E hene, 07.10.2024, 09:02 PM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Shpirti i ish Kryekuvendarit bën dritë nga parajsa…

E marte, 08.11.2011, 09:05 PM


Shpirti i ish Kryekuvendarit bën dritë nga parajsa…

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Shpesh për njerëzit fisnikë që kanë ndërruar jetë thonë: “Dritë iu bëftë shpirti”.

Nuk e di, por sot pa gdhirë mëngjesi mirë, në një të shtunë rutinë në New York, pata një ngacmim të fuqishëm për t’i kushtuar vëmendje të posaçme në këtë shkrim esse ish Kryekuvendarit të Shqipërisë, të ndjerit Pjetër Arbnori.  Nata jashtë m’u duk se feksi, dhe agu i bardhë erdhi brenda ninëzës së syrit duke më çuar vetëtimthi dhe dhuruar penën për të hedhur atë çka unë përjetova nga jeta e jashtëzakonshme e një Kryekuvendari, e një shkrimtari dhe ish të burgosuri politik, të cilin e kanë quajtur me të drejtë Mandela E Ballkanit...  Në se do të rrija shtrirë në shtrat në këtë mesnatë New Yorku, më dukej se ajo do të më ngecte në fyt, dhe nga përpjekja për ta gëlltitur do të më mbyste…

E muza nuk gëlltitet dot ajo të jep fuqi hyjnore, dritë vezulluese marramendëse,

c’ndjenjë e bukur!

E një Mandelë shqiptare nuk ka sesi të të mos zgjojë me shkrimet e tij sa frymëzuese po aq dhe të dhimbshme, të cilat kanë gjurmët e plagëve të nxira nga kamzhiku i diktaturës së egër...

Gjithëkush që jetoi kohën e rrëzimit të diktaturës dhe fillimet e demokracisë do të kujtojë nga foltorja e Kuvendit, zërin karakteristik të një burri të mençur shkodran, të një njeriu human që dinte të komunikonte si me mikun e idealeve po ashtu dhe me kundërshtarin.

Kjo nuk është dhunti e kujtdo, nuk është dhunti e të zakonshmve që edhe pse mund të pretendojnë se janë lider dhe frymëzojnë me fjalën e tyre.  Kjo është dhunti dhe domosdoshmëri e njerëzve që i përkasin kësaj lloj race, racës që i japin gjak ditëve me ngjyrë veremi.

Debatet e Kryekuvendarit me opozitën ishin një dialog parimor i domosdoshëm, përkundër shëmtisë të kujtdo rryme qofshin.  E ndërsa hedh në letër këtë shkrim për politikanin demokrat më kujtohet një thënie e Albert Camysë i cili shkruan:

“Mos ec para meje: Ndodh që unë mos të të ndjek pas.  Mos ec pas meje, ndodh të mos jem prijës.  Thjesht ec krahas meje dhe bëhu miku im”.

Librat e Arbnorit si shkrimtar janë shenjëza drite për udhën dhe shtigjet e panjohura për cilindo bashkatdhetar apo udhëtar të huaj që dëshiron të kalojë përmes Illyrisë.

Ato shenjëza drite fillojnë me letrat e koduara që i dërgonte nënës dhe dy motrave fisnike të tij që nga burgu, ferri i shqiptarëve, letra që janë hedhur mjeshtërisht nga poeti, publicisti dhe studjuesi i shquar z.Novruz Xh Shehu në monografinë me epistolarin e Pjetër Arbnorit titulluar: “Shumë e dashur nanë!”.

Eshtë një libër nga të rrallët, një bisedë shpirtërore e birit me nanën e tij Gjystinën dhe motrat e tij aq fisnike, Netën dhe Margaritën.  Letrat e shkrimtarit Arbnori kanë qenë shkruar brenda burgut, të cilat kanë qenë 2000 letra dhe që paraqiteshin në formën e një ditari nën titullin: “folklor”, për t’i maskuar nga gardianët që iu ishin mpirë trutë nga opiumi i kuq.

Ja si shkruante në një ndër letrat e tij: . “Ti, nanë e dashtun, ke punën e shtëpinë me mbajt, prandaj mos shikjo rradhën me ardhë me më pa, po lenia motrave rrugat”.

Edhe guri që është gur ndjen lëmimin e valëve dhe fillon shkërmoqet nga tërbimi i dallgëve e jo më qeniet njerëzore, por fatkeqësisht tek ne u përcudnua njeriu, u lig!...

Por i burgosuri në pranga shpresonte, shpresonte se një ditë yjet e qiellit do të ndriconin terrin dhe nga drita e syve të tyre do të lëshoheheshin shkëndijëza të shpirtrave poetikë që edhe të ikur ata janë brenda nesh.

Ikja brenda arkëmortit nuk është largim për këtë lloj race, ngase shpirti i tyre kthehet këngë për Mëmëdheun e shumëvuajtur, lutje për paqe, lutje për ata dhe ato që të mos vazhdojnë të mëkojnë brezat me qumësht të prishur.

Pjetër Arbnori ishte një shkrimtar dhe politikan, dhe kur këto bashkohen të dyja përcjellin dhe më fuqishëm kumte njerëzore në se ke vendosur t’i shërbesh me zemër Kombit.  Zemra me gjakun e tij është në damarët e historisë, e cila duhet ta vendosë në piedestalin e saj, duke e pasur simbol të humanizmit, të drejtësisë dhe të luftëtarit të paepur për Liri.

Më gëzoi fakti që këto ditë Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bamir Topi i dorëzoi bashkëshortes së tij urdhërin e lartë “Nderi i Kombit”.  Ishte një moment i bukur për miken e tij të jetës Zanën.  Zana dukej sikur i kishte zbritur nga qielli Arbnorit, ajo ishte brenda ditarit të tij të fshehtë me emrin “folklor”.  Ndoshta në imagjinatën e tij si bashkëshort, gruaja mund t’i shfaqej si Zana e Fishtës, e bukur, me të verbue, trime, me të cartë...  Zoti i solli një Zanë dhe i dhuroi dy fëmijë si drita e diellit.

Personalisht kam pasur fatin ta takoj të ndjerin Pjetër Arbnorin në vitin 1994 në Tiranë i cili ishte i ftuar në 3 vjetorin e themelimit të Partisë Demokristiane të Shqipërisë në të cilën kam aderuar qysh në themelimin e saj në dhjetor të vitit 1991.  Kryesia më kishte caktuar t’i uroja mirëseardhjen në hyrje të sallës ku do të zhvillohej ceremonia, kjo për vetë faktin si Sekretare e Përgjithsme e kësaj partie dhe njëkohësisht mbuloja gazetën “Ora e Shqipërisë” organ i PDKSh-s.  Pasi u përshëndetëm dhe prezantohem më pyet se nga ishja me origjine?  Kur unë i thashë se jetoja në Tiranë, por me origjinë jam nga Mezhgorani i Tepelenës, ai duke buzëqeshur dhe me shumë dashamirësi më tha se ndihem mirë që kontribuoni për demokracinë, për më tepër në këtë parti që ka në program parimet e demokristianizmit europian, dhe njëkohësisht  pasi dihet që edhe pse bazën e ka në Shkodër, në të marrin pjesë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, ku një prej tyre jeni dhe ju zonjë, do të vazhdonte bisedën Kryekuvendari.

Duke biseduar mua m’u krijua ideja sikur kishte ardhur nga legjendat dhe bëhej rrëfimtar për memecët e Lirisë së ngurosur...

Pjetër Arbnori me punën dhe veprën e tij ngriti shpirtërisht statujën e Lirisë, një statujë jo si e famshmja në ishullin Liberty Island, New York, vend ku u pritën me dashuri miliona njerëz nga e gjithë bota,  por ai e ngriti atë si për ironi të fatit në një “ishull” tjeter dikur të izoluar për 50 vjet nga diktatura, e cila nuk linte këmbë të huaji të hynte brenda rrethimit.  Por jo vetëm të huajtë nuk vinin dot, por as ne vendasit nuk kalonim dot rrethimin me tela me gjëmba, pasi shoqëria jonë ishte siç thotë Sokrati:  “Ne njerëzit ndaheshim në ata që urdhëronin dhe në ata që kryenin shërbimet; në ata që rrinin e në ata që sfiliteshin; në ata që shihnin dhe në ata që i kishin të zënë sytë; në të ngopur dhe në lolo.”

Për pasojë Pjetër Arbnori përjetoi ferrin për dekada me radhë, përjetoi dramën familjare, ai u nda nga kjo botë shpejt, por shpirti i tij lëshon dritë nga Parajsa, ndaj edhe sot ish kolltuku i Kryekuvendarit ka hijen e Shën Pjetrit sic e quan studjuesi i mirënjohur z.Novruz Xh Shehu.  Shpirti i tij lëshon dritë…Eshtë drita e nje Kryekuvendari urtak, që i zinte vend fjala në krye të oxhakut shqiptar.

 

Tetor, 2011

Staten Island, New York



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora