E marte, 19.03.2024, 02:40 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Bisedë me përkthyesin e mirënjohur anglez z. John Hodgson

E marte, 13.03.2012, 08:00 PM


 

Bisedë me përkthyesin e mirënjohur anglez z. John Hodgson

 

(Shqipëria ishte një vend misterioz.  Ende sot ka plot mistere.  Kush deshifron dot Shqipërinë)?

 

Përkthyesi anglez John Hodgson i shkrimtarit të famshëm Ismail Kadare, është bërë tepër i njohur në botën e letrave shqipe.

Dashuria për gjuhën shqipe i ka hyrë gjer në palcë, çka e vërteton përkthimi i një sërë shkrimtarëve të njohur shqiptarë.

Z.Hodgson ka jetuar për një kohë të gjatë në Prishtinë dhe në Shqipëri.  Ai ka qenë në periudhat më dramatike të tyre duke i lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën e tij.  Kultura që ka marrë në Universitetin e mirënjohur të Kembrixhit ku ka studjuar për anglisht është demonstruar më së miri në përkthimet që iu ka bërë veprave të letërsisë shqiptare.

 

Z.Hodgson së pari ju falënderojmë për intervistën që do të jepni për lexuesit e shumtë për më tepër që ne do te komunikojmë në gjuhën shqipe.

 

Faleminderit për këtë mundësi për muhabet virtual, që të rrimë pak para ekraneve tona në Fejsbuk dhe të pimë nga një caj.

 

Le të hyjmë direkt në temë:  E keni pasur ëndërr të mësonit gjuhën shqipe apo diçka tjetër ju shtyu?

 

Nuk kisha pasur kur ëndërr të mësoja shqip.  Ishte rastësi fare, ose më mirë ishte kismet.  Ishti viti 1980.  Këshilli Britanik, i cili dërgonte lektorë në botën e jashtme, më ofroi punë në Jugosllavinë e atëhershme.  Më dha të zgjedhja ose Prishtinën ose Nishin.  Për Nishin, lexova se monumenti kryesor ishte një kullë me kafkat e ushtarëve të zënë rob. Kjo m'u duk dicka e pahijshme, kështuqë thashë "Do të shkoj në atë qytet tjetër."

 

Kishit dëgjuar për Shqipërinë më parë se ta vizitonit dhe si konkretisht?

 

Në atë kohë Shqipëria ishte në kulmin e izolimit.  Do të thotë se ishte e famshme se ishte e panjohur.  Në atë kohë në Kosovë, qarkullonin ëndrra të mëdhaja për Shqipërinë, të cilat dolën të tepruara dhe kishin pasoja tragjike.  D.m.th. Shqipëria ishte një vend misterioz.  Ende sot ka plot mistere.  Kush deshifron dot Shqipërinë?

 

Ju keni përkthyer nga origjinali librin e Ismail Kadarese “Ura me tri harqe” cilat janë impresionet tuaja gjatë përkthimit dhe çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga krijimtaria e tij dhe a mendoni një ditë se shkrimtari Kadare do të fitojë çmimin “Nobel”?

 

"Ura me Tri Harqe" është një roman me rezonancë mitike.  Tema e tij është legjenda e murimit, që njihet ndër shqiptarët edhe si legjenda e Rozafës.  Ky është nje mit universal që shfaqet në shumë vende të botës -- madje te ne, pëshpëritej në vitet 60 të se një grup mafiozësh kishin murosur një viktimë në këmbën e një ure autostrade në Londër.
Sa për çmimin Nobel, kjo është bërë nje pyetje e bezdishme.  Ka plot shkrimtarë të mëdhenj si Proust dhe Joyce të cilët nuk fituan kurrë Nobelin, derisa mjaft nobelistë janë harruar.  Më mirë t'u urojmë shkrimtarëve që të fitojnë lexues dhe jo çmime.

 

Jeni takuar me Kadarenë dhe cili ka qenë mendimi i tij në lidhje me përkthimin e veprave?

 

Besoj se Zoti Kadare është kënaqur se tani librat e tij përkthehen drejtpërsëdrejti nga shqipja dhe jo përmes një gjuhe të tretë.

 

Ju keni qenë student në një ndër universitetet e njohura në Europë, cili është opinioni juaj në lidhje me edukimin dhe mësimdhënien në universitetet e Tiranës dhe të Prishtinës, pasi ju keni qenë lektor i rregullt për vite me radhë?

 

Kur isha student në Kembrixh, isha i ri dhe i papjekur dhe nuk kuptova cfarë privilegji ishte. Pastaj kur dhashë mësim në Prishtinë në fillim të viteve 80-të kishim kushte tejet të vështira, por pashë çfarë etjeje për arsim kishte në Kosovë.  Jam shumë i gëzuar se vijnë shumë studentë tani nga Shqipëria dhe Kosova në Angli dhe kryejnë studime me shumë sukses.  Për mësimdhënien e sotme në Prishtinë dhe Tiranë nuk mund të them gjë, por zgjerimi i universiteteve private më duket i rrezikshëm se arsimi universitar do të bëhet i pamundur për shtresat e varfra, si më parë në histori.

 

C’gjë interesante mund të kujtoni nga jeta me studentët shqiptarë?

 

Ekzistonte një solidaritet i jashtëzakonshëm ndër studentet e Prishtinës -- këta ishin gjenerata e 81-shit. Ky solidaritet i madh pengonte diskutimet në klasë, se të gjithë shfaqnin mendime të unisuar për çdo cështje. Por ishte gjë e bukur.

 

Si përkthyes i huaj juve ju është dhënë çmimi më i lartë “Jusuf Vrioni”, si u ndjetë për këtë vlerësim?

 

Ndër shqiptarët çmohet shumë lart arti i përkthimit.  Kjo më ka inkurajuar shumë.  Në Angli përkthimi konsiderohet si argatllëk.

 

Si anglez ju ka tërhequr figura e Ali Pashë Tepelenës i cili është vizituar nga shkrimtari i shquar Bajroni dhe a keni shprehur interes për ta studjuar ose vizituar Kalanë e Ali Pashe Tepelenës ku Bajroni i madh anglez u prit me nderimet e një aristokrati të vërtetë?

 

Kam qenë në Tepelenë, por Ali Pasha nuk ka qenë figurë me rrezatim të madh personal për mua.  Libri më i bukur për të në anglisht është "Ali the Lion" nga William Plomer (1936).  Kurse Bajroni është frymëzim i pashtershëm për cdo lexues, me lirinë e tij nga paragjykimeve të kohës dhe përbuzjen e tij aristokrate.  Tani më ra në mend si do të kishte përbuzur ekonominë e tregut.  Bajroni nuk ka fund.

 

Keni përkthyer vepra të shkrimtarëve disidentë dhe në se po cilët janë ata më konkretisht?

 

Besoj se mendoni për librin "Ridënimi" të Fatos Lubonjes.  Ai ka qenë "disident" në kuptim se ka qenë në burg.  Për mua kjo është një vepër me peshë jashtëzakonisht të madhe morale dhe me vlerë evropiane.  Personazhet e këtij libri janë sikur të bluar midis mokrave ideologjike si ishin atëhere Shqipëria dhe mbarë Evropa.

 

Cilat jane planet tuaja në të ardhmen me përkthimet e veprave të gjuhës shqipe në gjuhën angleze?

 

Mund të perkthej sa të dua, por cdo gjë varet nga botuesit trillanë.

 

Ju faleminderit z.Hodgson,

 

Ju faleminderit juve dhe të gjithë lexuesve të shumtë të gazetës “Illyria”

 

Bisedoi Kozeta Zylo, New York

 

Mars, 2012



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora