E diele, 28.04.2024, 12:16 AM (GMT+1)

Faleminderit

Zahir Pajaziti

E shtune, 02.02.2008, 09:56 AM


(Komandanti i parë i Shtabit Operativ të UÇK-së)

(1.11.1962 - 31.1.1997)*

Perjetesia Zahir Pajaziti
Familja Pajaziti, nga fshati Turuqicë e Podujevës, është një familje e vjetër në këto anë. Kjo familje njihej për atdhedashurinë dhe bujarinë e saj. Në këtë familje u lind Zahiri, i cili ishte fëmija i pestë me radhë i babait Qerimit dhe nënës Fatime, të cilët kishin katër djem dhe tri vjaza: Bajramin, Hafien, Miradien, Ejupin, Zahirin, Agimin dhe Bastrien.

Në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore pati pjesëtarë në luftë nga kjo familje, të cilët çdoherë ishin në anën e forcave progresive të asaj kohe, kështu një ndër ta ishte edhe babai i Zahirit, Qerimi.

Gjendja e keqe ekonomike në këtë familje ishte çdoherë prezente, ishte vështirë sidomos për vijimin e shkollimit të gjeneratave të reja. Qerimi me vështirësi të mëdha arrinte që ta sigurojë ekzistencën për pasardhësit, sepse duhej të shkollohej një gjeneratë e tërë. Përkundër kësaj gjendjeje, Qerimi arriti t`i shkollojë të gjithë djemtë dhe vajzat e tij dhe njëkohësisht kujdesej që tek fëmijët e tij në radhë të parë të ketë atdhedashuri dhe respekt ndaj çështjes kombëtare.

Zahiri u lind më 1 nëntor të vitit 1962. Shkollën fillore në fshatin e tij, kurse të mesmen, shkollën e policisë, e regjistroi më (1976-‘77) në Vushtrri. Edhe pse ishte një ndër nxënësit më të dalluar të asaj shkolle, e përjashtojnë në vitin e dytë të shkollimit, me pretekst se bënte sjellje të papranueshme ndaj organit të shkollës. Pas kësaj vazhdoi vitin e dytë në Orllan, kurse dy vitet e tjera i mbaroi në QAMO “8 Nëntori” në Podujevë, sepse në Orllan kishte vetëm dy vite të shkollimit të mesëm. Në vitin shkollor 1981-‘82 e regjistroi gjuhën angleze pranë Fakultetit Filologjik në Universitetin e Prishtinës, të cilin, për shkaqe ekonomike dhe të aktivitetit të tij politik, nuk arriti ta përfundojë. Pas regjistrimit të vitit të parë të studimeve dërgohet në shërbimin ushtarak, ku qëndroi për 12 muaj. Më vonë, në vitin 1985, i vazhdoi edhe tre muaj të tjerë të po këtij shërbimi, në Beograd.

Zahiri ndjenjat patriotike dhe kombëtare i krijoi qysh në fëmijëri, në familjen e tij, por edhe nga familja Zejnullahu e fshatit Lladofc, si dhe gjatë shkollimit të tij. Kurse idolë kishte Skënderbeun, Jusuf Gërvallën, Afrim Zhitinë, si dhe Hasan Ramadanin.

I prirur nga çështja kombëtare, në vitin 1980, Zahiri, së bashku me dy shokët e tij, Raif Sfishtën dhe Nexhmi Dabinofcin, shkuan në Ulqin, e nga atje kaluan lumin Buna dhe arritën në Shqipëri. Atje e burgosin në Shkodër, ku e mbajtën për 18 ditë radhazi. Shtatë ditë pasi kthehet në shtëpi, arrestohet nga policia e Orllanit, dhe dënohet si i mitur me 15 ditë burgim. Sa ishte në burg ishte maltretuar shumë nga inspektori i Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë Lorenc Selmani 1). E gjithë kjo ndodhi gjatë kohës kur Zahiri ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme, përkatsisht gjatë muajve korrik-gusht.

*) - Agim Çeku. Në akademinë përkujtimore organizuar me rastin e tre vjetorit të rënjës, mbajtur në Prishtinë

Qerim Pajaziti. Deklaratë dhënë autorit.

Në vitin 1981 Zahirin e gjejmë në mesin e demonstruesve në Podujevë, ku shprehte haptazi mllefin për vuajtjet e popullit. Më vonë, në të gjitha demonstratat që mbaheshin në atë kohë, Zahiri ishte në mesin e të parëve dhe një ndër organizatorët e parë të tyre.

Gjatë gjithë asaj kohe, gjer në vitin 1989, Zahiri merrej me çështjet organizative dhe bënte shpërndarjen e trakteve të ilegales, të cilën punë e kryente së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Bahredin Berishën dhe me shokë të tjerë.

Vitet 1988-‘89 janë vite kur Zahiri filloi aktivitetin e tij në formë shumë më të dendur dhe më të organizuar. Kështu, gjatë kohës kur pushteti jugosllav përgatiste ndërrimin e Kushtetutës së Kosovës, Zahirin e gjejmë kudo, si në Prishtinë, Podujevë, Orllan e vende të tjera. Në Orllan organizoi demonstratën e parë antijugosllave në këto anë.

Gjatë asaj kohe, Zahiri, në tubimet e ndryshme me masën, fliste gjithmonë për gjendjen dhe pozitën e rëndë të popullit dhe vazhdimisht kërkonte bashkimin e njerëzve në një fjalë dhe në një qëndrim.

Kur në Kosovë fillojnë të formohen parti politike të ndryshme, të cilat legalisht angazhoheshin për realizimin e çështjes shqiptare, Zahiri dha kontributin e tij të jashtëzakonshëm, sepse thoshte se kjo është një lëvizje e përbashkët shqiptare. Mirëpo, ai asnjëherë nuk u pajtua që në këto radhë antarësoheshin njerëz të cilët më parë në një apo formën tjetër kishin dënuar kërkesat shqiptare të asaj kohe (në atë kohë shumë nga anëtarët e LKJ-së dorëzuan librezat e tyre të anëtarësisë dhe u anëtarësuan në LDK dhe parti të tjera). Ky edhe ishte një motiv që Zahiri nuk u radhit në radhët e LDK-së, e cila posa ishte formuar në Orllan 2), mirëpo ai nuk i shkëputi marrëdhëniet me individë të dëshmuar të çështjës kombëtare dhe menjëherë filloi të punojë në formimin e Parlamentit Rinor, të cilin e themeloi si degë edhe në Orllan (më vonë, në vitin 1994 themeloi Partinë Parlamentare të Kosovës, Dega në Orllan, e cila ishte e lidhur drejtpërsëdrejti me Prishtinën).

Zahiri, përveç që ishte aktiv në jetën legale politike, dha një kontribut të madh në organizimin e aksionit të pajtimeve të gjaqeve, dhe aksioneve të ndryshme, e veçanërisht për meremtimin e rrugëve në fshatrat e asaj ane, ku përmes këtyre aksioneve ai mundohej ta afrojë sa më shumë popullin, sepse ai parashihte rrezikun që ofrohej, prandaj në këte drejtim organizonte të rinjtë edhe në veprimtaritë ilegale ushtarake. Për këte qëllim punoi veçanërisht pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Pas këtij akti të popullit shqiptar, Serbia filloi t’i mbyllë në mënyrë sistematike institucionet e ndryshme shqiptare, largimin e punëtorëve nga vendet e tyre të punës, përndjekjet në masë etj. Kështu, si rezultat i tërë kësaj dhune u paralajmërua greva e përgjithshme shqiptare, më 3 shator 1990.

Ishte ky një moment mjaft i vështirë për mbarë popullin shqiptar, partitë politike, por edhe për ilegalen e asaj kohe, sepse i obligoi që të përkujdesen për marrjen e masave adekuate të sigurisë. Në këtë drejtim antarët e ilegales (LPRK) fillojnë organizimin ushtarak, me qëllim që, nëse vie deri tek konflikti, të kenë shtrirje dhe organizim në tërë Kosovën.

2) -Fadil Pajaziti, Ismajl Sejdiu, Bajram Zejnullahu.

Deklaratë dhënë autorit.

Kontribut të rrallë në këtë drejtim gjatë asaj kohe, kanë dhënë, pos Zahirit edhe Fatmir Humolli, “X personi” nga Podujeva, i cili ishte ndër udhëheqësit e LPRK-së dhe Shtabit të Podujevës, pastaj Fidaim Gashi, Faik Ajeti, Nazmi Zuka etj. 3).

Si në gjithë anën e Llapit, edhe në Orllan, në atë kohë ishte formuar Shtabi i Njësive Guerile, dhe meritorë për këtë ishin Zahiri dhe Nazmi Zuka. Ky shtab përbëhej nga njëmbëdhjetë anëtarë dhe përfshinte përfaqësuesit e Orllanit dhe fshatrave përreth. Secili anëtar i shtabit kishte “treshen” e vet, që nënkupton se në këto anë vepronin 33 pjesëtarë.

Detyrat më të rëndësishme të njësiteve ishin zbulimi dhe përcjellja e bashkëpunëtorëve të pushtuesit, lëvizjet e forcave policore-ushtarake, krijimi i vendstrehimit të mjeteve mjekësore, krijimi i strehimoreve të armatimit, krijimi i bazave të sigurta për të plagosurit në rastet e nevojshme, kontrollimi i zonës kufitare, dhe përgatitja fizike (përgatitjet kryheshin në fshatin Brainë, te “Kodra e Qarrit”). Detyrë tjetër ishte edhe sigurimi i mjeteve për armatim.

Të gjithë anëtarët e shtabit betimin mbi detyrat e dhëna e kishin bërë në pranverën e vitit 1991, në fshatin Ballaban, në malet e quajtura “Shkozë”. Betimi është bërë para flamurit kombëtar dhe eprorit të tyre. Në ato kohë, Zahiri kërkonte që të ndërmerren aksione konkrete, mirëpo një gjë e tillë nuk kryehet, sepse nuk lejohej nga Shtabi i Njësiteve Guerile. Në këte organizim Zahir Pajaziti ishte gjer në vitin 1991 (muaji tetor), kur shkoi në Shqipëri për stërvitje ushtarake.

Në vitin 1991, pas një organizimi serioz që ishte bërë nga i gjithë spektri politik legal dhe ilegal, Zahiri shkoi në Shqipëri, me qëllim që të përgatitej ushtarakisht, si dhe të studioheshin vijat e furnizimit me armë për ushtarët e ardhshëm të lirisë. Në këtë kontekst përgjegjës për rajonin e Llapit në ato kohëra ishte Isa Berisha. Gjatë qëndrimit njëmujor në Shqipëri, Zahiri propozoi që nga atje të ktheheshin me armatimin që e kishin, por kjo nuk u miratua nga shokët e tij. Pas kthimit në Kosovë (në fillim të vitit 1992), arrestohen disa nga shokët e tij, që kishin qenë së bashku në Shqipëri, të tjerët kalojnë në shtetet e tjera, kurse Zahiri kalon në ilegalitet për disa muaj. Gjatë asaj kohe, me shumë përkushtim filloi punën për formimin e njësiteve të reja, për fillim në anën e Llapit dhe Gallapit e më vonë në mbarë Kosovën. Kjo ishte një përvojë e re për Zahirin, kështu që falë punës së tij gjatë asaj kohe arriti që të krijojë njësitet guerile, të cilat vepronin në rajonet e përmenduara, dhe nga të cilat ai mendonte të krijohej ushtria e ardhshme e Kosovës. Gjatë muajve janar-qershor 1992 (LPRK) bëri furnizimin e parë me armatim të këtyre njësiteve guerile (të Orllanit), përmes Nazmi Zukës. Më vonë, në vitin `93, shumë nga këta persona burgosen, kurse disa prej tyre kalojnë në Shqipëri.

Përkundër kësaj, gjatë asaj kohe Zahiri kujdes të veçantë i kushtonte furnizimit me armatim, për çfarë shumë herë kishte marrë rrugën për në Shqipëri (maj 1994, dhjetor 1994, shkurt 1995, dhjetor 1995, mars-prill 1996 dhe së fundi dhjetor 1996 - 20 janar 1997).

3) -Fatmir Humolli në intervistën dhënë gazetës “Kombi”. Nazmi Zuka, Fadil Pajaziti. Deklaratë dhënë autorit.

Atje kishte kontakte me njerëzit e ilegales, të cilët ishin larguar pas arrestimeve që ishin bërë që nga vitet 90-të, e gjer në vitin 1993, si me Fatmir Humollin (ku Zahiri qëndronte gjatë kohës sa ishte në Shqipëri), Nazmi Zukën (nga i cili kërkonte sqarim për armët që i kishte dërguar LPRK, në vitin 1992), Ismet Abdullahun, me të cilin mbante lidhjet e mëhershme dhe i cili e ndihmoi në të gjitha mënyrat deri në vdekjen e Zahirit, Nazmi Ajetin etj.

Kohën të cilën Zahiri e kalonte në Shqipëri, e shfrytëzonte më së tepërmi në bisedime me shokët, dhe preokupim kryesor i tyre ishte furnizimi me armatim, si dhe realizimi dhe shtrirja e radhëve të njësiteve guerile (ushtrisë), me njerëz të dëshmuar të çështjes kombëtare. Në maj të vitit 1994 arrestohet në Shqipëri nga policia e pushtetit të atëhershëm të Sali Berishës, përkatësisht në Krumë zihet duke bartur armatim (kishte me vete dhjetë granata dore, të cilat i kishte marrë nga Nazmi Zuka). Për lirimin nga burgjet e këtij pushteti, bashkëpunëtorët e tij intervenuan duke dhënë edhe ryshfet, kështu që Zahiri lirohet pas një muaji. Në ato kohë, në Shqipëri, Zahiri kishte shkuar me Naser Azemin, i cili nga ajo kohë ndodhet në Gjermani 4). Pas kthimit nga Shqipëria, armët e kërkuara nga Nazmi Zuka i mori nga Kadri Pajaziti (nga fshati Kushevicë), me të cilin vazhdimisht mbajti kontakte, por i cili nuk ishte i kyçur drejtpërdrejt në veprimet e mëvonshme të UÇK-së (deri para vrasjes së Zahirit). Nga kjo kohë, Zahiri filloi t’i formonte njësitet guerile, nga të cilat më vonë u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ndër shokët e parë të cilët ndihmuan në realizimin e këtij qëllimi janë: Hakif Zejnullahu, Nazmi Zuka, Avni Ajeti – Sokoli, si dhe shumë shokë të tjerë nga të gjitha anët e Kosovës. Vlen të theksohet se njëri ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Zahirit ishte Hakif Zejnullahu, i cili ishte edhe zëvendës i tij dhe i cili çdo herë ishte pranë tij, duke e ndihmuar në kryerjen e çdo aksioni, duke e shoqëruar në rrugë dhe në bisedime.

Pas kthimit nga Shqipëria, Zahiri, në fundvitin `94 dhe në fillim të vitit `95, zgjeroi fushëveprimtarinë e tij edhe në anët e tjera të Kosovës, si në Dukagjin 5), me Lahi Ibrahimin dhe Sokol Bashotën, në Drenicë me Rexhep Selimin 6), si dhe udhëhiqte me njësitet në Shishman të Gjakovës dhe në Gjakovë 7), pastaj në Ferizaj 8), si edhe me Xheladin Gashin e Mujë Krasniqin. Në realitet, kjo edhe ishte celula e parë e ushtrisë (Shtabi i saj), e cila tani kishte filluar të quhej UÇK 9). Gjatë asaj periudhe, është punuar në planin operativ për shtrirjen e UÇK-së në tërë territorin e Kosovës. Kështu mund të themi se ky vit ishte vit i shtrirjes dhe rritjes së UÇK-së, si dhe parapërgatitje për marrjen e aksioneve kundër pushtuesve serbë dhe kolaboracionistëve të tyre.

4)-Fadil Pajaziti, Fatmir Humolli, Nazmi Zuka

5)-Lahi Ibrahimi

6)-Rexhep Selimi

7)-Lahi Ibrahimi

8)-Rrustem Mustafa- Remi

9)-Rexhep Selimi

Deklarata dhënë autorit

Struktura e Shtabit të Përgjithshëm është formuar ashtu që t’u adaptohet kushteve te një lufte guerile. Kjo ka qenë një strukturë jo e zgjeruar. SHP i UÇK-së ka qenë i formuar në atë mënyrë që në përbërje të tij kanë qenë të gjithë përfaqësuasit e zonave, të cilët kanë pasur të drejtë të bëjnë shtrirjen e UÇK-së edhe në territoret e tjera të Kosovës 10).

Zahiri në këte drejtim u shqua me punën e tij organizative dhe me guximin e tij, i cili pos që kontribuoi për themelimin e UÇK-së në Zonën e Llapit, ai këtë e bëri edhe në territoret e tjera, si në Shishman të Gjakovës dhe në vet qytetin e Gjakovës, në Ferizaj dhe në Vushtrri. Kurse gjatë kohë, para vrasjes së tij, ishte në formim e sipër të njësiteve të UÇK-së edhe në Gjilan11).

Të gjithë anëtarët e këtij shtabi kanë qenë të barabartë në hierarkinë e strukturave të tij dhe në marrjen e vendimeve, e çdo vendim ka qenë kolektiv, metodë ndoshta që nuk i përngjante shumë një ushtrie, por ka qenë një fillim dhe ka qenë disponim kolektiv dhe disponim shokësh, por nuk është bërë fjalë për vendime dhe sidomos nuk është bërë fjalë për urdhëra.

Prandaj, gjatë punës dhe zhvillimit të strukturave të UÇK-së, vetë puna e tij Zahirin e renditi në Komandant të Operativës pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Strategjia e organizimit dhe e luftës së UÇK-së ka qenë e bazuar në një strategji origjinale të paimponuar dhe një strategji e cila ishte e ndërtuar që të jetë shumë e pakapshme për armikun, prandaj kanë triumfuar dhe kanë ecur të pazbuluar. Ka qenë një strategji e modelit origjinal, e adaptuar direkt këtu, dhe një strategji që e kanë bërë njerëzit që kanë pasur një vullnet dhe moral të fortë, qoftë moral në konspiracion dhe në aksione. Kanë pasur një karakter që të mos flasin shumë dhe të mos lavdërohen. Këto kanë qenë përparësitë të cilat e kanë ruajtur konspiracionin 12).

Zahiri çdo herë ishte aktiv dhe i palodhur në çdo pore të jetës, duke kontribouar për çështjen kombëtare, kryente të gjitha punët për të cilat vlerësohej se ishin në interes të popullit, dhe atë duke vepruar edhe në KMDLNJ, në partitë politike etj.

Por, mbi të gjitha angazhohej rreth krijimit të ushtrisë, pa të cilën thoshte se nuk mund të realizohej pavarësia e Kosovës dhe vlerësonte se duhet të krijohet një ushtri të cilës duhet t’i paraprijë një logjistikë e shëndoshë dhe e fuqishme në të gjitha anët e Kosovës (Zonat që formohen më vonë), duhet të bëhën depo të mëdha të armatimit dhe materialeve të tjera përcjellëse për luftën, dhe ky armatim të shpërndahej për ushtarët e rinj, varësisht prej evolimit të situatës dhe suksesit të aksioneve guerile. Zahiri thoshte se ushtria nuk guxon të ketë ngjyra partiake e ideologjike 13).

10)-Lahi Ibrahimi

11)-Sabit Zejnullahu

12)-Rexhep Selimi, Lahi Ibrahimi, Qerim Kelmendi

13)-Rrustem Mustafa-Remi, Naim Haziri– Dilaveri

Deklarata dhënë autorit

Këto jo vetëm që ishin qëndrime të Zahirit, por ai kishte punuar pa ndërprerë në këto drejtime, e sidomos në krijimin e bazave të armatimit, dhe të cilat i kishte planifikuar sipas një strategjie shumë të përsosur, duke i vendosur nëpër fshatrat e Llapit dhe Gallapit. Një ndër bazat e para të armatimit ishte ajo në fshatin Lladofc, në rrethin e familjes Zejnullahu, pastaj në fshatin Brainë, në fshatin Ballaban, ku ishte edhe baza e radiolidhjeve e të cilën nuk kishte arritur që ta montonte, si dhe në fshatin Sharban të Prishtinës.

Zahiri kujdes të posaçëm i kushtonte përgatitjeve fizike dhe ushtarake të pjesëtarëve të njësiteve guerile të UÇK-së, si dhe aftësimit të tyre për përdorimin e armëve. Ushtrimet fizike i kryenin “Te pishat” në afërsi të kishës në Podujevë. Kurse ushtrimet, duke provuar edhe gjuajtjet me armë, i kryenin te “Çuka e Dragës”, në afërsi të Turiçicës (vendlindja e Zahirit).

Gjatë asaj kohe (mesi i vitit 1994 - fillimi i vitit 1996), Zahiri kishte punuar pa e zvogëluar intensitetin e punës së tij, duke shtuar numrin e bashkëpunëtorëve të rinj edhe jashtë Zonës së Llapit, si: Adrian Krasniqi, Qerim Kelmendi etj., dhe numrin e atyre me të cilët bashkëpunonte në anën (Zonën) e Llapit, dhe të cilët ishin: Rrustem Mustafa, Muharrem Ismajli, Sejdi Rama, Shukri Ismajli, Selim Haziri, Ilir Konushevci, Shaip Haziri, Naim Haziri, Naim Hyseni (i cili pas vrasjes së Zahirit shkoi në Gjermani), Refik Jashari, Avdi Kiçmari dhe Hamdi Pollomi.

Që nga kjo kohë, mund të thuhet se UÇK-ja krijoi konturat e një ushtrie me një fizionomi të re, sepse tani çdo aktivitet politik, por edhe veprimet në terren kryheshin në bazë të qëndrimeve unike, të cilat vendoseshin dhe koordinoheshin nga Shtabi Qendror.

Prandaj, mund të konstatohet se në vijimësi të vitit 1996 u kryen shumë aksione të koordinuara, duke mbuluar pothuaj në tërsi territorin e Kosovës. Ishin këto aksione të cilat e tronditën pushtetin e instalur serb në Kosovë, dhe njëherit paralajmëronin se UÇK-ja do të jetë në të ardhmen e afërt një subjekt i cili do të shtrihet në mbarë vendin dhe do të ketë rol vendimtar në realizimin e aspiratave kombëtare.

Për tërë këtë duhej një punë dhe aktivitet i shtuar, i cili nuk mungonte, sidomos nga ana e Zahirit. Pas kthimit nga Shqipëria, më 20 janar 1997, në kohën kur pritej të bëhej koordinimi i shumë punëve dhe nisma e realizimit të vendimeve të Shtabit Qendror të UÇK-së, më 31 janar, Zahiri, së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, vritet në një pritë të organizuar nga pushteti okupues serb, në afërsi të Vushtrrisë, përkatësisht në fshatin Pestovë.

Zahir Pajaziti ka qenë figura qendrore, figura identifikuese e luftës çlirimtare në Kosovë dhe njëra nga figurat qendrore të gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, njëkohësisht ka qenë figura më militante e asaj kohe, sepse të gjitha aksionet deri në rënien e Zahirit lidheshin për emrin e Zahirit, për gishtin e tij dhe për zjarrin e pushkës së tij. Çdo aksion është kryer prej tij. Vetëm kur janë kryer dy e më shumë aksione përnjëherë, atëhere Zahiri nuk mund të ishte në të gjitha aksionet. Përndryshe, çdo aksion që është kryer në Llap, Zahiri ka qenë aty me shokët e tij, me të cilët bashëkpunonte. Rënia e Zahirit është humbje e madhe për Shtabin, për Zonën e Llapit, por edhe për gjithë UÇK-në, sepse pas rënies së tij shumçka nuk ishte më ashtu sikur ai ishte i gjallë, ishte një ngecje në realizimin e aspiratave kombëtare dhe për çlirimin e vendit.

Për këte vrasje UÇK-ja lëshoi një komunikatë të veçantë, në të cilën thuhet: më 31 janar 1997, në orët e vona të pasdites, tre pjesëtarët e njësive tona ushtarake: Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha, rrugës për në detyrat e karakterit të veçantë, u ndeshën ballëpërballë me forcat e shumta të policisë okupatore serbe. Pas një qëndrese heroike, në një betejë të pabarabartë, dhanë jetën për çlirimin e vendit.

Gjaku i tyre i njomë edhe më tepër do ta forcojë unitetin dhe vendosmërinë tonë për të luftuar edhe mç me ngulm deri në fitoren e plotë. Dhembja për ta është e madhe, por nuk ajo nuk do të na dëshpërojë, përkundrazi do të na japë forcë në rrugën e undimshme, por të sigurt drejt lirisë... Lavdi jetës dhe veprës së tyre!

Prishtinë 3.2.1997, Shtabi Qendror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Ja se si e kishte përjetuar vrasjen e Zahirit, bashkëluftëtari i tij, Adrian Krasniqi, tani dëshmor i Kosovës, i cili në letrën dërguar vëllait të tij, Ilirit në Gjermani, për Zahirin theksonte: “ ...u vra Zahiri, udhëheqësi i Shtabit Qendror të UÇK-së, trimi i paepur dhe i cili ishte atentatori numër një në Kosovë. Ka qenë trim e shkuar trimit, dhe trimëritë e tij një ditë do të dalin sheshazi”.14)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora