E premte, 26.04.2024, 05:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Ukshin Zajmi: “Peneli i Flakës… 2012”

E premte, 20.01.2012, 09:00 PM


Qëndresa përmes koloriti të ngjyrërave

 

Nga Ukshin Zajmi

 

Në ceremoninë e hapjes së “Penelit të Flakës…2012” të cilën e udhëhoqi Zejnullah Zejnullahu, e në prezencën e qindra dashamirëve të artit pamor të Gjilanit e të trojeve shqiptare, foli kryetari i komunës së Gjilanit, i cili me këtë rast inkurajoi të pranishmit, gjë e cila i gëzoi më së shumti artistët gjilanas, se së shpejti do të ngritet një objekt për kulturën e Gjilanit e në te edhe për Galerinë e Arteve pamore. Për spektrin e temave, ngjyrërave, levizjeve, latimeve, gdhendjeve e komponimeve të paraqitura në këtë ekspozitë mbarëkombëtare foli Tahir Arifi. Kësaj radhe juria për seleksionim e shpërblime në përbërje: Zejnullah Zejnullahu, Artan Bajrami e Juskel Gjinolli, shpërblimin blerës të Galerisë ia dha Qamil Llapashticës, ndërsa për pikturë u shpërblyen Arbenita Kërqeli dhe Daut Hamullari e për skulpturë Idriz Balanit për skulpturën e Agim Ramadanit të gëdhendur në mermer.

Njëzet e nëntë punime në të gjitha teknikat e artit pamor, një fotografi e pesë skulptura, është numri i punimeve i të po aq autorëve, të cilat kuratorët Nagip Berisha e Filloreta Maliqi i renditën në Galerinë e artit pamor të Gjilanit, e cila punon që nëntë vite.

Koloriti i ngjyrërave, që aplikohet nga shija dhe mënyra e paraqitjes së botëkuptimit e qëllimit të autorit, pastaj spikatja e saj përmes lëvizjes së brushës, hijëzimit e theksimit, bënë që temat e punimeve të paraqitura në këtë ekspozitë të jenë të kapshme për shikuesin. Ndonëse ekspozita kishte edhe një tematike të bartur nga manifestimi “Tri dekada lirie” dhe vitit jubilat të 100 vjetorit të pavarësisë, dominuan temat e qëndresës për të përballuar krajatat e jetës, në një kohë të pakohë, të pjesës dërmuese të popullsisë shqiptare jashta kufinjve të Shqipërisë. Kështu, Demir Behluli spikati në një punim 12 pjesësh- dymbëdhjetë vitet e rrugëtimit pas çlirimit nga pushtuesi të “Flakës së Janarit…”, duke i dhënë çdo viti veti të posaçme, ndërsa Idriz Berisha në peisazhin e tij “Acar i këputur” paraqiti në mënyrë simbolike vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës në një acar, i cili u këput, dhe shkëndijat e kësaj këputjeje sollën flakën e një të ardhmëje më të ndritur.

Agim e Aziz Islamaj paraqiten me skulptura druri duke na shpjeguar aftësinë e tyre të latimit e të paraqitjes së simboleve ndërsa Idriz Balani, ekspozoi mjeshtrinë e tij të punës në mermer duke na e paraqitur portretin e heroit Agim Ramadani, jo vetëm në fizionominë e tij prej portreti vizuel, por edhe të detajeve më të imta. Me skulpturë u paraqit Avni Toplica me simbole të instaluara metalike dhe Adriana Sedaj me një dru-thurrje. Qëndresa e drejtpërdrejtë apo tërthorazi u paraqit në punimet e Isa Alimusajt, Avni Behlulit, Brunilda Mumajesit, Juksel Gjinollit, Ramadan Arifit, Arbenita Kërqelit, Agnesa Muharremit. Pejsazhin standard por edhe të modifikuar e paraqitën Qamil Llapashtica, Avni Rexhepi, Nagip Berisha. Me pano kompozicioni u paraqiten: Vlora Kosumi, Jetullah Haliti-ETI, hajrush Fazliu, Besim Gashi, Amire Bërkolli, Filloreta Maliqi, Daut Hamollari, Basri Mekolli, Ilmi Sadiku, Sanije Dreshaj-Zenunaj, Magbule Xhemailit me ciklin e saj “Gjurmë e kohë”, Arta Llapashtica-pikturë dokumentare, Skënder Boshnjaku me koka të trishtuara e Suad Rama. Fotografia artistike e Ismet Krasniqit paraqet një figurë njeriu në afekt trishtues në një fatkeqësi natyrore.

Edhe në këtë edicion, “Peneli i Flakës…” bashkoi në një vend shkollat, vizionet dhe konceptet vizuele, të cilat iu ofruan përceptuesit, i cili mund të rezymon për një ecje nëpër terren e këmbë të shëndosha në artin vizuel shqiptar, i cili, veç tjerash ka edhe koncept shumëdimensional e universal të shprehjes.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora