Faleminderit
Engjëll Koliqi: Në Belo Horizonte ngjau mrekullia
E marte, 18.03.2008, 09:59 PM
NË BELO HORIZONTE NGJAU MREKULLIA:
Zef Sokoli, gjithnjë në pritje të Ditës së Bekuar për Nânën Kosovë dhe Loken Shqipni
Me vulën e Republikës – Nënë Kosova i gjen bijt e saj mbas 64 vjetësh
Biri i Kosovës – Zef Sokoli (tashmë 84 vjeç), gjatë luftës së dytë botërore, derisa po studjonte drejtësinë, në Universitetin e Zagrebit, krahas intelektualëve shqiptarë të kohës, ishte në shërbim të kombit, në radhët e Ballit Kombëtar. Me kapitullimin e fashiuzmit italian, që edhepse pushtues, në tokat tona gëzonte respekt e simpati, sepse njihte Shqipërinë Etnike mbi të gjitha trojet shqiptare, Zefi – për të shpëtuar kokën nga bishat e tërbuara serbosllavoçetnikofashistokomuniste, kishte ikur në Itali dhe ishte strehuar përkohësisht në Napoli. Mbas pak, merr udhën e gjatë dhe mbërrin në Brazil, për t'u vendsosur në kryeqytetin e shtetit Minas Gerais – në të bukurin Belo Horizonte. Këtu krijon edhe familjen e tij dhe vazhdon jetën shqiptari i ndershëm dhe shumë i respektueshëm, që kurrë s'e kishte harruar Nënë Kosovën, as Loke Shqipërinë. Sot – më 15 mars 2008 – mbas 64 vjetësh, ngjau mrekullia e vërtetë dhe unë - kosovari i vogël isha mysafir në familjen e kosovarit të madh – Zef Sokoli-t, në Belo Horizonte.
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Belo Horizont, mars 2008. – Është hera e pestë që vij në Brazil, brenda një viti, që nga 2 marsi 2007, kur erdha herën e parë, në delegacion me ish kryetarin e Komunës së Vitisë – Z. Musa Misini dhe me këshilltarin e Kuvendit të Vitisë (tash edhe zëdhënës) – Z. Sarë Gjergji. Që atëherë Kosovës iu hapën dyert e bashkëpunimit të gjithëmbarshëm, në shtetin brazilian Minas Gerais. Bile, kryetari i Parlamentit të këtij shteti – Alberto Pinto Coelho, në takim me delegacionin kosovar, atëherë ka thënë se Kosova këtu ka të hapura jo vetëm dyert, por edhe zemrat e të gjithë banorëve mineirë. Duke u thirrur në mrekullinë që ngjau tash, arsyeshëm po mendoj: mbase paska qenë edhe magneti patriotik i Familjes Sokoli.
Engjëll KOLIQI
Gazetari i ri Caio Werneck, ka përcjellur veprimtaritë e mia këtu, në secilën nga vizitat që kam bërë dhe ato janë botuar gjithnjë në shtypin shqiptar në Kosovë, në Shqipëri dhe në diasporë, sikur edhe në shumë faqe interneti në gjuhën shqipe. Kur do mrekullia: duke lexuar një nga artikujt e Caio-s, shkrimtari e patrioti i mirënjohur Pal Sokoli, nga Gjermania, më shkruan me një kërkesë shumë interesante. Mbasi më tregon se Xhaxhai i Tij – Zef Sokoli, që nga lufta e dytë botërore nuk e ka parë më Kosovën, më thotë se ai është shpërngulur në Brazil dhe është vendosur në kryeqytetin e Minas Gerais-it – Belo Horizonte. Pali më shkruan se deri në Luftën Çlirimtare të Kosovës kanë pasur korrespondencë me Bacën Zef, por që nga lufta ka humbur çdo gjurmë. Më porositi, nëse kam mundësi të marr vesh a është i gjallë e nëse jo, të kontaktoj disi dikënd nga familjarët e tij.
Ta njohim pak Familjen Sokoli dhe Zef Sokolin e ri
Familja Sokoli është një nga degët më të mira të trungut të Familjes Paplekaj, gjithnjë aktive dhe pararojë e çështjes kombëtare. Pashko Paplekaj (kushëriri i Zef Sokolit) ishte pjesëmarrësi më i ri i Konferencës së Bujanit, ku – në mungesë të pjesëmarrjes së shqiptarëve në Mbledhjen e AVNOJ-it, ishte vendosur për mundësinë e vetëvendosjes së popullikt shqiptar mbas luftës, deri në bashkimin me Shqipërinë. Edhe Sadik Gjoni, njëri nga veprimtarët më të shquar të Lëvizjes Kaçake, ishte po nga kjo familje patriotësh. Edhe në luftën e fundit çlirimtare, kjo familje humbi gjashtë anëtarë (pesë vëllezër dhe një motër). Gjergj Sokoli, i msakruar në prill 1999, veç është shpallur Dëshmor i Kombit.
Zef Sokoli, i vëllai i Ibrahim dhe Prend Sokolit, si njëri nga intelektualët e shquar të Brigadës së IV partizane, ishte propozuar për sekretar rinie. Mirëpo, duke vërejtur se asgjë nuk po realizohej nga vendimet e Konferencës së Bujanit, që në fakt ishte tradhtia sllavokomuniste kundër popullit shqiptar, Zefi dezertoi nga brigada partizane, duke marrë mbas vetit edhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë dhe iu bashkëngjit trimave të brigadave shqiptare të Ballit Kombëtar, nën komandën e Shaban Polluzhës dhe të Demë Ali Pozharit, duke luftuar trimërisht kundër hordhive serbosllavoçetnikokomuniste, në malet e Drenicës dhe gjetiu nëpër Kosovë, deri në Malësinë e Gjakovës. Zefi ishte kapur disa herë nga hordhitë çetnikokomuniste dhe ishte torturuar, madje edhe në vende publike. Disa herë e kishin lidhur për shtylla elektrike, në qendër të Gjakovës dhe e kishin rrahur publikisht, deri në alivanosje, duke e lënë gati të vdekur, të shtrirë përdhe. Në një rast të tillë, mbasi e kishin zgjidhur, dikush nga njerëzit e thjeshtë e kishte këshilluar që të ikte, sepse ai do të vritej nga çetnikokomunistët. Kështu, një ditë të bekuar, Ai kishte ikur në Kroaci, prej nga shkon në Itali. Mbas qëndrimit në një kamp, në rrethin e Napolit, Zefi niset drejt Amerikës dhe mbërrin në Brazil, ku Nënë Kosova e zbulon dhe e gjen mbas plot 64 vjetësh.
BRAKOS e kërkon dhe e gjen menjëherë Zef Sokolin
Kryesia e Institutit për bashkëpunim Brazil-Kosovë. BRAKOS – gjithnjë në shërbim të kosovarëve
Pa vonuar, u vumë në kërkim të menjëhershëm, ne – Instituti BRAKOS dhe: falë internetit i ramë në gjurmë Bacës Zef. Duke avansuar kërkimin në internet e gjetëm adresën dhe telefonin e Luciana Sokolit. Të premtën e 14 marsit, në darkë e mori në telefon Profesoresha Vera Lucia, por nuk u përgjigj askush (hyri sekretaria telefonike). Të shtunën në mëngjes e mori dhe nga andej u përgjigj Luciana, duke konfirmuar me krenari e me gëzim se është Luciana Sokoli, e bija e Zef Sokolit. Me plot emocione, i tha Profesoreshës Vera, se po shkon ta thërras Babain, që të flasim drejtëpërdrejtë me te.
Kur s'ka shi, ban edhe breshën
Bisedë e përzemërt dhe shumë seriozeme luftëtarin e Shqipërisë Etnike (Engjëll Koliqi me Zef Sokolin) |
Ne e sidomos Pali, nën ethet e pritjes
Pal Sokoli – përfundimisht e gjeti Axhën Zef! |
Ndjehem i privilegjuar
Gëzim dhe privilegj (autori me Bacin Zef) |
Përqafimi historik, me lotë mallëngjimi dhe krenarie
Autori me të zotët e shtëpisë (Zonjëm Maria Aparecida dhe me Bacin Zef) |
Lotët para Gjergj Kastriotit – Skënderbeut
Zef Sokoli: "O Gjergj' i Madh, le ta falënderojmë Zotin dhe Ty ndërmjetësues në mrekulli, që na u ba Mvetsia e Kosovës, kjo Republikë e Fuqishme – Bërthama e Shqipnis' Etnike" |
Vështirë ta pranoj këtë flamur, por...
Duke e analizuar domethënien e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës
Mbas urimeve reciproke për Ditën e Madhe të Pavarësisë, Baca Zef – si ballist i paepur, ma tha troç: "Flamur i shqiptarëve pa shqiponjë... nuk pranohet lehtë, por mbasi nuk kemi pasë tjetër rrugëdalje, le të jetë ky Flamuri i Republikës së Kosovës, si nji nga subjektet ma t'fuqishme dhe bërthamë e Shqipnis' Etnike. Tash ma e randsishmja âsht që populli jonë âsht i lirë. E bajmë edhe bashkimin, pa t'keqen e askuj"!
Zef Sokoli, mbas 64 vjetësh këndon me çifteli |
Në Belo Horizonte zbatohet tradita e mikpritjes familjare shqiptare
Jo vetëm për të thënë, por që në çastin e parë, sapo hyra në shtëpinë e Zef Sokolit, në Belo Horizonte, në shumë apsekte m'u duk vetja sikur të isha në një familje ndikund në Kosovë. Buzëqeshja e të gjithë anëtarëve të familjes dhe ëmbëlsia e bisedës. Mungonte vetëm i biri i madh i Familjes – Gjoni, i cili tashmë po jetonte në tjetër shtëpi, por që sot ishte jashtë qytetit – larg.
Gjithë kohën, sa ndejtëm (rreth tri orë), Zonja Maria dhe të bijat e Bacës Zef, na bënin presion, që të marrim sa më shumë ushqime dhe pije që na ofronin pandalur. Lloj-lloj ëmëlsirash, gatesa të bëra speciale në shtëpi. Lloj-lloj pije freskuese, nga frutat e mrekullueshme të Brazilit. Me insistimin e tyre, gjatë kohës sa ndejtëm i pimë nga tri kafe. Ajo që më bëri përshtypje më së shumti: gjithnjë na thonin të ndjehemi shlirtë, sikur në shtëpinë tonë, traditë kjo tipike - origjinale e familjeve shqiptare.
Duam të shërbejmë dhe të jetojmë në Tokën e Babës – e duam shtetësinë e Atdheut tonë - Republikës së Kosovës
Luciana, Engjëlli, Baci Zef, Branca, Vera me fëmi, Andrea
Gjithë kohën, të pandashme nga ne – e zoja e shpisë – Maria Aparecida dhe të bijat e Zef Sokokit: Vera, Andrea, Branca dhe Luciana. Vera ishte e martuar dhe kishte një fëmi. Vajzat tjera ishin të pamartuara. Sapo i njoftuam me projektet tona të bashkëpunimit me Kosovën dhe me procedurën e legalizimit të Institutit për bashkëpunim Brazil-Kosovë – BRAKOS, të bijat e Bacës Zef shprehën dëshirën dhe gatishmërinë e tyre që të inkuadrohen drejtëpërdrejtë në projektet tona, duke thënë se janë të gatshme edhe të shërbejnë e të jetojnë në Kosovë, që normalisht e konsideronin si atdhe të tyre, si Tokë që ka lindur dhe ka rritur Babën e tyre. Ishte kërkesë e njëzëshme e tyre, kuptohet edhe e Bacës Zef, që mbarë Familja Sokoli të marrin shtetësinë e Republikës së Kosovës. U premtova se personalisht do të ndërmjetësoj te Presidenti i Republikës, për këtë kërkesë të ligjshme dhe të natyrshme të tyre. Baca Zef më tha se së shpejti do t'i drejtohen me shkrim Presidentit Fatmir Sejdiu, me kërkesë për shtetësi. Në fytyrat e vajzave vërehej një gëzim i papërshkrueshëm. Luciana tha se do të ndjehej shumë e privilegjuar po të udhëtonte me pasaportën e Republikës së Kosovës. Ato më kërkuan fjalorë dhe doracakë të tjerë, për ta mësuar gjuhën shqipe.
Po të drejta pakicave, por me marrveshje reciproke
Me Bacën Zef biseduam gjatë, për shumë probleme aktuale në shtetin e ri të Kosovës, që Ai gjithnjë e konsideronte vetëm si një republikë të Shqipnis' Etnike. Ai tha se çdo ditë "me veshët cuccërr" përcjell gjithçka ndodh në Kosovë dhe rreth Kosovës. Duke analizuar domethënien e Flamurit të Republikës së Kosovës, të hymnit të propozuar pa tekst, të projektkushtetutës, të ligjeve të decentralizimit dhe të të gjitha zhvillimeve aktuale, në përmbushjen e planit të Ahtisaarit, Baca Zef tha se duhet të falim dhe t'u japim të drejta dhe privilegje të gjitha pakicave, përfshirë edhe serbët, por në rregullat e demokracisë parimi kryesor duhet të jetë reciprocitetit. Ekzistojnë shënime se vetëm në Beograd jetojnë rreth 150 mijë shqiptarë – tha ai – pa kurrëfarë të drejtash kombëtare, pa asnjë shkollë shqipe, pa asnjë komunë shqiptare, pa asnjë institut shqiptar, pa asnjë radiotelevizion që flet shqip, pa asnjë gazetë as revistë shqipe dhe pa kurrëfarë lejesh që të depërtojnë atje shtypi dhe librat në gjuhën shqipe. As shqiptarët që jetojnë në Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës), nuk kanë të drejta kombëtare – shtoi ai. Pse atëherë ne t'u japim të drejta dhe privilegje serbëve në Kosovë?! Pse ata ta kenë yllin e tyre, edhe në flamur, barabar me të shqiptarëve, që janë mbi 92%?! Ai mendon se para se të aprovohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe këto ligje, që rregullojnë të drejtat dhe privilegjet e pakicave kombëtare, duhet të kërkohet që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës dhe të aprovojë të njëjtat ligje për shqiptarët që jetojnë në territorin e saj. Në këtë kontekst Ai kërkoi një guximshmëri të madhe dhe një këmbëngulje të liderëve të institucioneve të Kosovës dhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me rastin e votimit të këtyre ligjeve.
Shmallje edhe me çiftelinë
"Na k'nojn pushkët nëpër kulla": special për Bacin Zef
Biseduam me Zef Sokolin për aktualitetin në trojet shqiptare, për rrethanat që po na përcjellin, për dinamizmin e përshpejtuar të ndryshimit të historisë, por edhe për historinë tonë kombëtare. Evokoi shumë çaste të krenarisë kombëtare, në kohën e rinisë së tij, kur bashkë me patriotët tjerë po luftonin – me pushkë e me penë – për realizimin e aspiratës sonë shekullore të bashkimit kombëtar, që siç konfirmonte, është aspiratë e natyrshme dhe krejtësisht e ligjshme.
Me kërkesën e Profesoreshës Vera, kisha marrë me vete edhe çiftelinë. Edhepse që nga vdekja e Nënës sime (8 janar 2008) nuk kisha pasë fuqi t'i biej, sot në shtëpinë e Bacës Zef, e mora dhe i rashë. Bile edhe këndova. Edhe Baca Zef këndoi me mua (aq sa dijti) këngën për Hajredin Pashën. I shumëpërmalluar ai e mori çiftelinë dhe u shmall me te , duke i ra. N'ato çaste u kënaqën edhe të bijat e tij. Mbase u dukej më i ri i Ati i tyre! Dua të vij në Kosovë – më tha. Vijmë edhe ne me Ty, i ndërhynë të bijat. Ishin çaste shumë të përmallshme, shumë emocionuese...
Përcjellja te dera, me përqafime të ngrohta
Luciana shumë e lumtur për Babën Zef: Do të shkojmë bashkë në Kosovë
Jashtë dëshirës së të gjithëve, u dasht ta përfundojmë këtë ndejë historike që na e krijoi mrekullia e vërtetë, sepse unë me Proseroreshën Vera kishim të caktuar një mbledhje në lokalin "Alexandrina", në ora 20, kurse Luciana me të motrat do të shkonin në një festë me shoqet e tyre. U përshëndetëm dhe u ndamë me premtime të ndërsjellta se do të takohemi shpesh, ndërkohë që vajzat shprehën gatishmërinë edhe të bashkëpunojnë me ne, në projektet e BRAKOS-it. Mbasi u përqafuam brenda, Baca Zef nuk u durua pa dalë teri te dera e oborrit. "Nuk përcillet mysafiri mrena, por te dera e oborrit"! Na përqafoi fortë dhe ngrohtësisht Zef Sokoli, i cili me fanatizëm pozitiv kombëtar po i ruante traditat e shenjta arbërore edhe këtu në Belo Horizonte, tradita që ua kishte mbjellë në shtëpi edhe fëmijëve të tij. Zonja Maria dhe Luciana na përcollën deri në rrugë, kurse Andrea nuk na lejoi të marrim taxi, por na shoqëroi me veturën e saj, deri në banesë. U ndamë me premtimet se do të ritakohemi shpejt dhe shpesh!
Ky ishte akti i parë i mrekullisë së madhe, i mrekullisë brenda së cilës Nënë Kosova, me vulën e Republikës, e gjeti birin e saj, afër 20 mijë kilometra larg, mbas plot 64 vjetësh.
Gëzuar Nënë Kosovë!
Dua të këndoj me çifteli në Gjakovën Time
Gëzuar Baca Zef!
Gëzuar Familje Sokoli!
Gëzuar Shqiptari!