Kulturë
Dy poezi nga Neki Lulaj
E hene, 06.02.2012, 08:52 PM
Neki Lulaj
ZBRIT
Zbrit dhembje
Nga shtrati i pikëllimit
Se Atdheu im
Me vello nusërie po agon
Gjerdan i qëndsur
Mbi gjoksin e të parëve
Nën themelet Tuaja
Besë e nderë shqiptari
E mbi kufinjtë e tu
Dielli rreze ari
Motet e burgosura
I shtrydhi xhelati
Deri thellë ne palcë
Eshtrat na i ngacmoi
Bota e çmendur
Shizofreni njerëzore
Viktimën dhe xhelatin
Në odat e yjeve
Isa Boletini
I kuvendeve të gjata
Mbi katet e qiellit
Gjithkund portat e hapura:
“Ulu o shqiptar të bajna kuvende!”
Koha e mugët troket
Shekulli i than plagët
Të festojnë edhe të vdekurit
Me bashkatdhetarët.
HESHTJA DJEGË
Heshtja po më zbret sonte
Në oxhakun e djegur të odës
E shpirtin ma ndrydhë
Vetmia e ngrysur
Në ketë mot të krisur
Nata çalon e denesë, loti
Loton mbi parmakët e xhamit
S´mund ti hapë portat e mia.
Në muajin shtator
Vetmia të djeg si shiu
Me lotin e brishtë.
Ofshajnë trerët e odës iliriane
Pse burrat me shokë e tirq
E jataganët nuk janë
Ali Ukën ujqërit e vranë
E postajat e ogiqve varë mbi gozhdë
Heshtja shurdhëron muret
E jarganat për mysafirë
Fish e fish e fish
Mbi trapazan digjen
Mysafirët sërish kuvendojnë
Ku e kemi Isën e Ukën
Edhe engjëjt i ftojnë.