Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: “Dyluftim vajtoresh”
E shtune, 05.11.2011, 08:58 PM
“Dyluftim vajtoresh”
Fragment nga novela “Thomai që mbolli kripë”
Nga Timo Mërkuri
…Tek hynin në obor të shtëpisë, i priti vaji i të shoqes së Thomait që të këpuste shpirtin tek thoshte në ligje;
-Qani male plot me gurrë U’ e zeza u’
Qaj Bistrica ujëshumë U’ e zeza u’
Qaj o det e qaj o lumë U’ e zeza u’
Me mua të zinë burrë U’ e zeza u’
Që iku e s’kthenet kurrë U’ e zeza u’
Ai kapedan me vulë U’ e zeza u’
Barba Spirua hapi veshët mirë. Të qarë me ligje, quhej vajtimi që bëhej me vargje të renditura si më sipër .Dhe kishin një regullsi këto vargje, nuk qenë kot, ashtu si të të vijnë Fillojnë me një fjalë, psh siç qante e shoqja e Thomai‘’Qani male plot me gurrë’’,vargu ndërpritej nga ngashërimet e vajtores, por jo gjer atje sa të mos i dallohej kuptimi.
Ama te refreni ‘’U’ e zeza u’ ‘’ që do të thotë; Unë e zeza, unë, pra te ky refren zëri ngrihej në një oktavë më të lartë që të dëgjohej nga të tërrë dhe qartazi. Kjo sepse, mirë ai që iku, i lau borxhet e tij me këtë jetë, por e zeza grua që ngeli pa burrë, qysh do ja dilte matanë jetës. Kështu që ikja qe për të ndjerin, vuajtja e dhimbja qe për të gjallët. Shpesh familjet e rëna në mort mbanin të gjallë me vaje e logatje meritat e të ndjerit, dhe ky ekspozimi i meritave, jo vetëm që qe një ngushëllim për humbjen, por qe edhe një çertifikatë krenarie në fshat e në krahinë.
-Po kapedan nga na doli Thomai xhanëm-mendoi i trishtuar Barba Spirua.
Hakë kish e shoqja të qante me llogori burrin e saj, ti numëronte të mirat e të ligat, ca t’ja shtonte e ca t’ja shumonte sipas qefit, po që ta bënte kapedan me vulë, atë që s’kish prekur shpatë me dorë, pra ta qaje si kapedan këtë merhum, dhe këtë ta bëje në mes të fshatit, e po kjo qe e ç’na qe.
Të shkulje mjekrën, qe më e pakta.
Po si për inat të Barba Spiros, nga shtëpia vinte vajtimi, që vërtet të therte në shpirt
zëri që dridhej i vajtores, po të ngrinte nervat vargu i vajit që thoshte;
Ai trimi ezhdërha U’ e zeza u’
Që shokë as kish as ka U’ e zeza u’
-Të kthehem, tha me vete Barba Spirua, po që të kthenem është turp. Po dhe të vete e të dëgjoj këto llafe edhe kjo s’bënetë.
-Çish i thotë,-pyeti Katera e Dhrosos, shoqen që kish në krahë,-çish i thotë në vaj të shoqit, se s’para e dëgjoj mirë unë?
Barba Spirua ktheu kokën nga Katera dhe çuditërisht u qetësua.
E po kjo është fushëbeteja e vajtoreve dhe jo e burrave, mendoi i lehtësuar shpirtërisht. Që do ketë betejë në mort, kjo duket që nga pëshpërima e grave që kishin afruar kokat e çuçurisnin me njëra tjetrën.
-Të rimë e të dëgjojmë, të rimë e të shikojmë- mendoi Barba Spirua, ndonëse, nisur nga përvoja e tij e gjatë e dinte më së miri përfundimin e kësaj beteje.
Ose më mirë të themi që e dinte se si duhej të mbaronte kjo betejë.
-Se te Thomai dhe nga Thomai ç’do gjë bën vaki,arsyetoi pa dashje me llogjikën e Kiços.
…
Ky muhabet bëhej pikërisht në momentin, kur e bija e Thomait vajtonte të jatin me ligjet;
-Një koburre e rëndë ra, baba o baba
Në sarajet e mëdha, baba o baba
Vallë ç’ kapedan u vra, baba o baba
Që i trëmbej një pasha, baba o baba
Nja dy a tri gra e mbanin nga krahu, për ta shoqëruar te dalja e varrezave, aty ku pjestarët e familjes prisnin ngushëllimet e rastit nga pjesmarësit në ceremoninë mortore.
Pas kësaj, natyrshëm do venin të hanin drekën e mortit të tërë siç qenë.
Zakonisht në drekë mirnin pjesë të gjithë ata që morën pjesë në varim, me ndonjë përjashtim të vogël dhe të rastit. Pas kësaj, te shtëpia e mortit do venin vetëm pak veta, kryesisht më të afërtit, për tu lënë mundësinë pjestarëve të familjes që të qetësoheshin pak, se të nesërmen, që me të dalur dielli, familja dhe të afërmit, te shtëpia e të ndjerit do ja nisnin përsëri vajit.
…Pikërisht në këtë kohë, nga varri i të ziut Thoma, erdhën ca rënkime e pëshpërima. Njerëzia s’do ja vinin veshin kësaj gjëje aqë të zakonëshme nëpër morte. Është gjë e zakonëshme, dikush që si ka thënë ca amanete a ca porosi të ndjerit për ndonjë djalë a burrë a vajzë që ka në atë parcelë toke, nën hien e qiparisave të kishës, ja jep ato porosi apo amanete edhe tani.
. Pra, këto rënkime e psherëtima nuk do tërhiqnin vëmëndjen fare, sikur dikush të mos pëshpëriste;
-Është Kania e Vangjelit, është Kania e Vangjelit.
Të tërë si me komandë ndaluan dhe kthyen kokën.
Qe vërtet Kania e Vangjelit, vajtoria me nam e fshatit të tyre. Jo vetëm në fshat por në gjithë krahinën, kur vente nëpër vdekje dhe zinte vajin, ndalonin të gjitha gratë vajin dhe nisnin e dëgjonin atë. Dhe burrat nga oda tjetër, pasi linin muhabetin, zgjateshin të dëgjonin vajtimin e kësaj plake.Jo vetëm në dhomën e grave, por Kania kishte fituar të drejtën të futej edhe në dhomën e burrave, të ulej në mes të tyre, të pinte duhan si burrat e të bënte muhabet mes tyre. Këtë të drejtë të rallë e kishte fituar pikërisht me objektivitetin e saj nëpër vajtime. Të tërë e dëgjonin me respekt dhe e dinin se ja, pas pak do ja niste vajtimit, të cilin duhet ta dëgjonin burrat. Ata vetëm do ta dëgjonin, se s’kishin të drejtë ta kundërshtonin edhe sikur ti shante të tërë sa qenë aty.
Molloisej gojë më gojë qortim vajtimi apo vajtimqortimi i saj te Gjokëgjinajt të cilëve u qe vrarë djali dhe, për arsye që s’u bënë dot të qarta, nuk e morën hakun sipas zakonit brenda njëzetekatër orëve.
Ndajë u tha në vaj dhe pikërisht në odën e burrave;
-O Gjokëgjinaj sa jini
Ç’bëni vall akoma flini
Gjumë dit’ e gjumë natë
Duke lozurë me gratë
Gratë këtu do i kini
Po ti mbani,vallë dini
Se gratë duanë burra
Jo pleq që u shpëton shurra
Se gratë burra kërkojnë
Jo meshkuj që vetëm çpojnë.
Sa e rreptë aqë e drejtë qe në vajtime, thua se e dinte se vajtimi i saj qe përmendoria e vogël apo e madhe , sipas rastit që i ngrihej të ndjerit dhe do i mbetej sa të qe jeta.
Kishte mbetur gojdhënë dhe molloisej në çdo mort edhe vajtimi që i bëri të mbesës, që vdiq e pickuar nga gjarpëri, atje tejë, në shullë të Ninajve, kur i thoshte mbi varr, në përfundim të ceremonisë të varimit;
Hapni varrin të hyj brënda
Do të ri si mbi velënxa
Veç të dal’ lesh ergjënda
Që kur shkon venitet hëna
Djemuris u ikën mëndja.
Dhe ja, tani e ulur në anë të varrit të të ndjerit Thoma ja nisi vajit.
Njerëzia nisën të afrohen dalëngadalë, po jo dhe aqë shumë, se nuk bën të kthehesh te varri i porsambyllur, kur je nisur për të ikur.
Vaji i Kanisë dëgjohej qartë e shkoqur kur thoshte;
-O ti që diqe nashinë
T’ të djegim me flakërimë
Eshtrat si duhan t’t’i grijmë
Në Bistric’ të t’i vërvijmë
Mos u trëmb e mos ki frikë
S’të harojmë as një çikë
Sepse emrin nat’ e ditë
Do ta kujtojmë në kripë.
Ky qe sinjali, borria, çanga që jep kushtrimin për luftë.
Gjer më tani plakat e respektuanë mortin dhe të ndjerin.
E respektuanë atë që kurrë s’do e respektoninë.
Por vetë familja ja nisi sherrit me ato mburjet, që vetëm sa të cingrisnin nervat.
Ndajë sot, burra e gra, më shumë se në çdo mort tjetër, u nisën e vanë në shtëpinë e Thomait, ku do zhvillohej beteja, domethënë, vajtimi, ksodhi sipas zakonit.
Njerëzit ecnin tatëpjetë shtegut grupe grupe sikur ta kishin bërë me fjalë.
Realisht asnjë fjalë nuk qe lënë, por gratë instiktivisht u pregatitën .
Do venin ti bënin nderimet të ndjerit dhe ngushëllimet familjes së tij, si gjithënjë e si te kushdo që e zë halli.
Se ç’do ndodhte atje, s’dihej, po një gjë qe e sigurtë;-atë që e kishin mbajtur në shpirt një mot e ca, do e kërrenin në vajtim dhe pas kësaj do harohej Thomai, paçet e tij dhe kripa e mbjellur për të gënjyer Pashanë .
…Vajtoret qenë reshtuar si ushtritë në sheshbeteja. Nga njëra anë qenë ulur e shoqja, e bija, kunata , vajza e kunatës dhe ca kushërira dhe nga ana tjetër graria e fshatit që kishin vajtur për mortbetejën apo për betejën mort. Dallohej Kania e Vangjelit që qe në mes të grupit të grave të fshatit. Më shumë dallohej, jo aqë nga pozicioni tejet i dukshëm që i kishin rezervuar plot respekt graria, sesa nga fakti që qe plot inat. Kishin një orë e ca që vajtonin me hidh e prit dhe e bija e të ndjerit as që donte tu lëshonte rrugë grave të fshatit, por ngrij la e më la të jatin.
Tani, baba e kish, dhe kish hakë ta ngrinte lart e më lart, sidomos tani pas vdekjes, po ja që fshati kish ca hesape me Thomanë dhe, meqënëse këto hesape nuk i çiti sa qe gjallë, do t’ja molloisim tani në vaje. Po e bija prape s’lëshonte pë e s’hapte rrugë, po ja nisi vajit;
Të kesh-o të kesh-o
Lotët e Bistricës-o
Të qajë babain-o
Atë kapedanin-o
Do kish vazhduarë më tejë me kapedanatin e të jatit, por e zuri ngashërimi keq e ja prishi vajin.
Të vajtosh babanë, ti ngreshë lëvdata në mes të një morie plakash tërë inat, që mezi rinin e mbanin radhën e vajit, sepse të tëra donin të nxirnin dufin e mbledhur një mot e gjysëm, pra të vajtosh qetësisht babanë në një situatë të tillë, është si të ecish zbathur mbi driza të thara e të shtrira në rrugë.
Këtë situatë parafytyroi e bija ndërsa vajtonte dhe ju duk padrejtësi.
Ju duk padrejtësi e madhe e fshatit ndaj babait të saj të porsavdekur.
Me babanë dhe ajo kishte ca hesape vajzërore për të molloisur, si ai rasti që nuk ja solli fustanin e premtuar nga Delvina, por ama këto harohen të tëra kur vdes njeriu.
Këto kujtime dhe parandjenja e sherit që do niste, ja shtuan ngashërimin sa që e ndërpreu vajtimin.
Këtu gjeti rastin Kania e Vangjelit e cila, për të mos e lënë pauzën të zgjatej shumë, ja nisi vajit duke ju drejtuar të bijës së Thomait;
Qaje mir’ moj gushëbardhë, moj bij-o
Molloisia me radhë
Molloisja me sirra
Po thuaj ato që ka
Gratë u zgjatën për ta dëgjuar më mirë se çdo i thoshte në vaj Kania e famëshme, vajtoria e mirëkërkuar në tri krahina. Burrat kishin ndërprerë muhabetin nga oda e burrave dhe si rastësisht qenë tendosur për të dëgjuar vajin te dhoma e grave.
Porositë për të bijën qenë shumë njerëzore, ndaj i drejtohej në çdo varg me fjalën ‘’moj bij-o’’, zëri i dridhur i vajtores tregonte se asaj i sëmbonte në shpirt kjo vajzë, që thoshnin se kish marë zgjuarsinë e gjithë fisit. Qe e vogël për këtë betejë të madhe, as gjashtëmbëdhjetë vjet nuk kishte mbushur, por luftonte si luaneshë për të mbrojtur emrin e të jatit.
Por ç’e do, se Kanisë nuk ja dilnin dot një lukuni me plaka të reshkura nga jeta e jo më kjo vajzurinë, që akoma nuk qe puthur për herë të parë. Ndajë Kania qante me ligje si donte e si dinte;
-Nuk qe kapedan me thikë
Po mori famë me kripë
Qylexhiu i kësaj jete
As për fshat e as për vete.
Në fakt,fjalën ‘’qylexhi’’ Kania e përtypi nëpër dhëmbë, në një mënyrë që nuk u kuptua fare. Kjo qe më se normale, sepse, nuk kishte të drejtë ta shante të vdekurin në mortin e tij dhe aqë më tepër në shtëpinë e tij.Të bënte këtë, gjithë gratë e fshatit do i suleshin e do e nxirnin nga shtëpia e mortit. Dhe jo vetëm kaqë, por do ja nisnin vajit vetë ato duke e ngritur lart e më lart të ndjerin, vetëm e vetëm që faji i bërë nga vajtoria e mëparëshme të mos i zinte dhe ato, dhe se i vdekuri kurrë nuk shahet, aqë më tepër në mortin e tij. Kishin dhe ato përgjegjësi për çdo vajtim që bëhej në atë mort.
Sepse dihet që vajtimi nuk është vepër e një njeriu, vajtimi është vepër kolektive e grave vajtore që janë mbledhur në mort. Teksti është vepër individuale, por jo vajtimi.
Kania vajtonte me fjalët e mësipërme, të tëra gratë e shoqëronin me rënkimet e tyre, bile dhe e bija dhe e shoqja, kunata a kushërirat e të ndjerit. E shoqëronin ashtu si dhe Kania i shoqëroi ato në vajtimet e tyre, pavarësisht se nuk i pëlqeu përpjekia e së bijës për ta ngritur la e më la të jatin.
E shoqëruan edhe kunatën e të ndjerit në atë vajtim, ku ajo i akuzonte gratë e plakat e fshatit për gatim të paçes me mish të ngordhur a të sëmurë a ku ta di unë,kur vajtoi me fjalët;
-Të hëngrën kunat me tënjë Kunat o vëlla
Paçet që të kishin dhënë Kunat o vëlla
Ta dha në kok’ e në këmbë Kunat o vëlla
Dot jatrua nuk të bënë. Kunat o vëlla
Gratë vështruanë njëra tjetrën, sikur prisnin kush do jipte shënjën që ti hidheshin sipër e ta zinin për flokësh kunatën e të ndjerit.
Akuza e saj qe e rëndë. Qe pikërisht ajo akuzë që kishte kohë që qarkullonte nëpër fshat për helmimin e Thomait nga gratë e plakat , duke i hedhur helmin në paçen e taksur.
Gjer dje kjo qe një thashethem dhe si i tillë trajtohej.
Si çdo thashethem i fshatit edhe ky, ose përgënjeshtrohej me argumenta si ai i plakave, që asnjë shtëpi në fshat nuk kish ndonjë tenxhere a kusi tepër ku të gatuante paçen vdekjeprurëse dhe pastaj vetkuptohet, që kusinë a tenxheren ta groposte diku, sepse ajo tenxhere është njësojë si arkivoli që mba brenda meitin. Domosdo që dhe arkivoli futej në gropë bashkë me të ndjerin. Kush qe ai që do e mbante arkivolin, ruajna e zot nga mejtimet e liga, pra kush qe ai që do e mbante në shtëpi arkivolin, ndërsa meitin do e fuste gollomesh në dhe.
Vetëm vdekje ndillte edhe mendimi, pale më që ta mbaje vërtet.
Po ku kuptonte Thomai nga mejtimet e holla të plakave.
Ai vetëm paçe kishte në bark e në tru.
E me që ra llafi, argumenti tjetër i plakave ishte fakti se Thomai qe gjallë e më të gjallë e sa vente e trashej , aqë sa i dilnin dhe çibanë nga dhjami i paçeve që kullufiste. Pra për ç’helm e ç’helmim mund të flitej.
Këto pra qenë argumentet e holla të plakave të fshatit S. që mbronin vetveten nga thashethemet mbi helmin a helmimin e Thomait.
Ama qenë argumete të djeshme, sepse sot ndryshon puna.
Thomai iku te të shumtët, ndajë u mbetej të paktëve të bënin davanë e tij.
Thashethemi kishte bazë pikërisht vetë personin, i cili nuk ronte më.
Vdekja e dyshimtë e tij, larg shtëpisë e larg njerëzisë, natën a ditën, kjo s’dihet mirë, por gjithsesi një vdekje pa asnjë sëmundje paraprake, pa asnjë plagë plumbi a thike, pra pa asnjë shënjë të jashtëme, domosdo që burimin e kishte nga brënda trupit të njeriut.
Atëherë pse të mos mendojmë se e kishte nga barku, domethënë nga paçet që hëngëri, më saktë duhet thënë’’nga paçet që mori radhën e fundit te shtëpia e Stavrullës.
Që Stavrulla e kishte inat, kjo dihej nga të tërë. Jo për gjë, por se shtëpia e Stavrullës qe ndër me të varfërat ne fshat. Dhe si çdo shtëpie të varfër, dhe një kokër patate ti heqësh nga sofra, duket sikur i ke hequr gjithë pasurinë.
Po se mos e kishte inat vetëm Stavrulla, do thuash ti. Mirë dhe të tjerët e kishin, por gjëma erdhi pas rradhës së Stavrullës. Dhe e dinte gjithë fshati që, vjehra e Stavrullës, atëherë motit, kur qe gjallë, dinte të bënte ca ilaçera e ca gjëra të tjera me barishte e ferra e kërpudha…e plot gjëra.
Tani, mase kish mësuar dhe Stavrulla ca nga këto marifete se helbete, nuse qe te ajo shtëpi.
Stavrulla e ndjente që i vinte rrotull akuza. Dhe po ti ngjitej, prit ti shqitej pastaj.
Kjo akuzë e bërë gjysëm publike në vaj, kishte fuqinë të ngrihej si gjëmë e të gjëmonte mbi shtëpinë e saj dhe, pas nja dy a tri bisedave s’dihej se ku, do ti trokiste në derë lajmësi që do ti thoshte se shtëpia e Thomait kërkonte gjakun e tij te shtëpia e Stavrullës.
S’bënte fajde asnjë argument më, as fakti që Thomai s’qe vrarë me armë që shkakton gjakderdhje. Bile kjo e rëndonte më tepër akuzën, sepse kjo vrasje qe bërë në mënyrë jo burrërore, jo zakonore dhe ca më tepër qe bërë në një kohë që burrat kishin dhënë besën e ndërprerjes së hasmërive, pikërisht te Shpella e Besës.
S’duhej lënë të trashej ky muhabet, ndaje Stavrulla, pasi pa njëherë gratë, sikur t’u kërkonte ndihmë që ta mbështesnin, ja nisi vajit;
Po qan kunata kunanë
Vardha lotët-o
Korba kunat-o
Nja dy gra nisën të pëshpërisnin te qoshja e dhomës. Po domosdo që do pëshpërisnin se Stavrulla e nisi allosoj vajin.
As më thua more xhan, ç’bënte te vaji i saj ai vargu gjysëm ironik e gjysëm sarkastik ‘’vardha lotët-o’’. Po futet në vajtim fjala ‘’vardha’’ qoftë edhe për të treguar numërin e shumtë të pikave të lotit. Këtu mund të përdorej me lezet fjala ‘’lumë lotët-o’’ ose ‘’përrua lotët-o’’ dhe kjo do shtonte dhimbjen te dëgjuesit, se do tregonte që vajtoria kaqë shumë vuante nga dhimbja sa i venin lotët çurg, përrua, lumë.
Po ‘’vardha’’ mund të thuashë për dasmorët kur shkojnë në dasëm, varg, njëri pas tjetrit. Varg do të thotë diçka në këmbë.
Po si mund të thuash lotët ecin varg njeri pas tjetrit, si zabitët e pashait.
Kjo domosdo që nuk shkon fare.
Po le ta dëgjojme Stavrullënë që vajton.
I thotë që e kan’ vrarë
Korba kunat-o
Vardha lotët-o
Hëm!
Kjo po, që dëftonte taman sheshit akuzën që u bëhej plakave të fshatit dhe larg e larg Stavrullës. Me demek;-Ja sheshi ja mejdani.
Pa të shomë si do e japë xhevapin Stavrulla tani.
As me plumb e as me pallë
Korba kunat-o
Vardha lotët-o
Po me një çanak me dhallë
Korba kunat-o
Vardha lotët-o
Epo, kjo i vuri kapakun vajit të saj. E vranë me një çanak me dhallë.
Ngado që ta shohësh këtë muhabet, duket sheshit që Stavrulla tallej me kunatën e të ndjerit, ose më mirë me vajin, apo akuzën e saj në vajtim për vrasjen e Thomait me çanak me paçe a me çanak me dhallë.
Jo që s’kishte më vënd akuza për vrasje, po tregohej sheshit që Thomai gjezdiste derë me derë, si prifti me kanaçe dhe kërkonte qylin e paçes.
Kunata e të ndjerit do bëjë më mirë që ta mbyllë këtë muhabet, se filloi të marë erë.
Stavrulla e ndjeu instiktivisht që e fitoi davanë. Dalja hapur në vajtim, përballë akuzës dhe akuzueses, dhe ca më tepër ironizimi i akuzës dhe akuzueses pikërisht në shtëpinë e tyre, ishte rruga e vetme për të dalur e larë nga akuza.
Por ama akuzueses nuk i pëlqeu fare ky vajtim, ndonëse për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se e shoqëroi vajin e Stavrullës.
Sheri dukej sheshit që po afrohej, ashtu siç dallohej afrimi i shtrëngatës nga vrapi i reve të zeza mbi mal. Ato vaje e kundravaje, akuza e kundraakuza e ca më tepër, përbuzje për akuzat e bëra, nuk tregonin gjë tjetër veç furtunën që afrohej.
Kunata e Thomait e vështroi njëherë, si një bishë e zënë në çark, Stavrullën dhe pastaj me një zë sikur te fliste me shoqen përbri, por duke u kujdesur që ta dëgjonin të tëra tha;
-Epo ç’ti bësh o xhan. Do dëgjojmë dhe plakën e Kostandinit nashtinë. Po dihetë moj motrani që plakave ,fjalën dëgjojua. Ato që lëshojnë nga prapa mos ua dëgjo dhe sidomos, mos u rri afër se kanë erë të rëndë.
Stavrulla u bë gati ti përgjigjej ashtu siç dinte, por nuk ariti as të hapë gojën, se vjehra e saj që kish ardhë dhe ajo, më shumë për të dalë nga shtëpia se sa për mort, sikur këtë të priste , ju sul kunatës së Thomait me ulërima e sokëllima.
-Ti moj do më shashë mua nusen e djalit, që e kam si floririn. Dhe për kë se, për këtë kapedan kripe. Qe kush qe kapedan, moj kripëreshë e Niçajve. Po ti, ti moj që s’ke lënë ferë e gëmushë pa u shtrirë në mal të Gjikës. Ti moj që s’ke lënë hu pa thyer e gisht pa lyerë.
-Më març të keqen, moj plakë e rjedhur, se për mua mollois tërë fshati. U’ dhe kur shkoj rrugës, kokëulur shkoj, moj zgërbonjë që mba vetëm dhelpëra. U’ që vete tri herë në javë në kishë moj palo plakë.
-E a të keqenë, e. E dime, si se dimë. Tërë rrugësë shkon më kokën ulur, tërë malin ri me këmbë përpjetë. E dimë moj xhane që vete gjithënjë në kishë, e dimë. Se dhe prifti i sojmë dhe i fortë është. Po pse harove moj, që tërvit të zunë me priftinë te vreshti i Tores. U bë zhurmë e shamata sa u bë kallame vëndi. Shpejt haron moj xhane, shpejt.
Siç duket që të ja nisësh prapë.
-Ç’thua kështu moj plakë e rjedhur, ç’thua moj, ta thëntë zoti ynë Jezu Krisht prapa veshit. Pa mo do vete ti ndez dhe një qiri për tij, moj lugate dyqintvjeçare.
-Ikë të keqenë e ndizi qirinjtë. Po pse s’të kemi parë ne si e vështron edhe Krishtin edhe priftin zotrote. Tërë dynjaja i puth priftit dorënë, zotrote e vështron në mes të rasosë. Të dimë moj të dimë. Të dimë e të njomë se cila je.
-Mbylle plakë-ndërhyri një grua. Ç’janë këto hatara që thoni, moj korbani.
Po ka dhe vashëza këtu dhe dëgjojnë. Dhe tija, plakë ki mëndjen se me këto që thua do të shkishërojë prifti.
-E cili prift do më xhvirgjërojë mua nashtinë-tha plaka, që qe dhe pak qibare nga veshët-Pa mo u’ e kam haruar atë punë si bëhetë. Pa mo më xhvirgjëroi ai imi, që është atje tejë, në vasilikua, që gjettë rehat..S’do qe keq të më bënej dhë njëherë ajo punë, pa jo prifti të qe, po dhe hoxha të vinte, nuk ankohesha. Po kjo që na mollois këtu, tani e tre sahat, e virgjërë është akoma? Po qish i bëri ata fëmijë? Apo i këreu nga sqetulla.
Grave u erdhi gazi në buzë, po s’bënte të qeshnin në mort. Këto shere qenë të zakonëshme nëpër morte. Familja përpiqej ta ngrinte lart e më lart të ndjerin dhe meritat e tij, gratë e tjera rinin roje që të mos e kalonin sinorin. Ky sher bëhej me vaje, por kishte dhe raste që kalohej në grindje grarishte..Dhe kush do i ndante se…
Dihet që burrat, as ndër mënd se shpinin që të shkelnin zakonet e të futeshin në dhomën e grave e të ndanin sherrin e plakave. Le që kush i qaste aty brënda.
Më trimi ndër ta, po të guxonte të hynte e të thoshte ndonjë fjalë , do hante ndonjë shkop të thantë pas koke nga ndonjë plakë e do dilte me bisht ndër shalë. Pa do ja ngrinin dhe bejten aty për aty e s’do e qaste në krevat as gruaja e tij, për një muaj resht.