje, unë punova aq shumë, sa honoraret që merrja ishin gati sa një rrogë. Pra, në ekran nuk ndjehej mungesa ime, përkundrazi shikuesit ndiqnin kronika dhe reportazhe mjaft cilësore, për të cilat merrja çdo ditë vlerësimet e tyre të sinqerta. Pas dy muajsh, unë pata fatin të takohesha vetë me Anëtarin e Byrosë  Politike, Pali Miskën në një aktivitet kombëtar për gjeologjinë në Rrëshen, pasi ky ishte politikani, që  nuk u pasqyrua  në TVSH,  gjatë veprimtarive që zhvilloi në rrethin e Pukës, për festën e 28 Nëntorit. Pas prezantimit, që bëri ish sekretari i parë i rrethit të Mirditës  Koço Orgocka - një burrë autoritar e me plot prezencë, ai më falenderoj për punën e mirë që bëja në përgjithësi, por veçanërisht vlerësoi një reportazh për gjeologët, që kishte ndjekur   një natë më parë    televizion. Dhe,  kur mori vesh se unë isha i pushuar nga puna u habit: “ Si ka mundësi të ndodh kjo, kur ti  e çave ekranin me kronika çdo natë ?! Ç`është kjo lojë?!” - tha ai  dhe foli në telefon me ish drejtorin e përgjithshëm: Çajup Rusmali, i  cili zëvendësoi në ato ditë Thanas Nanon, të saposhkarkuar nga detyra, që siç thonin shpesh me shaka shokët e mi: “E zuri shpejt haka juaj!”, pra e drejta ime. Porosia e tij ishte që të kthehesha urgjent në detyrë dhe të shpërblehesha me një rrogë plus, për punën që kisha bërë, në kushtet e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare. Kështu mori fund poshtërsia e sajuar, ndërsa autori i këtij skenari, mori rrugët e fshatrave të malësisë, tashmë i larguar nga RTSH-ja.

- Çfarë do të veçoje tjetër nga puna juaj në RTSH?

- Por, çudia përsëritet. Në vitin 1997, “Qorri” bëhet drejtor i TVSH-së dhe atë që nuk e realizoi atëherë e bëri realitet duke qënë drejtor: Më largoi nga puna pa motivacion, me argumentin “qorrazi”, se unë paskam mundësi ekonomike të përballoj papunësinë!? Dhe që nga ajo kohë, unë punova në televizionet private, që ishte një përvojë e re për mua, ku dhe shfaqa vlerat e mia profesionale, tashmë si konkurent i TVSH-së. Në vitin 2005 kërkova të kthehesha në TVSH, ku kisha punuar për 25-vjet, por më kot. Kësaj here e kishte zënë portën një tjetër merhum, ai që “Qorri” e mori për zëvendës të tij në 1997-tën, ekonomisti që më pas u bë drejtor kulture në Ministri nga miku i tij Edi Rama. Një tip kameleoni, që pas 90-tës, ishte mësuar të digjte karta politike, për të mbrojtur bëmat dhe paaftësitë e tij, por dhe një nga njerëzit më të përfolur në opinion gjatë tranzicionit për trafikim të arkivave të kinostudios e të RTSH-së. Ai erdhi në RTSH pa platformë dhe jo për të punuar e për të përmirësuar gjendjen në këtë institucion kombëtar mediatik, por “për të trashur qafën!”, deri sa u bë dyqindkilësh, si disa ish kryetarë të kooperativave bujqësore në kohën e diktaturës. Ai është i vetmi drejtor i medias në Shqipëri, që nuk lexon shtypin, madje nuk sheh as ekranin e TVSH-së, për të cilin paguhet, përveç rasteve kur i shkruajnë ndonjë mesazh spiunët e vet brenda godinës ( janë ata, që rrinë kafeneve, bëjnë thashetheme dhe që marrin rrogën pa punuar) për ndonjë gjë, që nuk u shkon përshtat planeve të tyre grabitqare. Madje, këtu ai u bë edhe  “ i fortë” e “trim”, që nuk don t`ja di as për kryeministër dhe as për Këshillin Drejtues të RTSH-së…! Madje, edhe eprorin e vet - kryetarin aktual të këtij Këshilli,  e ka kërcënuar hapur me shprehjen se: “Do t`i kthehem ndonjë ditë…”! Është i habitshëm ky qëndrim i këtij njeriu pa nivel, që arrin të bllokojë për tre vjet zyrën dhe funksionin e zëvendësdrejtoreshës së përgjithshme të RTSH-së znj. Diana Kalaja, të largojë nga detyra drejtorin e përgjithshëm të Aktualitetit, analistin e njohur - Lutfi Dervishi, etj.etj...Ndaj, shprehin habi të gjithë, se ku e merr këtë guxim, këtë forcë, ky injorant, kush e mbështet këtë drejtues monstër?!!...Heshtja është habia tjetër e  madhe, për këtë personazh krejtësisht negativ e të paaftë, që s`është në gjendje të lidh dy fjalë në një fjali të vetme !? Për këtë arsye, reagimet për kritikat ndaj tij i bën gjithnjë vetë  kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, në vend që ta thërras në raport dhe ta analizojë për përgjegjësitë, që ka ai si drejtor. Më vjen keq për hallet me të cilat drejtues të tillë e kanë mbuluar këtë Institucion Gjigand Mediatik, që sot e konkurojnë  edhe “kioskat mediatike” . Ndaj, pas 90-tës, veç Skënder Buçpapajt e Qemal Sakajevës, e them me bindje të plotë,  se drejtori në RTSH, ka munguar dhe për pasojë,  gjëndja rëndohet vazhdimisht: punonjësit shtohen artificialisht për korrupsion  dhe puna bie çdo ditë, duke humbur shikueshmërinë në publik. Aty, tanimë, punojnë të paaftit, ata që i merr gjumi mbi kamera,  apo gjatë drejtimit të emisionit, të cilin pa pikë modestie e vetvlerësojnë si më të shikuarin në TVSH; punojnë gazetarë ish bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, tipa mashtruesish e deri hajdutë xhepash, ose që janë pushuar më parë nga puna për dizinformim të opinionit publik, por dhe që janë dënuar nga drejtësia për aksident automobilistik me pasojë vdekjen. Pra, punojnë ata që ne gazetarët për ironi i kemi quajtur: “ Njerëz të degraduar e servilë, të tipit alla Rroto Thele”, të papërgjegjshëm, mashtrues e tejet të paaftë, të cilët për të mbijetuar me paaftësinë e tyre në vendin e punës, kanë bërë edhe lojën e mizës së kalit,  (që kur ngodh kali, shkon dhe strehohet tek b....e kalit tjetër), që do të thotë se janë me 100 flamuj e ka të fryjë era... Është fatkeqësi që sot në RTSH,  punojnë dhe drejtojnë ata, që lajm konsiderojnë atë që paguhet. Sjell një shembull: në lajme, një libër me kujtime të ish sekretarit të parë të një rrethi, nën komentin e një shqipfolësi të rëndë e të pakuptueshëm, zë një hapsirë kohore dy herë më të madhe se sa një koment për veprën e kadaresë…! Tjetër: Një kronikë për gjuetinë, pranohet vetëm kur premtohet pagesë për të, bile atëherë drejtuesi thotë: “Të bëhet speciale”! Edhe një shembull tjetër: Në dy raste, që janë organizuar veprimtari  në vlerësim të punës time shumvjeçare në RTSH, ku nderohej së pari logo: “TVSH”- Dejtoria e Aktualitetit nuk i është përgjigjur fare  ftesës së bërë nga organizatorët. Habi, por dhe keqardhje për formimin e tyre, sepse veprimtaritë u pasqyruan gjërësisht nga Mediat  e tjera të shkruara e vizive. Madje mungesa e pjesëmarrjes së Drejtorisë së Aktualitetit të RTSH-së, ra në sy edhe gjatë promovimit të librit të ri: “ Sekretet e gazetarëve të RTSH-së” të shkrimtarit dhe publicistit të njohur – Albert Zholi, i cili i kushtohet tërësisht historikut të këtij institucioni. Keqardhje, por dhe fatkeqësi për faktin, se në duar të kujt ka rënë RTSH-ja, me drejtues të tillë të korruptuar e servilë, që as nuk e njohin dhe as nuk duan t`ia dinë për fjalën: “Reformë”…! Ndaj, 50 përqind rrinë nëpër kafene, 20 përqind bëjnë sikur punojnë dhe vetëm  30 për qind janë të angazhuar në punë. Ky realitet tashmë dihet nga të gjithë, por anashkalohet, sepse drejtuesit kryesorë nuk kanë kurajon dhe aftësinë për t`u marrë me reformimin e RTSH-së. Ata kanë tjetër preokupim...! Është kjo arsye, që sot figurat e njohura dhe më të shquara të këtij institucioni, janë larguar për të gjetur përshtatshmërinë profesionale në mediat e tjera private.

- Po vitet e tranzicionit, si ju gjetën dhe çfarë hapësirash ju ofruan në punë?

- Pas përmbysjes së komunizmit, liria e medias dhe e shtypit ka qënë arritja më e madhe në këto vite të tranzicionit të tejzgjatur në Shqipëri. Dhe sigurisht, ajo si pushtet i katërt i një shteti demokratik që është, ka krijuar hapësira e mundësi të reja pune. Ndaj, roli dhe kontributi i saj është vlerësuar e konsiderohet i pazëvendësueshëm në ecurinë e proceseve demokratike në vend. Është ky fakt, që për herë të parë, sistemi i ri demokratik, politikën dhe median i ka vendosur në raporte të reja e bashkëpunuese me njëra tjetrën, pa cënuar aspak pavarësinë dhe kompetencat e tyre. Për këtë arsye, marrëdhëniet tona si përfaqësues të medias, me politikën dhe politikanët, kanë qënë përherë të mira e korekte dhe kanë ardhur duke u forcuar vazhdimisht. Në këtë kuptim, kontributi dhe autoriteti i themeluesit të Demokracisë, tashmë lider historik i gjithë shqiptarëve - zotit Sali Berisha, është konsideruar e vlerësuar prej tyre, si  i paarritshëm në politikën e këtij vendi. Ai njihet e respektohet jo vetëm si themelues i shtypit dhe i medias së lirë në shqipëri, por dhe si një mik i mirë i tyre, në mbrojtje të lirisë së fjalës. Dhe sigurisht, unë si gazetar me përvojë 37-vjeçare në media, ruaj kujtime dhe mbresa të veçanta nga veprimtaritë e tij të shumëta politike, apo dhe nga takimet e organizuara me gazetarët, të cilët i ka njohur me emra dhe u ka shprehur  vazhdimisht konsideratën e tij për punën e palodhur e fisnike, që ata bëjnë. Ndaj, takimet me Berishën, kanë qënë gjithmonë interesante, të bukura dhe mbresëlënëse, për vetë  mënyrën e komunikimit të afërt e tepër miqësore, që kishte dhe ka me të gjithë ne gazetarët, bile edhe me gazetarët që e “sulmonin” në shtyp e në media dhe që njihen publikisht si kundërshtarë të tij. Unë e respektoj atë edhe për kulturën e lartë që e karakterizon, për filozofinë e fjalës e të mendimit, që shpreh në çdo takim apo debat me gazetarët, ku ka qënë përherë i hapur, komunikues e miqësor me ta dhe pse jo edhe i thjeshtë: ka trokitur një gotë me ta, i ka ftuar për një foto, apo për një bisedë të lirë e spontane në rast festash. Mesazhi i tij ka qënë gjithnjë i qartë: “Liri medias dhe shtypit!” , që do të thotë më shumë guxim dhe inisiativë për ne gazetarët, për të thënë e pasqyruar saktë, mirë e bukur të vërtetat e zhvillimeve tona në rrugën e integrimit e të demokracisë. Kështu erdhi duke u rritur, forcuar e konsoliduar nga viti në vit pushteti mediatik në Shqipëri, nga fillimet e viteve 90-të e deri më sot. Kujtoj këtu, kronikën për zhvarrimin dhe më pas meshën e parë pas `67-tës, në shkurt të vitit 1992, si dhe rivarrimin e 15 viktimave të Qafës së Valmirit në Mirditë, të pushkatuar me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, ku unë shmanga presionet dhe realizova  një kronikë shumë të vlerësuar e të guximshme për kohën. Ky mund të ketë  qënë dhe shkaku, që më larguan nga puna në vitin 1997, sepse nën zë më kanë klasifikuar si autorin e parë të rivarrimeve në Shqipëri. Në qoftë se është kështu,  atëherë, unë këtë  e  vlerësoj si një nder që më është bërë padashje nga autorët e kësaj padrejtësie dhe e theksoj se kjo, ka qënë zgjedhja ime e duhur. Theksoj gjithashtu, se për realizimin e kësaj kronike gjeta edhe mbështetjen dhe inkurajimin e ish drejtorit të TVSH-së, gazetarit dhe folësit të paarritshëm zotit Virgjil Kule, i cili për vlerat dhe talentin e tij, deri më sot, është klasifikuar dhe njihet  si “mbret” i ekranit të vogël shqiptar. Po kaq i saktë dhe i paanshëm kam qënë edhe në përpunimin e lajmit politik, si kur filmoja Berishën, Fatos Nanon apo ndonjë politikan tjetër. E megjiatë, duhet ta pranoj, që tranzicionin  e kam  vuajtur me dënime të padrejta: Në vitin 1997,  pushteti i së majtës më largoi nga puna pa motivacion, ku për tetë muaj deri sa u hapën TV-të private, isha pa punë. Pas kësaj kohe, kam punuar në televizionet private si: TVA, Koha Televizion etj., ku fitova një përvojë të re pune, por që humba 6-vjet vjetërsi, kur lekët për sigurimet në punë i kishin mbajtur rregullisht. Që nga viti 2005 e në vazhdim, unë kam kërkuar të kthehem në RTSH, ku kam punuar për rreth tri dekada, por nuk u arrit. Në këto kushte, jam detyruar të punoj me projektet e mia private, ku falë profesionit dhe aftësive të mia, jam ndjerë vazhdimisht  mirë. Kam qënë i  angazhuar në realizimin e një dokumentari për vendlindjen time Reçin e Dibrës, të cilin e kam në përfundim, po punoj për sistemimin e shkrimeve të mia në vite, që do t`i botoj në një libër, si dhe po punoj për  përgatitjen e një libri tjetër, që trajton figura të shquara të Reçit e të Dibrës. Pra, kuptohet që kam pasur plot punë dhe nuk jam ndjerë aspak i fyer nga refuzimi i drejtuesve kryesorë aktual të RTSH-së, lidhur me kërkesën time për t`u rikthyer në këtë institucion. Madje, kujtoj për lexuesit se gjatë kësaj periudhe, për mua nuk kanë munguar as vlerësimet për punën time. Kështu, në vitin 2008, jam shpallur fitues i çmimit të parë për reportazhin në konkursin: “Krijimtaria dibrane 2007” dhe në vitin 2009, jam nderuar me titullin: “Mirënjohje” nga Bashkia Rrëshen, për punën e bërë gjatë 25-viteve,  si ish  korrespondent i saj në TVSH. Tani, unë  punoj në një Institucion qëndror, në profilin e punës së gazetarit  e të medias dhe jam shumë i kënaqur me vendin e punës që kam, por dhe me punën që bëj, ku ndjehem i vlerësuar e komod. Dhe, këtë e konsideroj si një tjetër sfidë ndaj mediokritetit të drejtuesve kryesorë të RTSH-së, që u përpoqën të më mbyllnin dyert e këtij institucioni, ku unë kam arkivuar kontributet e mia shumëvjeçare të punës, si ish gazetar e kameraman i saj. Por, ky është kuti i tyre: kaq dinë, kaq bëjnë me atë formim që kanë. Dhe unë, nuk jam as i pari dhe as i fundit nga kontributorët në media, që kam provuar sjellje të tilla arrogante e mjerane të mbylljes së dyerëve nga drejtues të këtij kallëpi, që në historinë 50-vjeçare të RTSH-së, do të mbeten si simboli më tipik i paaftësisë dhe i korrupsionit...!

- Faleminderit për intervistën !

- Faleminderit prej jush!



(Vota: 857 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora