E diele, 28.04.2024, 12:18 AM (GMT+1)

Faleminderit

Gjelosh Luli, figurë e shquar e lëvizjes antikomuniste

E hene, 10.03.2008, 06:22 PM


GJELOSH LULI FIGURË E SHQUAR E LËVIZJES ANTIKOMUNISTE

Nga Fran Camaj

Populli shqiptar ka dhënë shumë trima të guximshëm, dëshmorë e heronj kombëtarë, të cilët asgjë nuk kanë çmuar as nuk kanë dashtë më shumë se jetën, përveç lirinë, dinjitetin njerëzor e kombëtar, besën e besnikërinë. Ka dhënë populli ynë shumë martirë të kombit, që e kanë sakrifikuar jetën duke luftuar kundër armiqëve të shumtë të vendit dhe të popullit tonë, pa të cilët kemi pasë fatin të mos jemi askurrë. Ka mjaft të tillë, por ka edhe familje të mëdha që janë shuar pothuajse të tëra, deri në njeriun e fundit duke luftuar dhe duke u sakrifikuar për lirinë e atdheut. E tillë është familja e Lul Doç Dedvukajt, nga Bardhajt e Hotit të Malësisë së Madhe. Kjo familje, çerdhe trimash e patriotësh, heronjësh e dëshmorësh, lindi heroin e madh kombëtar Dedë Gjo Lulin, udhëheqësin e Kryengritjes së lavdishme të Malësisë së Madhe të vitit 1911, njeriun i cili i tha mbretit të Stambollit larg nga tokat shqiptare dhe kralit të Cetinës, nëse don, mund të luftojmë bashkë kundër të të njëjtit armik, por secili tash e gjithmonë zot shtëpie në shtëpi të vet. Serbia, përmes agjentëve të vet, e vrau udhëheqësin e Kryengritjes e kreshnikun e maleve në shtator të vitit 1915 në Orosh të Mirditës. Deda kishte dy djem, por të dy ia fali, kujt tjtër apo atdheut- Gjergjin që u vra më 20 shtator të vitin 1912 afër Vuksanlekajve së bashku me Gjergj Kerin Camaj nga fshati Spijë dhe Kolën (kishte kryer studimet univerzitare në Itali) të cilin e helmoi dora e zgjatur e Serbisë në Vlorë në vitin 1918, duke u kthyer nga Italia ku kaloi tre vjet në internimi. Me helmimin e Kolës mbyllet përgjithmonë dera e Dedë Gjo’ Lulit, por jo nami i kësaj familjeje. Nga familja më e gjërë e Lul Doçit ishte edhe Nikë Gjelosh Luli, i cili me dorën e vet e shpaloi dhe e vendosi Flamurin kombëtar, më 6 prill të vitit 1911 në Bratilë afër Deçiqit, që njëheri është edhe Flamuri i parë që ngritet në një territor të çliruar shqiptar pas Skenderbeut. Edhe ky u vra vetëm një muj më vonë, më 3 maj të vitit 1911 në krye të frontit në Pejnik, afër Bratilës, ashtu si edhe kushëriri i tij, Lucë Nishi nëntë vjet më vonë (1920) në Suka të Moksetit, kur u hodh në grykë të topit të forcave serbo-malazeze. U bë copë-copë për të penguar depërtimin e këtyre forcave drejt Shkodrës, qytetit të cilin e kanë ëndërruar shekuj me radhë malazezët, por i cili edhe u ka kushtuar shtrentë atyre. Edhe Gjokë Luli, axhai i Dedës dhe Nikës e babai i Gjelosh Lulit, mori pjesë në Luftën e Koplikut, ku edhe plagoset e pastaj internohet. Në këtë familje u kalit edhe Nora e Hotit, e shoqja e Kolë Dedës, e cila mbeti vejë tepër e re, por vazhdoi të jetojë në familjen e burrit të vet. Ishte krah i djathtë vjehrrit të vet Dedë Gjon Lulit, duke marrë pjesë aktive në Kryengritjen e Malësisë dhe në shumë luftëra tjera. Familja e madhe e trime e Lul Doç Dedvukajt, lindi edhe kapitenin Gjelosh Luli, i cili së bashku me major Llesh Marashin, u vu në ballë të frontit të nacionalistëve shqiptarë të Malsëisë së Madhe për ta shpëtuar atdheun nga kulshedra komuniste, e cila e shkretoi vendin dhe i shkaktoi dëme popullit shqiptar për pesëdhjetë vjet me radhë, ndoshta edhe jo më pak se fashistët dhe pushtuesit e tjerë të jashtëm.

Gjelosh Gjokë Luli, martir i kombit shqiptar, lindi në Bardhaj të Hotit në vitin 1912, pikërisht në vitin kur në tërë vendin vlonte lufta për çlirim të përgjithshëm kombëtar nga pushtuesi pesqindvjeçar dhe për ruajtjen e tokave shqiptare nga vendet fqinje që pritnin çdo moment të volitshëm për të grabitur ndonjë copë nga trualli shqiptar. Ky është edhe viti kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, por edhe një vit para mbajtjes së Konferencës së Londrës (1913), në të cilën interesat dhe të drejtat shqiptare nuk u morën parasysh fare nga Fuqitë e Mëdha. Me vendimet e kësaj Konference, vendlindja e Gjelosh Lulit iu la Malit të Zi, si edhe shumë toka tjera shqiptare. Familja e madhe Luli atëhere vendosi t’ i lëshojë Bardhajt, ngase nuk mund të jetonte nën juridiksionin e Malit të Zi dhe u vendos në Fushën e Shtojit të Shkodrës, ku u vëndosën për disa vite me radhë mbi 70 familje tjera hotiane dhe shumë familje nga fisi i Grudës, duke formuar në këtë mënyrë vendbanimet e reja Hoti i Ri dhe Gruda e Re. Fjala është për një egzod të madh të hotianëve e grudianëve pas vendosjes së kufijve në fjalë, duke mos respektuar as vullnetin, as interesat, as historinë e këtij populli, as përbërjen etnike të këtyre territoreve, gjithmonë të banuara vetëm me shqiptarë.

 Gjeloshi, djali i dytë i Gjokë Lulit (pati katër djem e dy vajza) në moshën shtatëvjeçare u vendos në Shkodër ku i filloi mësimet fillestare, kurse më vonë ndoqi Gjimnazin klasik pranë Konviktit “Malet tona”. Mbase ishte ndër nxënësit më të mirë të kësaj shkolle, në vitin 1929 fitoi bursin shtetëror për të vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali- Dega e Artilerisë, të cilën e kreu me sukses të shkelqyeshëm. Gjeloshi ambicioz e i etur për të fituar njohuri të reja, nuk u kënaq me aq, por vazhdoi një vit specializm në kursin e Aplikacionit. Nga katër të bijtë e Gjokë Lulit, përveç Gjeloshit, Akademinë ushtarake në Itali e kreu edhe Noli, kurse Rroku, poashtu në Itali, kreu Fakultetin ekonomik. Vetëm Pjetri, djali i madh Gjokës, mbeti i pashkolluar, siç dëshmon e bija e Gjeloshit, Izabella, për t’ u ndihmuar vëllezërve që të shkollohen.

 Në vitin 1934 Gjeloshi kthehet në Shqipëri dhe shërben në një repart të Regjimentit të Artilerisë në Tiranë, ku mori gradën ushtarake toger. Dy vjet më vonë transferohet në Shkodër, kur edhe martohet me Lenën nga familja e njohur dhe patriotike mirditore Mirakaj. Ajo atëhere kishte kryer gjimnazin pranë Institutit “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë dhe ishte ndër femrat e rralla të shkolluara aso kohe. Gjeloshi në Shkodër merr gradën kapiten i parë dhe vazhdoi të shërbejë si ushtarak, por njëkohësisht merrej edhe me publicistikë dhe arsim. Pasiqë ishte njohës i mirë i italishtes, gjermanishtes dhe frangjishtes, punoi edhe si profesor i këtyre gjuhëve në Gjimnazin Klasik të Shkodrës dhe kishte fituar simpatinë e nxënësve dhe kolektivit të kësaj shkolle. Është marrë me mjaft pasion edhe me gazetari, gjegjësisht me publicistikë. Kanë mbetur të shenuara në Revistën “Hylli i Dritës” dhe në gazeta e revista tjera të kohës disa artikuj të tij publicistik, në të cilët vëreheshin shumë qartë idetë dhe ndjenjat patriotike, por edhe antikomuniste të autorit, të cilat i shfaqte publikisht edhe në kohën kur gati ishte e qartë dhe e sigurt se komunsitët do ta marrin pushtetin në Shqipëri. Është i famshëm artikulli “Hot e Grudë”, i botuar në Gazetën “Hylli i Dritës” në vitin 1944, me rastin e 6 prillit të vitit 1911, Ditës së ngritjes së Flamurit kombëtar në Bratilë. E kuptonte trimi e intelektuali Gjelosh Luli se komunizmi, i importuar nga sllavët, është duke iu kërcënuar seriozisht popullit dhe shtetit shqiptar, andaj shkruan:

 “Asht e vërtetë se anmiku i sa qind-vjetave asht çue lugat e tjetër nuk pret veç si e si t’ i këndojë kangën mortore Shqipnisë, të dhunojë historinë e saj mijëvjeçare, të n’ a zhdukë si Komb dhe Shtet. Aradhe së tërbuemësh e rrethojnë Atdheun t’onë, çeta ndërmarrjes rrënimqare nguten me u përgatitë, shpejtojnë me luejtë gurët me të vetmin qellim: përçamja e sotshme, shkatërrimi i nesërm.”- ankon Gjeloshi për të vazhduar me optimizëm, ngase nuk donte as të besonte se do të ndodhte ajo që do t’ i ndodhë më vonë popullit dhe vendit të tij:

 “ A kanë për t’ i a dalë? Jo, kurr pasha Zotin, kurr deri sa të ketë shqiptarë mbi dhe, kurr deri sa nana shqiptare të përkundë në djep djalin qi, si të parët, kanë me u shua ma parë se edhe nji herë thundra barbare të randojë mbi vllazën e motra tona. Nuk ka se si me qenë ndryshej qyshë se në Hot, Grudë, Koqë,. Triepsh, Fudna Vllanë-Vranë, ndoshta ma mirë se askund tjetër në Shqipni, asht rranjosë kulti i Atdheut, nevoja e përgatitjes për sot e aq ma tepër për nesër, imperativi kategorik i përqëndrimit të të gjitha fuqivet vllaznisht të bashkueme”.

 Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste Gjeloshi, ashtu si edhe patriotët e tjerë të vërtetë, e përjetoi shumë vështirë.

 “...por në vitin 1940, kur iu bë thirrje të gjithë ushtarakëve të Monarkisë së Zogut që të riktheheshin në Ushtrinë Kombëtare, edhe ai u kthye dhe u emërua përsëri në Regjimentin e Artilerisë ku kishte shërbyer vite më parë”.

 Deri në vitin 1943 Gjeloshi ishte komandant i përgjithshëm i Forcave Ushtarake të gjithë Qarkut të Shkodrës, por me fillimin e konflikteve midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste, doli në mal dhe u emërua komandant i Forcave Nacionaliste të Malësisë së Madhe. Sa ishte në Shkodër kishte miqësi e shoqëri të ngushtë me shumë patriotë e oficerë të tjerë, kurse pas arratisjes në mal,. bashkëpunoi edhe me major Llesh Marashin, trim e burrë guximtar nga Shkreli, i cili u kap dhe u ekzekutua nga komunistat pas një gjyqi formal, si edhe shumë e shumë patriotë tjerë. Gjeloshi e njihte mirë besën e komunistëve, andaj edhe nuk iu dorëzua atyre, por u vetsakrifikua. Edhe vetë Enver Hoxha kishte kërkuar nga ai që të kthehet në anën e tij, duke i ofruar post të lartë në pushtetin e ri. Nuk e bënte këtë Enveri se e donte Gjeloshin, por pse e dinte se rrugën e tij do ta ndiqte i tërë Hoti e pothuajse e tërë Malësia.

Nuk kthehem me ata çi ua shesin interesat e popullit shqiptar dhe t’ Shqipnisë anmiqve shekullor t’ tyne,- ia kite kthye Gjeloshi diktatorit të Shqipnisë. Por pasi çi nuk mun t’ përmahej, Enveri iu kërcnua se kur ta kapin t’ gjallë do t’ ia rjepë t’ nat lëkurat e ma vonë do ta vrasë. Ty s’ ka me t’ u plotsua ajo dishirë që tëm kapsh t’ gjallë,- ia kite kthye trimi i maleve. Për ta kthye n’ taborrin e vet ishin muna edhe komunistat n’ anën tjetër t’ kufinit n’ i takim n’ katunin Milesh, afër Tuzit, mirëpo edhe ata kishin fitua të njajtën përgjegje nga Gjeloshi, i cilli ma fort dote vdekjen se t’hjekte dorë prej qellimeve t’ veta dhe t‘ parëve t’ tij.

 Gjeloshi atëhere jetonte herë në një vend e herë në një tjetër, i ndjekur nga forcat komuniste, por ishte betuar se për të gjallë nuk do t’ u bien në dorë atyre. E si t’ u dorëzohet atyre që premtonin amnisti, kur ata nuk kishin besë as fe!? Pothuajse të gjithë që dorëzoheshin, i mundonin në mënyra më çnjerëzore e më në fund ua shqiptonin denimet e caktuara shumë më heret, gjetiu e jo në gjyq. Më së miri këtë e vërteton rasti i bashkëpunëtorit të Gjelosh Lulit, Pashko Deda nga Katuni i Kastratit. Ai ishte arratisur me Gjeloshin në mal dhe kishin kaluar një kohë të gjatë së bashku nëpër malet dhe shpellat e Shkrelit e të Kastratit, por pas amnistisë së shpallur nga pushteti, duke besuar se do t’ ia falin jetën, u dorëzua. Në vend se të kthehet në shtëpi, së pari e torturuan mizorisht si dinin ata e më vonë, më 20 janar të vitit 1945, e pushkatojnë pa kurrfarë gjyqi. Fajsoheshin patriotët e dëshmuar dhe intelektualët më të mëdhenj se janë armiq të popullit dhe të Shqipërisë. Çfarë absurdi dhe ironie e kohës!? A nuk flet qartë procesi gjyqësor kundër françeskanëve të Shkodrës menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, që në Shqipëri e kanë quajtë Luftë Nacionalçlirimtare e në të vërtetë nuk ka qenë as nacionale as çlirimtare, ngase gjysma e trojeve shqiptare mbesin jashta kufijve të shtetit amë. Po të ndjekim një pjesë nga ky proces gjyqësor:

“Por Prokurori. Artan Çela do ta ndërpriste:

-Të pandehurit kanë shkruar e bërë thirrje për Shqipërinë etnike.

 Tashti do të përgjigjej At Dajani:

-Në vjetin 1944 librin mbi “Shqipninë etnike” e kena shtypë na dhe ky asht nji

studim historik.

-A ka qenë koha me 1944 që ju me shokët tuej të kërkoni Shqipninë etnike?- A Çela.

Po ai asht nji studim historik i gjatë për t’ u paraqitë në Konferencën

e Paqës.- At Dajan:

-Shokë gjyqëtar, do të thërriste sërish prokurori.

- Në kartën e Atlantikut është vëndosur që çdo popull është i

lirë të vendosë mbi fatin e tij dhe në këtë rast populli i Kosovës ka vendosur vetë mbi fatin e vet, por këta kanë dashtë me na futë në luftë me Jugosllavinë”.

 E besoj se vetëm kjo pjesë nga ky proces i “Famshëm” gjyqësor flet qartë se sa pushtetit komunist në Shqipëri i interesonte aso kohe çështja kombëtare, sa i interesonte Kosova dhe trojet tjera etnike shqiptare të lëna jashta kufijve të shtetit amë!? Pushteti komunist, në vend se ta shfrytëzonte rastin, atëherë të volitshëm, për bashkimin e trojeve shqiptare, i dënonte me vdekje ata që guxonin edhe ta përmendin fare fatin e shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve tjerë, kudo qofshin. Gjelosh Luli e dinte mirë këtë qendrim të komunstëve, gjegjësisht të partisë shtet, andaj vendosi me kohë që i gjallë të mos u dorëzohet atyre, por të vetsakrifikohet si u sakrifikuan edhe shumë patrotë të tjerë.

E shoqja e Gjeloshit, me të dy vajzat, nuk dinin asgjë për bashkëshortin, gjegjësisht babain e vet. Para se të arratisej përgjithmonë në mal, Gjeloshi iu drejtua bashkëvendasve të vet, për herë të fundit publikisht, në oborr të Kishës së Traboinit. Në fund të meshës, martiri i popullit Patër Zefi, u tha besimtarëve që të presin në oborr të kishës se dëshiron t’ u drejtohet me disa fjalë kapiten Gjelosh Luli. Edhe meshtarin e Traboinit disa muaj më vonë, në vitin 1945, e morën nga qela pjestarët e UDB-ës jugosllave dhe pa kurrfarë gjyqi e pushkatuan në Lugje të Thella, të njëjtën ditë kur pushkatuan edhe Vasel Mirashi e Pjetër Zekun Camaj, si u pushkatuan më 12 gusht të vitit 1945 edhe tre vëllezërit Lulgjuraj (Luca, Doda dhe Gjergji), pastaj Zef Miliqi (Marku) Lulgjuraj me kumbarën Gjelosh Gjoku Lajçaj nga Hoti (Shqipëria) dhe Kolë Gjel Çaku nga fshati Benkajt e shumë të tjerë.

 “Pasi duelme n’ oborr t’ kishs, gratë shkuan në shtëpia t’ veta, kurse prej mashkujve nuk pashë asnja të vogël as të madh, çi nuk u nalua derisa erdhi kapidani Gjelosh Luli. Hipi më atij gurit n’ oborr t’ kishs e na bani temina tetanve çi ishim aty e na bisedou për luftën çi po bahej. Tanë Hoti e besa edhe Malësia ite n’ kamë e gatë për luftë, po t’ urdhnote ai, porGjeloshii ite njer i mëçim e i dite gjanat ma mirë se tanë na bashkë. Tha se lufta ka krye dhe se komunistat ksaj herë kanë fitua, si n’ Jugosllavi si n’ Shqipni e nuk kem kame ia majtë. Edhe kshtu kem derdh shumë gjak tue u vra vëlla me vëlla. Po ju kshilloj çi t’ rrini n’ shtëpia tuaja e mos i ktheni pushkë partizanit e komunistit, se nuk kanë besë as nuk kanë fe ata, as nuk lanë gja pa ba e na tash për tash nuk kem forcë me nalua. Ka ardh ktu ky anmik i math i shqiptarizmit, çi drua se ka me sunua këtë vët nja 50 vjet, jo se asht ai i fortë, por pse ashtu ka dashtë Evropa e Amerika. Ju shkoni n’ shpia tuaja e vet jam betua se nuk u dorëzohem për t’ gjallë komuniste, na tha Gjeloshi e tetanë çi ishim aty u vume rresht për m’ u ba hallall me komandantin tanë. Tue n’ ë shtërgua dorën secillit çi ishim aty, i shkoshin lotët kapianit Gjelosh Luli, i cilli prej asaj dite nuk u duk më ën popull”.

Shpellat, pyjet dhe malet ishin bërë shtëpi e martirit të kombit Gjelosh Luli. Plot tre vjet jetoi në to duke kaluar herë në Hot herë në Shkret e Kastrat, varësisht se kur dhe ku i binin në gjurmë forcat e ndjekjes, qofshin ato shqiptare, qofshin jugosllave. Në Vrithe të Shkrelit Gjeloshi qendroi deri në janar të vitit 1945. Për të kujdeseshin shumë miq të familjes së Gjokë Lulit, por më së shumëti motra e tij Gjelina me bashkëshortin Pjetër Prenkën.

 Ishte dimën i ftoftë e borë e madhe n’ kallnuer t‘ vjetit 1945. Gjelosh Luli, bashkë me prefektin e Gjnokastrës kapidan Idriz Jasmën me dy nipa, me Pashko Dedën dhe Gjon Dedën (i dyti tani jeton në Velipojë) nga Kastrati dhe me Zef Tomën nga Bzheta e Shkrelit, ishin strehua n’ bjeshkën e Shkrelit Luis t’ Rranzës. Forca t’ ëmdha t’ ushtrisë dhe t’ organeve t’ sigurimit i kishin rrethua trimat e maleve, t‘ cilët megjithate t’ gjithë e çanë rrethimin pa asnjë humje. Tue Gjeloshit i kishin metë kpuc’t n’ borë e kamt i ishin kri e ma vonë i ishin smu aq shumë sa i kishin ra copë ashtu si edhe Pashko Dedës.

Nga Shkreli e morën shtatë hotianë dhe e çuan në Bardhaj ku u munduan t’ ia shërojnë plagët aq sa ishte e mundur. E kalonte jetën në shpellat dhe malet e Bardhajve, Drenasit, Maçajve e gjetiu. Për komandantin e Malësisë kujdeseshin vëllezërit Mark, Lul dhe Lukë Gjeloshi Gojçaj, vëllezërit Kolë dhe Mark Miri Dedvukaj, Nol Gjon Vata Dedvukaj, të gjithë nga fshati Bardhaj, vendlindja e kapiten Gjelosh Lulit, por edhe shumë të tjerë nga fisi i Hotit. Organet e sigurimit e arrestuan më 22 mars të vitit 1946 Mark Gjeloshin me vëllezër, kurse familjet e tyre i internuan. Nga torturat e mëdha policore Luli vdiq në burg, kurse Marku u verbua dhe vdiq më vonë në internim. Megjithatë as njëri, as tjetri, as Luka, vëlli i tretë i tyre, i vetmi që vdiq në vendlindje të vet, nuk e thanë asnjë fjalë për vendstrehimin e bashkëvendasve të tyre Gjelosh Luli. Duronin çdo mundim e torturë, por nuk e hapnin gojën më shumë se ta kishin të qepur. I torturuan edhe gratë e shtëpisë që të tregonin se ku fshehet Gjelosh Luli.

E kanë torturua nanën tëme Lulë Bacen (e shoqja e Mark Gjeloshit) aq sa nuk ka, derisa edhe macën ia kanë futë në klina të gjata e i kanë ra me brenë e dije ma se çfarë dhimbjesh i ka shkaktua ajo tue gërvishtë me thoj. I ite aj kosha e ba sa i tra. E nusen e axhëa e rrahshin sa tetanë i lutshim Zotit me ia marr shpirtin. Me dorën tëma ia kam hjek nga shpina gacat e zjarmit çi ia kishin vu. E munoshin e shkoshin, por vishin prap. Besa ater gruaja e axhës i çou fjalë Kolë Mirit çi ta largojnë Gjeloshin shpellet se nuk munet me durua ma. Kështu Kola me shokë e larguan Gjeloshin e ajo ater u tregoi se në cilën shpellë asht Gjelosh Luli, por ajo e dite se e kanë largua prej atyj e ma as ajo edhe të dote, nuk dite se ku gjinet. Asi gazepit nuk sheh njeri e as nuk munj me t’ shkua ndërmet.

Të rralla janë rastet në historinë e njerëzimit, si rasti i vëllezërve Kolë e Mark Miri Dedvukaj. Organet e sigurimit të Shqipërisë i kishin rënë në gjurmë Gejlosh Lulit dhe kishin angazhuar forca të mëdha për të rrethuar malin Drenas, ku ishte strehuar trimi i maleve, në një shpellë të cilën nuk e dinin shumë njerëz. Vëllezërit Miri e kuptuan se forcat partizane, gjegjësisht të sigurimit shtetëror, i kanë rënë në gjurmë vendit se ku ishte i strehuar kushëriri i tyre dhe fillojnë të mendojnë mënyrën se si ta nxjerrin nga rrethimi komandantin e vet trim. Kola ishte njeri me trup të shkurtër, i zhvilluar dhe shumë i fuqushëm. Nuk besoj se ka pasë duar më të fuqishme në Malësi se ato të Kolë Mirit Dedvukaj. Isha fëmijë dhe isha kurjoz ta shikoja atë njeri me fytarë të gjërë e me rrulla të ashpëra, me qafë të trashë e të shkurtër, me sy të kaltër e musteqe të zgjatura grep, kurse nga dora nuk e heqte kurrë një shkop të trashë druri. Nuk bisedonte shumë, por kur të shikonte të bënte të kuptosh se është një njeri i veçantë, besnik e guximtar dhe i fortë si shkëmbi. Nuk dëshironte të fliste për ngjarjet e asaj kohe, në të cilat ai kishte qenë protagonisti kryesor. Në një udhëtim dhjetëorësh me të nga Detroidi deri në Nju Jork, me automobil, në verën e vitit 1977, e pyeta Kolën se si kishte ndodhur ajo ngjarje me Gjelosh Lulin në Shpellën e Drenasit.

“Janë kohë t’ shtira ato djalosh e nuk të lypet gja mej dijtë. I shalla mos i provosh ti as anmiku yt”- më tha Kola, por unë përsëri insistova të më tregojë për atë ngjarje: “Lëne djalosh se nuk t’ duhen gja. Ti don me’ u kthye atje me jetua e muç me ja pa sherrin edhe për kaq sa po flasim. Je i ri e nuk i njeh ti ata. Mos u përsëritshin ma ato kohna se nuk di çka me thash tjetër!”- më tha dhe rrulli ato vetulla të trasha. Edhe pse nuk deshi të më tregojë unë dhe të gjithë në Malësi kishim dëgjuar se si kishte ndodhur kjo ngjarje, që më shumë i përngjet një tregimi fantastik se një realiteti të paradokohshëm.

Kur e pa se jeta e kushëririt të tij dhe kapitenit të Malësisë Gjelosh Lulit ishte në rrezik, Kola mori konopin e kmesën dhe u nis, gjoja se po shkonte për të marrë kashtë për bagëti. I veshur si punëtor i thjeshtë, kaloi nëpër turmën e ushtarëve, të cilët vërtetë mendonin se është ndonjë bari. Iu afrua ngadalë dhe me kujdes të madh shpellës ku strehohej Gjeloshi. Pasi e nxori nga shpella, e futi në dëngën e kashtës dhe e ngarkoi në shpinë. Me dengë të kashtës mbi krah, në të cilën fshehej kapiteni i Malësisë Gjelosh Luli, Kola kaloi nëpër turmën e ushtarëve të cilëve nuk u shkonte ndërmend se aty fshehej njeriu më i kërkuar i Malësisë dhe ndër më të kërkuarit në tërë Shqipërinë. Ushtarët e ngushtonin rrethimin, të bindur se ndokush duhet t’ i çojë ushqim Gjeloshit në shpellë ose do të detyrohet të dorëzohet ai vetë. Mirëpo nuk ndodhi as njëra as tjetra. Ushtarët pritnin ngase as nuk dinin mirë ku është shpella, por edhe nga frika se Gjeloshi nuk është vetëm, por me shokë dhe është i armatosur. E dinin poashtu se Gjeloshi do të bënte rezistencë dhe se më parë do të vdiste se do t’ u binte në dorë atyre. Ngase për një kohë shumë të gjatë nuk vërejtën asnjë lëvizje, iu afruan shpellës me kujdes të madh. Më në fund u bindën se aksioni i tyre kishte dështuar, edhe pse kishin pasë informatë të sigurt se ku gjendet Gjeloshi. Vetëm atëhere u kujtuan se askush tjetër, përveç Kolë Mirit, nuk ka mundur ta nxjerrë nga shpella trimin Gjelosh Luli. Dikujt nga ata i ra ndërmend se ka mundur ta kalojë vetëm të fshehur në dëngën e kashtës dhe vrap mësynë shtëpinë e vëllezërve Kolë e Mark Miri.

Kur e pyeta Kolën nëse është e vërtetë kjo që e thashë unë, ai vetëm lëvizi kokën më shikoi pak e tha:

 “Gjeloshin e kem kalua shpesh herë në jarën herë në anën tjetër të kufinit. E kem psheh në gjeth, në kashtë ose në sanë, në shpinë, në kuaj e si kem mujt tryshe . Asht dashtë disi”.

 Kolën, pas kësaj ngjarjeje, menjëherë e kishin kapur forcat e sigurimit shqiptar dhe e kishin munduar në mënyrë më mizore për të treguar dhe për ta dorëzuar trimin e maleve. E futën në mes dy zjarresh, të lidhur këmbë e duar, dhe e sjellnin si fërlikun, por trimi nuk flsite. Pasi trupi filloi t’ i fryhet nga flaka e zjarrit dhe të nxehtit e madh, për të shpëtuar nga kjo situatë e rëndë dhe për të fituar në kohë, Kola premtoi se do t’ i çojë te shpella ku strehohet Gjloshi për të cilën tha se gjendet dikund larg nga aty dhe se duhet kohë e gjatë derisa të arrijnë atje. Të bindur se ia arritën qellimit, ushtarët e larguan Kolën nga mesi i zjarreve dhe me duar të lidhura u nisën malit për të shkuar atje ku u thoshte Kola se gjendet Gjelosh Luli. Duke i shetitur malit andej e këndej, i zuri nata. Ishte vjeshta e vitit 1946 dhe bënte shumë ftohtë në rrënzë të bjeshkëve të Bukoviqit. Ushtarët u ndalën në shtëpinë e Marash Lushk Dushajt në Traboin, të cilin Kola e njihte mirë. U ndaluan për të darkuar dhe për ta kaluar natën aty ngase nuk mund të vazhdonin rrugën natën, ndërsa Kola u thoshte se deri te shpella ku gjendet Gjeloshi duhet kaluar edhe pesë-gjashtë orë. I zoti i shtëpisë e kuptoi situatën dhe u tha ushtarëve se nuk ka si shtron darkë derisa mysafiri është i lidhur. Vërtetë, Kolës ia kishin lidhur duart me tel të trashë. Teli nga të shtërnguarit e fortë kishte depërtuar në mishin e duarve të fuqishme të tij. Mirëpo ushtarët, edhe pse i dinin rregullat e malësorëve, për shkak të frikës se Kola megjithate mund të ikë nga aty, nuk ia zgjidhën duart. I zoti i shtëpisë e porositi të shoqen që ta çelë pak derën se po bënte tym. Ajo edhe me atë qellim, ngase i kuptoi gjestet e të shoqit, kishte vënë në zjarm gjeth të lagët që të bënte sa më shumë tym. Kola e përcjellte me kujdes dialogun e mikpritësve dhe kur e pa rastin e volitshëm, vrapoi kah dera dhe arriti të dalë në shkallë nga e cila kceu në oborr dhe vazhdoi vrap nëpër terrin e natës. Ushtarët gjuajtën me automatikë në drejtim të tij dhe iu vunë pas, por ai, edhe pse me duar të lidhura, iku për të mos u dukur në opinion për një kohë të gjatë, kurse Markun e kapën forcat jugosllave dhe e denuan me tetë vjet burg të rëndë. Në procesin e përsëritur gjyqësor, kur situata ishte qetësuar pak, gjykatësi që mbiemërin e kishte Gjuroviq, e pyeti Mark Mirin.

-Shoku Mark, na thuaj t’ vërtetën çka t’ ka shty çi ta vësh jetën ën rrezik për at anmik t’ popullit? A ke kënë i vetëdishëm se çka ka mujt me t’toll ty e familjes sate?

-Shoku gjyqtar! Do t’ flas t‘ vërtetën e ti merre si t‘ duesh. Ta jap besën e Zotit edhe ti tëm kishe ra n’ dorë, si m’ ka ra Gjelosh Luli, t’ njajtën gja e kisha ba edhe për ty edhe për çdo njeri tjetë e jo për ata çi e kam kushri.

Ater gjykatsi, çi duket ite pa këni i njer i mirë, lapsin çi e kite n’ dorë e lëshou më tavolint, vuni gishtin n’ tamthin e djathtë, e shikjoi Markun e pas pak, tha:

-T’ lumtë shoklu Mark! Do ta marr parasysh këtë pranim tatin t‘ sinqertë e burrnor.

Pas disa ditësh ia lexuan dënimin, çi ja kishin ul prej tetë në tri vjet. Kola ite dënua ma parë vetëm me tre muaj burg se Marku kite marrë më vetit tetanë fajin e përgjegjësinë.

Marku ishte vëllai i madh dhe ishte mjaft i çmuar në Malësi, jo vetëm si burrë besnik e guximtar, por edhe si njeri i mençur, i cili gjente dalje edhe nga situatat më të vështira për të cilat shpeshherë mendohej se nuk ka zgjidhje.

“Ishte dimri i vitit 1947. Forcat e sigurimit të ndjekjes kishin rënë sërish në gjurmët e tij e Gjelosh Luli ishte tashmë fare i izoluar dhe i vetëm. Çdo komunikim me të ishte i pamundur. Rrethimi ngushtohej gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më shumë humbiste shpresa. Kishte tre vjet që rezistonte për të mos u dorëzuar i gjallë intelektuali e patrioti trim Gjelosh Luli”.

Në dhjetor të vitit 1947 trupin e vdekur të Gjelosh Lulit e gjetën mbi Krua të Ri në Katun të Kastratit. Këmbët i kishin rënë copë nga të ftohtit e madh. Nuk dihet me siguri nëse kishte vdekur apo kishte bërë vetvrasje për mos t’ u rënë në dorë forcave të ndjekjes, gjegjësisht sigurimit shtetëror. Kishte zgjedhur rrugën e vetsakrifikimit. Ishte betuar në fillim se i gjallë nuk do t’ u bien në dorë komunistëve dhe ashtu ndodhi. E bija e tij Izabella në intervistën për të përditshmen “Gazeta shqiptare” rrëfen:

 “Pasi e gjetën në dëborë, ata ia prenë kokën Gjeloshit dhe trupin e tij e lanë aty në dëborë që ta shqyejnë kafshët e egra. Kokën e tij ata e sollën në qendrën e Malësisë së Madhe, në Koplik, dhe aty mblodhën shumë fshatarë që e kishin njohur atë, për të bërë verifikimin nëse ishte ajo koka e Gjelosh Lulit. Aty nga pranvera e vitit 1948, trupin e tij e gjeti një çoban i atyre anëve, i cili e varrosi dhe vuri një shenjë që të mos e harronte vendin. Në atë kohë ne na hoqën nga internimi dhe na kthyen në Shkodër dhe nga ajo gjë ne e morëm me mend se babanë e kishin vrarë, sepse ishte si rregull që kur vritej një njeri, familjen e tij e kthenin nga internimi”.

Kështu deklaron e bija e Gjelosh Lulit, kurse Nua Pashko Deda, që e ka njohtë shumë mirë kapiten Gjelosh Lulin, thotë se vërtrtë ia kanë marrë kokën, por askush nuk ka mundur ta njohë, ngase kishin mbetur vetëm eshtrat dhe kërkonin të bënin identifikimin në bazë të kafkës së tij. Identifikimin e ka bërë Lulë Bacja Gojçaj (e shoqja e Mark Gjeloshit) e cila e ka njohtë xhaketën e Gjeloshit, të cilën kishte deklaruar se ajo e ka arnuar me dorën e saj në disa vende.

Po kush ishte ai bari që e varrosi trupin e Gjelosh Lulit dhe këtë e ruajti në sekret deri në kohën e rënies së diltaturës së Enver Hoxhës? Ishte një burrë nga familja e Gjolajve të Kastratit me emrin Prëç Pjetër Gjoli që me të vëllain e vet Vasel Pjetër Gjolin e varrosën dhe nuk i treguan askujt deri në fillim të viteve nëntëdhjetë. I kishin varrosur shpejt e shpejt eshtrat e tij në një vend dhe kishin vu një shenjë që të mos e harrojnë. Besonin se do të vijë dita kur do të mund të varroset me nderimet që i meritonte trimi dhe intelektuali, kapiten Gjelosh Lulit. Dhe ajo ditë vërtetë erdhi. Në vitin 1993 eshtrat e tij u varrosën në Varrezat e Rrmajit në Shkodër në praninë e më të afërmve të tij, por edhe të shumë banorëve të Shkodrës që e donte aq shumë dhe të Malësisë dhe të Shqipërisë për të cilat u sakrifikua.

Nderim e falenderim për gjithë shtëpinë e tij e gjithë Malësinë shqiptare. Ishte kjo një relikë e shtrenjtë, por shumë e rrezikshme gjatë regjimit komunist. E rrezikshme fort se hakmarrja s’ njihte masë as kufi”.

Pasi u gjet trupi i vdekur i kapiten Gjelosh Lulit, organet e sigurimit arrestuan shumë burra nga Kastrati dhe i torturuan në mënyrë më mizore për t’ i bërë që të pranonin se kanë mbajtur në shtëpi ose dikund gjetiu Gjeloshin. I rrahën dhe i munduan aq shumë sa të kishin mundësi do t’ i kishin dhënë fund jetës. Prekë Deda, Gjekë Nikë Smajli, Zef Tomë Dashi, Gjergj Kolë Gjoni e të tjerë, hoqën të zitë e ullirit, por megjithate u liruan pas dhjetë ditësh, ngase organet e sigurimit u bindën se ata nuk kishin pasë kurrfarë lidhjeje me Gjeloshin. Në të vërtetë, Gjelosh Lulin në vendin ku vdiq, te Kroni i Ri në Katun të Kastratit e kishte sjellur në gjëndje tepër të vështirë shëndetësore, përcjellësi i tij i rregullt Mirash Gjoka, i cili më vonë u dënua me një vit burg, e pastaj arriti të ikë në Mal të Zi. Mirëpi UDB-a jugosllave Mirashin, si edhe shumë emigrantë të tjerë, e detyroi të dalë disa herë në Shqipëri për spiunazh. U duhej të dilnin ngase u kërcënoheshin me kthim prapa në Shqipëri. Kështu Mirashi u vra afër kufirit nga ushtria shqiptare kur ishte duke u kthyer nga miisioni që e kryente.

Isha me berre atë ditë kur erdhi te vet Mirash Gjoka. Gjeloshin e kite lanë ma tutje rraxë nji gurit tue dhanë shpirt, por mua nuk m’ kallxou. Vet nuk e njofta se e kite mjekrrën e madhe, por m’ tgregou ai. M’ tha me ruejt se don me shkua me lyp diçka n’ shpinë ma ‘ë afërt. Ma vonë e kuptova se dote tamël për Gjeloshin, por nuk gjeti as ën shpinë e parë as në dy tjera se ite dimni e berret nuk kishin pjell hala. U kthye mrapa e nuk dijta ka shkou, por ma vonë e mora vesh se aty e kite gjetë Gjeloshin t’ dekun. Aty e ka lanë edhe trupin e Gjeloshit edhe armët e tij e ka vazhdua rrugën. Trupin e kalbun t’ Gjeloshin e kanë gjetë disa kohë ma vonë Ma vonë m’ ka thanë se asht frigua me qit n’ rrugë e me ia marr armt i asht dukt keq se me e çarmatos njerin e dekun.

 Në janar të vitit 1945 fillon golgota edhe e anëtarëve tjerë të familjes së Gjeloshit, e cila aso kohe jetonte në Lagjen “Badra” të Shkodrës. Pushteti i ri, që po merrte në dorë çdo gjë në Shqipëri, e internoi të shoqen e Gjeloshit, Lenën me të dy të bijat njëra dy e tjetra gjashtëvjeçare, Klarën dhe Izabellën, në Shijak e pastaj në Kalanë e Beratit dhe më vonë në Kuçovë.

Vuajtje të mëdha ka përjetuar familja e ngushtë dhe e gjërë e trimit dhe patriotit Gjelosh Luli, ashtu si edhe familjet e miqëve dhe të afërmve të tij. Mbas kthimit nga internimi e shoqja Lena (Elena) i rriti me vuajtje e mundime të mëdha dy vajzat e vogla, por askurrë nuk u përkul. Ishte grua burrëreshë, stoike e fisnike. I ndihmuan shumë të rrisë jetimet Nora, e veja e Kolë Dedës dhe Katrina e veja e Luc Nishit. Lena, që ishte ndër arsimtaret e para në qytetin e Shkodrës, detyrohet të kryejë punët më të rënda fizike për të mbijetuar ajo dhe vajzat e saj. Për regjimin e pamëshirshëm e kriminel komunist, nuk mjaftoi vrasja e bashkëshortit të saj Gjelosh Lulit, as internimi disavjeçar i familjes së tij, por e arrestoi dhe e dënoi edhe atë me dhjetë vjet burg për motive politike. Në vitin 1953, në ditën kur vdiq Stalini, kishte thënë: “Shyqyr që shkoi ky dreq, por kur do t’ i vijë radha këtij tonit!?” Dikush e kishte dëgjuar dhe e kishte paraqitur në organet e sigurimit. Dhe kjo kishte qenë e mjaftueshme që të arrestohet dhe të dënohet me dhjetë vjet burg. Kështu ndodhi që Gjelosh Luli, kapiten e komandant i forcave antikomuniste të Malësisë së Madhe, nga familja e madhe e Dedë Gjo’ Lulit, ndër më patriotet në truallin gjithshqiptar dhe bashkëshortja e tij Lena, nga Mirakajt e Mirëditës, familje e njohur dhe atdhetare, të shpallen armiq të popullit dhe të Shqipërisë. Absurd tepër i madh edhe për regjimin e Enver Hoxhës. Megjithate, nga regjimi aq i mbrapësht as nuk ka mundur të pritet tjetër.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora