Shtesë » Lajme
LDK: PDK-ja pagoi Qosjen 220 mijë euro
E premte, 25.11.2011, 09:08 PM
Lidhja Demokratike e Kosovës tendencën e PDK-së për të ndryshuar Ligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) e konsideron të dëmshme, të papranueshme dhe të frymëzuar nga një logjikë staliniste.
Nëpërmjet një komunikate për media, LDK akuzon PDK-në se po synon të shtetëzojë ASHAK-në, për të vënë kontroll politik e ideologjik mbi institucionin më të lartë të dijes, shkencës dhe të kulturës në Republikën e Kosovës.
“PDK-ja nuk ka dhënë asnjë shpjegim të vërtetë për këtë tendencë, por, pasi pagoi rëndë Rexhep Qosjen, me paratë e qytetarëve të Kosovës, duke shpërdoruar fondin për shkencën, e obligoi këtë të fundit që të dalë e ta përkrahë tendencën e mbrapshtë të PDK-së dhe në të njëjtën kohë ta shajë LDK-në, lidhur me në çështje me të cilën LDK-ja nuk ka të bëjë”.
“Por, Qosja arsyet i ka të forta, meqë 220 mijë euro për disa të shara nuk janë pak. Problemi është ky, PDK-ja dhe Qosja këto 220 mijë euro na i vodhën ne qytetarëve të Kosovës”, theksohet në reagimin e LDK-së.
Arsyeja tjetër e Qosjes, siç thuhet më tej në komunikatë, është edhe më e zezë, pas që – sipas LDK-së – “ai ëndërron institucione të kontrolluara nga partia të cilës i shërben, institucione në të cilat njerëzit dërgohen siç është dërguar ai në ASHAK në kohën e tij”.
“Rexhep Qosja nuk arrin të dallojë veprimtarinë shkencore nga ajo politike, prandaj çuditet se si një njeri i shkencës, duke qenë edhe politikan, zgjidhet anëtar i ASHAK-së. ASHAK-ja zgjedh sipas ligjit pozitiv dhe vullnetit të vet e jo si në kohën e Qosjes, me pusullat apo firmat e Komiteteve të LKJ-së”, theksohet më tej.
“Rexhep Qosja i ka të vjetruara mësimet për formatin dhe Ligjin për ASHAK-në, meqë ai nuk ka kaluar kurrë procedura zgjedhjeje. Njeriu i dërguar në ASHAK nga ish-Komitetit Krahinor i LKJ-së, nuk ka si i mëson të tjerët për rregulla demokratike të zgjedhjes.
“Rexhep Qosja duket që po ëndërron edhe një “revolucion të vonuar demokratik”, por tani në Kosovë. E sigurojmë atë që do të shkojë nga kjo botë i dëshpëruar, sepse një të tillë nuk do ta lejojnë qytetarët e Kosovës.
“LDK-ja në asnjë rast nuk do të lejojë që të denigrohet nga askush. LDK-ja do të mbrojë institucionet e dijes, të shkencës e të dijes. LDK-ja do të mbrojë institucionet e shtetit që ka ndërtuar vetë, me ndihmën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. LDK-ja do të flasë hapur për të gjithë denoncuesit e mashtruesit, brenda e jashtë Qeverisë së PDK-së, vullnetarë qofshin ata, apo të paguar”, thuhet në fund të reagimit të LDK-së.